Shëndeti i plotë dhe fuqia fizike
Misioni i myslimanit në tokë kërkon, përveç tjerash, edhe fuqinë fizike krahas fuqisë shpirtërore, në mënyrë që t'i përmbushë nevojat dhe t'i plotësojë detyrat e tij në formën sa më të plotë.
Nga myslimani kërkohet që ta dijë dhe të marr për bazë shkaqet që e bëjnë të fortë dhe ato që e dobësojnë, sepse ai duhet të lëvizë në bashkëveprim me ligjet e ekzistencës dhe jetës në tokë.
Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari a.s. ka thënë: "Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur te Allahu sesa myslimani i dobët, edhe pse nga të dy ka mirësi. Kujdesu për atë që të sjellë dobi, ndihmohu me Allahun e mos u dobëso!”.
Allahu xh.sh. thotë: "E ju përgatituni sa të keni mundësi forcë, (mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë), e me të (me përgatitje) ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët që ju nuk i dini (se kush janë), e Allahu i di ata... ” (El Enfal, 60).
Madje, në Kuran gjejmë raste kur Allahu i qorton shoqëritë që ishin pajtuar me poshtërim dhe nënçmim, duke jetuar në pozitën e të dobëtit, edhe pse kishin mundësi ta ndryshonin pozitën e tyre: "Engjëjt që morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetes u thanë: "Në çka ishit ju? - Ata thanë: "Ne ishim të paftë në atë tokë!" (Engjëjt) u thanë: "A nuk ishte toka e Allahut e gjerë e të migroni në të?" (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit). Vendi i tyre është Xhehennemi, dhe sa vend i keq është ai!" (En Nisa, 97).
Kur njeriu pajtohet me dobësinë, veten e tij e ekspozon ndaj poshtërimit, servilizmit dhe nënshtrimit ndaj tiranit: "Dhe ashtu ai (Faraoni) e frikësoi popullin e vet, e ata e respektuan, por ata ishin vërtet popull i shkatërruar.” (Ez Zuhruf, 54).
Një popull ku bijtë e tij janë të dobët, janë të prirë të nëpërkëmben dhe të munden, ngase humbja fillon nga humbja e personalitetit. Po të ishin individët e shoqërisë me personalitet të ngritur dhe preokupime të larta, nuk do të vinte deri sundimi i huaj. Nëse kthejmë kokën nga e kaluara e lavdishme, shohim se të parët tanë përgjatë historisë sunduan e ngadhënjyen, çliruan tokat me krenarinë islame, por edhe duke i marrë parasysh shkaqet e forcës. Kur bijtë e tyre i kaploi plogështia dhe dobësia, u dorëzuan deri në atë masë që historia e ka shënuar, kur ushtari tatar e urdhëron të riun mysliman të qëndrojë ulur derisa ai të shkojë ta marrë thikën për ta ekzekutuar, dhe ky i gjori e pret pa pasur fuqi të ngrihet dhe të largohet. Për këtë gjë të parët kanë thënë: "Nuk do të mendojmë me kokën tonë, përderisa mos të hamë nga drapri ynë".
Allahu xh.sh. kishte zgjedhur për mbret njeriun që zotëronte dy cilësi, atë të mendjes dhe të fuqisë trupore, atë që në saje të këtyre cilësive do të ishte në gjendje të bartte përgjegjësitë dhe të sfidonte rreziqet: "Ai (Shem'uni) tha: "Allahu zgjodhi atë sundues tuajin dhe e pajisi me dituri të gjerë e me fuqi trupore!” Allahu ia jep sundimin e vet atij që do, Allahu është Dhurues i Madh, i Dijshëm." (El Bekare, 247).
Allahu xh.sh. po ashtu i veçoi dhe i fisnikëroi pejgamberët që i quajti "Ulul Azmi” - Të vendosur. Po ashtu me këtë cilësi në Kuran u përshkrua edhe pejgamberi Musa a.s., me fjalët e bijës së Shuajbit: "O babai im, merre këtë në shërbim me pagë, pse më i miri që do ta marrësh në shërbim është ai i fuqishmi e besniku!" (El Kasas, 26). Kështu pra, vërejmë se në Islam janë të ndërlidhura fuqia e besimit dhe ajo fizike.
Hapi i parë për arritjen e fuqisë është aktiviteti fizik
Duhet pasur parasysh se shumica e formave islame të adhurimit, siç janë: namazi, agjërimi, haxhi etj., përmbajnë disa elemente të sportit, edhe pse të gjitha këto për nga natyra kanë qëllime shpirtërore.(1)
Namazi, që nga mosha fëmijërore e deri në pleqërinë e thellë, e përcjell besimtarin pesë herë në ditë, duke mbjellë tek ai disiplinën dhe rregullin e qëndrimit vital në vazhdimësi. Pastaj, edhe lëvizjet e kërkuara brenda namazit janë të një formeje të veçantë, me lëvizje të të gjitha gjymtyrëve brenda një kohe të shkurtër, gjithnjë në shërbim të shëndetit njerëzore, duke iu përshtatur pavarësisht moshës dhe gjinisë. Aktivitetet gjatë haxhit janë të jashtëzakonshme: veshja e ihramit, tavafi, sa'ji, qëndrimi në çadra në Arafat, kalimi i natës në Muzdelife etj., për nga forma fizike i përngjajnë një kampingu.
Dr. Jusuf Kardavi thotë: "Islami erdhi fe universale e baraspeshuar, erdhi të sistemojë çështjet e Dynjas dhe Ahiretit, u kujdes për çështjet individuale e ato shoqërore, ashtu si u kujdes për njeriun nga aspekti shpirtëror, trupor e mendor. Ekuilibri është parimi mbi të cilin umeti i Muhamedit s.a.v.s. e ndërton filozofinë dhe stilin e vet jetik, në të gjitha sferat e jetës.”(2)
Përkundër që disa religjione e mbajtën trupin peng të shpirtit të njeriut, duke menduar se ngritja shpirtërore arrihet përmes kufizimit fizik, e madje edhe torturimit, Islami e harmonizon dhe e çmon kujdesin e anës së jashtme edhe gjatë adhurimeve: "O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.
Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që llahu i krijoi për robërit e Vet?” Thuaj: "Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në Ditën e Kiametit janë të posaçme për ta. Kështu i sqaron argumentet një populli që kupton.” (El A'rafë, 31, 32).
Pejgamberi ka kërkuar baraspeshë ndërmjet adhurimit dhe obligimeve të Dynjasë. Ai ka reaguar edhe në rastet kur ka vërejtur teprim në adhurime, teprim në namaz dhe agjërim, e që e ka dëmtuar trupin e vetë personit, familjen dhe shoqërinë, prandaj edhe ka thënë: "Obligime ke ndaj trupit tënd, ndaj gruas dhe ndaj fqinjëve, prandaj çdokujt jepja hakun e vet!”(3)
Ky obligim ka të bëjë edhe me shërimin në rast të sëmundjes, forcimin në rast të dobësimit, pushimin në rast të lodhjes, pastrimin në rast të përlyerjes, e kështu me radhë.
Elementet e edukimit fizik:
Shëndeti dhe ruajtja nga sëmundjet
I Dërguari s.a.v.s. thotë: "Kush zgjohet i shëndoshë në trup, i sigurt në lëvizje, i mjaftueshëm në furnizim të asaj dite, është sikur t'i jetë dhuruar e tërë Dynjaja”.
Pra, shëndeti është një nga elementet më themelore për një jetë të qetë e të lumtur, ashtu siç ka thënë edhe në hadithin tjetër: "Gjëja më e vlefshme që i është dhënë njeriut është bindja dhe shëndeti”, dhe shpeshherë lutej në sexhde: "O Allah! Më fal, më mëshiro, më përmirëso, më shëro dhe më furnizo!".
Në funksion të kësaj në konditat e fesë, pastërtisë i është dhënë rëndësi e madhe, duke filluar nga pastërtia e trupit (me abdes apo gusl), rrobave dhe vendit ku kryhet ibadeti ditor - namazi, që pa pastërti nuk pranohet. Pastërtia e trupit mund t'i shërbejë pastërtisë së shpirtit.(4) Përveç kësaj, është edhe obligimi i rregullt javor mbi atë ditor, i kërkuar edhe në këtë hadith: "Është obligim i çdo myslimani që të pastrojë kokën dhe trupin së paku një herë në javë”. Për të qenë pastrimi i mundshëm dhe i rregullt për të gjithë komunitetin, gjatë shekujve të udhëheqjes islame në vende të ndryshme janë ndërtuar edhe banjat publike, ku kishin mundësi të pastroheshin të gjithë. Një praktikë të tillë myslimanët e sollën edhe në Kordovë të Spanjës, ku u ndërtuan me qindra hamame, gjë që atëherë në Europë nuk ishte e njohur gjerë.
