Sprovat e shpeshta në jetë, çfarë dëshiron Allahu nga ne?

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Prej Tij falje, ndihme dhe udhëzim kërkojmë. Kë e udhëzon All-llahu në rrugë te drejtë ai me të vërtetë është i udhëzuar, e atë të cilin Allahu e le në humbje, askush nuk mund ta vë në rrugë të drejtë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi s.a.v.s. është rob dhe i dërguar i Tij, i cili me shembullin e tij të ndritur ka treguar se çfarë duhet të jemi ne. Salavatet dhe bekimet qofshin mbi të, familjen e tij të ndershme, shokët e tij besnik dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin atë në të mirë deri në Ditën e Kiametit.

Shpeshherë ngaj njerëzit dëgjojmë: "Eh, ky njeri kurrë nuk është rehat, gjithmonë e ndjek diçka". Sot, kjo fjalë shumë shpesh përflitet sepse njerëzit vazhdimisht sfidohen – sprovohen dhe probleme. Ndërsa dikur - më herët, njerëzit të cilët kanë jetuar një jetë shumë më të lumtur dhe më të relaksuar, shqetësoheshin dhe brengoseshin, nëse nuk do të sprovoheshin.
Pse? Sepse ata konsideronin se me imanin – besimin e tyre nuk është diçka në rregull, në qoftë se nuk do të sprovoheshin nga Allahu. A e kemi pyetur ndonjëherë veten pse Allahu xh.sh. na dërgon këto sprova në jetë ...
Ne jemi Muslim, falemi (rregullisht ose kohë pas kohe), agjërojmë, ruhemi nga mëkatet, japim dhe ndihmojmë. Kryesisht, përpiqemi të jemi musliman sa më të mirë, por kur të sprovohemi (sëmundje, vdekje në familje, varfëria, aksidente, etj), kjo, pak a shumë, na luhat, na dobëson neve dhe imanin tonë. Atëherë në kokat tona fillojnë të rrokullisen lloj-lloj mendimesh, paraqitet zhgënjimi, sikur që kjo është ndoshta një dënim, pse bash unë, çfarë gabimi i kam bërë Allahut?
E nëse ato sprova përsëriten, atëherë pasojnë mendimet tona klasike: "O All-llahu im, çfarë është kjo, sapo filloi të më eci mirë, e tash fatkeqësi pas fatkeqësie". E pastaj vjen ‘këshilla’: "Pasha Allahun, nuk do të ishte keq nëse shkon te hoxha, kjo për mua është e dyshimtë ... "
Pse Allahu xh.sh. na dërgon sprova? Përgjigjja është e thjeshtë. E kemi braktisur Zotin, marrëdhëniet me Te janë reduktuar në minimum, Allahu xh.sh. dëshiron që t’i lutemi dhe të kërkojmë falje, sepse nga kjo rehati që Allahu na ka dhënë, ne e kemi harruar. Ndaj, Allahu xh.sh. dëshiron që përsëri të na dëgjoj se si lutemi dhe e falënderojmë. Allahu xh.sh. na sprovon, që nga zemrat tona t’i nxjerr lutjet, Allahu xh.sh. dëshiron kur një rob vazhdimisht i drejtohet, i lutet, kërkon dhe falënderon. All-llahu xh.sh. dëshiron që përsëri të na dëgjojë, dëshiron t’i afrohemi – të jemi sa më afër Tij. Nëpërmjet sprovave të caktuara, na kujton harresën dhe neglizhencën tonë.
Përndryshe, kur All-llahu i jep njeriut të mira të caktuara, të tilla si: pasuri, lumturi, punë të mirë, etj, shumë shpejt e harrojmë Atë i cili na i dha ato.

Si duhet të sillemi kur Allahu xh.sh. na sprovon?

Allahu xh.sh. shumë shpesh i jep robit të Tij të mira të caktuara, e pastaj pas një kohe ia merr, pas dhënies së të mirave, ia dërgon sprovën e hidhur. Allahu xh.sh. ia dhuroi Jakubit a.s., birin e tij Jusufin a.s., i cili ka jetuar me të sa ishte fëmijë, e më pas Ai e ndau prej tij për 33 vjet. Allahu xh.sh. shpeshherë, papritmas, jep të mira, dhe shpeshherë, pa pritmas i merr, ...pse? Sepse, Allahu xh.sh. dëshiron të shohë gjendjen dhe sjelljen e besimtarëve, kur kanë dhe kur nuk kanë. Në kushte të tilla, pasqyrohet ndershmëria, mirënjohja dhe forca e imanit - besimit në Allahun xh.sh.. Prandaj, Jakubi a.s., kur ka jetuar me Jusufin a.s., ishte i kënaqur dhe i lumtur, por kur Jusufi a.s., u zhduk, ai ishte sërish i kënaqur me caktimin e Allahut xh.sh. dhe askujt nuk iu kishte ankua për gjendjen e tij, përpos Allahut xh.sh.
Prandaj, dijetarët islamë thonë: "Kulmi i besimit për besimtarët është, kur në sprovat e rënda, asnjëherë nuk i ankohen njerëzve, për gjendjen e tyre, por vetëm Allahut i drejtohen dhe prej Tij kërkojnë zgjidhje."
Në një vend tjetër, Ibn Mubareku thotë: "Kur dikush për problemin dhe sprovimin e tij, i ankohet dikujt tjetër pos Allahut, xh.sh. është sikur ai ka humbur besimin në Allahun xh.sh." Kështu që kur të na ndodhë ndonjë sprovë, shikojeni gjendjen tuaj, në çfarë gjendje keni qenë.
Pra, të nxjerrim një përmbledhje - rezyme! Nëse, pas dhënies së të mirave, Allahu xh.sh. na sprovon, dijeni se Allahu, nga ne, i dëshiron dy gjëra: Dëshiron që përsëri të ri-dëgjojë lutjet dhe dëshirat tona, dhe të shohë se si dhe në çfarë mënyre sillemi me sprovat.
Zoti ynë, na ndihmo që ta sundojmë zullumin tone dhe zullumin ndaj të tjerëve. Na ndihmo që besimin dhe veprat tona t’i pastrojmë nga papastërtitë dhe nga të pavërtetat. Na japë forcë që t’i përgjigjemi sfidave të kohës sonë. Na ndihmo që emanetin e besimit ta përcjellim në mënyrë të ndershme te pasardhësit tanë. Ti je i mirë dhe mëshirues, dhe Ti mundesh qdo gjë. Amin.



Prof.Saudin Cokoja,
Shqipëroi: Esat ef.Rexha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi