Veçoritë e moralit islam

Morali islam bën që njeriu të jetë përgjegjës rreth asaj që rrjedh nga ai në të gjitha sferat e jetës, pa marrë parasysh se ajo a është përgjegjësi individuale apo kolektive, dhe nuk e bën atë të varur duke mos u preokupuar me atë çka ndodh përreth tij. Kjo është një veçori me të cilën është veçuar morali ynë, dhe mund të konsiderohet si rast i veçantë.

E para: Morali islam ka burim hyjnor.
Burimi i moralit islam është Kurani famëlartë dhe Suneti i Pejgamberit a.s. Aty nuk ka hapësirë për mendimet njerëzore, sistemet pozitive apo idetë filozofike, prandaj për këtë arsye morali islam karakterizohet me veçorinë e përjetësisë, ndershmërisë dhe shëndetit.

E dyta: Gjithëpërfshirja dhe plotësueshmëria.
Prej veçorive të moralit islam është se ai është gjithëpërfshirës dhe i kompletuar. Kjo veçori rrjedh nga veçoria e parë, të qenit me bazë hyjnore, e kjo sepse ajo ka në konsideratë interesin e individit dhe shoqërisë në të cilën jeton, si dhe qëllimet e jetës së tij në përputhje me perceptimin islam, duke përcaktuar qëllimet e jetës dhe synimet e saj. Gjithashtu, ajo përfshin çdo aktivitet të njeriut dhe orientimet e tij, duke përfshirë krejt sferat e jetës së tij, madje nuk ndalet vetëm në këtë jetë.

E treta: Morali islam është i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend.
Meqenëse morali islam ka burim hyjnor, atëherë ai është i përshtatshëm për të gjithë njerëzit, në çdo kohë dhe vend, duke pasur parasysh veçoritë me të cilat veçohet. Ato nuk i përfshin ndonjë ndryshim apo modifikim për shkak të ndryshimit të rrethanave apo kohëve, sepse ato nuk janë prodhim njerëzor por janë shpallje nga ana e Allahut xh.sh. te i Dërguari i Tij.

E katërta: Bindja logjike dhe emocionale.
Dispozitat e Islamit janë në përputhje me logjikën e shëndoshë dhe në kontinuitet me natyrën e pastër. Sistemet morale që ka sjellë Islami janë bindëse dhe lehtë të përshtatshme. Mendja e myslimanit bindet lehtë me moralin islam, dhe zemra e tij qetësohet shpejt duke gjetur një qetësi dhe rehati shpirtërore karshi moralit të mirë, ndërsa në të njëjtën kohë vëren një largim dhe ikje nga morali i keq.

E pesta: Përgjegjësia.
Morali islam bën që njeriu të jetë përgjegjës rreth asaj që rrjedh nga ai në të gjitha sferat e jetës, pa marrë parasysh se ajo a është përgjegjësi individuale apo kolektive, dhe nuk e bën atë të varur duke mos u preokupuar me atë çka ndodh përreth tij. Kjo është një veçori me të cilën është veçuar morali ynë, dhe mund të konsiderohet si rast i veçantë.
Me përgjegjësi personale kemi për qëllim se njeriu (individi) është përgjegjës për atë çka del prej tij për veten e tij; nëse është diçka e mirë atëherë vlerësohet ashtu, e nëse është diçka keq atëherë pasojnë pasojat. Në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë: "Secili njeri është peng i asaj që ka punuar." (Et Tur, 21). Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: "Kush bën ndonjë mëkat, ai ka ngarkuar vetveten. Allahu i di hollësitë, është gjykatës i Drejtë" (En Nisa, 111). Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: ”... pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (El Isra, 36).
Këto ajete dhe të tjera të ngjashme na sqarojnë shkallën e përgjegjësisë që bie mbi njeriun dhe asaj që del prej tij dhe nga ai. Pejgamberi a.s. thotë: dhe një njeri që flet një fjalë që e hidhërojnë Zotin, por ai nuk i kushton rëndësi, ndikon që të hedhet në zjarr të Xhehenemit)(2). Prandaj, para se ta flasësh një fjalë mendohu mirë dhe llogarite nëse atë që do ta flasësh është në razi të Zotit apo jo; se përfundimi i saj a do të jetë i mirë apo i keq, etj. Përderisa fjala nuk del, njeriu është i zoti i saj, ndërsa në momentin kur ajo del, atëherë njeriu është rob i saj. Prandaj, nëse çështja me fjalën qëndron kështu, atëherë veprimet tjera janë edhe më me prioritet.
Me përgjegjësi kolektive kemi për qëllim përgjegjësinë që përkujdeset për interesat e përgjithshme të njerëzve. Njeriu nuk guxon të jetë pasues i verbër dhe përtac..., ose edhe pesimist. Përkundrazi, ai duhet të urdhërojë për punë të mira dhe të ndalojë nga veprat e liga. Pejgamberi a.s. thotë: "Kush nga ju sheh ndonjë punë të ligë, le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, mirëpo kjo është shkalla më e ulët e imanit."(3)

E gjashta: Llogaria bëhet për veprat e jashtme dhe të brendshme, dhe së bashku.
Morali ynë islam nuk mjaftohet me veprat e shfaqura. Nuk mund të gjykosh vetëm duke u bazuar në shfaqjen e jashtme, por rregulli zgjatet dhe përfshin nijetin dhe qëllimet, e që janë veprime të brendshme. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Veprat shpërblehen sipas qëllimit, dhe çdo personi i takon ajo çfarë ka vendosur-bërë nijet”. Nijeti është boshti i obligueshmërisë, e për këtë arsye Islami e ka në konsideratë nijetin e njeriut për të gjykuar ndaj veprës së tij.

E shtata: Kontrolli fetar.
Kontrolli nënkupton që myslimani ta ketë në konsideratë vazhdimisht përcjelljen e Zotit të tij, në të gjitha çështjet. Bazuar në këtë, kontrolli në fenë Islame ka një domethënie dhe kuptim të pavarur dhe të ndryshëm ndaj kontrollit në burimet e tjera morale. Kontrolli në sistemet tjera përqendrohet në kontrollin e jashtëm, nga një subjekt tjetër, siç është kontrolli nga pushteti dhe individi. Ndërsa kontrolli në Islam nënkupton kontrollin personal. Ky është një kontroll që rrjedh nga edukata e vërtetë islame. Kjo nënkupton zgjimin e ndërgjegjes, sepse kur një mysliman e di se Zoti xh.sh. është me të dhe Ai e vështron dhe sheh çdo lëvizje të tij, ai patjetër do ta kontrollojë veten e tij dhe nuk do të ketë nevojë që dikush tjetër ta kontrollojë. Allahu xh.sh. thotë:”... dhe Ai është me ju kudo që të jeni." (El Hadid, 4). Apo ajeti tjetër: "Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo.” (Ta Ha, Gjithashtu ajeti tjetër: ”... se Allahu është mbikëqyrës mbi ju." (En Nisa, 1). Kur myslimani lexon këto ajete kuranore dhe e kupton domethënien e tyre ai krijon bindjen se nëse mund të ikë nga kontrolli i pushtetit ai nuk mund të ikë nga kontrolli i Zotit. Kjo në vetveten e saj është siguria më e madhe për mos devijim dhe rrëshqitje në sjellje të liga.

E teta: Morali islam ndërlidhet me shpërblimin e kësaj dhe botës tjetër.
Morali islam ka një lidhje të fortë me shpërblimin, pa marrë parasysh në këtë botë apo në botën tjetër. Për këtë arsye edhe ekziston premtimi dhe paralajmërimi, inkurajimi dhe frikësimi.
Njerëzit e zgjedhur kanë shpërblim të madh në këtë botë dhe në botën tjetër. Prej shpërblimit të botës tjetër është ajo që ka premtuar Zoti në Kuran: "Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u premtoi xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj, në to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit, edhe një disponim nga Allahu që është mbi të gjitha. Ky, pra është ai shpëtimi i madh." (Et Tevbeh, 72). Gjithashtu prej shpërblimit të kësaj bote është ajo që ka premtuar Zoti xh.sh. në Kuran: "E kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon prej nga nuk e kujton fare.” (Et Talak, 2-3). Gjithashtu ajeti kuranor: "Ata që bënë mirë në këtë jetë kanë të mirë të madhe, e Toka e Allahut është e gjerë, ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Ez Zumer, 10).
Ndërsa njerëzit e këqij Allahu xh.sh. i ka paralajmëruar me dënim në botën tjetër, duke thënë në Kuran: ”E atyre që nuk besuan u qepen rroba prej zjarri e u hidhet uji valë mbi kokat e tyre. Që me atë u shkrihet krejt ç'ka në barqet e tyre, e edhe lëkurat. Për ata janë edhe kamxhikët e hekurt. Çdoherë që përpiqen të dalin prej tij nga vuajtjet e padurueshme, kthehen me dhunë në të përsëri (u thuhet): "Vuajeni dënimin me djegie!" (El Haxh, 19-22). Ndërsa për dënimin në këtë botë, thotë: "Allahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e Allahut. Atëherë Allahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi (ua ngjeshi) petkun e urisë dhe të frikës.” (En Nahl, 112).


__________________
(1) El-Ahlak El-Islamije, Hasen Seid El-Mursij.
(2) Transmeton Imam Buhariu (6478).
(3) Transmeton Imam Muslimi (49)



Mr. Vedat Shabani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi