Harta e varfërisë që s’njeh kufij

Në secilën anë që hedhim vështrimin, vërejmë gjurmë të varfërisë. Në mesin e shumë fëmijëve, gjejmë nga ata që shijojnë etjen e urinë, e shumë të tjerë të zbathur e të leckosur.

Sa e sa familje janë në qiell të hapur, pa shtëpi e pa katandi? Sa e sa njerëz bijnë në gjumë me barkun bosh? Sa e sa të tjerë, i gjen mëngjesi po në këtë gjendje, ndoshta dhe gjumi nuk i zë nga uria e madhe? Po ta dinim me saktësi numrin e vërtetë të njerëzve që vdesin nëpër botë, vetëm nga uria dhe varfëria, do t’ia dinim vlerën çdo kafshate që fusim në gojë e s’kishim për të hedhur as edhe një thërrime.
Të varfër gjejmë gjithandej, tek të afërmit tanë, tek lagjja jonë, tek shkolla, tek puna e kudo. E ç’do të thotë varfëri, e di vetëm ai që e ka përjetuar, ndoshta edhe një herë të vetme në jetën e tij. Po përse kjo varfëria nuk po zhduket? Përse numri i të mjerëve nuk po pakësohet? Cilat janë shkaqet të cilat kanë shkaktuar shtimin e fenomenit të varfërisë në të gjithë botën?
Rrënja e ligjit islam është që çdo njeri të luftoj varfërinë me armën e tij dhe arma e tij është puna, por cili është mëkati i të pafuqishmëve të cilët nuk mund të punojnë ? Cili është mëkati i grave të veja, të cilave u kanë vdekur burrat dhe nuk kanë para? Cili është mëkati i fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve? Cili është mëkati i të sëmurëve dhe pensionistëve? Cili është mëkati i atyre që i goditën fatkeqësi dhe i penguan nga fitimi? A do të lihen ata nën presionet e jetës që t’i shtrydhë dhe t’i tërheqë zvarrë dhe pastaj t’i lërë pas saj si një leckë që e tret era? Jo. Vërtetë Islami ka punuar për shpëtimin e tyre nga varfëria, si dhe për plotësimin e nevojave, dhe e para që ka vënë në ligjin e tij ka qenë sigurimi i elementeve për mirëqenien e një familjeje.
Edhe në të kaluarën, vendi ynë Shqipëria ka qenë e varfër, mirëpo nuk kishte shumë diferencë midis shtresave të ndryshme të popullsisë, ndërsa sot ka një kontrast shumë të dukshëm, ku disa punojnë për kafshatën e gojës, e mezi arrijnë të mbijetojnë, ndërsa disa të tjerë i gëzohen luksit dhe pasurisë shumë-milionëshe apo edhe miliardëshe. Kohët, në të cilat po jetojmë, janë kohë të paradokseve të mëdha, kohë të mungesës së plotë të ekuilibrave. Një i ditur duke analizuar këto kontraste dhe mungesë të ekuilibrave pat thënë shumë bukur: "Asnjë njeri me ndërgjegje të pastër nuk mund të jetë i qetë në një botë, ku një pjesë e madhe e njerëzve vdesin nga mos-ushqyerja dhe po aq vdesin nga ushqimi i tepërt. Askush nuk mund të jetë i qetë në një botë, ku të varfrit ecin me milje për të siguruar ushqimin, ndërsa të pasurit ecin me milje për të tretur ushqimin"
Çdo ditë dëgjojmë njerëz që ankohen për papunësi të madhe, e cila thellon dhe përkeqëson nivelin e jetesës, por aktualiteti të ofron edhe një pamje që bie ndesh me të parën. Bar-kafetë, lokalet dhe restorantet pothuajse janë të mbushura nga mëngjesi e deri në mbrëmje vonë dhe gjithkush kur përballet me një fakt të tillë, ka të drejtë të pyes: Si i sigurojnë paratë të gjithë këta njerëz, që gjithë ditën e kalojnë në këto vende? Kush punon për ta? Të huajt që vizitojnë vendin tonë, apo ata që jetojnë e punojnë në Shqipëri, habiten me këtë të vërtetë të hidhur.
