Dituritë arritën në gjuhën arabe nga vendet e ndryshme të botës; ai i zbukuroi dhe i futi në zemrat e njerëzve, kurse magjepset e gjuhës saj depërtuan nëpër damarët dhe arteriet e tyre.
(El Biruni, Kitab Es Seidana)

Në pikën e zhvillimit më të lartë të mbretërive arabe dhe islame në Lindjen e Afërt dhe të Mesëm u zhvillua një civilizim i bujshëm, thjeshtë e njohur me emrin civilizimi arab. Atë nuk e kishin soll me veti të gatshëm sulmuesit arab të shkretëtirës, por pas pushtimit ajo u krijua nga bashkëpunimi i shumë popujve: Arab, Persian, Egjiptian, dhe të tjerë. Ajo, tërësisht nuk ishte as myslimane, sepse në mesin e themeluesve të saj kishte mjaftë edhe të krishterë dhe Mazdaistë (Mazdaistët ishin ithtarët e besimit të quajtur sipas kultit Ahura Mazda që u themelua kah fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI në territorin e Persisë. Sqarim Sh. V.). Por mjeti kryesor i shprehjes saj ishte gjuha arabe, kurse mbi te sundonte Islami dhe këndvështrimi i tij i jetës. Dhe pikërisht këto dy gjëra, gjuha dhe feja e tyre, ishin kontribues të mëdhenj të pushtuesve arab të një civilizimi të ri burimor, që u zhvillua nën skeptër të tyre.
Arabishtja i takon gjuhëve semite, në mesin e së cilave është ndër më të pasurat. Arabët e kohës para islame ishin popull primitiv, mënyra e jetës së tyre ishte primitive dhe e rëndë dhe po thua se pa kurrfarë tradite të shkrimit. Por e kishin të zhvilluar një traditë të gjuhës poetike jashtëzakonisht të pasur, poezi të stërholluar dhe me harmoni ritmike, rime dhe diksion, me formën e rregullave klasike, që ishte shembull i pjesës më të madhe të poezisë së më vonshme arabe. E pasur me pasione dhe metaforë, kurse e kufizuar për nga tema, ajo ka qenë një shprehje e vërtet e jetës së beduinëve, duke i kënduar venës, dashurisë, luftës, gjuetisë, peizazheve të tmerrshme të maleve dhe shkretëtirave, trimërisë luftarake të pjesëtarëve të fiseve dhe për shëmtimin e armiqve të tyre. Por edhe siç pritej, ajo nuk ishte një literaturë abstrakte apo i mendimit të pastër.
Pushtimet bënë që gjuha arabe të bëhet gjuhë perandorake, kurse së shpejti edhe një gjuhë e madhe e kulturave të ndryshme. Ajo përhapej, për t’i kënaq këto dy nevoja: pjesërisht huazonte fjalë dhe shprehje të reja, por kryesisht zhvillohej përbrenda, duke krijuar fjalë të reja nga rrënjët e vjetra, dhe duke ju dhënë fjalëve të vjetra kuptime të reja. Si shembull të këtij zhvillimi mund ta marrim fjalën arabe për “absolut”, koncept krejtësisht i panevojshëm për Arabët e kohës para Islame. Ajo është muxharrad” , pjesore pasive nga xharrada, zhveshje deri në lakuriqësi , shprehje e cila normalisht përdoret për karkalec dhe ka lidhje me fjalët xharrada, karkalec dhe xharida, gjethe. Gjuha e krijuar në këtë mënyrë posedonte fjalor metaforik , konkret dhe të gjallë, ku çdo emër i kishte rrënjët tërësisht në të kaluarën dhe traditën arabe. Ai lejoi që idetë e menjëhershme dhe të pazbatuara të veprojnë në mendime përmes fjalëve të njohura dhe konkrete si dhe që në mënyrë të papenguar t’i përshkon shtresat e mendimeve të thella të vetëdijes.
Ashtu e pasur, gjuha arabe mbeti jashtëzakonisht si mjet i kulturës edhe shumë kohë pas shkatërrimit të mbretërisë arabe. Me gjuhën arabe erdhi edhe poezia e tyre si shembull klasik i saj dhe një botë idesh të preokupuara me atë poezi: konkrete, e jo abstrakte, madje shpesh e stërholluar dhe e kuptuar; retorike dhe deklamuese, e jo intime dhe vetjake; recitative dhe me ndërprerje, e jo epike dhe e thurur; literaturë në të cilën më shumë është deponuar në veprimin e fjalëve se sa në bartjen e mendimeve.
Pranë ekspansionit arab më tepër duhet t’i çuditemi arabizmit të krahinave të pushtuara se sa vetë pushtimeve ushtarake. Deri në shekullin XI arabishtja jo që u bë vetëm gjuhë kryesore e komunikimit nga Persia e deri në Pirini, por ajo arriti të bëhej edhe mjet kryesor që iu zuri vendin gjuhëve të vjetra kulturore, si për shembull gjuhës kopte, arameje, greke dhe latine. Sidoqoftë ashtu siç përhapej gjuha arabe, ashtu edhe venitej dallimi mes pushtuesit arab dhe arabizmit pushtues e që relativisht bëhej e pa rëndësishme. Megjithatë, edhe pse të gjithë ata, që flitnin arabisht dhe predikonin Islamin, edhe më tej konsideronin, që i takojnë një bashkësie unike, emërtimi Arap filloi sërish të zbatohet tek nomadët, të cilët para se gjithash ashtu edhe quheshin, apo përdorej si emërtim për prejardhjen aristokrate, pa ndonjë rëndësi të madhe ekonomike apo sociale.
Gjuha arabe ushtroi ndikim të madh tek gjuhët tjera myslimane dhe jashtë zonave të gjëra që ishin përherë të arabizuara. Gjuhët myslimane, persishtja dhe turqishtja kurse më vonë edhe ato urdu, malaje dhe svahilli: të gjitha këto ishin gjuhë të reja, që shërbehen me alfabetin arab dhe që përmbajnë fjalë të shumta arabe-po aq sa ka edhe elemente greke dhe latine në anglishte-që përfshijnë tërë një botë të koncepteve dhe të ideve.
Mirëmbajtja dhe përhapja e gjuhës arabe donë të thoshte më shumë ruajtjen e vet gjuhës-më shumë, për shembull se sa përdorimin e mëtejmë të gjuhës latine në Perëndimin mesjetar. Me gjuhën arabe erdhën edhe shprehitë dhe traditat me arsyen e zgjidhjes dhe përpunimit të temave. Këtë më së miri do ta kuptonim, nëse bëjmë krahasimin e poezisë persiane në gjuhën arabe deri te shekulli XI, me poezinë e gjuhës persishte me ndonjë kohë të më vonshëm, kur Persia myslimane veç e kishte zhvilluar kulturën e vete të pavarur islame. Poezia Arabe e Persisë dallohet në shumë pikëpamje të rëndësishme nga poezia e hershme e vetë Arabëve, por megjithatë në bazë të përgjigjes së shijes arabe, Arabët edhe sot e fusin në ruajtjen e thesareve të trashëgimisë së tyre. I mungon epika dhe lirizmi subjektiv i poezisë së Persisë së më vonshme.
Islami-çerdhe e Arabisë dhe Profetit arab-nuk ka qenë vetëm sistem i besimit dhe kultit. Ajo ishte edhe sistem i shtetit, shoqërisë, drejtësisë, mendimit dhe artit-civilizimit, të cilën religjioni e bashkoi, ndërsa më vonë me te edhe sundoi. Nga Hixhreti e këndej Islami nënkuptonte nënshtrim jo vetëm fesë së re, por edh bashkësisë-në praktik, shtetit feudal (sizerenitetit Sh. V.) të Medinës dhe Profetit, kurse më vonë shtetit feudal të mbretërisë dhe kalifit. Në fillim Islami përfaqësonte nënshtetësinë arabe të rendit të parë. Kodi i saj ishte Sheriati, ligji i shenjtë, të cilën e zhvillonin juristët në baza të Kuranit dhe traditës së Profetit. Sheriati nuk ishte vetëm një ligjvënës normativ, por edhe, në aspektet e saja sociale dhe politike rregullator e sjelljes, ideal mbas së cilës njerëzit dhe shoqëria duhej të ecnin. Islami nuk lejonte ndonjë pushtet ligjvënës, sepse ligji mund të pasonte vetëm me shpalljen hyjnore, por ende jo zyrtarisht mbante të drejtat e traditës dhe ligjvënies civile, që ishte dëshira e sundimtarit me të cilat juristët pajtoheshin dhe i pranonin në kufijtë e ekzistues. Që nga ajo ditë Sheriati e përshkruante çdo formë të jetës, je vetëm besimin dhe kultin, por edhe ligjin publik-kushtetues dhe ndërkombëtar-si dhe të drejtën private-atë penale dhe civile. Karakteri ideal i saj më së qarti shihej kryesisht në formën kushtetuese të saj. Sipas Sheriatit, kryetari i bashkësisë është kalifi, përfaqësuesi i zgjedhur i Zotit, të cilit i takon pushteti suprem në të gjitha punët ushtarake, qytetare, dhe religjioze, ndërsa obligimi i tij është ta ruaj trashëgimin e paprekshme shpirtërore dhe materiale të Profetit. Vetë kalifi nuk e kishte pushtetin shpirtëror. Ai nuk ka mundur ta ndërroi doktrinën por as të krijojë ndonjë doktrinë të re; atë nuk e mbështeste asnjë shenjtëri, vetëm një shtresë gjysmë e arsimuar, doktorit të së drejtës hyjnore, pushteti i të
cilëve ishte i kufizuar vetëm në komentime. Në praktik kalifi ishte bërë një lodër i udhëheqësve ushtarak dhe të aventurierëve politik, të cilët prej shekullit IX kanë qenë sundimtar të vërtet të Islamit. Në shekullin XI pranë kalifit u paraqit sulltani si një udhëheqës suprem shpirtëror; autoritetin e tij juristët e pranuan post facto dhe jo me dëshirë. Kundërshtimin e njëjtë e shohim edhe në zbatimin e ligjeve. Pranë kadiut, i cili i zbatonte Ligjet e shenjta, kishte edhe gjyqe laike, të cilët i kishin qëllimet e qarta që ti zgjidhin lëndët jashtë kompetencave të kadiut dhe ti rregullojnë padrejtësitë duke u shërbyer me autorizime diskrecionale.
