Hyrje
Fenomeni i figurës së Isait a.s., pastaj jeta, veprimtaria dhe vdekja/zhdukja e Isait a.s. është ndër temat më të diskutueshme, më kontraverse në literaturën botërore në përgjithësi, por edhe atë religjioze hebraike, kristiane e islame në veçanti. Janë shkruar mijëra artikuj e vepra të të gjitha zhanreve në shumë gjuhë dhe s’ka të sosur në këtë rrafsh. Varësisht nga këndi i botëkuptimit, të tilla janë edhe tezat e shtruara. Hebraikët e refuzojnë dhe ofendojnë, kristianët e idealizojnë dhe hyjnizojnë, kurse muslimanët e mbajnë ekuilibrin ndërmjet dy skajeve, skajit hebraik që e hedhë Isain a.s. në shportën e plehrave dhe skajit kristian që e ngre Isain a.s. në rang Hyji.
Disa refleksione për personalitetin e Isait a.s.
Zanafilla e Isait a.s., mënyra e nxënies së embrionit të tij, shumë njerëz i çoi në jobesim, ose në dilema të jobesimit, sepse nuk arritën ta kuptojnë dhe besojnë aktin e zanafillës së fëmijës pa baba. E çuditshme është edhe nëna e tij, Merjemja, e bija e Imranit, e cila gjithashtu u përgatit nga Allahu për misionin e saj të jashtëzakonshëm për lindjen e fëmijës pa baba. Me këtë pozicion, njeriu tregoi fuqinë dhe dominimin e Tij kudo në gjithësi. Në këtë çështje kontributin e tij, me udhëzimin Hyjnor, e dha edhe Zekerija a.s., i cili e vizitonte dhe kujdesej për Merjemen në tempullin Hejkel, ku Merjemja sherbeu për një kohë të gjatë: “Dhe Zoti i saj e pranoi me ëndje atë dhe e rriti mirë dhe ia la në besë Zekerijjaut. Sa herë që hynte Zekerija te ajo në tempull, gjente ushqime te ajo. “Prej nga kjo, oj Merjeme?” i thoshte kurse ajo i përgjigjej, “Prej All-llahut, All-llahu e furnizon pa masë, kë do”. (Ali Imran, 37).
Allahu i madhërishëm e caktoi Zekerijain a.s. të kujdesej për Merjemen, sepse ai e kishte të afërm, por për të kujdesej edhe vetë Allahu. Hadithi autentik të cilin e transmeton Ebu Hurejre, më së miri e ilustron gjendjen e saj dhe të djalit të saj: “Çdo fëmijë që lind e kap shejtani, ndaj ata qajnë. Ky nuk ishte rasti me Merjemen dhe Isain a.s.”.
Pastaj Ebu Hurejre r.a. e citon edhe ajetin kur'anor, në të cilin nëna e Merjemes i lutet Zotit, pas lindjes së saj: “... Atë dhe pjellën e saj unë po e le në mbrojtjen tënde prej djallit të mallkuar”. (Ali Imran, 36).
Madje, edhe melekët i flasin Merjemes dhe i sqarojnë: “O Merjeme, Allahu ty të ka caktuar dhe të pastër të ka krijuar, dhe të ka bërë më të mirën femër në botë.”
Pastaj e lajmërojnë edhe për lajmin e gëzueshëm: “E unë jam – i tha ky – i deleguar i Zotit tënd, të të dhurojë një djalosh inteligjent”. (Merjem, 19).
E qartë, Merjemja r.a. e shprehi habinë e saj: “Si do të kem unë fëmijë – tha ajo – kur nuk më ka prekur asnjë mashkull dhe unë kam qenë e shfrenuar”. (Merjem, 20).
“Ashtu! – i tha, - Zoti yt ka thënë: “Ajo është e lehtë për mua, dhe ta bëjmë atë argument për njerëzit dhe mëshirë nga ana jonë. Kjo është punë e kryer”. (Merjem, 21).
Rasti i shtatzënisë dhe lindjes së Isait a.s. bëri që kristianët të fillojnë ta adhurojnë Isain a.s., duke harruar se edhe Ademi a.s. u lind pa baba e nënë, por nga askush nuk u quajt hyjni as bir Zoti. Prandaj, ata duhet ta dinë se lindja e këtillë e Isait a.s. është t’u dëshmohet hebraikëve se ekziston shpirti, të cilin ata e mohonin dhe besonin vetëm në botën materiale. Ata as nuk deshën të besojnë drejt dhe besuan në absurditete, si Allahu ka fëmijë, duke harruar se “Mjafton urdhri i tij, vetëm t’i thotë: “Bëhu”! dhe ajo bëhet.” Nga ky çast ata besojnë se Allahu ka tri pamje, tri manifestime brenda një Zoti.[1]
Refuzimi kur’anor i paragjykimeve kristiane
Mësimi islam e refuzon pikëpamjen e tillë për Zotin. Ai e konsideron absurd që për Zotin të flitet kështu kurse njerëzit e tillë i shpall për mëkatarë të rëndë – jobesimtarë. Me fjalë të tjera, nëpërmjet tre emrave ata thonë se e përfaqësojnë një Zot: zoti atë, zoti bir dhe zoti shpirt i shenjtë; Zotit i përkasin krijesat nëpërmjet të Birit, të Birit i përket shpagimi dhe Shpirtit të shenjtë pastrimi.
Por, Allahu qartë e thekson këtë gjë: “Bënë kufr (mohuan të vërtetën) ata që thanë: “All-llah është ai, Mesihu, bir i Merjemes”. E vetë Mesihu, (Isai) tha: “O beni israil, adhuronie All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i përshkruan Zotit shok, All-llahu ia ka ndaluar atij Xhennetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës. Gjithashtu bënë kufr (mosbesim) ata që thanë: “All-llahu është i treti i treve”. S’ka në gjithësi tjetër pos një All-llahu, e nëse pushojnë nga ajo që thanë (tre zota), do t’i kapë dënim i dhembshëm, ata që nuk besuan prej tyre. E pse të mos pendohen dhe të kërkojnë te All-llahu falje, kur All-llahu dihet se falë shumë, është mëshirues. Mesihu, bir i Merjemes, nuk është tjetër, vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme). Që të dy ata ishin që ushqeheshin (si njerëzit tjerë). Ja, si u sqarohen atyre argumentet dhe shih pastaj sesi i kthejnë shpinën të vërtetës!” (El-Maideh, 72-75).
Nuk ka nevojë për shumë mençuri e të kuptojmë se Zoti nuk hanë e nuk pinë; nuk ka nevojë për inteligjencë të posaçme që të kuptojmë se monopoli mbi të vërtetën nuk konstituohet mbi të vërtetat e rrejshme, por mbi të vërtetën reale, racionale, pa mistifikime dhe kamuflime njerëzore. E vërteta është Një dhe atë duhet ta shohim drejtë e pa simpati e anime subjektive.[2]
Në anën tjetër, misoni i Isait a.s. qe ndihmuar edhe me mu’xhize të Allahut. Ai i dhuroi të gjithë pejgamberët me mu’xhize, prandaj edhe Isain a.s. Disa nga këto mu’xhize i përmend edhe Kur’ani: “... unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryj atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend, unë i shëroj të verbrit, të sëmurit ne lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut ngjalli të vdekurit: unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depononi në shtëpitë tuaja. Vërtetë, kjo është fakt për ju nëse jeni besimtarë. Dhe (kam ardhur) që t’ju vërtetoj Tevratin që e keni para duarsh, t’ju lejoj disa që u ishin ndaluar juve, kam ardhur me argument nga Zoti juaj, pra kine frikë All-llahun dhe më dëgjoni mua.”. (Ali Imran, 49-50).
Gjeneza e shtrembërimit të mësimit të Isait a.s.
