Hafiz Abdylaziz ef.Myderrizi (1853 – 1917)

Hafizët tanë gjatë kohës

U lind në Krushevë të trevës së Gorës në vitin 1853. Qysh në fëmijëri, babai i tij, Zejnelabidini u shpërngul së bashku me familjen e tij në Prizren dhe u vendosen me shtëpi afër xhamisë së Mehmed Pashës (Bajraklisë).
Pas kryerjes së medresesë dhe marrjes së ixhazetnames (diplomës) nga myderrizi i shquar i kohës Ismailhaki ef.Manastiri, shkoi për studime të mëtutjeshme në Stamboll, me ç’rast pas kryerjes së studimeve në Stamboll caktohet në detyrë imam në Bursë, ku pas një kohe të shkurtër për arsye se ishte një alim (dijetar) jashtëzakonisht i shquar u transferua në Stamboll me porosinë e dijetarëve të asaj kohe, sepse ai e kishte vendin në Stamboll. Por, babai i tij e kishte porositë djalin para se të shkonte në studime, me fjalë: “Të kam dërguar për studime në Stamboll, për të kryer studimet dhe për t’u kthyer për t’i shërbyer vendit tënd ku ke lindur.”
Hfz.Abdylaziz efendiu kthehet në Prizren, i bindet babait të tij, edhe pse ulemaja e Stambollit kategorikisht e kanë kundërshtuar këtë vendim të tij. Pas kthimit në Prizren caktohet myderrizit i medresesë së Mehmed Pashës. Abdylaziz efendiu ishte dijetari dhe personaliteti më i shquar në tërë rrethinën e Prizrenit. Ishte bashkëmendimtar dhe mik i ngushtë i myderriz haxhi Ymer ef.Prizrenit, udhëheqësit të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Pas zgjedhjes së haxhi Ymer ef.Prizrenit deputet në Kuvendin Osman në vitin 1877, me propozimin e tij emërohet për myderriz të kësaj medreseje hafiz Abdylaziz efendiun, i cili shërbeu në këtë detyrë gjer në vitin 1917.
Te ky myderriz i shquar kanë marrë ixhazetnamen (diplomën) shumë talebe (nxënës) nga trojet e ndryshme shqiptare. Për shkak të aftësisë së jashtëzakonshme dhe dijes që posedonte, drejtësisë që e ka zbatuar, ka qenë i kërcënuar edhe me vdekje nga njerëz të ligë.
Me ndihmën e Zotit, i ka shpëtuar dy herë atentateve. Meqë të dy atentatet kanë dështuar, atentatori i ka kthyer lirat e dhuruara nga porositësi i atentatit dhe ka deklaruar: “Sapo e kam marrë në nishan, për të gjuajtur atë, para mauzerit (lloji i pushkës në atë kohë) në vend të hfz.Abdylaziz efendiut më është paraqitur hija e luanit, dhe nuk kisha forcë e guxim të shkrep pushkën”.
Hfz. Abdylaziz efendiu ndërroi jetë në vitin 1917 dhe u varros në Prizren. Në kujtim të tij, haxhi Ymer Lutfi ef.Paçarizi ka shkruar dy kronograme në gjuhën osmane në varrin e tij. Hfz.Abdylazizi në martesë me zonjën Emine ka lënë dy vajza, Salihan dhe Fadilen, si dhe dy djem Maxhidin dhe Azizin. Maxhidi dhe Azizi së bashku me nënën e tyre Eminen në vitin 1957 u shpërngulën në Turqi.



Faik MIFTARI



”Hafizët e Prizrenit me rrethinë(1912-2012)”
Faik Miftari, Prizren 2012


Artikulli i kaluar
Hafiz Ali Podgorica (1855-1929)
Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?