Studiues të shumtë të ekonomisë islame kanë theksuar se principet e financave islame nuk janë një zbulim apo risi e shekullit të njëzetë, por këto janë nxjerrë nga Kurani i shenjtë dhe Hadithi i Pejgamberit a.s.. Struktura e financave islame bazohet në këto burime, si dhe në interpretimin e këtyre burimeve nga Pejgamberi a.s. dhe pasuesit e tij, duke iu përgjigjur nevojave të kohës dhe duke e zhvilluar këtë lëmi, që të jetë konkurrente me kërkesat e kohës, ashtu siç po ndodh edhe tani në kohën bashkëkohore.
Bankimi dhe financat islame, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik, kanë bërë një zhvillim të madh në 50 vitet e fundit.(1) Megjithatë, ky sistem nuk kursehet edhe nga kritikat. Shumica e këtyre kritikave janë rreth origjinalitetit dhe elementit fetare, si dhe aspektit praktik të bankimit dhe financave islame.
Në vijim do te diskutohet rreth koncepteve dhe qëllimeve, si dhe do te përmenden disa nga kritikat më të mëdha rreth sistemit financiar islam si tërësi.
Principet bazike në implementimin e bankimit islam
Për t'i kuptuar edhe më mirë principet e bankimit në islam është shumë e rëndësishme dhe vendimtare të kuptohet dallimi në mes të asaj që konsiderohet Riba (kamatë) dhe Bej (shitje), ashtu siç është theksuar në mënyrë eksplicite në Kuranin e madhërishëm. Kjo nuk është e tëra, eliminimi i kamatës është një pjesë e principeve të biznesit në islam. Aty duhet të shtohen edhe principet e drejtësisë shoqërore, duke formuar ligje, praktika, procedura dhe mekanizma që ndihmojnë në implementimin dhe mirëmbajtjen e drejtësisë, barazisë dhe korrektësisë.(2)
Bankat islame duhet të udhëheqin transaksione për të mirën e të dyja palëve, të bankës dhe klientëve, dhe t'i përmbahen konceptit të drejtësisë. Me aplikimin e këtij koncepti bankat islame duhet të kenë kujdes kur ngarkojnë pagesa te klientët, në caktimin e përqindjes për t'u ndarë në mes të partnerëve, dhe çmimit për shërbimet që ofrojnë.
Nga studiues të ndryshëm mund të ketë keqkuptime rreth financave islame, duke iu referuar çështjes kryesore rreth qartësimit se çka konsiderohet kamatë dhe çka jo. Por, një gjë është shumë e qartë, dhe se të gjithë studiuesit pajtohen, pra se kamata sipas normave islame është e ndaluar. Ka dijetarë që mendojnë se kamata të cilën bankat e sotshme e ngarkojnë mbi klientin nuk është e ndaluar, sepse kamata e cila është përmendur ne Kuran nuk është e njëjtë me atë të cilën e kërkojnë bankat moderne.(3) Arsyetimi i tyre është se kamata që ka ekzistuar në kohën kur ka jetuar Pejgamberi a.s. ka qenë shumë e lartë, duke arritur të dyfishohet dhe të shkojë edhe më lart, dhe kjo ka shtyrë deri te shfrytëzimi i padrejtë i të varfërve nga të pasurit. Islami e ka ndaluar këtë kategori të kamatës, dhe e ka ndaluar atë në formë shumë të prerë. Këto mendime janë shumë të rralla dhe zakonisht bëhen nga ata që nuk i njohin shumë mirë çështjet e ekonomisë dhe të sheriatit në të njëjtën kohë. Dijetarët ekspertë të kësaj fushe janë të mendimit se edhe kamata të cilën e kërkojnë bankat konvencionale është e ndaluar.(4) Për shembull, Mevdudi e shpjegon me një shembull shumë të thjeshtë dallimin në mes të tregtisë dhe kamatës, në kontekstin e shpërndarjes së barabartë dhe menaxhmentit efikas të rrezikut. Në transaksionet me kamatë rreziku transferohet te kredimarrësi, në mënyrë që i tërë kapitali i kredituar të bartë kamatë dhe të bëhet pa rrezik. Kjo situatë në aspektin shoqëror është e padrejtë dhe ekonomikisht joefikase. Në anën tjetër, biznesi që është në përputhshmëri me normat islame të financave bëhet me ndarje rreziku për pasigurinë natyrale, pra është i drejtë dhe efikas për shkak të ndarjes së fitimit dhe rrezikut nga të dyja palët. Efikasiteti i kësaj forme të financimit shihet edhe në stabilitetin financiar, për shkak të sigurisë në këtë treg, e çmimi mbi produktin e shitur nuk mund të ndryshohet sepse pronësia e asetit të shitur kalon te blerësi, dhe shitësi humb çdo të drejtë për të vendosur çmim tjetër mbi atë të parin. Kurse, në kreditë kamatore mbi çdo vonesë ka edhe ndryshim çmimi, pasi që ajo çka është shitur është koha.
Ndihma e të varfërve dhe rregullimi i kushteve të tyre shoqërore dhe ekonomike ka një vend të lartë në islam, por limitimi i urtësisë së ndalesës së kamatës vetëm te ky qëllim është gabim dhe i padrejtë. Gjatë kohës së Pejgamberit a.s. shoqëria ishte e organizuar mirë, e për nevojat e të varfërve dhe atyre që ishin të pafatë kujdeseshin të pasurit nga shteti i asaj kohe. Prandaj, huazimet ishin bërë nga tregtarë të pasur, prodhuesi dhe biznesmenë që operonin me kompani të mëdha aksionare, si dhe ata që bënin tregti në distanca të largëta dhe me përmasa të mëdha. Ata i përdornin mjetet dhe kapitalin e të tjerëve duke i bërë ata aksionarë, ashtu siç parashihet nga normat e sheriatit dhe teknikat e financimit. Myslimanët patën mundësi të fitojnë nga kursimet e tyre, të sigurojnë financime për bizneset e tyre, pa e futur në përdorim kamatën, duke i aplikuar teknikat e financimit që janë të aprovuara sipas sheriatit.(5)
Qëllimet e bankimit islam
Qëllimi i bankave islame në përgjithësi është që të përkrahë dhe zhvillojë shërbimet dhe produktet bankare, dhe t'i aplikojë ato në transaksione dhe biznese të pranuara nga normat e sheriatit. Metodat dhe procedurat e përdorura nga bankat konvencionale, të cilat nuk janë në kundërshtim me principet e sheriatit, mund të përdoren edhe nga bankat islame, mirëpo aty ku ekzistojnë dallime apo ka dyshime për lejueshmërinë e këtyre transaksioneve, atëherë bankat islame duhet të zhvillojnë metodat e veta, për të ndërmarrë aktivitetet bankare.
Bankimi islam ka një dimension fetar: një produkt nuk mund të adaptohet përderisa është studiuar dhe vërtetuar nga ekspertët e sheriatit që operojnë brenda bankës, apo ndonjë bord i pavarur, se produkti nuk ka asnjë element që është në kundërshtim me normat e sheriatit, dhe në të njëjtën kohë është fitimprurës.
Elementi kryesor për të kuptuar kornizën e bankimit islam është kuptimi i drejtë se si bankat islame kanë mundësi të funksionojnë pa e përdorur kamatën. Bankat islame duhet patjetër të bëjnë profit në mënyrë që të mbijetojnë dhe të zhvillohen në atë shkallë që të jenë konkurrente në treg me produkte dhe shërbime. Profiti i tyre realizohet në tri fusha kryesore të veprimit: tregti, leasing (qira), dhe duke bërë financime në partneritet apo vetëfinancime.
Ligji i sheriatit është kundër kamatës por jo kundër fitimit, prandaj bankat islame kanë zhvilluar produkte bankare që mundësojnë përfitime dhe janë në konformitet me normat e sheriatit.(6)
Ekzistojnë shkrime që bankimin islam e përshkruajnë si 'bankimi pa-kamatë'. Është dallim i madh në mes të këtyre dy termave; bankim islam dhe bankim pa-kamatë. 'Bankim pa-kamatë' është një koncept më i ngushtë, duke iu referuar një numri të vogël të produkteve apo shërbimeve që nuk përmbajnë kamatë. Ndërsa bankimi islam i referohet një sistemi të kompletuar dhe që është në harmoni me etikën islame. Bankimi islam duhet që jo vetëm të largohet nga kamata, por gjithashtu edhe investimet dhe biznesi në të cilin investon duhet të jetë hallall, dhe, në të njëjtën kohë, t'i shërbejë qëllimit për arritjen e objektivave të ekonomisë islame.
Janë dy metoda kryesore nëpërmjet të citave bashkëpunimi financiar në aspektin islam merr formën e vet. Investim i drejtpërdrejtë dhe me ndërmjetësim. Nga një perspektivë islame, pa marrë parasysh a është investim i drejtpërdrejtë apo me ndërmjetësim, nuk ka mundësi të ketë shumë fikse të paracaktuar mbi kapital apo huazime. Sipas sistemit islam, nuk mohohet e drejta e fitimit, por mohohet fitimi në formë të kamatës dhe që bazohet vetëm në kalimin e kohës e jo në mënyrën se si ka përfunduar projekti për të cilin është bërë huazimi. Fitimi duhet të jetë si përqindje në fitim, mirëpo kjo përqindje mund edhe të mos realizohet. Por, edhe in und të ketë humbje në investimin e bërë, dhe atëherë në mes tyre ndahet edhe humbja. Përndryshe, nëse huadhënësi (banka) nuk bart aspak rrezik, por e ka të caktuar fitimin edhe nëse huamarrësi humb në investimin e bërë, atëherë kjo është e padrejtë dhe çon drejt asaj që të pasurit t'i bëjë më të pasur, e të varfrit më të varfër.
Karakteristikat e bankimit islam
Karakteristikë bazë e bankimit islam është besimi në prezencën hyjnore, e cila është shtytje kryesor për futjen e etikës në aktivitetet ekonomike. Myslimanët besojnë se janë në lidhje direkt me Zotin, l Cili sheh, dëgjon dhe shpërblen për pune të mira, dhe ndëshkon për punë të këqija. Duke i ditur këto fakte, njeriu shpreson në ndihmën dhe bekimin e Zotit në çdo lëvizje të rëndësishme; ndihma ndaj të varfërve, jetimëve, mosngarkimi me kamatë në huadhënie, ruajtja e mjedisit etj. Qasja islame rreth ekonomisë është e bazuar në kornizë etike dhe shoqërore, përveç asaj ekonomike. Ajo prezanton lëvizjen e ekonomisë nga një ekonomi e bazuar në borxh në një ekonomi të bazuar në partneritet. Ekziston kornizë e hallallit dhe haramit, nëpërmjet të citave të gjitha aktivitet ekonomike do të praktikoheshin. Një aktivitet që në ekonominë kapitaliste do të konsiderohej produktiv për arsye se ka kërkesë dhe ka profit në të, si p.sh.: pijet alkoolike, bixhozi, etj., është i papranuar në ekonomitë islame, për shkak se është në kundërshtim me rregullat e sheriatit. Qasja islame e biznesit është shumë e ashpër kur vjen në pyetje lejueshmëria dhe legaliteti i biznesit. Dimensioni etik dhe moral janë të pandarë në skemën e aktiviteteve financiare islame, qofshin ato në mënyrë institucíonale apo private.
Bankimi islam është një sistem i financímit në mënyrë aksionare dhe bartje të rrezikut, e jo vetëm në huadhënie dhe huamarrje. Kthimi (fitimi) është bazuar në produktivitetin dhe suksesin e projektit. Ky sistem kërkon që të gjithë aktorët ekonomikë të jenë aktivë, dhe nuk lejon që një kategori të jetojë nga pasuria ku huadhënësi e shfrytëzon huamarrësin.(7) Ky është një dallim i madh nga sistemi kapitalist, ku i tërë sistemi financiar është i bazuar në kamatë, dhe kamata e gjeneruar e ndërton një klasë e cita bëhet barrë në progresin e shoqërisë dhe çon në humbjen e potencialeve produktive, gjë që është shenjë e padrejtësisë ekonomike dhe shoqërore.(8)
Nevoja për financim
Nevoja për ndihmë financiare lindi për shkak të dallimeve në pasuri dhe aftësi të udhëheqjes së ndonjë investimi. Për shembull, skema e investimit në mudarabah dhe musharakah (partneritet në investim, partneritet pasiv dhe partneritet aktiv) është e nevojshme për shkak se jo çdokush që ka pasuri ka edhe aftësi tregtie, dhe jo secili që ka aftësi tregtie posedon para të mjaftueshme dhe ka mundësi financimi. Prandaj, dallimet në resurse ekonomike së bashku me nevojën e bashkimit të pasurive financiare me ekspertizë apo aftësi menaxhimi dhe investime mund të jenë arsyeja kryesore për të zhvilluar skemat apo produktet financiare. Ky lloj financimi bashkon kapitalin dhe ekspertizën: ata që kanë kursime dhe ata që kanë aftësi financimi apo menaxhimi. Shekuj me radhë myslimanët ishin në gjendje të udhëheqin aktivitete ekonomike ndërkombëtare dhe rajonale, në
agrikulturë, industri dhe tregti, pa përdorur kontrata të bazuara në kamatë, pa marrë parasysh sa i madh ka qenë investimi. Në atë kohë tregtia pati arritur edhe vendet e Lindjes dhe të Perëndimit. Ndalimi i kamatës nuk e ka privuar shoqërinë myslimane për të bërë tregti dhe investime duke gjetur mënyra të cilat janë të lejuara dhe fitimprurëse.(9)
Pasi që tregtia ishte i vetmi aktivitet ekonomik i arabëve, e në veçanti i kurejshëve, një numër i madh i karvanëve tregtarë financoheshin nga persona që kishin arritur të bënin pasuri duke dhënë para hua me kamatë, dhe në të njëjtën mënyrë i financonin edhe karvanët që udhëtonin për çështje tregtie. Kurejshët i financonin edhe aktivitetet tjera në të njëjtën mënyrë, për t'u përgatitur për betejën e Uhudit. Për t'i luftuar myslimanët ata i përdorën fondet të cilat i kishin akumuluar riga kamata.(10) Ky është vetëm një shembull për të treguar se sa shumë është përdorur kamata në Arabinë e para Islamit. Mirëpo, pas ardhjes së Islamit këto aktivitete u anuluan dhe kamata u zëvendësua me tregti dhe me bashkinvestime, dhe në vend filloi të aplikohej një formë e re e kreditimit dhe financimit.
Kritikat dhe sfidat e bankimit islam
Më herët u tha se sistemi financiar islam është zhvilluar shumë në 50 vitet e fundit, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik. Megjithatë, ekzistojnë kritika të drejtuara kah sistemi financiar islam, e në veçanti bankat islame. Por, asnjëherë deri më tani nuk ka pasur ndonjë kritikë rreth principeve, qëllimeve apo karakteristikave të bankimit dhe financave islame, por kritikat
kanë të bëjnë me tre aspekte:
- Origjinaliteti i bankimit islam (Sa është në përputhje teoria dhe praktika e bankimit islam?);
- Praktikuesit e bankimit islam (Sa janë të përgatitur dhe të përkushtuar personeli i bankave islame për implementim të principeve të sheriatit?), dhe;
- Bordi i Sheriatit (Emërimi i personave joadekuatë në Bordin e Sheriatit).
Ndoshta njëra nga pyetjet dhe kritikat më irrituese për ata që janë në sferën e bankimit dhe financave islame është rreth dyshimit se a është në përputhje bankimi islam me parimet sheriatit. Kritika e cila vazhdon të mbetet sfidë edhe në ditët e sotme është në mes të konceptit fillestar dhe praktikës së tanishme.