Të dy kontributet Arabe, gjuha dhe besimi, që nga kohërat më të hershme kanë qenë të ekspozuara ndikimeve të jashtëm. Ka fjalë të huaja në poezinë para islame dhe në Kuran, kurse shumë më shumë në periudhën e pushtimit. Emërtimet e administratës nga gjuha persishte dhe greke, emërtimet teologjike dhe religjioze nga hebraishtja dhe sirishtja, emërtimet e diturisë dhe filozofisë të gjuhës greke tregojnë për ndikimin e madh të civilizimeve të vjetra të asaj zone në civilizimin e ri e cila, tek po lindte. Shoqëria islame në periudhën klasike ishte një zhvillim kompleks, i cili në vete kishte bashkuar shumë elemente me prejardhje të ndryshme: Idetë për profetësi, shtetin religjioz, jetën pas varrit dhe misticizmin, nga krishterët, hebrenjtë dhe mazdakizdët, kurse administratën dhe praktikën imperiale nga sasanidët dhe bizantinët. Ndoshta më i rëndësishmi ishte pikë rrëfimi për helenizmin, veçanërisht në shkencë, filozofi art dhe arkitekturë, e deri diku edhe në literaturë. Ndikimi helen ishte aq i madh, sa që islami përshkruhej si pasardhës i tretë i trashëgimisë heleniste, bashkë me krishterimin latin dhe grek. Por helenizmi Islam më vonë ishte helenizmi i vonshëm i Lindjes së afërm, gjysmë e orientalizuar me ndikimin aremej dhe krishterë, më tepër vazhdimësi e pa ndërprerë të antikës së vonshme se sa zbulim i sërishëm i klasikëve Atenas, sikurse në Perëndim.
Përkundër burimeve të ndryshme, civilizimi islam nuk ka qenë kontakt i thjeshtë mekanik i kulturave paraprake, por më shumë një formacion i ri, në të cilën që të gjitha ato elemente lidheshin në civilizimin e ri burimor në këtë mënyrë, se ishin të bartura në forma arabe dhe islame; ajo është faza karakteristike, e cila shihet në çdo shkallë të-të arriturave të veta.
Të arriturat më të mëdha të Arabëve, sipas vlerësimeve të tyre, dhe e para në kohë ishte poezia ndërsa pranë saj ishte edhe aftësia e oratorisë. Poezia e kohës para islame kishte funksion publik dhe shoqërorë: Poeti shpesh shfaqej si falënderues dhe satirik që luante një rol të rëndësishëm politik. Nën Emevitët ajo poezi gojore e bartur e Arabisë para islame ishte përmbledhje studimesh dhe shërbente si shembull për zhvillime të më tejme. Nën Abasidët poezinë arabe e kishin pasuruar shumë jo arab, veçanërisht Persianët, prej të cilëve i pari dhe talenti më i madhi do të bëhet Bashhur ibn Burd (vdes në vitin 784). Ata për një kohë arritën fitoren e temave dhe modeleve të reja mbi format para islame në një luftë të hidhur në mes të formave të lashta dhe atyre moderne. Por edhe këtyre të risive ju pengonte nevoja që ti përshtaten shijes arabe të sundimtarëve dhe të elitës sunduese, dhe se ata deri në fund i shtypi triumfi i neoklasicizmit, përfaqësuesi më i rëndësishëm i së cilës ishte Mutenebi(905-965), të cilin Arabët e konsiderojnë poetin e vet më të madh.
Vetë Kurani është monument i parë i literaturës arabe të prozës, e cila në shekujt e parë të pushtetit arab e zhvilloi dhe rimoi edhe prozën e pa lidhur, dhe ishte shumë e pasur edhe me letërsinë artistike dhe me ese. Mjeshtri më i madh në ese, e në të vërtet edhe në prozën arabe ishte Amr ibn Bahr, i njohur si el Xhahiz, <> (vdiq më 869). Me prejardhje nga Basra dhe nip i robit të zi, ai për shkak të gjithë anshmërisë, origjinalitetit
dhe tërheqjes së tij zënë një vend unik në literaturën arabe. Dituria dhe mësimet ishin të prejardhjes fetare. Gramatika dhe leksikografia u krijuan nga nevoja që të interpretohet dhe shpjegohet Kurani. Në Medinë besimtarët e devotshëm të shkollës së vjetër ishin të preokupuar me shkencat religjioze në aspektin e ngushtë-të interpretimit të Kuranit, me formulimin e dogmës dhe mbledhjen e rregullimin e traditës. Kjo solli deri te formimi i shkollave juridike islame dhe të historisë, të cilat u zhvilluan nga ligjet dhe biografia e ngritjes në Traditë. Lënda ligjore u zhvillua i përpunuar në kodin juridik-Sheriat. Historia tek Arabët filloi me biografinë e Profetit. Atë e pasuroi mbledhja e traditës gojore e historisë para islame Arabe, kurse më vonë si shembull ju shërbyen kronistët e oborrit persian Sasanid, që në mesin e arabëve i sollën të konvertuarit persian. Arabët kanë ndjenjë të fortë për histori dhe shumë shpejtë formuan vëllime historike të llojeve të shumta: të historisë së përgjithshme, historisë lokale, historitë individuale të disa familjeve, fiseve dhe institucioneve. Veprat më të hershme të historisë arabe mezi që janë diçka më shumë se librat lëndor të shkruara në mënyrë të traditës udhëzuese, ndërsa përbëhen nga rrëfimet e dëshmitarëve të futura përmes një serie dëshmitarësh të cilët i transmetojnë. Nga këto informacione, që janë narrative dhe aty këtu të interpretuara, u zhvillua historia, e cila arriti kulmin në veprën e Ibn Haldunit (1332-1406), historianit më të madh arab, e ndoshta edhe mendimtarit më të madh të historisë së mesjetës.
Literatura religjioze me të madhe iu kishte ekspozuar ndikimit krishterë dhe hebrenj, veçanërisht në periudhën e parë, dhe për këtë arsye në Traditë ishin futur shumë materiale apokaliptikë dhe talmudistë. Literatura religjioze në kuptimin e gjerë ka filluar nën ndikimin e krishterimit Sirianë, kurse më vonë edhe nga mendimi grekë. Në filozofi dhe në gjitha shkencat: matematikë, astronomi, gjeografi kimi, fizikë, në historinë e natyrës dhe në mjekësi, ndikimi grekë ishte më i rëndësishmi. Përpjekjet e mëdha që të përkthehen librat greke, qofshim ato nga origjinali apo nga përpunimet siriane, provokoi një vrull të ri shkencor në shekullin e nëntë dhe dhjetë. Shkollat greke mbaheshin në Aleksandri, Antiohi dhe në vende tjera, kurse në Persi ato mbaheshin në universitetin e Xhundishapurit, të cilën e kishin themeluar të ikurit nestorin nga Bizanti në Persin sasanide. Përkthimet filluan gjatë dinastisë Emevide (Dinastia e parë Islame 661-750 Sh. V.), atëherë kur ishin përkthyer disa vepra greke dhe kopte të shkencës së kimisë. Gjatë kalifatit të Omerit II një hebre nga Basra, i quajtur Masarxhevajh, përktheu veprat e mjekësisë siriane në gjuhën arabe, me çka i vuri themelet e veprave mjekësore në shkencën arabe. Përkthyes, thjeshtë ishin të krishterët dhe hebrenjtë, kryesisht Sirianë. Përkthimet gjatë kohës Emevide ishin të përkohshme dhe individuale; nën Abasidët ishin të organizuar, dhe nën ndikimin zyrtar. Më së shumti u përkthye gjatë shekullit nëntë, e veçanërisht gjatë sundimit të Mamunit (813-833), i cili në Bagdad kishte themeluar shkollën e përkthyesve, me bibliotekë dhe stafin e rregullt. Njëri prej përkthyesve më të rëndësishëm ishte Hunejn ibn Is’haku (rreth viteve 809-877), mjek krishterë nga Xhundishapuri, që kishte përkthyer opusin e Galenit, Aforizmat e Hipokratit dhe shumë vepra tjera. Përkthyesit e tjerë merreshin me astronomi, fizikë, matematikë dhe lëndë tjera, që i përkthenin nga gjuha greke në siriane ndërsa më shpesh në arabishte. Kalifët i dërgonin dijetarët nëpër vende të ndryshme e. deri në Bizant në kërkimin e dorëshkrimeve.
Disa nga ata përkthyes të parë i dhanë edhe veprat e tyre personale, thjeshtë që ishin përmbledhje të shkurta dhe interpretimet burimore greke. Megjithatë, së shpejti u paraqitën gjeneratat e shkrimtarëve mysliman burimor, kryesisht Persian, dhe në mesin e tyre edhe persona të tillë siç ishte mjeku Razi (865-925), tjetri mjek dhe njëkohësisht edhe
filozof Ibn Sina (Avicena) (980-1037) dhe, më i madhi prej të gjithëve El Biruni (973-1048), mjek, astronom, matematikan, fizikan, kimist, gjeograf, dhe historian dijetar i thellë burimor, njëri nga fenomenet intelektuale më të mëdha të Islamin mesjetar. Në shkencat e mjekësisë Arabët nuk e prekën teorinë themelore greke, por atë e pasuruan me përkujdesjen praktike dhe me përvojat klinike. Më i madh dhe më burimor është kontributi i tyre në matematikë, fizikë dhe kimi. Ata janë të parët që futën në përdorim zeron dhe të ashtuquajturat numra arab-megjithëse ajo nuk është zbulim burimor arab-në sistemin kryesor të teorive të matematikës dhe i sollën nga India në Evropë. Algjebra dhe gjeometria, e veçanërisht trigonometria-pjesa më e madhe e së cilave vijnë nga arabët.
Në filozofi futja e ideve greke kishte rëndësi të madhe: ato në plan të parë plotësisht erdhën në shprehje tek nën ndikimin e Mamunit, kur përkthimet e Aristotelit ndikuan në tërë filozofinë dhe shikimet teologjike të islamit dhe vepruan më shumë në një seri të veprave burimore të mendimtarëve arab, mesin e të cilëve mund t’i cekim Kindin( vdiq rreth vitit 850)-ai rastësisht ishte i vetmi arab i vërtet në mesin e tyre-Farabiu (vdiq në vitin 950), Ibn Sina (vdiq 1037) dhe Ibn Ruzhdi (Averosi) (vdiq në vitin 1198).
Zakonisht pohohet,se edhe pse, e vetmja është Lindja që në mënyrë shkencore dhe filozofike e ruajti trashëgimin e Greqisë së lashtë, por e la pas dore trashëgimin letrare dhe estetike, që njiheshin vetëm në Perëndim. Kjo nuk është krejtësisht e vërtet. Arabët e kanë vazhduar traditën greko-romake të artit dhe arkitekturës, të cilën gjithashtu e kanë shndërruar në diçka të pasur dhe të pazakontë. Aspirata e artit bizantin ndaj abstraktes dhe formales u forcua tek islami, ku paragjykimi kundër imazhit të prezantimit të figurës njerëzore më në fund sjelli deri tek arti i stilistikës dhe vizatimet gjeometrike.
Arti islam gjithashtu i mbetet shumë borxh ndikimeve dhe të arriturave persiane dhe kineze. Më së qarti mund t’i shohim në eklektizëm dhe në burimet e civilizimit islam tek zbatimi i arteve dekorative. Nëpër muret e kështjellave Emevite në Siri, gjatë gërmimeve ku janë gjetur enë dhe sende tjera në Irak dhe Egjipt mund të shohim, se si Arabët në fillim i huazonin veprat artistike-por edhe vetë artistët-nga civilizimet tjera, pastaj të pavarur dhe sipas radhës i kopjonin dhe në fund i bashkonin në diçka të re, dhe burimore. Për shembull në Irak në poçarët e gjetura të shekullit nëntë, në të njëjtën kohë shohim zejen e prodhimeve të lashta sasanide, pastaj sendet të importuara nga Kina, imitimet lokale të atyre sendeve dhe krijime tjera të modeleve si fryt i përpjekjeve me të arriturat trashëgimtare dhe shembuj të modeleve. Njëra prej karakteristikave të-të arriturave të artit islam është mjeshtëria e famshme dhe e bukur e poçarive të qelqtë, të cilat gjatë sundimit të myslimanëve u zgjeruan nga Persia deri në Spanjë. Në mënyrë të njëjtë zanatlinjtë e perandorisë Islame e zhvilluan artin në metale, drunj, gurë, fildish, në qelq e mbi të gjitha në pëlhurë dhe qilima: së pari ata huazonin, pastaj i për ngjasonin dhe në fund bënin eksperimente, derisa nuk krijuan stile të reja karakteristike të veta, të cilat sipas tipareve mund të dallohen qartë si Islame.
Nga civilizimet e vjetra buron edhe vetë ideja mbi librin si bashkim fizik, të lidhura me varg faqesh me tituj, përmbajtje, fillim dhe mbarim, kurse më vonë me ilustrime dhe kopertina të zbukuruara. Në fillim veprat letrare në gjuhën arabe publikoheshin vetëm mbas transmetimeve gojore dhe recitimeve, mu për këtë arsye një kohë të gjatë fjala e transmetuar ishte forma e vetme e pranuar në publikim. Por, kur numri dhe shtrirja e realizimeve letrare u shtua shumë, shënimet u bënë të domosdoshme, dhe së shpejti të shënuarat e transmetuara u zhvilluan në diktat, të projekteve të autorëve dhe në fund përfunduan në libër. Këtij procesi i ndihmoi arritja e letrës nga Kina në shekullin e tetë, që vinte përmes Azisë Qendrore. Kjo e mundësoi zgjerimin dhe lirimin e librave, dhe se
bartësit e kësaj të arriture të jetës kulturore mund të krahasohen, edhe pse me përmasa të vogla, me zgjerimin e më vonshëm të botimeve në Perëndim.
Me pranimin e trashëgimisë greke nga ana Islame u shkaktua një luftë në mes racionalizmit tendencioz të mësimeve të reja në njërën anë dhe të atomistikës e të tipareve intuitive të mendimit islam në anën tjetër. Në periudhën e luftës myslimanët e të dy taborëve krijuan një kulturë të pasur dhe të llojeve të ndryshme, e cila në masë të madhe është me vlera të përhershme në historinë e njerëzimit. Lufta përfundoi me fitoren e pastër të qëndrimit islam. Islami, si një religjion me shoqëri të kushtëzuar, i hodhi vlerat, të cilat rrezikonin themelet e parimeve të tyre, por njëkohësisht ajo i pranoi rezultatet e tyre të cilat çdo herë e më shumë i vëzhgonte, i zhvillonte dhe i provonte. Ismajlizmi - revolution manquece i Islamit – ndoshta do të sillte deri tek pranimi i plotë të vlerave heleniste duke shpallur rilindjen humaniste të llojit perëndimor, duke mposhtur rezistencën e Kuranit me imagjinatën ezoterike të interpretimit, ndërsa rezistimin e Sheriatit me sundimin e maturisë së pakufishëm të imamit të pagabuar. Por forcat prapa revolucionit Ismaelit nuk ishin mjaft të fuqishme, dhe ajo u shkatërrua mu në kohën e suksesit më të madh të tyre.
Është e kotë, ndonëse e këndshme, mu merr me analizën e karakterit kombëtar – ajo thjeshtë hedhë më shumë dritë tek analisti se sa tek lënda e analizës. Kombi është aq më shumë kompleks dhe organizëm me forma të ndryshëm, që të lejonte hulumtime të hollësishme statistikore, e cila vetëm do të mund të verifikonte çfarëdo qoftë gjykimi shkencor. Vështirësitë edhe më të mëdha janë kur bëhet fjalë për civilizimet e cila është larg kohës dhe hapësirës dhe e cila na është e njohur kryesisht prej mbetjeve letrare. Gati e tërë origjina e literaturës mesjetare arabe është e pushtuar prej pakicave të vogla të privilegjuara, e cila mes tjerash e kishte edhe atë aftësi që dinte të shkruante dhe që ushtronte patronazh mbi shkrimet. Të tjerët, njerëzit e zakonshëm thjeshtë përgjithmonë u lanë anash, përveç atyre jehonave të zërave të tyre, të cilat të paqarta edhe sot mund t’i dëgjojmë. Por megjithatë pranë këtij gardhi është e mundur të ndahen karakteristikat e caktuara të veçanta, nëse jo Arabëve, si civilizimit udhëheqës të Islamit mesjetar,siç është në pajtueshmëri në artin dhe letërsinë arabe.
Karakteristika e parë, që na bie në sy, është fuqia unike e kulturës arabe që në vete i thith kulturat tjera, që shpesh dhe në mënyrë të gabuar na portretizohen si të imituara. Pushtimet arabe përherë të parë në histori arritën t’i bashkojnë hapësirat territoriale që nga kufijtë e Indisë dhe Kinës e deri tek hyrja në Greqi, Itali dhe Francë. Arabët në aspektin e fuqisë ushtarake dhe politike për një kohë jo aq të gjatë kishin arrit që t’i bashkojnë në një fuqi dhe shoqëri unike deri atëherë dy kultura mesdhetare të kundërta mes veti – traditën heterogjene njëmijë vjeçare të Greqisë, Romës, Izraelit dhe ato të Lindjes së lashtë si dhe civilizimin e pasur Persian, e cila i kishte format e veta të jetës dhe mendimit dhe kontakte të frytshme me kulturat e mëdha të Lindjes së largët, kurse në aspektin gjuhësor dhe fetar Arabët, këtë e kanë bërë për një kohë shumë më të gjatë. Nga jetesa e përbashkët e shumë popujve, fesë dhe kulturës në kuadër të shoqërisë islame lindi civilizimi i ri, që për nga prejardhja dhe themeluesit e saj ishte e larmishme, e cila megjithatë në të gjitha paraqitjet e veta bart vulën e veçantë të Islamit arab.
Nga ky varietet i shoqërisë islame lindi tipari tjetër, e cila veçanërisht i binte në sy vëzhguesit evropian – ajo ishte toleranca proporcionale. Për dallim nga bashkë kohorët e tyre evropian, myslimani i mesjetës rrallë herë ndiente nevojë që me dhunë tua imponojë fenë e vet të gjithë atyre, që ishin nën sundimin e saj. Sikurse edhe Evropiani i asaj kohe, ai mirë e dinte, që do të vij koha kur ata të cilët besojnë në fe tjetër do të digjen në
Xhehenem. Por për dallim nga ai, myslimani nuk e shihte arsyen që ti kërcënohet me gjyqin hyjnor në këtë bote. Myslimani kryesisht ishte i kënaqur me atë, se i takon fesë sunduese në një shoqëri me shumë religjione. Të tjerëve ju vente kufizime të caktuara sociale dhe ligjore si një shenjë të prioritetit të saj, dhe në mënyrë efektive ju kujtonte, nëse ndonjëherë do të ndodh, që ata kanë prirje që ato ti qesin në harresë. Përndryshe ju kishte lejuar lirinë fetare, ekonomike dhe intelektuale si dhe mundësitë që të japin kontribut të rëndësishëm civilizimeve të veta.
Gati sikurse edhe gjitha civilizimet tjera, Islami mesjetar në mënyrë të qëndrueshme i besonte epërsisë së vet dhe, çështjeve të rëndësishme, në vetë-kënaqësitë e saja. Shikimi historiko-islam në profeci, mbas së cilës dërgimi i Muhamedit ishte hallka e fundit në zinxhirin e shpalljeve, në të cilën hebraizmi dhe krishterimi ishin hallka të më hershme, ia mundësoi myslimanit të konsideroi, se si Hebrenjtë dhe të krishterët posedojnë shfaqjet e pakryera të diçkaje, që vetëm ai e posedon plotësisht të përsosur. Kundrejt krishterimit, e cila me shekuj përhapej si religjion i të varfërve dhe të tendosurve para se të bëhet religjion shtetëror i Perandorisë Romake, Islami gjatë jetës së themeluesit të saj u bë kod ligjor i bashkësisë, që përhapej triumfalisht. Pushtimet e mëdha të Islamit në fillet e gjeneratave të reja vulosnin në shpirtrat e besimtarëve bindjet e favorit hyjnor, që shprehej në fuqinë e kësaj bote dhe suksesit të së vetmes bashkësi, që ka jetuar me ligjet e Zotit. Myslimanët kanë mundur shumë të mësojnë nga jobesimtarët e urtë të besimeve tjera, por fundi – fundit gurrë sprovuesi i vlerësimit të atij mësimi ishte Sheriati, dedikuar drejtpërdrejti shpalljes dhe konfirmimit të sukseseve të trashëgimtarëve të tyre.
Fjala në mënyrë >>atomistike<< shpesh përdorej, që të përshkruhet mënyra e mendimit dhe shikimit në botë, që mund të dallohej në shumë forma të civilizimit Arab, dhe që mbizotëron në shumë faza të historisë së tyre. Me te mendojmë në tendencën e jetës dhe botës që të shikohet si në një varg statistikash, konkrete dhe të njësive të ndara, jo fort të lidhura në një lloj mekanike ose të një shkaku lidhjeje,të cilat ndërlidhen me ndonjë rrethanë apo vullnet të ndonjë individi, por nuk kanë kontakte personale organike mes veti. Megjithëse ajo në asnjë mënyrë nuk është tendencë e përgjithshme, ajo ka ndikuar në jetën e Arabëve në shumë mënyra të ndryshme. Arapi nuk mendon për lidhjet dhe varësit e veprave të veta, por vetëm si një shoqatë e grupeve të ndara – religjioni, kombi, klasa – që i mban të bashkuar vetëm vendi nga lart dhe pushteti poshtë. Qyteti i tyre është vendbanim i korporatave, turmave, shtëpive farefisnore, dhe vetëm në raste të rralla e ka identitetin e vet të përbashkët qytetar. Në krahasim prej dijetarëve dhe filozofëve në njërën anë dhe mistikëve në anën tjetër, teologu i thjesht ortodoks, dijetari apo letrari kanë qëndrim të brendshëm të njëjtë ndaj diturisë. Degët e ndryshme shkencore nuk janë rrugët e ndryshme që shpien kah esenca e njëjtë, duke mbledhur zbulimet e veta në lidhjet tërësore, por të veçanta dhe pjesë të pavarura; çdonjëri mban numër të caktuar të pjesëve të diturisë, kurse grumbullimi progresiv i atyre pjesëve e përbënë shkencën. Literatura arabe, në të cilën nuk ka epikë dhe drama, e arrin efektin e saj me një varg vëzhgimesh të ndara dhe karakteristike delikate të gjalla, por të thyer; i lidhin asociacionet subjektive të shkrimtarit apo të lexuesit, kurse shumë rrallë të ndonjë plani të përgjithshëm. Vjershat arabe janë një seri e veçantë e vargjeve të ndara, margaritarë të rreshtuar, që vetvetiu janë të përsosura, dhe zakonisht mund ta zëvendësojnë njëra tjetrën. Muzika Arabe është korale dhe ritmike, atë e zhvillon fantazia apo variacioni, kurse harmonia asnjëherë. Arti Arab – kryesisht e aplikuar dhe dekorativ – më tepër shquhet me detale të hollësishme dhe të përsosura të saja se sa me kompozime dhe perspektiv. Historianët dhe biografët, e po ashtu edhe shkrimtarët e romaneve, i
paraqesin rrëfimet si një seri me lidhje të dobëta aventuriere, por edhe individin e përshkruajnë si të zgjedhurin e vetë, shpesh të theksuar, ashtu si e vëren një shkrimtar i sotshëm, si një përshkrim personal të udhëtarit.
Kjo pikë e fundit na sjell deri te vija tjetër, e mungesës së individualitetit – aq më shumë deri te kolektivizimi - dhe ky tipar i literaturës prozaike arabe përsëritet pa ndërpre. Individualizmi ashpër i Arabëve të parë të kësaj gjenerate u ruajt me fuqi të plotë vetëm në mesin e beduinëve, kurse në qendrat civilizuese i hapte rrugën qëndrimeve pasive dhe madje edhe atyre anonime. Shpesh librin nuk e përfaqësonin si krijimtari personale apo individuale të shkrimtarit, por si një lidhje në zinxhirin transmetues, kurse personalitetin e tij autori e fshehte pas mendimit të dëshmitarit dhe të një vargu të transmetuesve. Madje edhe poezia, si një shprehje thelbësore individuale, ishte më tepër publike dhe shoqërore se sa personale dhe intime. Ky afrim që ishte më tepër kolektiviste se sa humane paraqitej në çdo formë të mendimit islam dhe institucional, ndoshta më së qarti tek ideali mysliman të njeriut dhe të shtetit të përsosur, si nga jashtë me modele të aplikuara, të cilave, në teori gjithsesi se çdo kush duhej të orvatej që të përputhej më tepër me imitim dhe aplikim, se sa me zhvillimin e mundësive të brendshme individualo-personale.
Mënyra atomistike e shikimit të jetës plotësisht erdh në shprehje në teologjinë skolastike të El Eshariut (vdiq 936). Pranimi i përgjithshëm i asaj teologjie në një formë apo tjetër shënon reaksionin e fitores përfundimtare kundër lirisë së mendimit dhe hulumtimit, të cilët kishin krijuar arritje madhështore. Esharizmi nga aspekti determinist dhe kazuistik, është edhe autoritativ, dhe kërkon që Ligji i Zotit dhe shpallja të pranohen në mënyrë të verbër – duke mos pyetur si. Ai i mohon gjitha shkaqet sekondare dhe Zotin më me dëshirë e quan Krijues se sa Shkaktarin e Parë. Nuk ka ndonjë farë pasoje të domosdoshme, ndonjë farë ligji natyror apo shkaktar. Mungesa e ushqimit nuk provokon uri të domosdoshme, por zakonisht vetëm e përcjell. Të gjitha rrjedhin drejtpërsëdrejti nga vullneti i Zotit, e cila forcon dhe siguron një renditje të zakonshme apo përshtatje kohore.
Kur dikur ishte përgjithësisht dhe përfundimisht e pranuar dhe qëllimisht e refuzuar nga çdo shkaktuesi, ajo nënkuptonte fundin e mendimit të lirë dhe hulumtimit si dhe pengimin e zhvillimit të historisë arabe, që premtonte shumë. Ajo i përgjigjej mirë nevojave të shoqërisë arabe, në të cilën jeta sociale, ekonomike e lirë e epokës së madhe tregtare ia hapi rrugën feudalizmit statik, e cila shumë shekuj nuk do të ndryshoj. Konflikti i vjetër i të kuptuarit ende digjej në vete, por ky transmetim i ri Islam njëqind vjet nuk ishte kërcënuar seriozisht, deri atëherë kur ndikimi Perëndimor i shekullit XIX dhe XX nuk iu kërcënua organizimit të gjithëmbarshëm tradicional të shoqërisë islame dhe mënyrës së mendimeve të saja, të cilat ishin jehona intelektuale të saja.
*Kapitulli u shkoqit nga Bernard Lewis “ARAPI U POVIJESTI”, (Arabët në histori), Zagreb 1956, faqe 133-145.



BERNARD LEWIS
Përktheu dhe përshtati Shefki Sh. Voca.
U botua në TAKVIM 2017, faqe 305-316.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi