Të nderuar vëllezër e motra
Jetojmë në një kohë Ramazani kur dita është e gjatë dhe në vise të ndryshme edhe e nxehtë.
Edhe krahas kësaj, Ramazani na vjen si një shkollë verore, në të cilën mësues është Kur’ani fisnik dhe Pejgamberi a.s., kurse agjërimi është terapia kryesore për shërimin e shpirtit, xhelozisë, dyfytyrësisë dhe egoizmit.
Ramazani vjen për të na mësuar si ta mbajmë në kontrollë shpirtin dhe trupin, se si ta ndërtojmë personalitetin islam, duke u udhëhequr me moral dhe ndërgjegje të shëndosh.
Ramazani vjen për të na mësuar respektin ndaj njeriut dhe ndaj dëshirës së tij për të jetuar i lumtur dhe në paqe.
Feja jonë na mëson se ekzistojnë tri lloje krijesash: melekët që janë të arsyeshme por që nuk kanë instik, kafshët që kanë instik por që nuk kanë arsye, dhe njerëzit që Zoti i ka krijuar me të dyja, me instik dhe arsye. Nese te njeriu sundojnë instiktet, e jo arsyeja, atëherë kafsha është më e mirë se njeriu, ndërsa kur njeriu udhëhiqet me arsye, atëherë ai është më i mirë se melaqja. Andaj, njeriu jeton midis dy gjendjeve, midis jetës shpirtërore dhe asaj fizike, materiale. Dhe kështu, njeriu manifeston botën e tij reale.
Ramazani është koha, së bashku me agjërimin si ibadet, që ta shërojmë dhe pastrojmë shpirtin tonë nga urrejtja, zemrën nga lakmia, gjuhën nga fjalët e pahijshme, sytë nga shikimet e ndaluara, dhe duart t’i ruajmë nga punët e ndyta.
Kjo është koha, ku, gjithashtu, shërojmë vetveten, familjen, bashkësinë tonë dhe shoqërinë në përgjithësi nga veset e liga, të cilat vese na e kanë randuar dhe vështirësuar jetën.
Tjetër, Ramazani është shkolla ku njeriu mëson ta dojë Zotin dhe njeriun. Kjo është koha kur njeriu mëson se si duhet të jetojë i mëshirshëm me të tjerët, t’i duaj dhe t’iu falë kujdes atyre, sepse kur njeriun e bën të lumtur njeriun, Allahu i dhuron mëshirë dhe e lumturon atë në këtë botë dhe në botën tjetër.
I dashur vëlla dhe e nderuara motër, nuk duhet harruar edhe diçka tjetër, gjersa ne jemi duke agjëruar, duhet të dimë se ka edhe shumë vëllezër e motra që këtë muaj e kalojnë me shumë vështirësi, duke iu munguar, ndoshta, edhe gjërat më elementare të jetës, dhe duke e pasur parasysh se një prej kuptimeve themelore të agjërimit është që tek ne të zgjojë ndjenjën solidare ndaj atyre që kanë nevojë për përkrahjen dhe mbështetjen tonë. Mos harro një gjë, përderisa ti dhe unë, në fund të ditës, pasi që e kemi mbushur sofrën me lloje të ndryshme ushqimore, e largojmë urinë dhe etjen, ndërkohë ka shumë të tjerë që vazhdojnë të ngelin të urritur edhe gjatë natës, duke mos pasur se çfarë të hanë as në syfir.
Profeti ynë i nderuar në nje hadith të lartë thotë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, do të këtë shpërblimin e njëjtë si të tij (agjëruesit), duke mos i pakësuar shpërblimin e agjëruesit asgjë.”
Allahu ynë, Krijuesi ynë, ibadetet e Ramazanit le të na e forcojnë dëshirën për ta dashur të vërtetën, të drejtën dhe besimin e ndërsjellë. Na bënë prej të tillëve që t’i duam njerëzit dhe t’ua falim në rast se kanë gabuar ndaj nesh, dhe na dhuro forcën, i dashuri Allahu, që ne t’u kërkojmë falje atyre që u kemi hyrë në hak. Allahu ynë, na dhuro aftësinë për ta parë të mirën kur gjendet pëpara nesh, e jo vetëm të keqen që gjendet prapa nesh.
Zoti ynë, na ndihmo të gjithëve me ndihmën tënde të madhe. Për hatër të agjërimit tonë, le të zbres ndihma jote për t’u kthyer paqja në botë.
Zoti ynë na përfshi të gjithëve me bereqetin e Mëshirës Tënde, me udhëzimin Tënd dhe me faljen e madhe Tënden, të cilën ua ke premtuar atyre që iu gëzohen ibadevete të muajit të bekuar të Ramazanit. Amin.