Vizioni i përgjithshëm i mesazhit hyjnor qëndron në atë të realizimit të objektivave madhore. Objektivat madhore në Sunet janë heterogjene dhe shumëdimensionale, por fokusi i kësaj qasje do të jetë në fushën që ka të bëjë me sigurinë shoqërore.
Siguria si komponent i rëndësishëm për organizimin e jetës cilësore duhet të mësohet tërësish, të dihet dhe të jetësohet nga çdo njeri. Atë duhet ta mësoj, duhet ta di dhe duhet ta jetësojë çdo pjesëtarë gjithandej në poret e jetës.
Burimi i dytë i fesë Islame - Suneti, vëmendje serioze i ka kushtuar të gjitha zhanreve që ngërthen botëkuptimi i termit siguri. "Nuk do të hyj në xhenet ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt prej të këqijave të tij". (Muslimi). Kjo porosi duhet t'ia vret mendjen çdo individi, i cili pretendon të jetë besimtar i devotshëm. Neglizhenca ndaj këtij rekomandimi do të rezultonte me zbehje të skajshme, dhe jo reflektim të besimit dhe të përcaktimit fetar ose ideologjik të akëcilit individ. Si një vlerë e pakapërcyeshme pa neglizhim, e vë në pikëpyetje gjithë investimin fetar të individit ose të grupit.
Mbi bazën e fakteve pejgamberike që trajtojnë këtë materie, studiues të ndryshëm më pas kanë ndërtuar dispozita juridike islame, që ndërlidhen me rëndësinë e sigurisë së përgjithshme. Fatkeqësisht mospërfillja ose shkelja e standardeve të asaj që është transmetuar nga i Dërguari i Allahut a.s., në relacion me sigurinë kolektive, kanë rezultuar me prurje të shumta, jo të dobishme. Janë hapur porta të dukurive negative me tendencë rritje, të paragjykimeve, mbjelljes së frikës, dyshimit, pengimi me çdo kusht të prezantimit të vër-tetës, pengimi për të ardhur deri te informimi objektiv, devijimi i informacionet, shtrembërimi i të dhënave, etiketimi, akuzat e ndryshme, shpifjet etj. Rrethana këto të gjitha janë që ndjellin frikë, ankth, vrerosje, tronditje, vrasje dhe gjakderdhje gjithandej nëpër botë.
Çdo aktivitet ose çdo veprimtari rrënuese është e ndaluar me të gjitha ligjet njerëzore, e të mos flasim për dispozitat të legjislacionit që kanë burim Krijuesin e gjithësisë, të cilat me përgjegjësinë e plotë garantojnë gjakun dhe jetën e çdo individi.
Fakti që siguria shoqërore është detyrim hyjnor ka tejshkuar kuptimin e asaj që quhet e drejtë njerëzore, nga motivi se siguria shoqërore përveç faktit si detyrim hyjnor është dhe si diçka thelbësore ligjore e patjetërsueshme fetare, në kontekst të vijimit jo të dhunshëm të ndërtimit të jetës së çiltër njerëzore. Qëndresa e faktorëve që e përbëjnë sigurinë shoqërore është determinues edhe për ndërtimin e qëndresës fetare. Që do të thotë se, dominimi i efektit paqësor në organizimin e jetës së përditshme, ndërlidhet ngushtë me kompetencat e organizimit cilësor të jetës fetare.
Këtij segmenti Kurani i ka kushtuar vëmendje serioze, për shkak të efekteve pozitive në relacion të rregullimit të shpirtit njerëzor; në dashamirësi, nënshtrim, probabilitet dhe përkujdesjes. Gjithnjë në përputhje të plotë me pikënisjen kontraktore, si një aspiratë Islame, dhe si një bazë e fortë konsolidimi, me qëllim që aspekti shpirtëror të mos pësoj devijim nga rekomandimet pejgamberike.
Përgatitjet racionale që i kërkon Kurani dhe Suneti nga besimtari mysliman, përfshijnë të gjitha aspektet; intelektuale, ushtarake, shoqërore dhe politike, që ofrojnë siguri për të gjithë. Energjia e kërkuar nuk është diç tjetër, përveçse kompetencë që mbron të drejtën, që e mbron besën e dhënë (besimin), duke iu kundërvënë tiranit në mbrojtje të të shtypurit.
Çështja e sigurisë si vlerë duhet t'i preokupojë të gjithë myslimanët, sepse është thelbësore për ta çuar në vend parimin hyjnor: "Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie, i Cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike!" (Kurani, 106 : 3-4)
Siguria është substanciale dhe nevojë imanente për ndërtimin e qëndrueshëm të jetës cilësore, mungesa e së cilës do të prodhojë efekte negative; mbjellje të frikës, zhvendosje, persekutime, mos prodhim, mos zhvillim etj. Ashtu që çdo shoqëri do të përjetojë ngecje, degradim dhe jo prosperitet në shumë aspekte të jetës së përditshme.
Siguria shoqërore nënkupton rend publik (ose parrezikshmëri të gjithanshme). Të qenët jashtë çdo rreziku dhe të papriture; gjendje pa ndonjë rrezik a të keqe. (Albanian explanatory dictionary) Konotacioni siguri shoqërore nga prizmi i fesë Islame ngërthen në vete çdo gjë materiale dhe shpirtërore, që i përket të drejtës së individit dhe të grupit, qoftë i përkatësisë fetare islame dhe jo islame, e që sublimohen në pesë nivele; sigurimi i fesë (besimit), sigurimi personal, sigurimi i mendjes, sigurimi i pasurisë dhe sigurimi i nderit. Ruajtja e të cilave është përgjegjësi dhe obligim fetar.
Shprehja siguri nuk nënkupton thjeshtë realizim i të drejtave ndaj të tjerëve, por nënkupton zbatim të përgjegjësive me besnikëri dhe me ndershmëri. "Me të vërtetë Allahu dëshiron që kur të bëjë ndonjë punë ndonjëri prej jush, ta bëj atë të përkryer". (hadith, Ebi Ja'la, 1404 -1984, f. 349)
Vlen të theksohet fakti se kumtesa hyjnore, përkatësisht legjislacioni Islam nuk është diç tjetër, përveç se një vizion i përmbushjes së detyrimeve për arritjen kulmore të sigurisë shoqërore në kontekst të ruajtjes së interesave individuale, grupore dhe kolektive me tendencë të arritjes së lumturisë së plotë në këtë jetë dhe në jetën e përtejme.
Siguria shoqërore paraqet nevojë imanente të patjetërsueshme për çdo shoqëri, sepse fati në rrafshin politik, shoqëror, arsimor, fetar, kulturor, shëndetësor etj., ndërlidhet drejtpërdrejtë me atë. Siguria, në gjithë këto nivele, paraqitet si shtyllë kryesore në shërbim të jetës së çiltër dhe të ndershme. E pamundur do të ishte arritja e mendimit real, e kulturës dhe edukimit të shëndoshë në rrethana të mungesës së sigurisë shoqërore. Kjo do të thotë se siguria shoqërore është përgjegjësi shoqërore, që bie mbi supe të të gjithë anëtarëve të shoqërisë, mbi të gjitha, bie mbi supe të autoriteteve qeveritare dhe të institucioneve civile.
Konotacioni siguri shoqërore është theksuar qartë në këtë hadith: "Shembulli i besimtarëve, në dashuri, mëshirë e butësi janë sikurse një trup, nëse sëmuret një gjymtyrë, pjesët e tjera kanë nxehje dhe pagjumësi". ( el-Bejheki, 2003/1424, 3,422)
Motivimi dhe nxitja e tolerancës dhe e mirësjelljes në këtë hadith është më se e dukshme. Nga besimtari mysliman kërkohet që ai të jetë i mëshirshëm dhe i mirësjellshëm ndaj çdo qenie, pavarësisht nëse është besimtar ose jobesimtar, madje kërkohet nga ai të jetë tolerant dhe i mëshirshëm edhe ndaj kafshëve. Një sjellje e tillë motivon falje dhe fshirje të mëkateve nga ana e Krijuesit të gjithësisë. Andaj është më se e logjikshme që, besimtari mysliman të jetë i prirë, të jetë i pajisur me këtë tipar të çmueshëm fetar dhe zbatues i të njëjtit, i bindur në atë se Krijuesi i gjithësisë asgjë nuk ka krijuar shkel e shko, por çdo gjallesë kryen misionin për çka është krijuar. Hadithi: "Nuk do të hyj në xhenet ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt prej të këqijave të tij", shërben si një bazë juridike islame shumë e fuqishme, lidhur me atë se veprimtaria e cila krijon ambient për siguri të përgjithshme, është shkak për futjen e besimtarëve në xhenet. Në këtë relacion hadithet pejgamberike janë të shumta, por sa për ilustrim do të kisha theksuar edhe këto:
- "Kush gdhihet prej jush i sigurt në shpirtin e tij, familjen e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe ka ushqim për një ditë, është sikur t'i është dhënë krejt bota". (Et- Tirmidhi, 1998, 4, 154). Siç mësohet nga ky hadith siguria personale, siguria shëndetësore dhe siguria e të ardhurave materiale, janë rrethana që besimtarit i sjellin lumturi dhe kënaqësi të plotë në jetë. Realizimi praktik i këtyre synimeve është sikur besimtari të sundonte gjithë botën dhe të mirat e saj. Ndërkaq, nëse do të kishte në pronësi shumë të mira, por për shkaqe sigurie nuk do mund t'i shfrytëzojë, atëherë ç'kuptim do të kishte posedimi i të mirave të kësaj bote!?
I Dërguari i Allahut a.s., i fton besimtarët të jenë aktiv dhe të përkushtuar me veprimet dhe aktivitetet e tyre, në drejtim të jetësimit të sigurisë dhe të qetësisë së përgjithshme. Ai ka ndaluar çdo lloj veprimi, i cili mbjell tmerr dhe frikë në mesin e shoqërisë. Prandaj një nga lutjet e Pejgamberit a.s., ishte kjo: "O Zot m' i mbulo pjesët e turpshme të trupit dhe më dhuro siguri nga frika". (Ahmed, 2001/1421, 8, 403).
Imam Ahmedi regjistron një hadith, përkatësisht një lutje të Pejgamberit a.s., ku ai kur e shihte hënën e re thoshte: "O Zot! Na dhuro neve në këtë muaj siguri dhe besim, padhunshmëri dhe Islam. Zoti im dhe i yti është Allahu". (Ahmed, 2001/1421, 8, 17).
Siç bie në sy, siguria nga kjo lutje e Pejgamberit a.s., ka ardhur në shprehje para besimit (imanit) dhe padhunshmëria para paqes (Islamit). Në përmbyllje të kësaj qasjeje mund të thuhet se ky tekst dhe shumë të tjerë janë shumë domethënës, andaj çdo besimtarë duhet t' i ketë në konsideratë dhe t'i marr parasysh në përditshmërinë e tij fetare.
Doc. dr. Faredin Ebibi
(dekan dhe ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup)