Themelet e personalitetit mysliman (5)

Kërkues ndaj vetvetes

Besimtari bën përpjekje të vazhdueshme për arritjen e synimeve të tij madhore, që kanë të bëjnë me sukseset në këtë botë, por, mbi të gjitha, me ngritjen e tij në botën tjetër.
Derisa kujdeset për nevojat fizike dhe mendore, myslimani i vërtetë nuk harron se ai përbëhet nga trupi, mendja, dhe gjithashtu ka një shpirt të pasionuar dhe të zjarrtë, dëshirat e forta të cilit e motivojnë të ngritët përmes përkushtimit në adhurim, kërkimit të bekimeve të Allahut dhe frikës nga ndëshkimi i Tij.(1)
Nefsi i njeriut, i ngjan fëmijës, të cilin po e edukove dhe e formove, e ke përmirësuar dhe e ke forcuar, por nëse e neglizhon, ai devijon dhe humb, pasi nga natyra anon nga gjerat pasionante, argëtimi dhe papërgjegjësia. Nëse dëshirat nuk kushtëzohen me parime fetare, ato nxisin në punë të liga dhe të ulëta, që degradojnë dhe shkatërrojnë personalitetin e njeriut.
Porosia e Ebu Bekrit r.a. kur e caktoi për halife Omerin r.a. ishte: "Gjëja e parë që duhet ta kesh kujdes le te jetë nefsi që e ke në brendësi".

Beteja e vërtetë

Sigurisht që duhet një përpjekje e madhe për përmirësimin e nefsit njerëzor, "E ata, që përpiqen për hir Tonin, Ne me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e besimtarëve". (El Ankebut, 69).
Kur njëri nga të devotshmit shkoi për ta vizituar Ibën Tejmijen, në burg, ndjeu dhembje në shpirt dhe qau për gjendjen e tij, ndërsa Ibën Tejmije i tha: “A po qan për izolimin tim? A po qan për prangosjen time? I izoluar është ai që e ka të izoluar zemrën ndaj Allahut, kurse i prangosur është ai që e kanë pranguar pasionet dhe epshet e tij."
Duhet përpjekje e madhe për ta mbajtur nën kontroll energjinë negative me të cilën njeriu ballafaqohet në vazhdimësi, madje kjo është e paarritshme pa lidhjen e drejtpërdrejtë me Krijuesin e Gjithëpushtetshëm.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “ Lufta me e çmuar është lufta e njeriut me nefsin dhe epshin e tij". Ndërkohë që, lënia pasdore e vetëkontrollit mbi nefsin çon deri te çoroditja e personalitetit dhe deri te shkatërrimi përfundimtar, siç na tërheq vërejtjen Allahu xh.sh.: "...e mos shko pas dëshirave, se ato të shmangin nga rruga e Allahut! Ata që largohen nga rruga e Allahut i pret dënim i rëndë, për shkak se e harruan Ditën e Përgjegjësisë." (Sad, 26).
Ndërsa Aliu r.a. kishte thënë: "Luftoje nefsin në nënshtrim ndaj Allahut xh.sh., siç e lufton armiku armikun, sepse më i fuqishmi i njerëzve është ai që ka fuqi mbi nefsin. Luftoje nefsin dhe kërko prej tij llogari, ashtu siç kërkon partneri ndaj partnerit (ne tregti), dhe kërkoji të drejtat e Allahut xh.sh. nga ai, siç kërkohet nga kundërshtari. Përmirësimi i nefsit bëhet me luttë, se vërtet lufta mbi nefsin është me e madhja, ngase është më e rënda, sepse kërkohet ta ndalosh nga ato që nefsi dëshiron prej kënaqësive dhe epsheve që i ka ndaluar Allahu xh.sh."
Pasimi i dëshirave të nefsit çon deri te nënshtrimi i plotë ndaj tij, gjë që rrezikon edhe besimin, duke e sjellë një situatë të rivalitetit përballë adhurimit të drejtë, siç thotë Ibën Abasi r.a.: "Pasioni është idhulli më i keq që adhurohet mbi tokë, duke iu referuar ajetit: "A e ke pare ti (Muhamed) atë që, duke e ditur dëshirën e vet, e respekton si zot të vetin. Atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij; më thuaj, pos Allahut, kush mund ta udhëzojë atë?" (El Xhathije, 23).
Duhet patjetër që nefsi te mbahet në kontroll, dhe deri te përmirësimi i plotë duhet ndjekur një rrugë me stacione dhe etapa, deri sa ta arrijë kënaqësinë e Allahut. Së pari duhet të pastrohet nga gjynahet, të dëlirësohet nga gabimet, pastaj të ndalet me vetveten me sinqeritet të plotë, duke bërë vetëllogari në çdo të keqe të vepruar në raport me Allahun, vetveten, njerëzit, e madje edhe me krijesat tjera. Kjo vetëllogari të ketë synim përmirësimin e asaj që është prishur dhe



drejtimin e asaj që ka qenë e devijuar, meqë nuk ka gjynah që nuk përmirësohet me pendim dhe pasim të veprave të mira, qoftë edhe kufri e shirku, nëse njeriu kthehet me tërë fuqinë e tij në besim, siç thotë Muhamedi a.s. "I penduari nga gjynahu është si të mos kishte gjynah".
Përmirësimi i nefsit të njeriut është baza e përmirësimit të përgjithshëm në familje, shoqëri, popull dhe mbarë njerëzimin. Pra, nëse përmirësohen nefset, përmirësohet jeta. Siç thuhet: "njeriu nuk tërhiqet për hunde siç tërhiqet kafsha, por tërhiqet nga brendësia, mendja, e ndërgjegjja e tij, prandaj epiqendra e ndryshimeve është brendësia e individit: "Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata të mos e ndryshojnë veten e tyre”. (Err-Rra'd, 11).
Dhe hadithi: "Kujdes! Vërtet në trup ka një copë mishi, nëse ajo është e përmirësuar, është përmirësuar i tërë trupi, e nëse ajo është prishur, është prishur i tërë trupi. Vëreni, ajo është zemra”.
Ky subjekt i brendshëm është e vërteta e njeriut, e jo gjaku, mishi, eshtrat e gjymtyrët. Ndoshta këto kanë rolin kyç te gjallesat tjera, të cilat për nga forma janë në të mëdha e më të fuqishme se njeriu, por esenca e njeriut qëndron në brendësinë e tij, anën shpirtërore e morale, përmes së cilës njeriu u bë njeri dhe mori nderin dhe privilegjin nga Allahu ndaj krijesave tjera, për t'u bërë halife (mëkëmbës) në tokë, me çka edhe u ngarkua me përgjegjësinë të cilën nuk qenë në gjendje ta bartin qiejt, toka dhe kodrat.

Llojet e nefsit

1. Nefsi urdhërues për të keq: Mbizotëron pronarin e vet, të papërmbajtshëm ndaj gjynahut, dhe gjithmonë e shtyen në gjëra që e kundërshtojnë Allahun xh.sh.: "Unë nuk e shfajësoj veten time pse epshi është shumë nxitës për të keqen..." Jusuf, 53).
Nefsi emare shok e ka shejtanin, i cili e pason atë. Ai i premton atij, i jep shpresa, e hedh në të pavërtetën, e urdhëron me të keqe, ia zbukuron atë, i jep shpresë të gjatë, ia paraqet të pavërtetën në një pamje pranuese e të mirë, e përforcon me lloje të ndryshme të kotësive, me shpresa të rrejshme, me epshe shkatërruese...(2)
2. Nefsi qortues: Kur njeriu bën një gjynah, ai e bën të mendojë pse veproi ashtu, dhe si e veproi një të tillë. Çdoherë që bën një vepër të ligë, ai ndien keqardhje, pastaj edhe frikë, pra nga Allahu xh.sh.: “Betohem në Ditën e Kiametit! Dhe betohem në shpirtin që është shumë qortues!" (El Kijameh, 2). Këtu vërejmë një gjë të habitshme, ku në dy ajetet e bashkangjitura betimi bëhet në Ditën e Kiametit dhe në shpirtin qortues. Kjo ngaqë ky shpirt gjithmonë është përkujtues i Ditës së Kiametit, dhe shërimi i nefsit urdhërues për të keq derisa të arrijë këtë nivel bëhet përmes përkujtimit të llogaridhënies para Allahut në botën tjetër, duke i thënë: "O nefsi im, ti do takohesh me Zotin tënd, do të qëndrosh para Tij, dhe nga Ai do të marrësh dënimin meritor". Ky është një nefs që pranon ndryshimin, por kërkon angazhim dhe përpjekje këmbëngulëse, ka nevojë për një moment të sinqertë, përmes të cilit vendos që jetën e mëtutjeshme ta vazhdojë i përkushtuar ndaj Krijuesit të Madhëruar.
Shokët e të Dërguarit s.a.v.s. thoshin: "Çdo gjynah që e bën robi është për shkak se ai është injorant ndaj asaj çfarë bën...”
Transmetohet nga bën Abasi r.a., se ka thënë: “Nga injoranca e njeriut është edhe ajo kur ai vepron diçka të keqe (gjynah).(3)
Transmetohet nga Rebia El Eslemi, të ketë thënë: “Banoja me Pejgamberin a.s., të cilit i sillja ujin për abdes dhe gjërat që i nevojiteshin, kur më tha mua: "Kërko (çka dëshiron)! I thashë: "Kërkoj shoqërimin tënd në Xhenet." Më tha: "Po diçka tjetër?" Thashë: "Ajo më duhet." M'u përgjigj: "Më ndihmo ndaj nefsit tënd me sexhde të shumta!"
3. Nefsi i përgjegjshëm: Është nefs që pendohet dhe vazhdon të qëndrojë për një kohë, pastaj e mbizotërojnë dëshirat dhe disa gjynahe, duke mos pasur mundësi rezistimi, e me gjithë këtë vazhdon t'iu përmbahet ibadeteve, duke i lënë mori gjynahesh, edhe pse i ka pasion dhe ka mundësi t'i bëjë. Në gjendje të lirë, pendohet dhe logjikshëm thotë: "Ah sikur të mos e veproj këtë gjynah, dhe të largohem krejtësisht prej tij", por kohë pas kohe i përsëritet e njëjta situatë. Një lloj të tillë nefsi e përshkruan Allahu xh.sh.: "Ka edhe të tjerë që i kanë pranuar mëkatet e tyre; ata përziejnë veprat e mira, e edhe të tjera të këqija. Atyre do t'ua falë Allahu, se Ai i falë atij që pendohet, e mëshiron atë që përmirësohet” (Et Tevbe, 102).
Çështja e këtij varet nga përkushtimi ndaj devotshmërisë dhe urrejtjes së gjynahut, ndoshta Allahu do ta falë.
Nga injoranca e mëkatarit është edhe ajo se ai bazohet në shpresat e tij të gjata, se ka për të jetuar edhe një kohë, andaj edhe për këtë ai e vonon pendimin, e nuk e di se vdekja është më afër njeriut se këpucët e tij, dhe se momenti i vdekjes nuk i kërkon leje atij, kur t'i afrohet.(4)
Rreziku i tij qëndron pikërisht në vonimin e pendimit, sepse ndodh ta zë vdekja duke qenë në atë gjendje e i pa penduar dhe me përfundim të pakëndshëm, kurse vendimi i takon Allahut xh.sh., nëse do e falë, nëse do e dënon.
4. Nefsi i kënaqur: Ky është i mbushur me frikërespekt dhe shpresë te Allahu xh.sh., i këndshëm, stabil, për çka e Ai e quan "plotësisht i kënaqur", sepse njerëzit tjerë përreth kanë probleme e mërzi, ndërsa ai është i kënaqur: "O shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i kënaqur (për vete) e kënaqësi (për Zotin)! Hyr mes robërve të Mi! Dhe hyr në xhenetin Tim!" (El Fexher, 27-30).
Tregohet për disa të devotshëm të cilët po argëtoheshin, kurse njëri prej tyre qëndronte vetëm në një distancë. Iu afrua njëri dhe deshi të bisedojë me të, e ai i tha: "Dhikri është më i këndshëm." I tha: "Ti po rri vetëm?" Ia ktheu: “Me mua është Zoti dhe engjëjt.” I tha: "Kush ta ka kaluar në këtë?" Iu përgjigj: "Ai të cilin e ka falur Allahu." I tha: "Ku është rruga?” Ai bëri me shenjë kah qielli. Pastaj u ngrit dhe shkoi.

Si ta luftojmë nefsin?

1. Ngjallja në zemër e dashurisë ndaj Allahut të Lartësuar, deri sa ta kalojë dashurinë ndaj vetes, familjes, fëmijëve e pasurisë. Kjo arrihet duke shpeshtuar shikimin në ekzistencën e dukshme dhe në Librin e lexueshëm (Kuranin), vazhdimin në dhikër, në traditën e besimit me namaz të ditës e të natës.
2. Ngjallja në zemër e frikërespektit ndaj Allahut të Lartësuar, duke e marrë në konsideratë Madhështinë e Tij, fuqinë dhe dënimin e paralajmëruar për mëkatet ndaj Tij, “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet, dhe ndaloi veten prej epsheve, xheneti është vendi i tij." (En Naziat, 40-41).
Hasan El Basriu thotë: "Besimtari vazhdimisht i kërkon llogari vetvetes: çfarë kërkove me atë që the? Përse e hëngre këtë gjë? Përse e pive atë gjë? Ndërsa mosbesimtari vazhdon përpara pa i kërkuar kurrë llogari vetvetes.”(5)
3. Fuqizimi i vullnetit dhe vendosmërisë për konfrontim me nefsin, i bindur se robi, sado që është i dobët, me mbështetje në Zotin e tij dhe kërkimin e ndihmës së Tij, do të ngadhënjejë. E pyetën Dhununin: "Me çfarë e fiton njeriu xhenetin?” Dhe ai u përgjigj: " Me pesë gjëra: me qëndrimin fort në fe, qëndrim që nuk njeh lëkundje; me përpjekje të vazhdueshme, e cila nuk njeh shkujdesje; me mbikëqyrjen e përhershme të Allahut haptas dhe fshehtas; me pritjen e vdekjes dhe përgatitjen për të; me gjykimin e vetvetes para se t'i vijë dita ta gjykojnë.”(6)
4. I domosdoshëm është përkujtimi i vdekjes dhe përfundimit në xhenet apo xhehenem, ngaqë vdekja sjell vështirësi më të mëdha se e kaluara. Ose lehtësi më të mëdha se e kaluara, sepse problemi nuk qëndron në vdekjen, por në atë që pason. Patjetër duhet të kujtojmë rrjedhën e situatave që na presin në jetën e përtejme: ringjallja, tubimi, llogaria, shpërblimi ose ndëshkimi, prandaj nuk është gjë e thjeshtë që njeriut ta humb xhenetin e të hyjë në xhehenem.
Njeriu mërzitet nëse humb pak nga pasuria e kësaj bore të përkohshme, e si të mos mërzitet dhe të mos ketë kujdes në humbjen e të mirave të xhenetit. Omeri r.a. e ofronte gishtin pranë kandilit me zjarr të dobët, dhe thoshte: “O lbën Hatab, a mund t'i bësh durim një gjëje si kjo? Po si do të jetë halli me zjarrin e ahiretit, kur zjarri i dynjasë është 1/70-ta e zjarrit të ahiretit.
Ibn Kajim thotë: "Luftimi E nefsit kalon në katër etapa:

1. Detyrimi i tij për njohjen e udhëzimit dhe fesë së vërtetë,
2. Detyrimi i tij të veprojë mbi këtë njohje,
3. Detyrimi i tij të ftojë në këtë të vërtetë, dhe
4. Detyrimi i tij të qëndrojë me durim ndaj vështirësive të kësaj ftese drejt Allahut xh.sh., duke i përballuar të gjitha këto për hir të Tij.


_________________________
1. Dr. Muhammed Ali El Hashimi. Myslimani ideal. Fjala e Bukur, Prishtinë, 2008. f. 58
2. Ibn Kajjim El-Xhevzijje. Shpirti. Fondacioni i Rinisë Islame. Zurich, 2007. f. 404.
3. (lbid.).
(4) (lbid.).
(5) Dr. Jusuf Kardavi. Besimi dhe jeta. Furkan ISM. Shkup, 2010. f. 233.
(6) (lbid.).



Bashkim Mehani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi