Universaliteti i Islamit

Nëse një religjion favorizon një racë duke i quajtur pjesëtarët e saj si “njerëz të zgjedhur”, është e qartë se ky religjion nuk është universal. Ndarja e njerëzve në raca dhe ndërtimi i raporteve hierarkike mes tyre, është shembull i favorizimit.

Ekzistojnë tre kritere esenciale që duhet të vlerësohen në universalitetin e çfarëdo religjioni. Le t’i shikojmë dhe le t’i vlerësojmë se ku, sipas këtyre kritereve, klasifikohet Islami.


Një Krijues i vetëm

Para së gjithash, feja universale duhet të jetë e bazuar në besim të plotë në Një Zot të Vetëm, Udhëheqësin e Universit. Duhet të jetë e qartë për qenien intelektuale se koncepti i universalitetit, sipas definicionit, largon çdo ndarje dhe çdo joamshueshmëri të Sunduesit, i Cili e kontrollon Universin.
Nëse do të ekzistonin më shumë zota, do të kishte divergjenca që do të çonin në konflikte. Njerëzit që do të preferonin njërin zot ndaj tjetrit, për rrjedhojë, gjithmonë do të ishin në konflikt. Në Kur’an, në Librin që është Fjalë e Zotit sipas besimit Islam, gjendet sqarimi për mendimin e sipërpërmendur: ”Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zot i Arshit.” (El-Enbija, 22)
Lëvizja e përkryer dhe në harmoni e Diellit, planetëve, hënës dhe yjeve vërteton Njëshmërinë e Krijuesit dhe uniformën e ligjit që Ai e cakton.
Ekologjia, edhe pse një lëndë e re, na jep fakte të pakontestueshme të nënshtrimit dhe harmonizimit reciprok mes pjesëve të pakrahasueshme të kozmosit. Në të vërtetë, universaliteti i ligjeve natyrore shumë qartë vërteton Njëshmërinë e Zotit. Mosbesimtarët anojnë kah injorimi, mohimi dhe jo meditimi mbi ligjet natyrore.
“Është fakt se në krijimin e qiejve dhe të tokës, në ndërrimin e natës dhe të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto) për një popull që ka mend, ka argumente.” (El- Bekare, 164)
Ajeti i përmendur na tregon se koncepti i trilluar religjioz, siç është politeizmi apo besimi në trinitetin e shenjtë (Ati, Biri, Shpirti i Shenjtë), rrëzojnë bazat themelore të universalitetit. Sipas Islamit, thelbi i universalitetit është monoteizmi absolut-tewhidi. Rrënja e tewhidit apo baza e Islamit qëndron në disa fjalë të thjeshta, ama tejet domethënëse:
“Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut.” Allahu na e sqaron në Kur’an se çka është tewhidi: “Thuaj: Ai Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” (Ihlas, 1-4)
Këto ajete, si dhe shumë të tjera, në mënyrë eksplicite dhe kategorikisht vërtetojnë Njëshmërinë e Krijuesit. Zoti ka sundimin absolut dhe kontrollon gjithçka që ka krijuar. Ai i mirëmban krijesat dhe shpall ligje sipas të cilëve duhet të punojmë.


Parimi i barazisë

Kriteri i dytë i rëndësishëm, sipas së cilës vlerësohet universalitetit i fesë, është shpallja e saj për tërë njerëzimin, pa marrë parasysh prejardhjen, racën, nacionalitetin etj.
Vërtet një fe e tillë nuk duhet t’i japë përparësi një populli ndaj tjetrit. Nëse feja favorizon një racë duke i emëruar ithtarët e saj “Njerëz të zgjedhur”, është e qartë se kjo fê nuk është universale. Ndarja e njerëzve në territore dhe ngritja e raporteve hierarkike mes tyre, është shembull i favorizimit. Përkundër një besimi të tillë, Islami insiston në Njëshmërinë e Zotit dhe në unitetin e popullit. Zoti në Kur’an thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet Allahu është i Gjithëdijshëm
dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El-Huxhurat, 13)
Barazia e të gjithë njerëzve para Zotit është një koncept që është nxjerrë drejtpërsëdrejti nga parimi i Njëshmërisë së Zotit. Një Zot, një njerëzi dhe një fe janë bazat e Islamit.


Plotësimi i fesë

Kriteri i tretë është plotësimi i fesë, çka nënkupton udhëzimin, sqarimin e të gjitha kodeve të sjelljes etike që caktojnë raportet mes njerëzve. Në këtë mënyrë pamundësohet veprimi i individëve dhe grupeve sipas tekave të tyre. Islami paraqet sistemin e jetës.
Kur lexojmë Kura’nin apo historinë e të Dërguarit s.a.v.s., gjejmë udhëzimin dhe kahen e të gjitha aspekteve jetësore: qoftë aspektin politik, ekonomik, etik dhe kulturor. Madje, Islami nuk pranon shekullarizmin apo ndarjen e fesë nga jeta publike. Në çdo sferë të jetës duhet të jetë e pranishme ndjenja për Zotin dhe mu për këtë është e palogjikshme ndarja e fizikes nga shpirtërorja (materiales nga spiritualja). Muslimani obligohet të deklarojë: “Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (En-En’amë, 162- 163)
Islami ka ndërtuar një sistem të qartë të mirëmbajtjes së të drejtave civile, siç janë, fjala bie, të drejtat e kurorëzimit, të shkurorëzimit, të trashëgimisë, kodet e veshjes, të sjelljes dhe të mendimit, e gjithë kjo me të vetmin qëllim: adhurimin e të Vetmit Zot. Gjithashtu, ka sqaruar edhe rregullat për mënyrën e udhëheqjes së shtetit dhe rregullat e luftës. Duke analizuar këto kritere, është e logjikshme të vijmë në përfundim se, në të vërtetë, Islami i posedon të gjitha karakteristikat e fesë universale.



Prof. Shahul Hameed
Shqipëroi: Arsim Dauti


Artikulli i kaluar
Nata e Israsë dhe e Miraxhit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip