Një prej tipareve themelore, nëse jo më i rëndësishëm i sistemit islam të organizimit të aktiviteteve sociale dhe nevojave të komunitetit, pa dyshim se është institucioni i shuras, organit këshillimor, i cili në kuadër të institucioneve të tjera të sistemit islam justifikon në favor të interesave të përbashkëta dhe mbrojtjes së tyre në përputhje me normat e Sheriatit dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë.
Konsultimi reciprok ose këshillimi, në nivel personal apo në nivelin e komunitetit, me qëllim të arritjes së mirëqenies më të mirë të mundshme, duhet të jetë një pjesë integrale e jetës sonë, sepse me anë të tij mundësia është më e madhe që të arrihet një mendim apo vendim më i saktë. Allahu e urdhëroi Pejgamberin e Tij që të konsultohet me shokët e tij në lidhje me faktet që janë subjekt i konsultimeve: ”...andaj ti falju atyre, dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet!" (Ali lmran, 159). Konsultimi i ndërsjellë përmban mirësi të shumta të kësaj dhe botës tjetër.
Kuptimi i termit "shura"
Këtu nuk do të hyjmë në shpjegimin e secilit kuptim etimologjik të fjalës shura dhe derivateve nga rrënja 'SH-V-R', e cila fjalë për fjalë do të thotë "shtrydhje e mjaltit nga hualli bletës.” Do të mjaftonte nëse themi se, sipas fjalorit Lisan-l-Arab të Ibn Mendhurit, shura mund të jenë:
1) negocimi, konsultimi, këshillimi (d.m.th. procesi);
2) subjekt i negociatave ose konsultimit;
3) organ këshillimor, dhe;
4) vendimi që është arritur përmes progresit të negociatave.
Përkufizimi i shuras
“Shura është organi më i lartë këshillimor i sistemit islam të qeverisjes, i përbërë nga disa anëtarë të aftë që brenda kufijve të aftësisë njerëzore të vënë në zbatim Sheriatin, në çështjet e brendshme dhe të jashtme të shtetit, e të cilin, sipas ligjit të mirëqenies së përgjithshme, e zgjedh kalifi apo vetë njerëzit.”
Nga përkufizimi i sipërpërmendur i shuras islame, pason konkluzioni:
- shura është vetëm një organ këshillimor, e jo autoritet komandues i pushtetit;
- Shura duhet të jetë e përbërë nga disa anëtarë;
- anëtarët e shuras duhet të karakterizohen me aftësinë, e që nënkupton të pasurit e njohurive nga Sheriati, pastaj posedimi i urtësisë dhe përvojës;
- anëtarët e shuras duhet të jenë të drejtë, dhe ata do të mundohen brenda kufijve të përpjekjes njerëzore të paraqesin qëndrimin islam më të përshtatshëm dhe më të saktë rreth çështjes së diskutuar, dhe në ta nuk duhet të ndikojë subjektiviteti, interesat personale, apo faktorë të tjerë të jashtëm;
- qëllimi i vetëm i shuras është implementimi i ligjit të Allahut xh.sh., në tokë, si në jetën e brendshme të shoqërisë islame ashtu edhe në raportin e shtetit islam me kombet tjera;
- anëtarët e shuras i zgjedh kalifi ose të gjithë myslimanët, në përputhje me interesat e komunitetit.
Shura është e drejtë e pazëvendësueshme dhe e pamohueshme e Umetit te kalifët, dhe nëse ata nuk e përfillin, është arsye e mjaftueshme për shkarkimin e tyre nga pushteti. Ibn Atijje thotë: "Shura është prej bazave të Sheriatit dhe rregull që duhet përmbajtur.
Ai (sundimtari) i cili nuk kërkon këshilla nga dijetarët, zëvendësimi i tij është i obligueshëm - vaxhib.”
Shura (konsultimi-negocimi) në Kuran
”...andaj ti falju atyre, dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet!" (Ali Imran, 159).
Kurani nuk toleron diskriminim ndërmjet njërit besimtar dhe tjetër, burrave dhe grave, kur është fjala për pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën e komunitetit. Në harmoni me këtë vizion, edhe Kurani ka vendosur parimin e shuras për të udhëhequr komunitetin në procesin e vendimmarrjes, Për fat të keq, gjatë shekujve në mesin e myslimanëve është përhapur një gabim i tmerrshëm në të kuptuarit e natyrës së shuras, për shkak të praktikave të gabuara dhe mashtruese nga strukturat që janë të pranuara nga jashtë, pa marrë parasysh etikën e Islamit. Kështu, është përhapur bindja e përgjithshme se shura do të thotë se një njeri, sundimtar, konsultohet me njerëz që, sipas tij, kanë urtësinë, pa detyrimin për të kryer këshillën e tyre. Para së gjithash, imazhi i këtillë e rrëzon në tërësi strukturën për të cilën është supozuar shura. Kurani i përshkruan besimtarët si "ata që konsultohen mes vete për çështje të përbashkëta (emruhum shura bejen-hum)," Shura, pra, nuk do të thotë se një person pyet për këshilla të tjerët, por më tepër, konsultimi reciprok përmes një diskutimi të përbashkët në baza të barabarta. Kjo drejtpërsëdrejti nënkupton se ekzekutuesi i lartë apo ekzekutivi i thjeshtë nuk mund të refuzojnë vendimin që është arritur me shuran.
Në komentimin e ajetit të mësipërm të sures Ali Imran, 159, imam Er-Raziu, në tefsirin e tij (Mefatihu-l-gajbi/Tefsir Er-Razi), i përmend fjalët e mëposhtme të El-Hasanit dhe Sufjan ibn Ujejnes, duke deklaruar: ”Allahu i urdhëroi atij (shuran), s.a.v.s., me qëllim që edhe të tjerët (d.m.th. udhëheqësit e myslimanëve) të pasojnë atë në zbatimin e shuras, dhe kështu ajo u bë rrugë e qartë e Umetit të tij."
Muhammed Asadi, në komentimin e këtij ajeti, thotë: "Ky imperativ i qartë, që nënkupton sundimin dhe këshillimin, duhet të konsiderohet si një prej klauzolave themelore të legjislacionit të tërë kur’anor që referohet në qeverisje. Përemri "atyre" i referohet besimtarëve, d.m.th. në tërë komunitetin, ndërsa fjala “el-emr” që paraqitet në këtë kontekst, si dhe në sintagmën e përmendur emruhum shura bejnehum në 42:38 – nënkupton të gjitha punët me interes publik, duke përfshirë edhe administratën publike. Të gjithë ekspertët kanë rënë dakord se imperativi i lartpërmendur, edhe pse kryesisht adresuar te i Dërguari s.a.v.s., është i detyrueshëm për të gjithë myslimanët, dhe në të gjitha kohët.”
Ibn Xhuzejj El-Killbi El-Endalusi, në komentimin e këtij ajeti thotë: "Konsultimi (mushavera) është i urdhëruar me Sheriat. I Dërguari i Zotit s.a.v.s., konsultohej me njerëzit në çështje të luftës, etj., por jo edhe në aspektin e rregulloreve të Sheriatit. Ibn Abbasi ka thënë: "Konsultohej me ta në disa çështje.”
Sejjid Kutubi, në komentimin e këtij ajeti thotë: "Detyra dhe funksioni i shuras është shkëmbim i mendimeve dhe zgjidhja e një mendimi nga mendimet e ofruara. Kur të merret një qëndrim i përgjegjshëm, roli i shuras ndalet, dhe fillon periudha e realizimit; realizimi, me qëndrueshmëri dhe vendosmëri, me besim të plotë në Allahun xh.sh., dhe duke i lënë në fund gjërat në caktimin e Allahut dhe vullnetin e Tij.”
Ibn Kethiri, në komentimin e këtij ajeti përmend shembuj praktik të Pejgamberit s.a.v.s., të konsultimit me shokët e tij, e që janë të shumtë, siç ishte rasti i betejës së Bedrit, Uhudit, betejës kundër aleatëve, marrëveshjes në Hudejbi, si dhe shumë situata të tjera.
Es-Seadi, në tefsirin e tij, në komentimin e ajetit të lartpërmendur, thotë se na parashtrohet një pyetje logjike: "Në qoftë se Allahu iu drejtua të Dërguarit të Tij, i cili është me mendim më të plotë, më i dituri, me pikëpamje më të mira, me: 'konsultohu me ta”, atëherë çfarë është me të tjerët?”
Allahu i Lartësuar, në suren Shura, i përshkroi besimdrejtët me një seri të atributeve, nga të cilët është edhe: ”...dhe që konsultohen mes vete për çështje të përbashkëta.” (Esh-Shura, 38).
Në komentimin e këtij ajeti, Es-Seadi në tefsirin e tij thotë: "Konsultohen për çështjet e tyre të kësaj bote dhe botës tjetër dhe asnjëri prej tyre nuk ndahet në mendim për gjërat e tyre të përbashkëta. Dhe kur bien në një situatë që kërkon konsultim, ata takohen dhe negociojnë, dhe kur u paraqitet mirëqenia, e përfitojnë atë dhe nguten kah ajo."
Kur Pejgamberi s.a.v.s., u pyet se çfarë do të thotë: të konsultohesh me ta (besimtarët) për të gjitha çështjet me rëndësi; dhe kur të vendosni, atëherë mbështetuni te Allahu xh.sh., tha: “Kjo tregon se ne duhet të konsultohemi në të gjitha gjërat e rëndësishme, dhe kjo duhet të respektohet”
Parimi kur’anor i shuras, komunikimit, kërkon që në të gjitha fushat dhe në gjithë nivelet e pjesëtarëve të komunitetit, duhet ftuar për të marrë pjesë, para Zotit, në hartimin dhe zbatimin e vendimeve mbi të cilat varet fati i tyre.
Ky parim gjithashtu përjashton despotizmin e një njeriu, një klase ose një partie, si çdo formë e demokracisë statistikore, i cili realizohet përmes delegatëve dhe që është i tjetërsuar nga populli.
Konkluzione:
Është i njohur pretendimi se Sheriati nuk përshkruan detajet e as që përcakton procedura të veçanta të procesit politik, por vetëm rregulla të përgjithshme e të vlefshme për shuran, si dhe për shumë të tjera, nëse jo edhe për institucionet e tjera të sistemit politik islam.
Detajet janë lënë në kompetenca të myslimanëve, për t'i zhvilluar ato sipas kërkesave të kohës dhe rrethanave në të cilat ata e gjejnë veten, në dritën e një sërë rregullave të përgjithshme. Për fat të keq, kjo nuk është bërë kurrë në mënyrë të kënaqshme.
Shura, edhe pse nga pothuajse të gjithë dijetarët myslimanë konsiderohej si një nga parimet bazë të organizimit shoqëror dhe politik islam, ajo kurrë nuk është institucionalizuar, dhe shumë rrallë është aplikuar në historinë myslimane.
Autoritetet klasike myslimane rreth shuras kanë diskutuar vetëm kalimthi, shpesh duke qenë edhe vetë viktimë e llojeve të ndryshme ekzistuese të qeverisjes së kundërt me parimet e shuras. Sot, myslimanët shkruajnë shumë për shuran, megjithatë, ka mosmarrëveshje substanciale mbi rëndësinë dhe implikimet e këtij koncepti mbi aranzhimet kushtetuese të shtetit islam.
1) Sherif Ahmeti, Kuran-i përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Medinetu-l-Munevvere, Arabia Saudite, 1413. h., 1993.
2) Ahmet Alibashiç "šura", Takvim 2000, Sarajevë, 1999.
3) Muhammed Asad, Poruka Kurana, nga anglishtja përktheu: Hilmo Cerimovi?, El-kalem, Sarajevë, 2004.
4) Muhammed Asad, Principi islamike države i vlasti, përktheu: Džemalu-din Lati?, Zagreb, 2006.
5) Ibn Xhuzejj El-Killbi El Endelusi, Olakšani komentar Kurana, Vëll. 1, Përktheu nga arabishtja: Doc. Dr Almir Fati?, Libris d.0.0., Sarajevë, 2014.
6) Fahruddin Razi, Tefsiru Fahri-r-Razi, v. 9, Daru-l-Fikri, 1981.
7) Roger Garaudy Islam: vjera, zajednica, svijet (Religija i društvo, përgatiti: Dr. Hihno Neimarlija), FIN, Sarajevë, 2006.
8) Ibn Kethir, Tafsiri i Ibn Kethirit (botirni i shkurtuar), Zgjodhi versione më të sakta: Muhammed Nesib er-R:ifa'i, grupi i përkthyesve, Sarajevë, 2012.
9) Sejjid Kutb , U okrilju Kurana, v. 4, Sarajevë, 2007. 10) Rifet Shahinoviç, "Sura eš-Sura - Dogovaranje”, Takvim 2012, Sarajevë, 2011.