Koha moderne e botës sonë thuajse u shndërrua në një fshat global, në të cilën janë bërë zhvillime marramendëse në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Janë krijuar lehtësime të mëdha në telekomunikim. Në masë të madhe janë përhapur mjetet e komunikimit.
Çdo ditë e më tepër rritën udhëtimet në sferën e punës, tregtisë, arsimit etj. Numri i banorëve të botës kaloi shifrën e 8 miliardëve. Si rezultat i shpërnguljes së pandalshme nga fshatrat nëpër qytete, u krijuan metropole dhe megapole në këtë sferë.
Nga ky kënd bota moderne, duke mos i marrë parasysh në masë të duhur vlerat dhe përvojat historike, ndërtoi vlerat e veta botërore. Brenda këtyre vlerave botërore krijoi modelin e jetesës, institucioneve, raportet ndërnjerëzore, si dhe krijoi gjuhën e vet. Gjithçka që kishte në të kaluarën, si dhe atë çfarë sot pronësoi, ia dhuroi mentalitetit të ri. Mirëpo, në këtë rast ajo nuk kishte ndonjë mëshirë apo urtësi ndaj jetës, aty kishte përparësi forca dhe interesi. Për këtë arsye, përbrenda botës relative të pozitivizmit dhe humanizmit, u paraqit një kulturë e përhershme e konfliktit. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, periudha e luftërave të Ftohta, Lindja e mesme, tragjeditë që ndodhën në Ballkan dhe Kaukaz, janë dhimbjet më të rënda që njerëzimi i përjetoi në shekullin e fundit. Në mënyrë të veçantë, konfliktet e rrepta që vazhdojnë në Arakan, Palestinë, Irak, Siri dhe Jemen, janë duke e ngacmuar shpirtin e njerëzimit edhe më tej. Si shkak i gjithë këtyre luftërave, konflikteve, okupimeve dhe gjenocideve, shumë njerëz u detyruan që dhunshëm ta ndërrojnë vendin, ta hraktisin atë, dhe kjo ende është duke vazhduar.
Respektimi i së drejtës së tjetrit
Koha, që në ditët tona e ka braktisur dhe harruar kufirin, që është bërë lëmsh, dhe ku njerëzit i takojnë feve të ndryshme, gjuhëve, ngjyrave, shteteve, kulturave, besimeve apo grupeve, tregon qe të gjithë këta kanë filluar të jetojnë në një bashkësi, gjë që kjo nuk është vërejtur me parë ne histori. Në aspektin global kanë ndodhur efekte shkencore, teknologjike, ekonomike, politike, fetare dhe kulturore. Kjo gjendje pos që me vete solli shumë probleme, solli edhe problemin tjetër për ta pranuar, njohur dhe çështjen për të bashkëjetuar "me tjetrin”. Por, tani ka ardhur koha që njerëzit të jetojnë në një bashkësi të shëndoshë dhe të bazuar në respekt, që të kenë të përbashkët një vend, një ujë, një atmosfere; dhe ajo që është më se e nevojshme, kërkohet që përkrah jetesës së vet të mos uzurpojë të drejtën e jetesës së tjetrit, të respektojë të drejtën dhe imoralin e tjetrit, dhe që të ndërtohen bashkësi të suksesshme për të jetuar.
Sado që njerëzimi të ka një specifikë të shkëlqyeshme për një bashkëjetesë, dhe sado që të flitet për demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut, bashkësitë dhe multikulturat, në asnjë mënyrë nuk stopuan skenarët e përleshjeve të qytetërimeve tona në mes feve dhe etnive, armiqësitë e huaja, laicizmin, diskriminimin, politikat asimiluese dhe ato izoluese. Në mënyrë të pandërprerë vazhduan luftërat, uzurpimet, veprimet e dhunës dhe terrorit, konfliktet, despotizmat, gjenocidet, kolonizmat dhe presionet e dhunshme.
Sado që janë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare në emër të parandalimeve të konflikteve të mundshme, që rrjedhin nga ndryshimet dhe, edhe nëse janë themeluar organizata dhe institucione ndërkombëtare, këto hapa drejt këtyre, pasi nuk kanë përfshirë çdo ndryshim, apo nuk kanë përkrahur çdo strukturë fetare, morale dhe kulturore, nuk është bërë e mundur që në asnjë mënyrë të përfitohen rezultate të nevojshme ne emër të paqes, lumturisë dhe vëllazërisë.
Atëherë pra, në mënyrë që njerëzit në përgjithësi dhe myslimanet në veçanti, nëse duan të jetojnë në bashkësi dhe t'i eliminojnë problemet me të cilat përballen, është e nevojshme që të paraqiten botëkuptimet fetare, e sidomos ato të fesë së fundit e të vërtetë, Islamit.
Pra, të njihen të drejtat dhe liritë që myslimanët i kanë kultivuar gjatë gjithë historisë, të shfaqen përvojat e kahershme historike, si dhe të formohet vetëdijesimi i një morali të përbashkët jetësor.
Njohja në mes vete
Nuk ka dyshim se Islami është një fe që e ka përcaktuar normën dhe moralin e mënyrës së bashkëjetesës brenda një lumturie dhe paqeje, edhe me gjithë ndryshimet që ekzistojnë. Islami, botëkuptimin si "tjetër" dhe divergjencat (dallimet) i vlerëson dhe i parashikon si një identifikim që duhet ruajtur, mbrojtur dhe kultivuar. Kurani fisnik dallimet i vlerëson si ajete të Allahut xh.sh. (Suretu'rr-Rum, 30/20), dhe se me shprehjen "teâruf - njohje në mes vete” i cilëson njerëzit, se ata jetojnë në bashkësi popujsh, fisesh apo etni të ndryshme (Suretu'l-Huxhurat, 49/13). Kështu që, në bazë të kësaj obligohet njohja me njëri-tjetrin, duke pasur parasysh gjuhët, ngjyrat dhe etnitë e ndryshme në sipërfaqen e tokës. Njeriu duhet të kuptojë se dallimet janë një pjesë dhe sprovë e caktimit, urtësisë hyjnore (Maide, 5/48), dhe nevojitet që të arrihet caku dhe mundësia e një jetese të përbashkët e me vlera dhe virtyte. Që nga koha e Pejgamberit a.s., e deri në ditët tona, bashkësitë dhe popujt myslimanë kanë pasur në konsideratë raportet në një masë të caktuar ndaj bashkësive dhe popujve jomyslimanë. Këto masa janë përcaktuar nga Kurani fisnik dhe vetë Muhammedi a.s.
Vetë ekzistimi i ajeteve në Kuran, që ndalojnë dhunën ndaj të tjerëve (El Bekare, 2/ 256; Kehf, 18/ 29), tregon se jemi të obliguar që të kemi një mirëkuptim ndaj feve dhe besimeve tjera. Raportet e para me të krishterët në kohën e Pejgamberit a.s., kanë filluar që nga emigrimi i myslimanëve në Abisini, ndërsa me hebrenjtë kanë filluar me vetë emigrimin e Pejgamberit a.s., në Medinë. Në Medinë, në mesin e pjesëtarëve të tri feve dhe bashkësive janë krijuar raporte shembullore, janë firmosur marrëveshje, është formuar e drejta e mundësisë së të jetuarit në bashkësi, dhe kjo e drejtë apo normë është regjistruar dhe shkruar si Dokumenti apo Karta e Medinës. Përveç kësaj, jomyslimanët në kohën e Pejgamberit a.s., dhe Hulefa-i Rrashidinëve nuk janë cilësuar si pakicë, por janë pranuar si element bazë, ku në bazë të kësaj çdo personi i është mbrojtur e drejta dhe liria e besimit. Sipas kësaj, edukimi dhe arsimimi fetar, si dhe adhurimet dhe kultet fetare janë siguruar si nevojë dhe e drejtë e lirisë së besimit.
Krijimi i themeleve të së drejtës për të jetuar në bashkësi nga ana e Pejgamberit a.s., dhe shokëve të tij nuk janë bërë të njëanshme, por këtu kanë dhënë kontribut edhe pjesëtarët e feve tjera. Nga ky kënd, duke filluar me Anadollin, që nga Andaluzia e deri në Indi, nga Afrika në Azi, e në katër anët e gjeografisë islame, kanë dalë modele shembullore të bashkësive. Në vendet islame si Kudsi, Shami, Bagdadi, Kajro, lskenderije, Kurtuba, Shkupi, Bosnja dhe Sarajeva, Antakia, Edirne, Bursa, Mardini, Stambolli, ishin qendra ku ekzistonte paqja, toleranca, mirëkuptimi e respekti, megjithëse kulturat, etnitë dhe fetë ishin të ndryshme.
Dobësia e mundësisë së bashkëjetesës me diversitetet
Me keqardhje duhet të theksoj se, edhe pse posedojmë një nivel të pasur teorik dhe praktik për kulturë dhe jetesë të përbashkët, një ndër problemet më të mëdha të bashkësive që sot ekziston është ajo se nuk mund t'i pranojmë diversitetet apo llojllojshmëritë tona që posedojmë. Të pakësuarit e forcës udhëheqëse apo eliminimi i tërësishëm i saj është një ndër problemet e hapura apo të fshehura globale që gjendet para nesh. Në mesin e popujve perëndimorë ekziston, "dobësia e mundësisë së bashkëjetesës me diversitetet”, shprehjet e tyre urryese islamofobike kundër Islamit, politikat dalluese e ndarëse dhe tentativat e tyre sulmuese ndaj xhamive, që shfaqen çdo ditë e më tepër. Pastaj, në mesin e popujve myslimanë është shfaqur medhhebizmi, grupacionet, racizmat dhe ndasitë ideologjike, ku vazhdojnë të mbyten shpirtrat e pafajshëm, si dhe të shkatërrohet çdo vlerë historike
dhe kulturore e qyteteve.
Edhe një herë dua të rikujtoj dhe theksoj se, pavarësisht çdo negativiteti, sulmi, loje apo plani strategjik, ne si myslimanë jemi të obliguar të marrim si mostër shembullin e lartë shekullor të Kurani Kerimit dhe Pejgamberit a.s. Ummeti islam do të shpëtojë nga këto gjëra vetëm atëherë kur në një anë të dijë të lexojë mirë kohën në të cilën gjendet, e në anën tjetër t'i bartë njohuritë autentike të fesë në aktualitet, si dhe të arrijë një nivel të një njohurie ku mund t'i dalë zot vlerave të pashmangshme që ka.
Kur ne të fokusohemi në vlerësimin dhe zhvillimin e parimeve unike e ndërtuese të qytetërimit islam, parimeve të cilat në histori ngrihen te bashkësitë modele, duke mos i perceptuar ato si një konflikt apo shkatërrim, vendi ynë gjeografik përsëri do të rikthehet në një gjendje të paqes dhe sigurisë. Rruga që vendit tonë, gjeografisë sonë shpirtërore, njerëzimit në përgjithësi mund t'i sjellë paqe, mëshirë, saktësi, drejtësi, butësi dhe prioritet, arrihet vetëm atëherë kur mund të realizojmë mundësinë e të jetuarit në një drejtësi dhe moral bashkëjetese.
Burimi: Revista "Diyanet”, nr. 292, 2015
Prof. Dr. Mehmet Görmez
Shqipëroi: Mr. Zymer Ramadani