Obligimi i njeriut në aspekt të formimit të trupit të shëndoshë
Kjo ka të bëjë me kujdesin e njeriut që ta ruajë trupin nga shkaktarët e sëmundjeve dhe dëmtuesit e tij. Kjo arrihet krahas ruajtes së ambientit ku jeton, si nga mbeturinat, apo edhe ndotja e ujit dhe ajrit. Pejgamberi a.s. kishte tërhequr vërejtjen që të mos kryhet nevoja në rrugë, nën hije dhe në lumenj, sepse, pos tjerash, do të ndikonte në përhapjen e sëmundjeve në shoqëri, kurse personi i tillë është i mallkuar nga Allahu xh.sh., engjëjt e Tij dhe njerëzimi mbarë.
Është ndaluar përdorimi i pijeve alkoolike dhe përdorimi i substancave narkotike, ashtu si edhe çdo materie tjetër që dëmton trupin dhe shëndetin, kurse kulmi i saj është ndalimi i vetëvrasjes: ”...e mos e hidhni veten në rrezik...” (El Bekare, 195).
Ashtu siç është i ndaluar dëmi ndaj vetvetes, është i ndaluar edhe dëmi ndaj tjetrit. Nga ky këndvështrim është kritikuar ashpër edhe përdorimi i duhanit, që përveçse e shkatërron shëndetin, ai i derivon dëm edhe për rrethin ku përdoret.
Është rregull që të mos mbesim pa gjumë natën vonë, qoftë kjo edhe për qëllim ibadeti, kurse zgjimi duhet të bëhet herët, me faljen e namazit të sabahut, për të arritur begatitë e një dite të re. Fleksibiliteti dhe aftësia për lëvizje dhe refleks. Kjo ka të bëjë me aftësinë e njeriut që të kryejë obligimet fetare dhe ato jetësore, pasi që Islami na obligon me detyra ditore, siç është namazi, ku kërkohet që, sa të jetë e mundur, ai të bëhet në xhami me xhemat, duke sfiduar dembelizmin dhe neglizhencën. Kjo pra kërkon një fuqi fizike. Edhe haxhi, ku kërkohet një angazhim i shtuar fizik për ecje në vapë të nxehtë, fjetje në kushte jo të rehatshme, në trysninë e grumbullit të madh të njerëzve, me kërkesa e tradita të ndryshme. Por, edhe në rast të cenimit të të drejtave themelore të jetës, nderit dhe fesë, duhet pasur përgatitje për t'u dalë zot pa hamendje e me vendosmëri. Kjo gjithashtu nuk mund të arrihet pa përgatitje paraprake.
Pejgamberi a.s. kishte mundur njërin që ishte i shquar për mundje në kohën e tij, kalëronte kalin pa shalë e pa fre, dinte të gjuante me shtizë dhe të përdorte mirë shpatën. Të tillë ishin edhe sahabët, që vazhdimisht përgatiteshin për rrugën e vështirë me të cilën do të ballafaqoheshin. Nuk lejonin të vdisnin të nënçmuar e të përulur, e për këtë qëndronin të përgatitur për çdo situatë. Ata urrenin edhe qëndrimin e ndonjërit në pozitë, që tregonte plogështi, siç transmetohet rasti i Umerit r.a., i cili kishte parë një njeri të "dorëzuar" në namazin e tij dhe i kishte thënë: "O ti! Ngrite kokën, sepse frikërespekti është në zemër e jo në qafë", domethënë jo duke e lakuar kokën. Kurse vetë ai, me gjithë devotshmërinë dhe frikën që kishte ndaj Zotit, ecte shpejt dhe krenar, fliste për t'u dëgjuar zëri i tij, dhe ishte i rreptë në goditje.
Me qëllim të formimit fizik, Islami kërkon sportin si mjet për këtë qëllim, siç transmetohet nga Umeri r.a.: "Mësojani fëmijëve tuaj notin, gjuajtjen dhe kalërimin", por nuk e përkrah teprimin dhe shpenzimin e kotë që sot bëhet në emër të sportit, ku njeriu shpenzon mjete dhe kohë në emër të angazhimit rreth sportit, kurse në anën tjetër nuk mund të ecë në këmbë nga plogështia.
Çdo gjë që teprohet, kalon në dëm. Futbolli, për shembull, ka kaluar në një sport të preferuar deri në çmenduri, duke bërë tifo për ndonjë ekip deri në krijimin e armiqësive me tifozët e ekipeve tjera, por edhe lojtarët duke kaluar karakterin e sportistit, pra mbizotërohen nga inatet dhe xhelozitë e natyrave të ndryshme, sa nga sporti nuk mbetet asgjë përveç emërtimit.
Në të kaluarën njerëzit kanë ecur me kilometra për nevojat e tyre jetësore, kurse tani hipin në mjet udhëtimi edhe për distanca tepër të vogla.
Sporti nuk është vetëm për burra
Edhe femrat mund të merren me sport, vetëm që duhet të respektohen konditat sheriatike, duke ua siguruar kushtet dhe vendet e posaçme për to. Edhe ato kanë nevojë për ta forcuar trupin e tyre, në shërbim të shoqërisë dhe atdheut. Sahabe të njohura ishin ato që morën pjesë në jetën shoqërore në kohën e Muhamedit a.s., madje i shoqëruan burrat e tyre edhe në luftë, si shembulli i Umares, Nesibe bint Kabit, Umu Selemes, Rumejsës, të cilat edhe në front e ndihmuan aktivitetin ushtarak. Pejgamberi a.s. ishte lutur në Uhud: "O Allah! Bëjë që Nesibe bint Kabi, burri i saj dhe fëmijët e saj të jenë me mua në Xhenetl”
Qëndrueshmëri trupore
Kërkohet një qëndrueshmëri trupore për të përballuar mundimin dhe vështirësitë e jetës, pasi ajo nuk është vazhdimisht e lehtë, por ka momente të vështira dhe të hidhura, e që për t'u përballuar duhet edukim i vazhdueshëm për qëndrueshmëri. Ndonjëherë ballafaqohet me urinë dhe etjen, e ndonjëherë edhe me dhembjet dhe peshën e rëndë.
Si ta forcojmë anën fizike?
1. Të ushqehemi shëndetshëm dhe balancueshëm, duke i përmbushur nevojat e trupit me elementet e nevojshme si: karbohidratet, proteinat, vitaminat, mineralet, gjithnjë duke u përpjekur që sa më shumë të hamë ushqime të pastra, të freskëta apo të ziera, por duke iu larguar ushqimeve të përpunuara apo atyre të shpejta. Rol të rëndësishëm në ushqim kanë edhe pemët dhe perimet. Gjithashtu është me rëndësi të mos teprohet në ushqime, sado që të jenë të shijshme ato, duke pasur ndërmend porosinë e Umerit r.a. "Ne (myslimanët) jemi njerëz që nuk hamë pa pasur uri, dhe kur hamë nuk ngopemi".
2. T'i përmbushim nevojat fiziologjike, pa i munguar dhe pa i tepruar, në ujdi me porosinë e Pejgamberit a.s. ”...mirëpo unë agjëroj dhe ha, fal namaz nate dhe fle, por edhe martohem, prandaj kush largohet nga tradita ime, nuk është me mua".
3. Zbulimi i shkathtësive dhe kapaciteteve në trupin tonë, të cilat na i dhuroi Allahu xh.sh., me qëllim të ruajtjes dhe zhvillimit të tyre.
4. Kontrolli mjekësor dhe shërimi në rast të sëmundjes, meqë është e natyrës njerëzore që ndonjëherë të goditemi me fatkeqësi apo sëmundje që kërkojnë kohë dhe angazhim për t'u kuruar. Muhamedi a.s. thoshte: "Allahu nuk ka krijuar ndonjë sëmundje, e të mos ketë krijuar për të edhe ilaçin, prandaj mjekohuni!”
5. Angazhimi me sporte, qoftë ato grupore apo individuale, madje përvetësimi i ndonjë sporti luftarak me qëllim vetëmbrojtjeje. Nëse kjo është e vështirë, atëherë së paku të bëhet një orar i rregullt për shëtitje në natyrë apo vrapim apo gjimnastikë.
6. Heqja dorë nga shprehitë e këqija, si duhani, kafeja e tepërt dhe pijet energjike.
7. Ndalimi rreptësisht nga gjërat e ndaluara. Sheriati ndalon përdorimin e të gjitha gjërave që janë të dëmshme për ekzistencën fizike, shpirtërore e morale të njeriut. Ai ndalon gjakun, drogën, alkoolin, mishin e derrit, shpezët grabitqare, kafshët helmuese, cofëtinën...(5)
_____________________________
(1) Hamude Abdulati. Islami në fokus. Logos-A. Shkup, 2000. f. 218.
(2) Dr. Iusuf Kardavi. Veçoritë e përgjithshme të Islamit. Prishtinë, 2002. f. 140.
(3)(Ibid) f. 156.
(4) AlijaIzetbegoviç. Islami ndërmjet lindjes e perëndimit. Prishtinë, 1999. f. 280.
(5) Mevdudi. Të kuptuarit e drejtë të Islamit. SH.B. Logos-A. f. 126.
Bashkim Mehani