“Ai i fal vetëm femra atij që do; e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose u fal çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm”.( Esh-Shura, 49-50)
“O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t’ju sqarojmë. Ndërsa atë që dëshirojmë Ne, e përqendrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnja dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj. Ka që dikush prej jush vdes herët, e dikush jeton deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur. E ti e sheh tokën e tharë - të vdekur, e kur Ne ia lëshojmë asaj ujin, ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rrit bimë të këndshme”. (El Haxhxh, 5) “Të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata”. (El En’am, 151).
Sheriati islam gjithmonë i ka kushtuar rëndësi jetës së njeriut duke përcaktuar norma dhe dispozita që ruajnë dhe mbrojnë jetën e njeriut që në kohën kur gjendet në barkun e nënës. Kur i shikojmë ajetet dhe hadithet, na bëhet shumë e qartë se është rreptësisht e ndaluar t’i merret jeta njeriut pa të drejtë dhe se prej mëkateve më të mëdha është mbytja e tjetrit pa të drejtë.
Pa dyshim që edhe fenomeni i njohur si abortim, është një prej çështjeve të ndjeshme, që kërkon shpjegim të qartë. Dispozitat dhe normat që kanë të bëjnë me abortimin, janë shpjeguar dhe sqaruar qysh me ardhjen e Sheriatit islam. Në kohën e injorancës së periudhës parakuranore dihet shumë qartë se disa fise arabe i vrisnin të gjallë foshnjat femra për arsye se lindjen e tyre e ndienin turp.
Sheriati islam fenomenin e abortimit e shikon në aspektin e së drejtës që ka fryti i porsaformuar në mitër, të drejtës që kanë prindërit dhe shoqëria.
Faktorët që shkaktojnë abortin, mund të jenë të shumtë, por ajo që i nxitë njerëzit më së shumti për këtë, është frika nga varfëria, sikur shtimi i fëmijëve shkaktuaka varfëri. Një mendim të tillë feja islame e ka sulmuar ashpër dhe në të njëjtën kohë e ka hedhur poshtë duke e konsideruar si shumë të gabuar. Allahu i Lartësuar shprehet shumë qartë: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh”.(El Isra, 31).
Pikërisht prandaj aborti është një dukuri shumë e rrallë në shoqërinë e pastër myslimane. sheriati islam i ka kushtuar rëndësi të madhe jetës së njeriut; jetën e konsideron njërën prej pesë gjërave vitale të njeriut: jeta,besimi, mendja, pasuria dhe gjenealogjia.
Qëndrimi i së drejtës islame ndaj planifikimit të familjes (hedhjes së spermës jashtë mitrës):
Shumica dërrmues e dijetarëve (katër medh’hebet) janë të mendimit se planifikimi
i familjes lejohet, por është vepër e papëlqyer (mekruh tenzihen). Dijetarët e tri medh’hebeve (Ebu Hanifeja, Maliku dhe Ahmedi) mendojnë se planifikimi i familjes lejohet, por kushtëzohet që të kërkohet edhe pëlqimi i bashkëshortes. Ndërsa dijetarët e medh’hebit shafiit kanë divergjenca
në mes tyre, sepse disa pajtohen me kushtin që kanë vendosur shumica e dijetarëve (që të merret pëlqimi i bashkëshortes), ndërsa një pjesë tjetër e dijetarëve të këtij medh’hebi janë të mendimit se nuk ka nevojë të merret pëlqimi i bashkëshortes.
Dijetari i mirënjohur i medh’hebit hanefit imam el-Kasaniju thotë: “Është vepër e papëlqyer që bashkëshorti të bëjë planifikimin e familjes pa marrë edhe pëlqimin prej bashkëshortes që e ka statusin - e lirë. Kjo, sepse gruaja ka të drejtën të ketë fëmijë... E, po qe se ky planifikim bëhet me pëlqimin e bashkëshortes, atëherë veprimi nuk konsiderohet si vepër e papëlqyer”.1
Autori i librit El-Mugnij – Ibn Kudame Makdesij ka thënë: “Nuk lejohet të bëhet planifikimi i familjes përveçse me pëlqimin e bashkëshortes që e ka statusin - e lirë”.2
Imam Neveviu, në komentin që i bën Sahihut të Muslimit, thotë: “...planifikimi i familjes, sipas nesh (sipas medh’hebit shafiit), pavarësisht nga rrethanat, është vepër e urrejtur edhe nëse bashkëshortja pajtohet për një veprim të tillë..”.3
Ibn Hazm edh-Dhahiriju është i mendimit se planifikimi i familjes është i ndaluar rreptësisht4.
Ky mendimin e tij e mbështet në hadithin që transmeton Xhudhamete bint Vehbi, motra e Ulkashes, se të Dërguarin e Allahut e kishin pyetur se a lejohet planifikimi i familjes. Ai ishte përgjigjur: “ Ky veprim është mbytje e fshehtë”.5
Dijetarët, kur e komentojnë ndalesën e tillë që është përmendur në këtë hadith, thonë se ndalesa në këtë rast është e kategorisë së mekruhit tenzihen (vepër e papëlqyer, që është afër hallallit). Kurse disa prej dijetarëve thonë se ky hadith është thënë në fillim të Islamit, por më vonë është shfuqizuar norma e tij duke u bazuar në shumë hadithe që lejojnë planifikimin e familjes.
Sterilizimi nuk lejohet kurrsesi
Të gjithë dijetarët islamë janë të një mendimi se në fenë islame nuk lejohet në asnjë mënyrë të bëhet sterilizimi i cilësdo gjini6. Prandaj përdorimi i ndonjë bari apo mjeti që shkakton sterilitet të përjetshëm, është i ndaluar rreptësisht, ngase një veprim i tillë përbën ndërhyrje, ndryshim në krijimin e Allahut dhe që bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin e Allahut: “Do t’i shmangë (nga e vërteta), do t’i bëjë të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhërojë, dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhërojë, dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut. E, kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi”. (En-Nisa, 119)
Ndërsa, kur ndodh që në raste të jashtëzakonshme duhet të bëhet doemos sterilizimi, si p.sh. kur ekziston rreziku nga ndonjë sëmundje e rrezikshme që mund ta trashëgojnë fëmijët dhe pasardhësit, atëherë bëhet zgjedhja në mes dy të këqijave, ajo që është më pak e dëmshme. Kjo, sepse është e qartë se është ligj i Allahut që kujt do, i jep vajzë e kujt do, i jep djalë dhe kë do e bën steril: “Ai i fal
vetëm femra atij që do; e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose u fal çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm”.( Esh-Shura, 49-50)
Përdorimi i mjeteve kontraceptive për mbrojtje prej shtatzënisë
Të gjitha mjetet kontraceptive, qofshin ato tableta apo mjete të tjera, siç është vendosja e spirales, ose marrëdhënie seksuale në periudhat kur nuk mbetet femra shtatzënë, lejohen në analogji me fenomenin e planifikimit të familjes.
Përdorimi i mjeteve kontraceptive është i lejuar me kusht që këto të mos dëmtojnë në asnjë mënyrë bashkëshorten apo bashkëshortin.
Abortimi
Para se të shpjegojmë qëndrimin e Sheriatit islam rreth abortimit, duhet ta kemi të qartë se kemi parasysh abortimin e frytit që është zënë tek bashkëshortja që është ligjërisht e martuar dhe abortimin e fëmijës nga bashkëshortja e cila ka mbetur shtatzënë në mënyrë jolegale – me prostitucion.
Për sa i përket abortimit të fëmijës nga bashkëshortja shtatzënë me bashkëshortin e saj legal, dijetarët e medh’hebe islame kanë shfaqur mendimet të ndara:
Mendimi i hanefitëve
Ibn Abidini, në glosen e tij, ka thënë: “Lejohet abortimi përderisa fëmijës të mos i ketë hyrë shpirti, që ndodh vetëm pas njëqind e njëzet ditësh”7, ndërsa në librin“El-Bahru Rraiku” shprehet kështu: “Femra e cila e ka abortuar frytin e saj ende pa iu krijuar gjymtyrët, nuk ka bërë mëkat”.8
Pra, dijetarët e medh’hebit hanefit janë të mendimi se lejohet abortimi para se të kenë filluar të krijohen gjymtyrët e trupit, d.m.th. derisa fryti të ketë dyzet apo dyzet e pesë ditë që nga dita kur është zënë, ndërsa abortimi i frytit,kur i janë krijuar të gjitha gjymtyrët dhe i ka hyrë shpirti, është veprim i kategorisë së mekruhi tahrimen (vepër që është më afër haramit) dhe në këtë rast, nëse ndodh abortimi pa kurrfarë arsyeje të justifikueshme, vepruesi bën mëkat të rëndë.9
Mendimi i malikitëve
Dijetarët e këtij medh’hebi janë më të ashpër lidhur me çështjen duke thënë se abortimi nuk lejohet kurrsesi dhe se këta janë të njëjtë me mendimin e medh’hebit Dhahirit dhe me mendimin e imam el-Gazaliut.
Në librin Sherhu Derdiri thuhet: “Nuk lejohet të hiqet fryti që është zënë në mitër, qoftë edhe para dyzet ditëve, e kur t’i hyjë shpirti, është e ndaluar në mënyrë të prerë”.10
Në komentin që jep Ed-Desuki në glosen e tij për këtë mendim, thotë: “Po, ky është mendimi bazë. Por thuhet se abortimi, para se të mbushen dyzet ditë, është vepër e papëlqyer (mekruh)”.11
Mendimi i shafiitëve
Shafiitët janë të mendimit se, nëse ndodh abortimi para dyzet ditëve ose para dyzet e dy ditëve, është vepër jo e pëlqyer (mekruhi tenzihen), me kusht që ky abortim të realizohet me pëlqimin e dyanshëm të dy bashkëshortëve dhe me mendimin e dy mjekëve të drejtë se abortimi nuk i shkakton kurrfarë dëmi gruas.12
E, kur ndodh që të kenë kaluar më shumë se dyzet ditë, atëherë është i ndaluar abortimi dhe sa vijnë e të shtohen ditët, aq më shumë shtohet kategoria e ndalesës.
Dijetari i njohur shafiit err-Rremlij thotë: “Në komentet e disa njerëzve të dijshëm është se el- Kerabisiju ka thënë: E kam pyetur Ebu Beker bin Ebi Seid el-Furatin për njeriun i cili i ka dhënë robëreshës së tij që të pijë diçka që shkakton abortimin. Ai është përgjigjur: Nëse kjo ndodh derisa fryti është ende spermë ose gjak i ngjizur, lejohet”.13
Ky dijetar i jep përparësi mendimit se lejohet abortimi para se t’i hyjë shpirti, kurse më vonë ndalohet rreptësisht. Një mendim i njëjtë me të
hanefitëve.
Imam el-Gazaliu është i mendimit se abortimi është i ndaluar rreptësisht dhe se nuk lejohet në asnjë fazë të shtatzënisë, duke e konsideruar veprimin e tillë si krim.14
Këta që mendojnë se abortimi pas dyzet apo pas dyzet e dy ditëve, është i ndaluar, bazohen në hadithin që transmeton Hudhejfe bin Usejjid el-Gifariju r.a.: E ka dëgjuar të Dërguarin a.s. duke thënë: “Kur kalojnë dyzet e dy ditë pasi të jetë ngjizur sperma, atëherë Allahu e dërgon engjëllin për t’i dhënë formën, i krijon të dëgjuarit, të parët, lëkurën, mishin dhe eshtrat. E pastaj engjëlli thotë: O Zot, a është djalë apo vajzë..”.15
Mendimi i hanbelitve
Të gjithë dijetarët e medh’hebit hanbelit janë të mendimit se abortimi pas t’i ketë hyrë shpirti frytit, është rreptësisht i ndaluar, ndërsa kanë divergjenca nëse ndodh abortimi para se t’i hyjë shpirti: disa janë të mendimit se lejohet të abortohet para dyzet ditëve, po më pastaj është i ndaluar, e disa prej tyre janë të mendimit se lejohet përderisa të mos ndihet i gjallë.
Abortimi para se t’i hyjë shpirti frytit
Nëse ndodh që abortimi të bëhet para se t’i hyjë shpirti, një veprimi i tillë lejohet me papëlqyeshmëri të lehtë (mekruhi tenzihen), por në këtë rast, për t’u bërë abortimi, duhet të plotësohen këto tri kushte:
1. Të jenë dakord për abortim të dy bashkëshortët. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikur edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. All-llahu është i gjithëfuqishëm, i urtë”.( El-Bekaretu, 227)
Pra, ashtu siç është e ndaluar për burrin që të hedhë spermën jashtë pa pëlqimin e gruas, po ashtu edhe për gruan është e ndaluar të abortojë pa lejen e burrit.
2. Të mos i ekspozohet gruaja ndonjë rreziku më të madh në rast abortimi. Kjo domethënë që abortimi lejohet nëse nuk dëmtohet gruaja, dhe kjo ka mbështetje në rregullën e Sheriatit: (Duhet të ruhemi nga dëmi më i madh në mes dy dëmeve).
3. Dëshmia e shkruar mjekësore prej dy mjekëve të drejtë, të cilët të vërtetojnë se abortimi është i domosdoshëm dhe se ekspozimi ndaj këtij rreziku është më i vogël sesa mbajtja e barrës.
Shënim: Me “mjekun e drejtë” kuptohet mjeku specialist, nga i cili mund të merret mendimi dhe të veprohet sipas atij mendimi.
Abortimi kur femra mbetet shtatzënë në marrëdhënie jashtëmartesore (me prostitucion)
Me shumë të drejtë mund të thuhet se njëri prej shkaqeve kryesore për t’u kërkuar abortimi, është mbetja shtatzënë me anë të prostitucionit. Prandaj, menjëherë mund të lind pyetja: Vallë, cili është qëndrimi i Sheriatit islam rreth abortimit në raste marrëdhëniesh jashtëmartesore? Përgjigjja është se të gjitha argumentet që e trajtojnë këtë çështje, janë të qarta në mënyrë të prerë, se abortimi i tillë është i ndaluar rreptësisht, pavarësisht nëse i ka hyrë ose jo shpirti frytit.
Argumentet që argumentojnë këtë, janë:
1. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit”.(El En’am, 164). Është më se e qartë se motivi i lavires është që të abortojë barrën e saj, në mënyrë që të mos dalë në shesh turpi i prostitucionit, dhe kështu sakrifikohet fryti që është në mitër për mëkatin e tjetrit e me të cilin nuk ka kurrfarë lidhjeje.
2. Ndalohet abortimi i fëmijës jashtëmartesor në të gjitha etapat e shtatzënisë. Këtë e argumenton rasti i një gruaje të njohur si el-Gamidije, e cila kishte pranuar para të Dërguarit s.a.v.s. se ishte me barrë nga marrëdhënie seksuale jashtëmartesore. E i Dërguari s.a.v.s. i kishte thënë: “Shko derisa të lindësh fëmijën”16. Imam neveviu, kur e komenton këtë hadith, thotë: Gruaja e martuar që ka mbetur shtatzënë për shkak të marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, nuk ekzekutohet me rrexhm (me mbytje duke gjuajtur gurë mbi të derisa të vdesë) përderisa ta lindë fëmijën, vetëm e vetëm që të mos mbytet fëmijën, vetëm e vetëm që të mos mbytet fryti që është në mitrën e saj. Ky është një vendim me konsensus. Po ashtu, nëse ndodh që femra e pamartuar të mbetet me barrë për shkak të marrëdhënieve jashtëmartesore, ajo nuk dënohet me xheld (me njëqind të rëna me kamxhik) derisa ta lindë fëmijën.
Shënim: Dallimi në mes gruas që ka mbetur me barrë me bashkëshortin e saj legjitim, dhe lavires që ka mbetur me barrë nga marrëdhënie jashtëmartesore, është se gruaja me kurorë ka të drejtën e shfrytëzimit të lehtësimit të Allahut,
kur janë arsyet të justifikueshme, kurse lavirja nuk ka të drejtë të shfrytëzojë lehtësimin e Allahut, sepse lehtësimi nuk bëhet për shkak të zbatimit të mëkatit.17
3. Masa parandaluese që të mos bëhet harami: Një prej faktorëve që e pengon më së shumti femrën të bëjë prostitucion, është mbetja me barrë dhe dalja në shesh e prostitucionit. Prandaj, kur dikush nuk I frikësohet Allahut, ka raste që të mos veprojë diçka për shkak se, mos vallë, do të dalë në shesh e do ta kuptojnë njerëzit. Mu për këtë arsye, feja islame e ka ndaluar abortimin në raste të tilla, që të mos përhapet më shumë fenomeni i prostitucionit.
Abortimi i lavires në raste të jashtëzakonshme
Nëse lavirja që ka mbetur me barrë për shkak të marrëdhënieve jashtëmartesore, është e martuar, në këtë rast nuk lejohet abortimi, edhe sikur të jetë në rrezik jeta e saj, për shkak se ajo pasi të lindë, si dënim e ka vdekjen, prandaj në këtë rast më i rëndësishëm është shpirti dhe jeta e frytit të pafajshëm.
Shkurtore
Mendimi i shumicës së dijetarëve (xhumhuri), për të cilin janë unanimë, është se abortimi lejohet me jopëlqyeshmëri derisa të mos i ketë hyrë shpirti frytit.
Dijetarët e medh’hebit malikit mendojnë se abortimi nuk lejohet kurrsesi në asnjë etapë. Ne mendojmë se duhet pasur kujdes që abortimi të mos bëhet aq lehtë, pa arsye të justifikueshme.
Po ashtu, ajo që duhet të përmendim, është se dispozitat që janë përcaktuar për çështjen e abortimit, janë në të mirë të shoqërisë islame dhe kanë për qëllim të ruajnë krenarinë e njeriut.
1) El-Kesaniju: Beda’iu Sanai, v. 3, f. 334
2) El-Makdesiju: El-Mugnij, v. 7, f. 228
3) En-Neveviu: Sherhu Sahihil Muslim, v. 10. f. 9
4) .Muhammed Mahmud Kalo: Kadaja Islamijetin Sahinetin, Darul Ulumil Arabijeti, Bejrut, 1423/2003, fq. 55-56
5) Transmeton Muslimi, Ibn Maxheh dhe Ahmedi.
6) Shemsudin el-Makdesiju: el-Furu v.1 1., 281; Alaudin el- Merdavi: El-Insaf, v.1, 386.
7) Hashijetu Ibn Abdin , v. 3, f. 176
8) .El-Bahru Rraiku, v. 8, f. 233
9) Hashijetu Ibn Abidin: v. 1. f. 278, v. 2. f. 522, El-Fetava el-Hindijetu: v.5 f. 365, 366. Fet’hul Kadir vol. 2.f. 495.
10) Sherhu Derdiri: v.2, f. 262.
11) Hashijetu Desuki v.2. f. 267.
12) Ibn Haxher: Tufetul Muhtaxh v. 8., f. 241, Nihajetul Muhtaxh: v. 8, f. 239. Muhammed Mahud Kalo,Ibid, f. 57-58
Mr.sci. Flamur Sofiu