Feja, nevojë e domosdoshme në jetën e njeriut

Vet prania fesë te individi si dhe në bashkësi, vërteton nevojën e sajë në jetën e njeriut në këtë botë. Madje ajo, jo vetëm që është e nevojshme, por është edhe e domosdoshme për jetën e njeriut dhe më gjerë, gjë që do të thotë se pa te nuk mund të paramendohet jeta e lumtur e individit, por edhe e bashkësisë. Po të mos ishte e nevojshme, nuk do të ishte në ndjenjat dhe praktikat njerëzore. Feja si fenomen hyjnor, është e nevojshme, madje e domosdoshme e për shumë shkaqe, pa marrë parasysh nevojën e fesë mund të konkludojmë se


Feja është baraspeshë e shpirtërores dhe materiales

Njeriu si qenie dualiste, e përbërë prej shpirtit dhe materies,për të qenë zëvendës i vërtetë i Allahut në tokë, si dhe për t’ia arritur qëllimit të kësaj bote, duhet të mbajë drejtpeshimin midis këtyre dy elementeve. Dhënia përparësi e cilit do prej tyre, mund të ketë pasoja deri në prishjen e kësaj baraspeshe që është e domosdoshme dhe, nga ai çast, njeriu nuk mund të arrijë më qëllimin e jetës së tij në këtë botë, p.sh. Nëse i jepet përparësi anës shpirtërore, njeriu në këtë rast nuk do të përfitonte më nga kjo botë, nga begatitë e saj, gjë që nuk është nga qëllimet e fesë së vërtetë, përkundrazi, por edhe nëse do të favorizonte elementin material, atëherë do të bëhej rob i emocioneve, i formave të tjera shkatërruese, për pasojë do të shkatërronte vetveten, por edhe bashkësinë në përgjithësi. All-llahu Fuqiplotë duke e ditur se njeriu, megjithëse është më i lartësuar se krijesat tjera, përsëri është i kufizuar në aftësitë e të menduarit dhe se shpeshherë nga presioni i forcave shkatërruese, nuk është në gjendje të mbajë baraspeshën midis shpirtërores dhe materiales, prandaj All-llahu Fuqiplotë i dërgoi atij Shpalljen nëpërmjet të dërguarve të Tij, i dërgoi fenë edhe me qëllim që sa herë të devijojë nga rruga e vërtetët, shpëtimin ta gjejë në fe, si dhe për ta mbajtur drejtpeshimin që përmendëm. Feja në të njëjtën kohë është edhe ushqim i shpirtit të njeriut, sepse sikurse ka nevojë trupi të hajë dhe të pijë, ashtu ka nevojë edhe shpirti i njeriut për ushqim e ky ushqim është feja.


Feja – Nevojë në sferën e të menduarit të njeriut

Feja është domosdoshmëri për të menduarin e njeriut, për arsye se, megjithëse mendja është mjeti dhe begatia më e madhe që i është dhuruar njeriut, përsëri ajo kurrë nuk mund të dijë gjithçka që i intereson njeriut. Madje, edhe atë që di, ajo ka grumbulluar si rrjedhojë e një hulumtimi e studimi që lypin kohë. Mirëpo duke ditur kërkesat dhe problemet që nxjerr jeta, shpesh vonohet mendja për të nxjerrë rezultate, sidomos kur ajo ballafaqohet me shumë pyetje paraqesin nevojat themelore të jetës së njeriut, ndaj të cilëve ajo tregohet e paaftë, si për shembull në lidhje me pyetjet rreth:

Gjithësisë
- Çka është gjithësia?
- Nga ka ardhur?
- Kush e ka krijuar dhe cili do të jetë fundi i saj?

Njeriut
- Ç'është njeriu?
- Nga ka ardhur?
- Cili është qëllimi i ardhjes së tij në këtë botë?
- Ku do të përfundojë dhe
- Ç’e pret atë?

Krijuesit
- Kush e ka krijuar këtë që na rrethon?
- A ekziston Krijuesi dhe kush e vërteton ekzistencën e Tij?
- Me çfarë cilësish është pajisur Ai dhe
- Ç’lidhje ka njeriu me Të?

Këto pyetje si dhe shumë të tjera të ngjashme me to, e kanë preokupuar gjithmonë mendjen e njeriut, por përgjigjen e saktë të tyre, ajo nuk mund ta gjejë pa ndihmën e fesë.
Feja, pra e mëson njeriun se gjithësia si dhe gjithçka që e përbën atë, është krijuar nga All-llahu Fuqiplotë, e rregulluar në mënyrë të saktë, ku çdo gjë i nënshtrohet vullnetit të Krijuesit dhe gjithçka në të është begati e Allahut, dhuruar njeriut. Gjithashtu feja e shpjegon të vërtetën mbi njeriun duke e përcaktuar atë si qenien më të dalluar në tokë, se është i pajisur me mendje dhe, si e tillë paraqitet si mëkëmbës i Zotit në tokë, duke ia dhënë njeriut të gjitha të mirat që nuk janë qëllim i jetës, por vetëm mjet për të arritur qëllimin kryesor, që është njohja e Allahut Fuqiplotë dhe të jetuarit sipas ligjeve dhe zakoneve të Tij. Jeta e njeriut në këtë botë është një udhëtim i shkurtër pas të cilit vjen vdekja, që paraqet fillimin e jetës tjetër të amshueshme, ku do të ringjallet dhe do të japë llogari për veprat e veta. Njeriu nëpërmjet fesë mëson se gjithçka që ekziston është krijesë relative e , si e tillë , ka Krijuesin e vet. All-llahu Fuqiplotë dhe, në të njëjtën kohë feja i ofron njeriut argumente të vërteta që vërtetojnë se Allahu Fuqiplotë ekziston pa asnjë dobësi, i pari para çdo sendi dhe i fundit pa fund, jashtë kohe e vendi.


Feja – Mbështetje e fortë e njeriut në jetë e tij

Feja është nevojë e pashmangshme për personalitetin e vet njeriut, për trupin dhe shpirtin e tij. Njeriu në këtë botë lind, ritet zhvillohet dhe më në fund vdes. Jeta në këtë botë është kalimtare dhe e përcjellur me gëzime, hidhërime, skamje, sëmundje, humbje të pasurisë apo ndonjë të afërmi, kështu që, pa fe, njeriut nuk mund ta mbajë veten dhe në këto raste i vetmi shok i njeriut është feja, e cila të gjitha këto ia përcakton dhe i ndihmon t’i kuptojë duke i bërë të qartë se çdo gjë natyrë zhvillohet në bazë të dëshirës së Allahut të Plotfuqishëm e urtësisë së Tij dhe të gjitha këto kanë qëllimin e vet. Pra, siç thamë, në këto raste i vetmi shok për të është feja, e cila, kur ai është në gjendje të dobët, ia shton forcat dhe i jep shpresë, kur e humb atë, i jep guxim, durim në vështirësi, përmbajtje në gëzim, etj. Mbështetja në fe formon personalitetin e plotë të njeriut, për arsye se me të ai forcon si shpirtin ashtu edhe trupin duke fituar siguri në vetvete dhe është në gjendje të përballojë me sukses çdo rast që i vjen në jetë, i bindur se me te do të fillojë mëshirën e Allahut si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën. All-llahu Fuqiplotë thotë:
“Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta si dhe nga frytet, por ti jepu myzhde durimtarëve”. (El Bkaretu:155).
Shkencat e sotme, që merren me problemin e njeriut, vërtetojnë se besimit në një Zot që merren me problemin e njeriut vërtetojnë se besimi në një Zot ndikon shumë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e individit ndaj problemeve të jetës si dhe të sëmundjeve psikike dhe se njeriu sa më larg fesë të qëndrojë, aq më tepër e ndiejnë pasigurinë ne vetvete.
Mjeku i njohur, Karl Janxhi, në veprën e tij me titull “Njeriu modern” mes tjerash thotë: ”Me të vërtetë një nga shkaqet e sëmundjeve të të gjithë të sëmurëve që më janë paraqitur gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, nga të gjitha viset e botës, ka qenë mungesa e besimit të tyre në Zot dhe shërimin e gjetën pas kthimit të tyre në besim.
Po kështu mendon edhe filozofi tjetër amerikan, William Xhejmsi kur thotë: ”Me të vërtetë shërimi më efikas i sëmundjeve psikike është besimi”.
Njeriu në këtë botë, përveç atyre që u thanë më lart, do të përjetojë edhe vdekjen prej së cilës askush nuk mund të shmanget. Vdekja është e tmerrshme, por vetëm për ata që mohojnë boton tjetër, Ahiretin. Ata që mbështeten tek fjala kanë mësuar dhe janë të bindur se vdekja si dhe shkatërrimi i trupit, nuk janë shuarje të jetës, por vetëm kalim nga një botë në botën tjetër, që do të thotë se pas kësaj ngjarjeje pason jeta tjetër e vërtetë dhe amshueshme. Kjo e bënë vdekjen deri diku të arsyeshme, e jo të pakuptimtë dhe të tmerrshme dhe në të njëjtën kohë njeriu e kupton se duhet të vdes dhe në këtë mënyrë më së miri edhe e tejkalon tmerrin e vdekjes.


Feja – shtyllë e forte e shoqërisë

Feja, përveç tjerash, është e nevojshme për çdo mjedis e bashkësi. Njeriu është qenie shoqërore dhe si e tillë është i detyruar të jetojë në familje dhe bashkësi ku ai duhet të jap kontributin e vet. Por nuk ka bashkësi të shëndoshë nëse nuk ka individ të shëndoshë dhe të moralshëm, që do të thotë se nuk ka bashkësi pa moral. Pra, normat e moralit janë ato që drejtojnë sjelljet e njeriu në bashkësi. Mirëpo baza e normave të moralit nuk është gjë tjetër veçse feja, sepse ato nuk do të respektoheshin, nëse nuk buronin nga ndonjë autoritet i shenjtë, dhe autoriteti i shenjtë është vetëm All-llahu i Plotfuqishëm. Pra, feja është më se e nevojshme për vendosjen e rregullave morale në çdo bashkësi që dëshiron stabilitet dhe dinjitet, se,sikurse ka thanë filozofi i njohur grek, Platon:”Kush sulmon dhe shkatërron fenë, ai ka shkatërruar bashkësinë”


Feja – bazë e moralit të shëndoshë

Morali është domosdoshmëri për çdo individ apo bashkësi se, pa moral nuk mund të mendohet jeta e njeriut dhe e bashkësisë. Pra, morali është pjesë e pandashme e njeriut dhe si e tillë, është i vjetër aq sa edhe vet njeriu. Gjatë historisë, fati i njerëzimit është varur vazhdimisht nga niveli i moralit, se bazë dhe kusht për një jetë të lumtur në këtë botë është respektimi i normave morale. Kur’ani flet për popujt e mëparshëm të cilët u shkatërruan prej dënimit që u dha All-llahu për shkak të rënies së moralit të tyre. Ky mendim është mbizotërues midis dijetarëve dhe filozofëve. Morali, pra, është ligj që i cakton njeriut detyra ndaj vetvetes dhe rrethit, qëllimi i të cilit është lumturia si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Ai nuk është gjë tjetër veçse porosi e fesë, pra në qëllimet kryesore të fesë. Kështu, morali është amaneti më i çmuar dhe më i lartë i Allahut të Plotfuqishëm, me të cilin e ka stolisur shpirtin e njeriut. Muhamedi a.s. ka thënë: “ Jam i dërguar t’i plotësojë vlerat morale”.
Veç të tjerash ndjenjat për moral është e lindur në natyrën e njeriut. Kjo shikohet në atë se gjithmonë gjatë historisë ka ekzistuar një standard i përgjithshëm i sjelljeve morale, duke vërtetuar disa dhe duke hedhur poshtë disa të tjera. Megjithëse kjo ndjenjë, ndryshon nga individi në individ, vetëdija njerëzore ka dhënë përsëri gjykimin e vet të përbashkët në favor të disa cilësive morale se janë të mira, ndërsa disa të tjera i ka konsideruar të këqija, p.sh. drejtësia, sinqeriteti, trimëria, guximi, bujaria, etj., janë konsideruar të këqija. Duhet theksuar se historia i ka çmuar dhe ngritur larg ato individ që kanë pasur ndjenja përgjegjësie dhe obligimi, ndërsa njerëzve të papërgjegjshëm dhe jokompetent u ka dhënë dënimin e merituat moral apo material. Gjithashtu, gjatë historisë janë njohur dhe vlerësuar vetëm ato shoqëri, që kanë pasur vlera të larta, organizim, disiplinë, respekt dhe ndjenja reciproke dhe që kanë punuar dhe vendosur një sistem shoqëror të bazuar në drejtësi, barazi, liri për njerëzimin, kurse, për sa u përket shoqërive në të cilat, ka mbizotëruar padrejtësia, pabarazia, krimi, vjedhja, historia i ka dënuar si shoqëri të gabuara dhe të këqija.



Shaqir Fetahu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip