Themelet e personalitetit mysliman (7)

Shfrytëzimi i drejtë i kohës

Suksesi i njeriut në masë të madhe varet nga shfrytëzimi racional i kohës. Koha është një pasuri e pandjeshme, meqë është jomateriale, prandaj edhe vlerësimi i saj nga njeriu është gjithnjë i mangët dhe i paçmueshëm.

Për të na tërhequr vërejtjen për këtë begati të madhe Allahu xh.sh. në Kuran atë e përmend si një nga mirësitë e Tij ndaj nesh: "Për ju nënshtroi diellin dhe hënën, që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën. Dhe Ai ju dha gjithë atë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t'i numëroni të mirat, nuk do të mund të arrini t'i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” (Ibrahim, 33, 34) Si dhe: "Ai është që bëri natën e ditën zëvendësuese të njëra-tjetrës, dhe për atë që dëshiron të mendojë apo të falënderojë, argument. (El Furkan, 62)
Allahu ka zgjedhur të veçojë atë duke u betuar në pjesët e saj, apo kohën si tërësi, kurse komentatorët janë në ujdi se krijesat në të cilat betohet Ai kanë një vlerë të jashtëzakonshme: "Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm." (El Asr, 1-3)
Kjo sure na bën të ndërgjegjësohemi se ne në garim me kohën jemi në humbje të sigurt sado që të jetë e gjatë jeta jonë në këtë botë, me përjashtim të dy kategorive që u përmendën në këto ajete.
Edhe Suneti i Pejgamberit a.s. i jep vend meritor dhe vlerësim të duhur fenomenit të kohës, për t'i edukuar myslimanët në përgjegjësinë që u takon para Allahut xh.sh. në Ditën e Gjykimit përballë kësaj dhuntie.
Transmeton Muadh bin Xhebeli r.a., se i Dërguari a.s.,. ka thënë: "Nuk do të lëvizë këmbën robi derisa të pyetet për katër çështje: Për jetën e tij në çka e ka harxhuar, rininë e tij në çka e ka kaluar, pasurinë e tij ku e ka fituar dhe në çka e ka dhënë, dhe për diturinë e tij si ka vepruar me të”. Pra, në këtë mënyrë do të pyetet për jetën e tij si tërësi dhe për rininë, që është faza më produktive e tij, në mënyrë të veçantë. Gjithashtu, në hadithin tjetër Pejgamberi a.s. na këshillon të zëmë hapin e kohës në mirësitë që posedojmë para se të na dalin duarsh: "Shfrytëzojini pesë gjëra para pesë të tjerave: Jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para angazhimeve, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë.” (Transmeton Hakimi)

Veçoritë e kohës

Do të ishte shumë me rëndësi për njeriun po të kishte parasysh veçoritë kryesore të kohës, në mënyrë që nga secila të përfitonte më të mirën. Ja disa prej tyre:

1. Shpejtësia e kalimit të saj.

Nëse jemi të angazhuar në punë apo në mësime, e vërejmë se nuk na mjaftojnë orët dhe ditët për të përfunduar atë që kemi për qëllim, shpeshherë themi: si është e mundur që iku aq shpejt, madje ndonjëherë nuk i besojmë edhe orës që e mat atë, megjithëse e dimë se ajo nuk e ndryshon ritmin e saj. Në njëfarë mënyre ne jemi në garë të vazhdueshme me kohën, e ajo gjithmonë del fitues, siç ka thënë edhe Aliu r.a.: "Koha është si shpata, nëse nuk e pret, ajo të pret ty".

2. Është shumë e shkurtër.

Kur kthehemi në retrospektivë dhe mendojmë jetën që kemi kaluar, na paraqitet si shirit filmik që shpejton dhe për një moment na duket se nuk ishte kohë e gjatë që nga fëmijëria jonë e deri në ditën që llogarisim. Na duket sikur vitet e jetës së kaluara të ishin muaj apo ditë. Ngjashëm me këtë duket e tërë jeta kur të jemi ofruar në fundin e saj, ashtu siç tregohet se kur meleku i vdekjes i erdhi Nuhit a.s., i cili kishte jetuar mbi njëmijë vjet, dhe e pyeten se si i ishte dukur jeta, ai u përgjigj: "Sikur një shtëpi që ka dy dyer, nga njëra hyn dhe nga tjetra del." Sado që të jetë e gjatë jeta e njeriut, ajo është e shkurtër, pasi fundi i saj është vdekja.

3. E kaluara nuk kthehet.

Ndonjëherë dëshirojmë që të kthehet një e kaluar për ta shijuar kënaqësinë e saj, e ndonjëherë për ta përmirësuar ndonjë gabim të bërë, dhe themi: Ah sikur të kthehem dhe të mos veproj në atë mënyrë. Por, edhe më keq se kjo, kur njeriu në momentet e vdekjes është pishman për tërë jetën e tij dhe kërkon nga Allahu xh.sh. që t'i japë shansin e dytë! "E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (Kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen” (El Murninunë, 99-100)

4. E pakompensueshme.

Ne arsyetohemi për kohën që e kalojmë dosido, duke i humbur rastet apo duke i shtyrë punët me idenë se "do ta bëj më vonë", mirëpo çdo ditë që shkon nuk mund të kompensohet me punën e më vonshme, sepse ditët që vijnë kërkojnë përkushtim tjetër për to. Koha nuk kompensohet as me mjete materiale, sepse edhe mjetet materiale apo paratë fitohen në kuadër të një punë që është kryer në suaza të një kohe të shpenzuar. Koha as nuk mund të depono- het dhe të ruhet për pashfrytëzuar më vonë, prandaj kujdesi duhet të jetë maksimal, pra se si po e kalojmë kohën aktuale, dhe se a jemi duke bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.
Ibën Mesudi r.a. kishte thënë: "Nuk jam penduar për asgjë më tepër se për ditën në të cilën ka perënduar dielli e në të cilën më është afruar vdekja dhe nuk më është shtuar vepra”.

5. Shfrytëzimi i saj i mirë ia shton vlerën.

Ata që arritën sukses në sfera të ndryshme të jetës, pos tjerash ditën të menaxhojnë veten e tyre në raport me kohën. Vazhdimisht menaxherët e mirë janë në kërkim të mënyrave sa më efikase të shfrytëzimit të kohës në dobi të përfitimeve më të mëdha. Dijetarët që na mahnisin me punën e tyre kolosale në kërkim të dijes dhe pastaj në shkrimin dhe përhapjen e saj nuk bënë asgjë më të madhe se kujdesi ndaj kohës. Në të vërtetë është kapitali më i madh që posedojmë, nëse jemi të vetëdijshëm që ta përdorim në mënyrën më të mirë.

Vrasësit e kohës

Nga idetë më çoroditëse që hasim është kur dëgjojmë ndonjë të ri duke arsyetuar kohën e kaluar në kafene, pranë TV-së apo në argëtime të kota, dhe thotë: "po e vras kohën”. Në realitet vrasja e kohës është vetëvrasje, meqë koha është vetë jeta.
Imam Basriu ka thënë: "O njeri! Ti je një grumbull ditësh. Çdo ditë e kaluar ka marrë një pjesë të jetës tënde, dhe kur ikin ditët në vazhdimësi, gjasat janë të marrin tërë jetën". Gjithashtu ka thënë: "Kam takuar popull që ishin ruajtës të kohës më shumë sesa ju që ruani dinarët dhe dirhemët".
Është thënë nga të parët: "Kotësia është një nga shenjat e gjynahut të njeriut”.
Omeri r.a. thoshte: "Nuk urrej më tepër se njeriun që rri kot, nuk punon as punë dynjaje e as punë ahireti."
Dr. Jusuf Kardavi ka thënë: "Ai që vret kohën, në realitet ka vrarë veten. Ai është një krim, vetëvrasje e ekzekutuar ngadalshëm, para syve dhe veshëve të njerëzve, por të cilën, për çudi, nuk e denoncon askush”.
Ibën Kajimi ka thënë: "Humbja e kohës është më e rëndë sesa vdekja, sepse humbja e kohës të shkëput nga Allahu dhe bota tjetër, kurse vdekja të shkëput nga dynjaja dhe banorët e saj”.

Koha e lirë

Ka ndonjë periudhë që njeriu nuk ka shumë obligime dhe dinamikë të punëve që kërkohen nga ai, ndonjëherë edhe është plotësisht i lirë nga përgjegjësitë, por edhe kjo kohë nuk është për t'u neglizhuar, sepse shpeshherë gjatë punëve kemi thënë, apo na ka shkuar ndërmend të arrijmë diçka në jetë sikur ta kishim kohën, e pikërisht tani janë momentet e duhura që t'ia fillojmë për ta arritur gjënë e kërkuar. Në mungesë të plotësimit të kësaj kohe me aktivitetin shtesë, jashtërutinor, do të humbnim edhe rastin e arritjes së dëshiruar, e cila më në fund do të mbetej vetëm një dëshirë e shpresuar kot.
Pejgamberi a.s. ka dhënë shenjë në atë se shumica e njerëzve nuk dinë të vlerësojnë kohën e lirë, dhe së këndejmi edhe nuk e shfrytëzojnë: "Dy begati të Allahut shumë prej njerëzve nuk i shfrytëzojnë: shëndetin dhe kohën e lirë.”
Kur njeriu ka kohë "të mjaftueshme" dhe nuk di si të veprojë me të, është rrezik që ta kalojë në gjëra të gabuara dhe në teprime të gjërave. Zakonisht përhapja e dukurive negative në shoqëri është si pasojë e këtyre njerëzve, apo thënë më saktësisht, të tillët janë viktimë e pasojave negative që përhapën me lehtësi ndër ta. Të paktën po të ishte i kujdesshëm që në "kohën e lirë" ta përmendte Allahun xh.sh. me dhikër apo dua.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nuk do të ndiejnë humbje banorët e Xhenetit pos kohës që u ka kaluar (në Dynja) pa e përmendur Allahun xh.sh.”

Shpejtimi në vepra të mira

Myslimani i vëmendshëm çdoherë është aktiv dhe i gjallë. Ai bën përpjekje të mos i kalojë asnjë çast pa i sjellë dobi vetës, familjes dhe shoqërisë, duke i derdhur kapacitetet e tij intelektuale e fizike në shfrytëzim të asaj që i jep dobi si: mësimi i ndonjë gjëje të re, ndihmesa e tjetrit, vizita dhe ruajtja e lidhjeve farefisnore, ndihma ndaj nevojtarit, interesimi për fqinjët, këshillimi dhe ndalimi i të keqes etj.
"Koha po kalon, çfarë bëra në të", është pyetja që myslimani ka ndërmend çdoherë. Për të na ndihmuar të jemi më të sistemuar në kohë Allahu xh.sh. na ndau ditën dhe natën, pastaj i ndau ato përmes pesë kohëve të namazit, të cilat janë obligative dhe me orar të rregullt përgjatë gjithë jetës. Fillimi i hershëm i ditës së tij është begati e madhe për të cilën ishte lutur edhe Muhamedi a.s.: "O Allah! Bekoje umetin tim në zgjimin e hershëm të tij!"

Mundësi e shfrytëzimit dyfish të kohës

Ka kohë që ne e kalojmë në pritje apo në udhëtim është e imponuar dhe e patjetërsueshme, e ajo duket si kohë e humbur, mirëpo edhe ajo mund të përdoret suksesshëm dhe në mënyrë kreative, për shembull, duke lexuar Kuran, libër, revistë, apo nëse jemi duke vozitur në automjet mund të dëgjojmë ndonjë ligjëratë, lajme, informata etj. Një student kishte mësuar një gjuhë të huaj jashtë programit mësimor vetëm gjatë pritjes në rresht për të marrë ushqimin në restorant të kampusit.

Kohë edhe për pushim dhe argëtim

Me gjithë rëndësinë që ka aktiviteti dhe shfrytëzimi i kohës për punë të dobishme, ajo nuk nënkupton "mbytje në punë", por është e domosdoshme ndarja e kohës edhe për pushim dhe argëtim, si pjesë të pandashme të jetës së njeriut pa të cilat edhe jeta nuk do të kishte kuptim. Shpirti i njeriut kërkon freskimin ashtu si dhe trupi që kërkon pushimin pas punës apo studimit. Është me rëndësi që pushimi dhe argëtimi të bëhen në masë të duhur dhe brenda suazave të lejuara, në shërbim të kualitetit të jetës dhe koncentrimit e produktivitetit në punë. Assesi pushimi dhe argëtimi nuk duhet të jenë qëllime, por gjithmonë duhet të mbesin mjete pa të cilat jeta nuk funksionon si duhet.
Aliu r.a. thoshte: "Relaksoni zemrat kohë pas kohe, sepse zemrat verbërohen me imponim”.
Dr. Kardavi thotë: "Jeta jonë duhet të jetë seriozitet që përcillet me diçka nga argëtimi, e jo argëtim që përcillet me diçka nga serioziteti”.

Çka mund ta humbë kohën tonë?

Ka shumë gjëra që ne i bëjmë apo jemi të zhytur në to, e të cilat janë faktor për humbjen e kohës. Ndër to po përmendim:

1. Pakujdesia - është një shkaktar që po të mbizotërojë mendjen dhe zemrën e njeriut, atij ia humb ndjesinë për rolin që ka në jetë, përgjegjësinë që i takon, dhe në këtë mënyrë edhe për kohën që kalon kot së koti. "Ne krijuam shumë nga xhindët e njerëzit për Xhehenem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin, dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” (El A'raf, 179)

2. Vonimi i detyrave është një tjetër shkaktar që bën të grumbullohen, shtyhen, e madje edhe të mos kryhen asnjëherë detyrat dhe obligimet që na takojnë. Shumëkujt i është bërë shprehi, madje moto e jetës,fjala "ka kohë", ”e kryej nesër", saqë në kohën tonë disa kultura e kanë bonton të jetës së tyre vonimin e punës edhe kur nuk kanë ndonjë arsye të caktuar. Kjo është shprehi e shëmtuar dhe e rrezikshme, sepse e nesërmja nuk është në kompetencën tonë; nesër është puna tjetër që na pret, sëmundja që na godet, apo edhe vdekja që na vjen dhe të gjitha detyrat që kemi pasur mundësi t'i kryejmë në ditët e kaluara na mbesin të pakryera e në përgjegjësinë tonë. Çdo ditë ka detyrat e veta, andaj moskryerja e tyre në ditën përkatëse e ngarkon ditën tjetër.
Kur Umer bin Abdulazizi ishte lodhur me angazhimet e tij, njerëzit i thanë: "Lëri këto punë për nesër!" Ai ua ktheu: "Më ka lodhur puna e një dite, e si do të bëhet kur të grumbullohen punët e dy ditëve?!" Ngjashëm me këtë është edhe shprehia që njeriu ta shtyjë për më vonë pendimin e vet, apo kryerjen e obligimeve ditore fetare.
Pra, kujdesi ndaj kohës dhe moskalimi i saj dosido është cilësi dhe virtyt islam, me të cilin duhet të cilësohet personaliteti i myslimanit në formë sa më të dukshme.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi