"Ai është Krijues i Qiejve e i Tokës.".. (Shura, 11)
Njeriun e kanë munduar gjithnjë pyetjet: "Pse jam këtu? Çfarë do të bëj këtu? A thua pse më krijoi Zoti?"
Për të gjitha këto pyetje besimtari jep një përgjigje: "Të adhuroj Krijuesin tim, Allahun e Gjithëfuqishëm, të Gjithëdijshëm, Mëshirëplotë".
Prandaj, besimtari jeton për të punuar për këtë qellim fisnik. Po çfarë përgjigjeje do të jepnin ata që nuk mendojnë se ka ndonjë qëllim në krijimin e tyre, ata që mendojnë se janë prodhim i rastësisë, respektivisht produkt i evolucionit dhe imponim i natyrës? M’u këta bënë që të formonin bazën e filozofisë perëndimore se njeriu nuk ka ndonjë qëllim të jetës, e prodhim i kësaj filozofie është korrupsioni, brenda të cilit jetojmë ne të gjithë.
Përgjigjet e sakta për pyetjet e mësipërme mund t'i gjejmë vetëm në Shpalljen Hyjnore, që është udhëzim për njerëzimin dhe kurrsesi në spekulimet njerëzore.
Spekulimet njerëzore janë të pakufishme, ne mund të imagjinojmë gjithçka rreth krijimit dhe ekzistencës së njeriut, rreth qëllimit jetësor të njeriut. Sa e sa mendime filozofike ekzistojnë rreth këtyre heshtjeve, disa të ngjashme e disa të ndryshme, disa më me shumë e disa më me pak përkrahës. Por, për asnjërin spekulim njerëzor asnjë njeri nuk mund të jetë i sigurt nëse është i saktë apo jo. Vetëm nga Shpalljet Hyjnore mund të
kuptojmë realitetin dhe qëllimin e krijimit tonë. Ai është Allahu, Krijuesi ynë, i Cili e di qëllimin e krijimit tonë. Këtë qellim ne nuk do të mund ta kuptonim dot vetvetiu, po të mos ishte vullneti dhe dëshira e Allahut të Madhërishëm që të na informojë për këtë përmes Shpalljes Hyjnore – Kur’anit të shenjte dhe Synetit (tradita e Profetit a.s.), të sjella tek ne përmes të Dërguarit të Tij të Fundit, Muhamedit a.s.
2. Sigurisht që njeriu nuk është krijimi më i përsosur i Allahut. "Krijimi i qiejve dhe i Tokës është pa dyshim më madhështor se krijimi i njerëzimit, e megjithatë shumica e njerëzve nuk e dine". (Gafir, 57).
Kjo gjithësi, krijimi i saj është larg më kompleks, më madhështor dhe më i mrekullueshëm sesa krijimi i njeriut. Aftësia krijuese është një nga atributet, karakteristikat e Gjithëkrijuesit, për të cilat Ai na ka informuar në Shpalljet Hyjnore. Pra, vetëm Allahu është Ai që nga asgjëja krijon. Njeriu vetëm manipulon me gjerat që ka krijuar Allahu. Ne mund të ndërrojmë formën e gjërave të krijuara më parë, ne mund t'i zbulojmë ato, po në asnjë mënyrë nuk mund të krijojmë, sepse ne vetë jemi të krijuar. Logjikisht, asgjë e krijuar nuk mund të krijojë. Për fat të keq, shpesh na bie të dëgjojmë që një kompozitor, piktor a poet të quhen "krijues"!!! Po si munden të jenë krijues ata, kur vetë janë të krijuar? Jo, jo, dhe përsëri jo, ata nuk janë krijues, ata nuk mund të krijojnë nga asgjëja, po vetëm e shfrytëzojnë atë që tek ata vetë e ka krijuar Krijuesi ynë; imagjinatën, shprehjet, talentin, mjeshtërinë etj.. Vetëm falë këtyre të mirave të Allahut, ata mund "të krijojnë" romane, poezi a piktura të ndryshme.
Zbulimi i të panjohurës
Qenia njerëzore nuk mund të krijojë, por vetëm manipulon llojin, formën dhe përshtatjen e asaj qe Allahu e ka krijuar më parë, mirëpo, me mundësitë hulumtuese që Zoti i ka dhënë njeriut, ai vetëm mund të zbuloj të panjohurën e momentit dhe asgjë më shumë. Prandaj me plot të drejtë mund të themi se ashtu sikur që kompozitori nuk krijon po kompozon, piktori nuk krijon, por pikturon, edhe shkrimtari a poeti nuk krijon, por shkruan vargje.
3. "Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, dhe Ai është Vekil (Kujdestar, Ruajtës, Rregullues) mbi gjithçka". (Ez-Zumer, 62)
Krijuesi është Ai Që i mbron krijesat e veta. Muhamedi a.s.. na ka mësuar se i shpëtuar është vetëm ai që i mbështetet dhe kërkon ndihme vetëm nga Allahu i Madhërishëm. Udhëzimi për të mirë dhe mbrojtja nga e keqja nuk duhen kërkuar nga falltaret e ndryshëm (falle, letra, pozita e yjeve etj.). Është për t'u habitur se si, sot, gati në të gjitha mjetet e informimit, propagandohet me të madhe "parashikimi" i fatit dhe i ardhmërisë. Shumë masmedie, për përfitime materiale apo për "relaksim" ditor shikuesve/lexuesve, përmes emisioneve të tyre a rubrikave të rregullta nëpër gazeta ditore a javore, kanë hapur të gjitha dyert e përhapjes së gënjeshtrave dhe ideve pagane, qoftë në formë të horoskopit të rregullt dhe qoftë përmes propagandës së letrave tarot.
E çfarë të themi për bartjen e hajmalive, talismanëve dhe gjërave të ngjashme që kanë përmbajtje dhe qëllime pagane? Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: "Ai i cili var një hajmali, mos ia plotësoftë Allahu atë për se e ka varur". (Ahmedi, Hakimi dhe Dhehebiu)(2)
Na mjafton ky hadith i drejtpërdrejtë dhe i qartë, si dhe fakti se shërimi- ndihma nuk po kërkohet drejtpërdrejt nga Ai, i Vetmi Që është kompetent te shërojë e të ndihmojë, dhe të bindemi se bartja e këtyre gjërave me përmbajtje pagane s’është hiq më pak se shirk. (4,7,9). "S'ka dyshim që Allahu nuk fal (mëkatin) që Atij t’i bëhet shok, e përveç këtij (mëkati) të tjerat ia fal kujt do. Kush i bën Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh” (En-Nisae, 48)
A ka më mjerim sesa në mënyrë publike, me emisione dhe propaganda a shkrime të rregullta të ftohet populli në besëtytni, të mashtrohet populli. Kjo është ajo filozofia djallëzuese, e cila propagandon dhe punon në drejtimin që njeriun ta largoje nga realiteti, t'ia humbë qëllimin e jetës, të rrisë korrupsionin në shoqëri, si dhe të gjitha vlerat njerëzore t'i zbresë vetëm në vlerën e një numri në regjistër.
O Allahu ynë, o Krijuesi i ynë, na mbroj nga gjithë të këqijat e djallit të mallkuar dhe pasuesve të tij, i cili me të vërtetë është betuar se do të na qaset nga e djathta e nga e majta, nga para e nga prapa, po jo nga lart (kur i bëjmë dua Allahut xh.sh.) dhe nga poshtë (kur i bëjmë sexhde Allahut xh.sh.)
Njeriu dallohet nga krijesat tjera me të menduarit e tij
4. Ne jemi të krijuar që të adhurojmë Gjithëkrijuesin, Allahun e Madhërishëm. Jo, Ai nuk ka nevoje për adhurimin tonë, sepse Ai është më i Larti, Gjithëpërfshirësi, i Pari pa fillim, po dhe i Mbrami pa mbarim. Ne jemi ata që përfitojmë nga adhurimi ynë. E vetmja mënyrë e fisnikërimit të shpirtit tonë është adhurimi i Allahut. Adhurim i Allahut është namazi ynë, agjërimi ynë, të përmendurit e Allahut, dhënia e mëkatit, kryerja e haxhit, dhënia e sadakasë, puna jonë dhe ndihmat e ndërsjella që bëhen në Emrin e Tij. Adhurim i Allahut është edhe mirësjellja në familje dhe dashuria vëllazërore për hir të Allahut. Me një fjalë, çdo punë që bëjmë e që rezulton me të përmendurit dhe rikujtimin e Allahut, është adhurim ndaj Allahut. Ai që adhuron Allahun, është i mbrojtur nga gjithë të këqijat e djajve dhe pasuesve të tij.
O Zoti ynë, mos na lër për asnjë çast pa kujdesin, ndihmën dhe mëshirën Tënde!
Allahu njeriun e dalloi nga krijesat tjera me të menduarit e tij. Edhe pse çdo njeri në shpirt e ka të mbjellë të besuarit në Allahun, Allahu i dha një liri për të vendosur - ta adhuroj apo jo. Ngado që të kthehemi, shohim Fuqinë e Allahut, Mrekullinë e Tij në krijimet e Tij të përkryera, duke nisur që nga rritja e një fijeje bari. Në Kur’anin famëlartë Krijuesi ynë na mëson se Njëshmërinë e Allahut e dëshmojnë engjëjt dhe të dijshmit - ata që mendojnë rreth krijimit të tyre dhe të gjithçkaje që na rrethon. Këtë jetë kalimtare ne duhet ta kuptojmë si një garë jetësore se kush do të bëjë më shumë vepra të mira, kush do të mundohet ta adhuroj më shumë Allahun dhe, përfundimisht, kush do ta fisnikërojë shpirtin më shumë.(1)
Jemi të krijuar në Xhenet dhe për të jetuar në Xhenet, mirëpo më parë duhet fisnikëruar shpirti, duhet ngritur në nivelin e duhur të nevojshëm për jetën e Xhenetit. Pra, a nuk është qëllimi i kësaj jete - adhurimi i sinqertë i Allahut, njëkohësisht edhe mbrojtje nga gjithë të këqijat, udhërrëfyes për punë të mira dhe kalitje e fisnikërim i shpirtit tonë? "Pra, ka shpëtuar ai qe e pastroi vetveten. E ka dështuar ai qe e poshtëroi vetveten". (Esh-Shems, 8-9).
O Zoti ynë, na bej prej atyre që "pastrojnë" vetveten, e jo prej atyre që poshtërojnë vetveten!
5. Nga parimet themelore të jetës, që ka vendosur Allahu për ne, është parimi i ekuilibrit - gjithçka që krijoi Allahu i Madhërishëm, e ka venë në një ekuilibër të mrekullueshëm(3)
As Dielli nuk duhet të arrijë Hënën, as nata ta kapërcejë ditën. Të gjitha notojnë në një Gjithësi". (Jasin, 40)
Rrugëtimi i Diellit, i Tokës, i Hënës apo i cilitdo trup qiellor është në ekuilibrin e vet mahnitës, të përcaktuar nga Gjithëkrijuesi. Edhe njeriu jeton në saje të ekuilibrit bio-psiko-social, që, po ashtu, është përcaktuar nga Krijuesi, qoftë në raport me botën përreth dhe qoftë me vetveten. Çdo prishje e këtij ekuilibri manifestohet me çrregullime patologjike, qoftë të komponentit shpirtëror apo të komponentit trupor.(5)
E tërë bota në të cilën jetojmë ne, është dinamike dhe çdo gjë është në lëvizje të vazhdueshme. Lëvizja është funksioni më i rëndësishëm i ekzistimit të organizmit të njeriut, ndërkaq të gjitha funksionet tjera janë të ndërlidhura me lëvizjen, e sidomos puna e përditshme që bën njeriu, me fjalë të tjera, lëvizja është kusht i jetës.
"E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim". (El Xhumuah, 10)
Këto versete kur’anore tregojnë për rëndësinë e madhe që ka puna hallall në Islam, e cila është njëkohësisht detyrim për njeriun. Pas kryerjes së namazit, që të gjithë obligohemi të kërkojmë të mirat e Krijuesit tonë, respektivisht të bëjmë përpjekje dhe të punojmë për të siguruar fuqizimin e familjes sonë, punë kjo që pëlqehet dhe shpërblehet shumë nga Zoti ynë. Secili që kërkon të përsosë punën e tij, duhet të dijë se kënaqësinë që do ta fitojë, e ka për vete, për familjen e tij dhe shokët e tij. A thua ia kemi bërë ndonjëherë vetes pyetjen se ç’është dallimi në mes të punës së një robi dhe punës së një njeriu të lirë? Njeri i lirë është ai që betohet me zemër e shpirt se punën do ta bëjë gjithmonë mirë. Puna për të është një sfidë dhe pasion që ndoshta edhe do ta lodhë, po kurrë nuk do ta dëshpërojë, përkundrazi ai do të gjeje kënaqësi gjithnjë në punën që bënë. Ndërkaq, njeriu që për çfarëdo pune që bënë, nuk kujdeset shumë për të dhe e bën vetëm sepse mendon se e ka obligim e detyrim, është rob. A thua çfarë jemi bërë ne, robër të dynjallëkut apo të lire? Nxitja për të qenë gjithnjë sa më i mirë.
6. Besoj se nuk do të jetë e tepërt, po shpresoj se do të nxjerrim mësim nga një tregim lidhur me një udhëtar të hershëm, i cili, me të arritur në Kinën e lashtë, ishte mahnitur duke vështruar një artist tek zbukuronte me
durim të pafund anën e poshtme të një pjate porcelani(8).
"A nuk të duket e pakuptimtë", i tha artistit, "të humbasësh kaq shumë kohë për të zbukuruar anën që nuk e sheh askush?" "A mendon ti", iu përgjigj kinezi duke qeshur "se unë do të kisha bërë kaq shume për të më çmuar koleget e mi? Ju duhet ta dini se unë punoj për ta fituar kënaqësinë dhe mirënjohjen nga Zoti im, Krijuesi im, e Ai është që mund ta shohë anën e poshtme". E sa ka prej nesh qe do te kishin dhënë një përgjigje te tille? Kam dronë se jo shumë. Sipas socio-psikologëve, tek një njeri gjenden dy mënyra kryesore të ekzistencës: arsyeja apo nxitja për të pasur gjithnjë e më shumë të mira materiale dhe arsyeja apo nxitja për të qenë gjithnjë sa më i mirë - motivime këto të pranishme te të gjithë njerëzit. Fatkeqësisht, shoqëria e sotme më tepër inkurajon njerëzit që të realizojnë nxitjen për të pasur gjithnjë e më shumë të mira materiale, sesa për të qenë njeri i mirë. Sigurisht që kjo realizohet edhe me ndërmjetësimin e masmediave, të cilat, përmes reklamave dhe propagandave të shumta, shtojnë pandërprerë lakminë e njeriut duke e nxitur të blejë, të shpenzojë dhe të posedojë sa më shumë që është e mundur. Kjo është një rruge "ideale" për të tjetërsuar kuptimin e vërtetë të pasurisë prej një mjeti të nevojshëm për të jetuar, në qellim të të jetuarit.(6)
Thjesht, sot në shoqëritë botërore njerëzit mundohen të identifikohen për sa e ç’kanë nga pasuria materiale, e jo për sa e ç’janë në të vërtetë - (çfarë pasurie shpirtërore kanë.)
Sot, njeriu çmohet në bazë të asaj se ç’ka dhe sa mund të fitojë dhe sa e si mund të shpenzojë. Kështu njeriu sot, në saje të lakmisë, e cila nxit egoizmin, zilinë, rivalitetin dhe urrejtjen e tij, shndërrohet në një objekt me vlerë tregu, në një njeri të shoqërisë së pasur, që mund të jetë çdo gjë po kurrë shpirtërisht i lumtur dhe as i kënaqur, përkundrazi do të jetë gjithnjë pre e psiko-neurozave, anktheve, dhe frikës nga çdo gjë që e rrethon.(9)
E ç’ndodh nëse një njeri gjatë jetës së tij fiton pasuri marramendëse po e "humb" shpirtin? A thua kjo është tregti profitabile të tregtosh të përhershmen me të përkohshmen? A nuk është kjo kohë e humbjes së vlerave dhe shtimit të jovlerave njerëzore? Fatmirësisht, lakmia e pakontrolluar nuk është vlerë e pamposhtur e natyrës njerëzore. Do të mjaftonte t'i kthehemi Krijuesit tonë, i Cili i lë të hapur gjithnjë dyert e pendimit.
___________________
(1) Mutahhari, M. (2002) Historia dhe evolucioni njerëzor. Qasja në: dielli.net. Data e qasjes: 08.08.2013
(2) Islam: Message of Peace. Ruling on amulets and hanging them up. Qasja ne:islammessageofpeace.eordpress.com Data e qasjes: 25.08.2013
(3) Jahja, H. Krijimi i Universit. Qasja ne: www.slideshare.net Data e qasjes; 09.08.2013
(4) Peace for humanity. Is wearing amulet or talisman shirk? Qasja ne:http://islamforhumanity.wordpress.com Data e qasjes: 25.08.2013
(5) Rexhepi, A. (2009) Mjekësia Sportive. Prishtine. f 40.
(6) Sistemi ekonomik ne Islam. Qasja ne: www.kbi-vushtrri.com.Data e qasjes: 22.08.2013
(7) Shaikh Muhammad's al-munajjid. Ruling on amulets and hanging them up; do amulets ëard of the evil eye and hasad (envy)? Qasja në: islamqa.com Data e qasjes: 25.08.2013
(8) Tenti/FV. (1986) Atlas of orthodontic appliances fixed and removable. Via Nizza, Genova. f 363-4.
(9) Zakir Naik. What Islam says abort Black Magic and Amulets (taweez)? Qasja n£: ëwww.youtube.com Data e qasjes: 25.08.2013
MD. PhD. Agron M. Rexhepi