Jemi duke përjetuar vërshimin më të madh të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, ku shkaku kryesor thuhet se është varfëria, si dhe mungesa e një jete më të mirë në vendin tonë. Secila prej qeverive që ka drejtuar vendin, ka premtuar politika sociale për përmirësimin e jetesës së shqiptarëve, por braktisja e Shqipërisë prej bijve të saj, tregon se këto nisma dhe reforma në sektorë të ndryshëm, nuk kanë rezultuar dhe aq pozitive. Të gjithë pyesin: Pse ikin shqiptarët ? dhe përgjigja që dëgjon është: VARFËRIA.
17 tetori i çdo viti shënon Ditën Botërore Kundër Varfërisë, ditë në të cilën në të gjithë botën organizohen aktivitete dhe veprimtari sensibilizuese për zbutjen e varfërisë, si dhe parashtrohen projekte në këtë drejtim, por mesa duket, të gjitha këto mbeten thjesht fjalë dhe letra, pasi asgjë nuk është vënë në zbatim për përmirësimin e mirëqenies njerëzore në rang global. Kjo duket edhe nga numri i madh i njerëzve, të cilët emigrojnë nga vendet e tyre drejt një vendi tjetër, sepse atdheu i tyre nuk u siguron kushtet më minimale të jetesës.
Ajo që e shton edhe më shumë plagën e varfërisë është edhe humbja e njerzillëkut dhe e humanizmit. Të pakta janë rastet kur shtrihet dora e ndihmës dhe e mbështetjes financiare. Ka prej atyre, që i ka begatuar i Madhi Zot me të mirat e kësaj bote, e që nuk duan t’ia dinë për ato familje që mezi po i bëjnë ballë jetës. Këtu lind detyrë për këdo që posedon nga të mirat e Zotit, që të ndihmojë të afërmin e varfër, fqinjin e varfër e kështu me radhë dhe të mos frikësohet se do t’i pakësohet diçka nga ajo që ka dhënë, përkundrazi, përveçse do t’i shtohet, edhe do të shpërblehet nga Ai (Zoti) që shpërblen më së shumti dhe më së miri. Ja çfarë thotë Allahu xh.sh., në Kuran: "Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen", ndërsa i Dërguari Muhamed a.s., në lidhje me humanizmin që duhet të tregojmë ndaj atyre që e meritojnë dhe që u takon thotë: "Allahu e ndihmon robin e tij përderisa ai ndihmon vëllanë e vet".
Presidenti i parë me ngjyrë në historinë e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela në lidhje me varfërinë është shprehur: "Mposhtja e varfërisë nuk është një vepër bamirësie, por është një vepër drejtësie. Ashtu si skllavëria dhe Aparteidi, varfëria nuk është natyrale, por rezultat i njeriut dhe mund të mposhtet dhe çrrënjoset me veprimet e qenieve njerëzore ".
Sipas disa statistikave, një në tre familje ka probleme me banimin. Pothuajse, një në shtatë fëmijë nën pesë vjeç është i kequshqyer, si dhe vihet re rritja e analfabetizmit. Vetëm 88% e popullsisë mbi 15 vjeç është në gjendje të shkruajë dhe të lexojë. Sipas një studimi të Bankës Botërore, rreth 75% e familjeve të varfra, përveç problemeve ekonomike, përjetojnë edhe probleme sociale si: divorci, pa-aftësia, probleme shëndetësore, të cilat po t’i analizosh do të kuptosh që rrjedhin si shkak i varfërisë.
Nëpërmjet këtij shkrimi, synoj të tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që kanë në dorë mundësinë për lehtësimin e dhimbjeve të plagës së varfërisë, dhe të gjithë e kemi mundësinë, kush më shumë e kush më pak, të ndihmojmë të vobektit dhe t’ua lehtësojmë barrën të varfërve. Le t’i bashkohemi të gjithë nismës ndërkombëtare: « Së bashku kundër varfërisë ». /Drita Islame/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi