– Ndërmjet preferencës Islame dhe argumentimit shkencor –
S’ka dyshim se Allahu xh,sh ka krijuar çdo gjë në formën më të përsosur dhe se çdo krijese ia ka caktuar orbitat lëvizëse dhe funksionet e saj. Krijueshmëria e Allahut xh,sh nuk ka ardhur kot dhe nuk ka ardhur pa ndonjë qëllim të caktuar dhe pa ndonjë urtësi të veçantë pavarësisht se a i dimë ne apo jo.
Nën këto qëllime dhe urtësi po ashtu hynë edhe adhurimet me të cilat njeriu obligohet që ti kryej në mënyrë që të jetë sa më afër devotshmërisë ndaj Allahut xh,sh pavarësisht se a janë këto adhurime obliguese apo fakultative (vullnetare).
Si shembuj për këtë po përmendim disa raste të cilat përveç profitabilit të madh që kanë në të afruar dhe në të arritur të devotshmërisë ato kanë edhe profitabilitetin e tyre në aspektin shëndetësorë siç është sexhdeja e cila ndihmon në lirimin e energjisë negative kur njeriu me gjymtyrët e tij prek tokën, mandej kemi agjërimin i cili nga shumë mjekë me renome botërore është quajtur si ”operimi pa brisk” për shkak të mrekullive që bënë në organizmin e njeriut dhe në sistemimin e organeve tretëse si dhe në pastrimin e tyre etj.
Por pa dyshim se besimtari është i obliguar që të gjitha adhurimet e tij të i kryej në kërkim të kënaqësisë së Allahut dhe si përpjekje për të arritur gradat më të larta të devotshmërisë, duke mos u ndalur shumë në kërkim të përfitimeve materiale apo shëndetësore që ngërthejnë në vete këto adhurime.
Andaj edhe ne do të bëjmë trajtimin e urtësisë së agjërimit të tri ditëve nga çdo muaj, fillimisht nga aspekti fetarë e mandej do t’i sqarojmë edhe përfitimet e arritura nga aspekti shkencorë.
Por para se të fillojmë me elaborimin e kësaj teme është e udhës që të cekim emërtimin e tyre e që janë emërtuar me këtë emër ngase hëna është e plotë dhe ndriçimi i saj është i madh thuajse nata shndërrohet në ditë. E po ashtu thuhet se këto net janë quajtur të bardha për shkak se hëna në to është prezente dhe e dukshme nga mbrëmja deri në mëngjes, e ndërsa për arsyen se pse janë quajtur “Ditët e Bardha”, kur realisht kjo ka të bëjë me netët e këtyre ditëve, këtë e shpjegon Ibn Sina duke sqaruar se me përmendjen e ditës përfshihet edhe nata e saj.
Agjërimi i këtyre tri ditëve është agjërim fakultative apo thënë ndryshe agjërim vullnetarë tek të gjitha shkollat juridike islame. Argument për këtë e kemi thënien profetike të cilën deri tek ne e transmeton Ebu Hurejre i cili rrëfen se: “I dashuri im, Pejgamberi s.a.v.s., më ka porositur me tri gjëra: agjërimin e tri ditëve të çdo muaji, dy rekate të namazit duha dhe faljen e vitrit para se të flejë”. Muadheh El-Adevijjeh rrëfen se e ka pyetur Aishen, r,anh: A agjëronte Pejgamberi s.a.v.s., prej çdo muaji nga tri ditë? Tha: Po. Cilat ditë të muajit i agjëronte?- e pyeta. Ai nuk brengosej se cilat ditë i agjëronte- mu përgjigj”. Po ashtu transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s., i ka thënë Abdullah Ibn Amrit: ”Agjëro tre ditë në çdo muaj sepse çdo sevab shkruhet me dhjetë, e kjo është njësoj sikur ke agjëruar gjithë kohën”, e po ashtu transmetohet nga Ebu Dherri r.a., se Profeti s.a.v.s., ka thënë: ”Kush ka dëshirë të agjërojë gjatë muajit të agjërojë tri ditët e bardha.”
Preferohet, unanimisht, që këto tri ditë të jenë të mesit, të cilat janë: dita e 13-të, 14-të dhe 15-të; Në bazë të citimeve profetike të cekura më lartë vërejmë se urtësia e agjërimit të këtyre tri ditëve qëndron në dhënien e mundësisë për ta mbuluar tërë vitin me agjërim:
E para, është ajo e shpërblimit të tij dhjetë herë e që i bie të jetë 300 ditë pastaj preferohet edhe pasimi i tij me 6 ditë të muajit Shevalë për të arritur kështu shpërblimin e plotë të 360 ditëve aq sa gjithsej i ka kalendari hënorë.
E dyta, agjërimi i tre ditëve nga çdo muaj për të arritur kështu përsëri mbulueshmërinë e tërë vitit lunarë me agjërim. Andaj edhe në disa transmetime ky agjërim është quajtur edhe me Siam Ed-Deher apo agjërimi i jetës.
Pra, vërehet edhe një herë mëshira e Allahut xh.sh., që ka ndaj robërve të Tij duke i dhënë mundësinë që nëse agjëron të dy mënyrat atëherë ti ke arritur që për një vit të kesh akumuluar në bagazhin e shpërblimeve tua agjërimin e dy viteve. Po ashtu prej urtësive të tjera të këtyre ditëve janë po ato që zakonisht i sjellë agjërimi me vete e siç janë: Përmirësimi i zemrës, mbjellja e ndjenjës së varfërisë gjë që qon deri tek kuptimi i gjendjes së skamnorëve, ngritja në shkallën e devotshmërisë, thyerja e mendjemadhësisë etj.
Ndërsa urtësia e këtyre ditëve sipas shkencës vërehet nëse vëzhgojmë lëvizjet e hënës dhe ndikimin e saj në rruzullin tokësorë kur ajo gjendet në këto tri ditë e që njihet si hëna e plotë.
Sipas burimeve të Nasa-së, distanca në mes të Hënës dhe Tokës lëvizë prej 356,410 km e gjer më 406,697 km. Distanca mesatare është 384,400 km.
Diametri i hënës është 3,476 km, kurse diametri i Tokës është 12,756 km.
Perimetri i hënës është 10,927 km, kurse perimetri i Tokës është 40,075 km.
Shkencëtarisht është e ditur se Hëna ndikon në baticën dhe zbaticën e oqeaneve, deteve, në botën shtazore, bimore e gjithsesi ky ndikim manifestohet edhe tek njerëzit kur dihet fare mirë se truri i njeriut është një prej organeve më të lëngshme në trupin e tij dhe për këtë arsye graviteti i hënës ndikon drejt për drejt në rritjen e hormoneve të gjakut dhe të shtypjes së tij gjë që shkakton presion tek truri dhe si rezultat të kësaj vije deri tek një nervozë dhe agresivitet të pa kontroll.
Kështu, ndikimi i Hënës ka rëndësi të madhe në jetën e përditshme. P.sh. në mjekësi është i njohur fakti se gjakderdhjet (hemorragjitë) gjatë Hënës së plotë janë më të mëdha, kështu që kirurgët gjatë përgatitjeve për operacion kësaj dukurie i kushtojnë kujdes të posaçëm.
Kur hëna të arrijë pozitën më të lartë në relacion me planetin e tokës, ajo shkakton baticën dhe anasjelltas kur hëna është më së afërmi planetit tonë shkaktohet zbatica. Meqenëse njeriu, si edhe toka përbëhet prej 75- 80% nga materia e lëngtë dhe 20-25% nga materia e ngurtë, kur hëna është e plotë në njeriun shkaktohet një “Aksion koncentrik”. Në këtë fazë pasojat që njeriu i përjeton janë: ngushtimi i indeve, edemet (të ënjturit), eksitimet nervore, etj. Të gjitha këto ndryshime që përjeton njeriu manifestohen në oreks, gjumë, disponim, sjellje, aktivitete trupore, seksuale,agresivitet, etj.
Ndërsa po ashtu është i njohur që agjërimi ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit mendorë dhe truporë si dhe stabilizon efektet e tërheqjes hënore mbi organizëm. Për këtë arsye rekomandohet agjërimi i ditëve 13-14-15, sipas kalendarit hënor, pasi janë ditët kur rritet në maksimum tërheqja hënore dhe efektet e saj negative mbi organizëm.
Ndërsa ndikimi hënës ulet pasi që njeriu gjatë agjërimit të tij në pamundësi të konsumimit të ujit ndihmon në rënien e nivelit të ujit në trupin e tij e që kjo ndihmon në zvogëlimin e ndikimit të hënës në organizmin e tij edhe përkundër ekzistimit të gravitetit të saj.
E po ashtu Ibn Sina sqaron edhe arsyen pse në këtë kohë preferohet të bëhet edhe hixhamja duke e ulur kështu mundësin e veprimit të gjakut të dëmshëm në organizmin e njeriut për shkak të gravitetit të shtuar të hënës dhe se po ashtu gjaku në këto ditë është në kulminacionin e rritjes së tij dhe kjo ndihmon që hixhamja të jetë më e suksesshme dhe më efektive.
Edhe pse mjekësia dhe shkenca në përgjithësi shumë vonë kanë arritur të merren me zbulimin e këtyre ndikimeve, dijetari i njohur Islam, Ibn Kajjim El-Xhevzijeh( Allahu xh,sh e mëshiroftë) kishte dhënë shenja për këtë fenomen dhe për urtësinë e agjërimit të këtyre ditëve.
I lartësuar është Allahu xh.sh., i cili krijojë çdo gjë në formën më të përsosur.
Artan Musliu