Shfrytëzimi i vetëm disa produkteve bankare që janë me lehte të praktikueshme dhe me një rrezik minimal për institucionin financiar, e që janë më pak të preferuara në sistemin financiar islam, ka bërë që kritikat të
adresohen në atë mënyrë, duke thënë se bankat islame kanë ofruar një alternativë në aspektin e kontraktimit, por jo edhe të praktikimit të bankimit islam.
Gjithashtu, personeli i bankave islame duhet të ketë një përkushtim më të madh rreth principeve dhe objektivave të Sheriatit. Përveç kritikave për aspektin praktik të bankimit islam, edhe akademikët dhe praktikuesit e përfshirë në bankimin islam janë bërë cak studimi/vlerësimi. Kjo bëhet për shkak se pak akademikë janë të përfshirë në bordet mbikëqyrëse të sheriatit institucioneve financiare islame. Sipas studiuesve kjo bëhet me qëllim legjitimim apo justifikimi të praktikave dhe produkteve bankare që dalin në treg, duke i favorizuar ato që janë më lehtë të praktikueshme dhe me më pak rrezik për bankën, dhe jo ato që janë me të favorshme për shoqërinë. Anëtarët e Bordit të Sheriatit të një institucioni financiar duhet të kenë përgatitje në lëmin e Sheriatit, dhe në të njëjtën kohë të kenë studiuar ekonomi/financa, që të jenë në gjendje t'i kuptojnë transaksionet financiare dhe të mos varen nga shpjegimet e të tjerëve.
Konkludim dhe rekomandime
Përgjatë tërë gjysmëshekullit të kaluar sistemi bankar islam ka zgjuar interesim, si në nivelin e ndërmarrjeve private ashtu edhe në nivelin publik. Një dëshirë e madhe ekziston për ta kuptuar këtë sistem edhe nga shtresa të ndryshme të popullit. Akademikët, bankierët dhe publiku në përgjithësi kanë dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim. Politikëbërësit në sektorët monetarë dhe financiarë të shteteve të ndryshme kanë shfaqur interesim rreth rëndësisë teorike dhe praktike të eliminimit të kamatës nga ekonomitë e brendshme të shteteve, si dhe rreth transformimit të sistemit ekzistues në një sistem pa kamatë. Në disa nga pyetjet që parashtrohen më së shumti pasqyrohet dëshira për të kuptuar konceptet bazë të ekonomisë dhe financave islame. Disa kanë të bëjnë me krijimin e një ambienti të favorshëm përmes reformës makroekonomike dhe adaptimit të strukturave të nevojshme për krijimin e sistemit financiar islam, si dhe vështirësive që paraqiten kur bëhen përpjekjet për transformim, pa e krijuar një ambient të tillë.
Modelet islame të financimit, të përshtatura nga bankat dhe institucionet financiare islame, kanë arritur sukses bukur të madh, ndonëse veprimtaria
e tyre zhvillohet kryesisht në ambient të ekonomisë konvencionale. Suksesi i bankave dhe institucioneve financiare islame është arritur me gjithë vështirësitë e caktuara, të shkaktuara nga mungesa e një mekanizmi të përshtatshëm ligjor dhe institucional, i cili do të mbështeste veprimtarinë e këtyre bankave. Nuk ka dyshim se porsa të kompletohet infrastruktura e përshtatshme institucionale, shkalla e suksesit të tyre do të jetë edhe më e madhe.
Secili sistem i ka kërkesat e veta institucionale. Në këtë aspekt, bankat dhe financat islame nuk bëjnë përjashtim. Bankat islame kanë nevojë për një numër institucionesh mbështetëse dhe rregullativat, me qëllim të lehtësimit të funksioneve të domosdoshme. Aktualisht pjesa më e madhe e institucioneve bankare islame janë duke vepruar në një ambient konvencional. Ato po mundohen që të përshtaten me kornizat ekzistuese institucionale, të citat janë krijuar për bankat konvencionale. Atyre u mungon mbështetja institucionale, e cila do të merrej me nevojat e tyre. Ndërtimi i një mekanizmi të përshtatshëm institucional për bankat dhe financat Islame paraqet një sfidë të madhe. Një gjë e tillë mund të arrihet në dy mënyra. Njëra do të ishte që ambientit konvencional t'i shtoheshin institucionet dhe marrëveshjet që do të lehtësonin funksionimin e bankave islame. Ndonëse një gjë e tillë nuk është e pamundur, nevojitet kujdes i madh për të siguruar kushtet e domosdoshme për funksionimin në të njëjtën kohë si të bankave islame ashtu edhe atyre konvencionale. Për shembull, mbikëqyrja bankare mund të rregullohet në atë mënyrë që të ketë përsipër të dyja llojet e bankave, derisa rregullat e tregut të financave mund të përshtaten për të inkuadruar edhe instrumentet financiare islame, të cilat do të vepronin krahas atyre konvencionale.
Përderisa ekzistojnë kritika rreth implementimit të bankimit islam, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik, kjo nënkupton që ende duhet të hulumtohet dhe të zhvillohet ky sistem. Dhe, gjithherë duhet të synohen qëllimet e ekonomisë/financave islame, në çdo aktivitet ekonomik.
Gjithashtu, rekomandoj që institucionet financiare islame t'u japin përparësi financimeve në partneritet, sepse kjo formë partneriteti me bartje rreziku dhe ndarje fitimi në mes bankës dhe klientit siguron lëvizje të kapitalit te të gjithë partnerët e përfshirë në aktivitet financiare. Kështu njëra palë e siguron tjetrën, dhe në të njëjtën kohë përfitojnë më shumë persona.
Nëse fitimi i bankës varet nga suksesi i projektit të financuar, kjo siguron që klienti të studiohet mirë para se t'i lejohet financimi dhe mbështetja të mos dështojë në aktivitetet e tij.
Kritikat që u përmendën me lart nuk i drejtohen ndonjë vendi apo institucioni të caktuar, por janë kritika të përgjithshme rreth sistemit financiar si tërësi.
________________________
(1) Muhammad Hashim Kamali, lslamic Comrnercial Law: An-Analysis of Futures and Options, (Kuala Lumpu r: llmiah Publishers, 2002) f. 66-67,
(2) Sudin Haron, "The Philosophy of lslamic Banking" Brenda: Anthology of lslamic Banking (editor) Asma Siddiqi.
(3) Rasul Shams, A CriticalAssessment of lslamic Economics, (Hamburg: lnstitu te of International Economics, 2004) f. 5-6.
(4) M. Umar Chapra, “Why Islam has Prohibited lnterest? Rationale behind the Prohibition of Interest”, Review of lslamic Economics, No. 9 2000. F. 7.
(5) Muhammad Nejatullah Siddiqi, "lslamic Banks: Concepts, Precepts and Prospects", Review of lslamic Economics, No. 9, 2000. F, 22-23.
(6) Fuad Al-Omar 8: Mohammad Abdel-Haq, lslamic Banking: Theory, Practice & Challenge, (Karacl1i: Oxford University Press, 1996) f. 2.
(7) Rodney Wilson, "lslamic Development Finance in Malaysia", inside, Leading Issues in lslamic Banking and Finance, edited by Saad Al-Harran. (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1995), f, 60.
(8) Samir Abid Shaikh, “lslamic Banks and Financial Institutions: A Survey", journal of Muslim Minority Affairs, Vol. 17, llo.'l, f. 97.
(9) M. Ramzan Akhtar, "Modelling the Economic Growlh of an lslamic Economy”, The American ]ou rnal of lslamic Social Sciences, Vol. 10, No,4., f. 5001-5002. (10) Monzer Kahf 3: 'ľariqullah Khan, Principles of lslamic Finance, Ueddah: lslamic Research and Training Institute, 1992), f. 11.
Dr. Islam Hasani