Jemi në prag të muajit të mëshirës, të muajit të prehjes, qetësisë, Kuranit, namazit muajit; ta quaj gati se magjik ku mundemi të shumëfishojmë veprat tona sa nuk e dimë as vetë se sa. Muajit të cilën e presin muslimanët me dashuri të madhe, respekt, përmallim dhe me lot në sy, por jo vetëm se ne por i gjithë njerëzimi, kafshët, shpezët, krijesat toka dhe qielli dhe çdo gjë që është krijuar në këtë gjithësi. Përveçse atyre që përjashtohen nga kjo mëshirë e Allahut azze we xhel, ata të cilët lidhen në pranga gjatë këtij muaji dhe atyre të cilët edhe zemrat i kanë të mbyllura për këtë muaj të vlefshëm.
Fillimi i Ramazanit fillon me pamjen e hënës së re. Por, edhe fillimi i agjërimit fillon nga agimi i hershëm pra në kohën e imsakut kur ndahet nata nga dita. Koha kur pranohen lutjet, në kohën kur Allahu azze we xhel zbret në qiellin e tokës dhe shtrin dorën duke pritur lutjet, kërkesat dhe nevojat e robërve të Tij dhe të të gjitha krijesave që krijoi në këtë gjithësi.
Pasi është aq muaj i vlefshëm më ngjalli një emocion dhe më kujtohet se me të vërtetë ka një aromë shumë ndryshe ky muaj. Më duket se çdoherë e ndjej aromën e tij në çdo vend dhe në çdo kënd. Nga ky udhëtim i shkurtër meditimi mu kujtua një hadith i Pejgamberit s.a.v.s. ku është pyetur se çka dashuron nga kjo botë e ai tha:“Më janë bërë të dashura nga dynjaja juaj parfumi dhe gratë.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Kjo aromë e cila përmendet shpesh për Ramazanin, por edhe aromat në përgjithësi kanë veti shumë të forta, çudibërëse apo edhe lirisht mundem ta quaj edhe paksa magjike, në krijimin e emocioneve në trurin e njeriut dhe këtyre aromave Allahu azze we xhel ashtu siç krijoi edhe njerëzit u dha mundësi të mrekullueshme për të qenë në ndihmë të krijesës që e krijoi dhe e bëri mëkëmbës në tokë.
Ka shumë libra, shkrime dhe sidomos edhe terapi të cilat mjekojnë me anë të aromave të ndryshme, andaj vendosa sot në prag të Ramazanit të sjell diçka të përafërt me fillimin e Ramazanit. Me shpresë që të ndihmoj ndokënd me këtë shkrim dhe të jetë një dhuratë e vogël për muajin e shenjte të Ramazanit. Fillova me Jaseminin pasi edhe kjo lule çel saktësisht fletët e veta në kohën e syfyrit dhe gjatë daljes së agimit mbyllet. Por edhe është shumë me vlerë, jo sikur që është muaji i Ramazanit por në krahasim me lulet e tjera është një prej më të shtrenjtëve dhe nuk ka mundësi secili ta posedon dhe ta përpunon.
Lulja Jasemin latinisht quhet Jasminum officinale, Jasminum grandiflorum apo edhe Jasminum sambac, është një bimë që i përket grupit të bimëve oliacea ku bën pjesë edhe druri i ullirit, dhe gjinden 200 lloje të kësaj lule nëpër botë. Në indi quhet edhe mbretëresha e natës, pasi lulja çel dhe shpërndan erën e saj të këndshme në këtë kohë në masë shumë më të madhe. Në vendet e Azisë lindore dhe në vendet Arabe e kanë quajtur edhe „parfumi i dashurisë“, „aroma e engjëjve“ etj. Fjala Jasmin rrjedh nga gjuha perse dhe donë të thotë“ Dhuratë prej Zotit“.
Shkurra me gjethe të gjelbra në të errët dhe lulet tejet të bardha me mijëra vjet i preokupon njerëzit për të ditur më shumë për këtë lule çudibërëse. Lulet e bardha të cilat edhe i ngjajnë yjeve në qiej dhe të cilat përdoren për parfumet, mblidhen vetëm dy ditë në vit edhe atë vetëm prej ora 04.15 deri në ora 07.00 në mëngjes. Këto lule të mbledhura në këtë kohë janë lulet prej të cilave edhe miret parfumi më i mirë dhe më efikas në përhapjen e aromës të kësaj lule shumë të vlefshme. Për të prodhuar 1 ml. të këtij parfumi nevojiten më tepër se 10 000 lule të mbledhura në këtë kohë dhe në këtë mënyrë andaj edhe është një ndër parfumet më të shtrenjta të tregut botëror.
Tregimi për punën e madhe dhe mënyrën se si mblidhen dhe prodhohen parfumet e sidomos nga Jasemini do të ishte paksa i tepërt në këtë shkrim të shkurtër, pasi se është një punë shumë e madhe, por do të them se rritet edhe në vendet tona në vendet e ballkanit ku shihet shpesh nëpër vendet ku ka ujë, nuk e don të ftohtin andaj edhe çel në verë. Jasemini është një ndër lulet e popullarizuara sa që përdoret edhe si simbol nacional nëpër disa shtete, e në mesin e tyre radhiten Filipina, Indonezia, Hawai, Pakistani kurse në medicinën alternative dhe popullore kjo lule ka gjet përdorim e vet me mija vite.
Për të gjithë ata që kanë lexuar mbi aromatherapinë nuk është diçka e re përdorimi i aromave kundër sëmundjeve dhe trajtimi i tyre me anë të aromave të ndryshme të bimëve. Por për ata të cilët nuk e kanë dëgjuar apo lexuar një gjë të tillë një sqarim të vogël:
Nën termin aromaterapi përfshihet trajtimi i problemeve fiziologjike, neurologjike, emocionale ose për të eliminuar edhe dhimbjet, për rastet e ndryshme të problemeve medicinale shtypja e lartë, e ulët, qarkullim i ngadalshëm i gjakut dhe shumë e shumë probleme tjera trajtohen, shërohen me anë të aromave të ndryshme. Secili prej nesh kur ndjen një aromë menjëherë truri bart sinjalin i cili lidh në një koh shumë të shkurtë këtë aromë me një pamje vizuale. Nervat janë përgjegjës për aromën dhe janë të lidhura drejtpërdrejt me qendrën e kujtesës dhe të emocioneve në tru. Prandaj mënyra më e shpejtë për të zgjuar emocione dhe ndjenja është duke aktivizuar aromën tek njeriu. Shkenca moderne tani pranon dhe vlerëson shumë lidhjet me trajtimin e çrregullimeve emocionale,mendore dhe trupore duke përdoruar aromën e luleve dhe bimëve të ndryshme.
Ne si muslimanë edhe na mjafton vetëm të lexojmë Kuranin fisnik në gjuhën shqipe apo edhe arabe (për ata që e kuptojnë gjuhën) dhe të koncentrohemi në vendet ku përmenden këto aroma dhe atëherë do të jemi shumë më vital në këtë drejtim. Mjafton të fillohet me leximin e Sures er Rahman 55, e gjitha disi tregon shumë bukur për vendet ku njeriu do të ndjehet në prehje.
Pastaj në Suren Insan 76. Ajeti 17. Dhe u jepet të pijnë aty gota të verës të përzier me zenxhebilë (bimë aromatike).
Suren Mutaffifin 83 Ajetet në vijim:
26. Pije që në fund asaj i vjen era misk! E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.
27. Dhe përzierja e asaj pije është me tesnim (uji më i mirë).
28. Krua nga i cili do të pijnë më të afërmit e Zotit.
Por, edhe në përgjithësi nga mjekësia e Pejgamberit salallahu alejhi we selem gjendet përdorimi i madh i aromave jo vetëm në shërimin e shpirtit por edhe të trupit, e në këtë drejtim ka mjaft libra ku është tematizuar shumë mirë edhe kjo temë.
Vetitë shëruese të vajit të Jaseminit:
Qetësues natyral:
Ky vaj është njëri ndër mjetet shumë efektive kundër depresionit. Shumë mjekë konvencional e rekomandojnë për largimin e stresit, depresionit, ankthit, nervozizmit, pagjumësisë dhe çrregullime tjera të ngjashme në këtë drejtim. Mjekët gjerman në Universitetit e Düsseldorfit kanë bërë studime shkencore ku është vërtetuar se Jasemini në bazë të përbërjes molekulare është shumë i ngjashëm me valiumin. Por në dallim me efektet anësore negative (kontraindikacionet) të cilat i ka secili medikament por edhe valiumi, siç është mvarsia ndaj medikamentit, vaji i Jaseminit nuk e dëmton në asnjë mënyrë organizmin e njeriut.
Është e vërtetuar se e relakson trupin, ngrit humorin, ndihmon në zgjidhjen e dilemave emocionale dhe stimulon imagjinatën.
Me sukses largon emocionet negative siç janë zemërimi, mërzia, pesimizmi, mosbesimi në vetvete, pasiguria dhe fajësimi, por ndihmon edhe në eliminimim e fobive të ndryshme.
Është mjet i shkëlqyeshëm në ngritjen e vetëbesimit por edhe në perceptimin pozitiv të vlerave fizike dhe mendore të personit që përdor këtë aromë, këtë vaj të Jaseminit. Nga ky shkak është e rekomanduar në trajtimin e anorexis dhe llojeve të ndryshme të varësisë.
Sipas disa të dhënave vetëm nuhatja e aromës së Jaseminit ndikon pozitivisht në forcimin dhe ruajtjen e kujtesës, pra për mësim, e kjo na nevojitet tash në muajin e Ramazanit për meditim, mësim, lexim dhe përsëritje të librit i cili zbriti në këtë muaj të begatë. Stimulon kreativitetin dhe ndjeshmërinë.
Vaji i Jaseminit është ushqyes i shkëlqyeshëm për kujdesin e lëkurës, sidomos kur kemi lëkurë të thatë, të ndjeshme dhe të prirur per skuqje dhe inflamacion. Ndihmon në mbajtjen e elasticitetit të lëkurës dhe ka një efekt të madh në parandalimin e rrudhave. Poashtu ndihmon në largimin e shenjave të mbetura nga puçrrat, operacioneve apo edhe dëmtimeve të ndryshme të lëkurës, ose së paku ti bën më të padukshme.
Vaji i Jaseminit ka një efekt shumë pozitiv edhe në mbajtjen e shëndetit në të gjithë sistemin e frymëmarrjes. Ndihmon në largimin dhe eliminimin e kollës, në ngjizjen e zërit, por edhe të lehtëson simptomat kur kemi pezmatim fyti. Për frymëmarrje më të lehtë te ata të cilët kanë probleme me frymëmarrje, astmën, i çel organet e frymëmarrjes dhe qetëson acarimet e fytit. Por edhe te gërhajtja në gjumë ka treguar rezultate pozitive. Fuqizon sistemin imunitar në përgjithësi, kur përdoret si çaj ka efekte pozitive në punën dhe peristaltikën e zorrëve dhe ndihmon në ngërçet e barkut.
Vaji i Jaseminit njihet edhe si afrozidiak, njeriu ndjehet më romantik, përdoret edhe në këtë drejtim. Por ka edhe veçanti tjetër,ajo rrit energjinë e cila duhet gjatë lindjes pasi lyerja me këtë esencë në pjesën e poshtme të barkut dhe në fundin e shpinës pak para lindjes forcon dhe shpeshton kontrakcionet e mitrës gjë e cila ndihmon lindjen sa më të shpejtë. Njëkohësisht zvogëlon dhimbjet e lindjes pasi vepron si analgesik.
Poashtu nga aspekti i veprimit në baraspeshën e hormoneve të trupit, duke mar parasysh gjendjen e çrregulluar hormonale që krijohet gjatë lindjes, shëron në mënyrë natyrale depresionin pas lindjes dhe përmirëson disponimin e grave pas lindjes.
Ndihmon gratë që vuajnë nga menstruacionet e parregullta ose të dhimbshme ose ata që kanë menopauzë të parakohshme, pra i rregullon mestruacionet largon dhimbjet dhe shtyn menopauzën. Gjithashtu ka lehtësim për problemet e tjera që janë të lidhura me mestruacionet si lodhje, vjellje, bezdi etj. Shton qumështin tek gjidhënëset dhe mbron nga tumoret dhe kanceret e gjirit.
Këto janë vetëm disa të mira të cilat kam arritur të përshkruaj për këtë lule të mrekullueshme, por ka edhe shumë efekte tjera të cilat sigurisht se mungojnë këtu. Tjetra qe duhet të theksoj është se vaji është shumë i shtrenjtë dhe duhet të jemi të sigurt se kemi një vaj origjinal për përdorim andaj duhet shumë kujdes gjatë blerjes dhe përdorimit me anë të inhalacionit apo edhe mënyrave tjera, por si parfum ka mundësi secili prej nesh ta përdor. Por pa mos harruar se femrave u lejohet përdorimi i parfumeve në bazat e caktuara pra jo për joshje të të tjerëve, por vetëm mbrenda shtëpisë.
Lus Allahun azze we xhel të më fal gabimet dhe lëshimet pasi e di se nuk ja kam dhënë hakun shkrimit . Duhet shumë punë në këtë drejtim, por është vetëm një pikë nga oqeani i kësaj teme. Mirëpo çdo gjë fillon nga e vogla andaj shpresoj nëse ka diçka të vlefshme në shkrimin Allahu ta pranon këtë vepër për ditën e llogarisë e nëse jo të më fal.