Qabeja e nderuar gjendet në qytetin e Mekkës, në qendër të Mesxhidul-Haramit. Është 13 metra e lartë, 12 metra e gjatë dhe 11 metra e gjerë. Ajo është një ndërtesë me katër qoshe, e ndërtuar nga guri.
All-llahu (xh. sh.) e ka bërë Qabenë dhe Mesxhidu’l-Haramin që njerëzit në çështje fetare të kësaj dhe botës së ardhme të qëndrojnë në këmbë. Në ajet thuhet:
“All-llahu e bëri Qaben, shtëpinë e shenjtë, vend jetësimi (për çështje të fesë e të jetës) për njerëz”. (Maide, 97)
Njerëzit, të cilët e bëjnë Haxhillëkun dhe umrën, qëndrojnë fuqishëm në këmbë edhe në fe edhe në dynja. Ai që ka frikë, atje kërkon mbrojtje. Ai që është i dobët, atje gjen fuqi. Ata që janë të humbur atje e gjejnë drejtimin. Ata që falin namaz, kthehen në atë drejtim.
Për të treguar madhështinë e Qabesë, All-llahu (xh. Sh.) thotë:
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin”.( 3:96.)
Qabeja rreth të cilës bëhet tavafi është Qabeja tokësore e cila është kopja e Qabesë kozmike. Ajo ndërtohet në zemrën e njeriut, në atë qendrën e njohurive shpirtërore që është e ndryshme nga njohuria e kësaj bote, tokësore.
Atëherë njeriu tavafin do ta përjetojë jo vetëm si rrotullim fizik rreth Qabesë, por si rrotullim i zemrës duke përkujtuar (dhikër) Zotin e Qabesë. Gazaliu thotë që tavafi i zemrës është ndjenjë e fuqishme e varësisë nga Zoti, e Qabeja është vetëm forma e asaj ndjenje në botën e manifestimit të fuqisë së All-llahut (xh. sh.).
Tavafi – rrotullimi rreth Qabesë shtatë herë fillon duke iu afruar Qabesë nga qendra dhe caku, e pastaj gradualisht duke u larguar nga qendra drejt skajit. Rrathët janë simetrikë dhe simbolizojnë jetën njerëzore. Pihet ujë zemzemi dhe sipas mundësisë i bëhet një vizitë Mekami Ibrahimit që simbolizon vazhdimësinë e traditës.
“Populli i babait tuaj – Ibrahimit edhe më herët ju ka quajtur muslimanë”. (El-Haxhxh, 78)
Vetë fjala tavaf do të thotë lëvizje në rreth, rrotullim. Rrethi është trupi më i përkryer gjeometrik. Kupollat e xhamive tona të bukura kanë formën e rrethit dhe kjo, natyrisht, nuk është një gjë e rastësishme. Përkundrazi, sikurse edhe te tavafi, është fjala për porosinë universale hyjnore që çdo gjë në Univers lëviz; Dielli, planetët, stinët e vitit, dita dhe nata, uji, jeta njerëzore… Duke u rrotulluar bashkërisht rreth Qabesë, haxhinjtë, në të vërtetë, marrin pjesë aktive në transmetimin e atij mesazhi hyjnor. Ata me trupat e tyre dhe me lutjet e tyre të sinqerta e vërtetojnë se kanë qenë të gatshëm të vijnë nga pjesët më të largëta të planetit, të gjenden në gjirin e Qabesë, të shprehin barazinë tyre duke iu dorëzuar All-llahut të Madhërishëm, të cilët simbolikisht paraqesin kthimin tek Ai. “Tavafi rreth Qabesë ka të njëjtin status sikur edhe namazi, përveç se gjatë kohës së tavafit ju bisedoni, e kush bisedon, pra, le të bisedojë vetëm për gjëra që janë të mira.” (Termidhiu)
Nëse dashuria mund të përshkruhet me lëvizje, cila do të ishte ajo lëvizje?
Flutura për këtë na ka mësuar shumë kohë më parë. Qabeja është qendër e dashurisë. Ti je gjilpëra e busullës që tregon rrugën dhe drejtimin e vërtetë. Sillesh: Tërë jeta është një rreth. Dynjaja është dever. Të gjithë jemi të Zotit dhe të gjithë tek Ai kthehemi. Lëvizjet t’ua këtë e vërtetojnë. Për këtë Haxherja na ka mësuar: All-llahu e urdhëron që ta marrë fëmijën dhe te largohet nga vendi i civilizimit drejt luginës së thatë ku edhe bimët kanë frikë të mbijnë. Ajo plotësisht i bindet dhe e zbaton urdhrin. Urdhër të cilin vetëm dashuria mund ta konceptoj dhe ta pranojë.
Pjese nga libri i pabotuar “Porosite universale te Haxhxhit