Derisa ishte gjallë Isai a.s. nuk ekzistonte ideja mbi hyjninë e tij. Edhe një kohë pas ‘zhdukjes’ së tij ideja e monoteizmit ishte e qartë dhe e freskët. Por, me kalimin e kohës, nga ndërhyrjet e jashtme dhe nga injoranca e brendshme, suksesivisht, filluan të futen idetë për hyjninë e Isait a.s.
As të gjithë kristianët nuk e aprovuan idenë e hyjnizimit të fesë së Isait a.s. Dëshmi e këtij konstatimi është edhe një ungjill me emrin Ungjilli i Barnabës. Këtë ungjill kisha kristiane nuk e radhit në ungjijtë kanonikë, me pretekst se ky nuk është autentik. Por, ky ungjill nuk pranon shumë çështje me elemente idhujtare që edhe sot e kësaj dite gjenden në doktrinën dhe praktikën kristiane.[3][4]
Po ashtu, kisha kristiane, si mënyrë për daljen nga rrëmuja e krijuar, caktoi një tubim në Nikej (Izniku i sotëm në Turqi), në vitin 325. Aty u tubuan disa mijë njerëz, për të vendosur rreth të ardhmes së kristianizmit. Ndonëse në pakicë, 318 priftërinj pranuan doktrinën se Jezusi është zot, se është i barabartë me Zotin Atë,se është lindur nga Ai e nuk është krijuar etj. etj. Edhe pse shumica e refuzoi këtë doktrinë, nën ndikimin e mbretit Konstantin, kjo bindje u bë obliguese për të gjithë nënshtetasit romakë, sepse ishte më afër bindjeve të tyre të adhurimit të njeriut.[5]
Për këtë arsye dhe të tjera të patheksuara, besimi i Isait a.s. u shndërrua në një besim të mjegulluar, më shumë njerëzor e më pak hyjnor, të dirigjuar nga njerëzit e Kishës / priftërinjtë. Shkrimi i ungjijve shumë kohë pas zhdukjes së Isait a.s., kompletimi i tyre vetëm pas 150 viteve nga koha e shpalljes së tij, mosekzistimi i ungjijve në gjuhën burimore arameike, por ekzistimi i ungjijve në përkthim të kujtesës historike, qartë fletë për një miks idesh nga judaizmi, paganizmi, hinduizmi, zaratustrizmi etj.[6]
Vdekja / zhdukja e Isait a.s.
Çështja e vdekjes së Isait a.s. është temë në të cilën gabuan edhe hebraikët edhe kristianët. Hebraikët mendojnë se ata e kanë vrarë, sepse Isai a.s. pohonte se është i dërguar i Zotit. Kristianët pohojnë se Isai a.s. është kryquar dhe varrosur, por është ringjallur pas tre ditëve.
Ungjijtë që flasin për kapjen e Isait a.s., për kryqimin e tij, vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e tij janë shkruar më vonë, pas kohës së Isait a.s., kur përkrahësit e tij përjetonin përndjekje dhe dhunë të tmerrshme dhe nuk kishin kohë të verifikonin të dhënat në qetësi dhe kompetencë. U shkruan shumë ungjijë, por në fillim të shekullit të katër e.r., nën drejtimin e Mbretit Konstantin, në Nikej, më 325 e.r., u përzgjodhën si të saktë vetëm katër versione, të cilat konsiderohen kanonike, të sakta.[7]
Një version tjetër, jokanonik, është ai i Barnabës, i cili është shkruar herët dhe i kundërshton versionet e tjera dhe është më afër pikëpamjeve islame, por këtë version e refuzon Kisha.[8]
Rikthimi i Isait a.s. në Tokë
Caktimi i Allahut vendosi që Isai a.s. do të paraqitet para Ditës së Fundit. Nuk dihet urtësia e plotë përse të ndodh kjo, por gjëja më e kuptueshme është se për Isain a.s. u thurën ngjarje të shumta, u treguan gënjeshtra të shumta, prandaj vetëm paraqitja e sërishme e tij do t’i përgënjeshtronte ato trillime prej imagjinate.
Lidhur me këtë Ebu Hurejre r.a. e transmeton një hadith të sigurt të Muhammedit a.s., i cili qartë e paralajmëron zbritjen e Isait a.s.: “Për Zotin, sigurisht do të zbresë Isai a.s., i biri i Merjemes, si sundues i drejtë. Do ta thyejë kryqin, do ta vrasë derrin dhe do ta anulojë xhizjen / tatimin për kokë njeriu.”
Në shumë hadithe të tjera shkruan se, ndër të tjera, Isai a.s. do ta vrasë Dexhallin / Antikrishtin dhe do të vendosë rendin dhe qetësinë në botë, e cila në këtë periudhë kohore do të karakterizohet me anarki, dhunë dhe tirani të pashoqe. Sigurisht, dërgimi i sërishëm i Isait a.s. do ta thyejë sundimin diktatorial të personifikuar në Dexhallin. Kjo formë qeverisjeje do ta mashtrojë opinionin, do ta adhurojë gjithçka tjetër pos Krijuesit absolut, do t’i nënshtrohet lidhjeve botërore në vend të atyre të Krijuesit.[9]
Isai a.s. kërkon nga ne sjellje të mirë me hebraikët dhe kristianët, kurse vetë ai do ta thyejë kryqin, do ta vrasë derrin, do ta eliminojë të keqen, sepse po ta bënim këtë ne, do të quheshim fundamentalistë dhe do të dënoheshim me burgje të gjata, të përjetshme ose edhe me vdekje. Është koha e fundit që pasuesit e mirëfilltë të Isait a.s., ata që thirren me emrin kristian, të ndalin dhunën nëpër botë, të qetësojnë shpirtrat dhe të shtrijnë dorën e pajtimit, kurse obligim i yni është të ndihmojmë në këtë aspekt me tërë fuqinë besimore, intelektuale dhe materiale.
Dituria Islame, korrik 2010.
________________________________________
[1] Shih: http://www.dzemat-kirchheim.com/vijesti/najnovije/isaovo-a.s-rodzenje.html.
[2] Ulfe Azizussamed, Islami dhe kristianizmi, Tetovë, 1997.
[3] Lexo edhe: Savash Veliu, Sy më sy me të vërtetën, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1337 .
[4] Edhe filozofia perëndimore nuk e pranon hyjnizimin e Isait a.s.. Ja si thotë H. Bergson: “Filozofia na mëson se asnjë qenie e cila mund të dalë nga një qenie tjetër dhe të ekzistojë si individ i veçantë, dhe bëhet rival dhe bashkëshokë, nuk mund të konsiderohet e Përkryer. Kështu, atributi ‘bir i Hyjit’ është vetëm një përdhosje e Përkryeshmërtisë Hyjnore.” Në: H. Bergson, The Creativ Evolution, Modern Library, fq. 16, sipas: Ulfe Azizussamed, po aty, fq. 47.
[5] Ulfe Azizussamed, po aty.
[6] Ulfe Azizussamed, po aty, fq. 43-44.
[7] Krahaso: Naim Tërnava, Akaidi 2, Prishtinë, 2002.
[8] Versioni islam rreth kësaj teme është i saktë dhe i qartë: “Dhe për shkak të mosbesimit të tyre dhe deklaratave të rënda shpifëse kundër Merjemes. Si edhe të deklarimit të tyre: ‘Me të vërtetë ne e vramë Mesihin, Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut’ edhe pse as e kanë vrarë, as e kanë gozhduar, por ashtu u është dukur. Ata të cilët ndan mendimin lidhur me këtë, ishin në dyshim për këtë; për këtë nuk kanë ditur kurrgjë të sigurt, vetëm sipas hamendjes (flisnin), ndërkaq është shumë e sigurt se atë nuk e kanë vrarë. Por, All-llahu e ngriti te vetja, se All-llahu është shumë i urtë dhe i fuqishëm.” (En-Nisa, 156-158). Krhs.: http://www.dzemat-kirchheim.com/vijesti/najnovije/isaovo-a.s-rodzenje.html.
[9] Shih për këtë: Naim Tërnava, po aty, fq. 137-157.