Hyrje
Plot gjysmë shekull gravitojë pranë xhamisë së Bajraklisë. Qysh nga fëmijëria e hershme e vizitojë xhaminë, pasi që nga mosha 7 vjeçare babai im, shpriti i tij rahmet pastë, më merrte për dore dhe së bashku me te, falesha ndonjë namaz të drekës, iqindisë apo akshamit, e pothuajse rregullisht atë të namazit të xhumasë. Tani, bëhen plot 47 vjet që jam edhe xhematlijë i xhamisë së Bajraklisë duke marrë pjesë çoftë në namazet ditore, javore, mujore dhe vjetore. Ashtu që kam pas rast gjatë kësaj periudhe të kaluar të takoj, të shoqërohem, të mësojë, të ndjek derset, të falem pas shumë imamëve jo vetëm të Prizrenit, por edhe të Kosovës, e besa edhe të ish Jugosllavisë.
Duke marrë parasysh thënjen e imamit të shquar boshnjak mulla Mustafa Basheskisë: ”Çdo gjë që shenohet mbetet, çdo gjë që mbahet mend humbet” iu përkushtova këtij shkrimi me të vetmin qëllim, që të jap kontributin tim modest konform thënies së cituar më lartë, që të shkruaj rreth imamëve dhe myezinëve që kanë shërbyer në xhaminë e Bajraklisë në Prizren, gjatë periudhës së kaluar njëqindvjeçare, dhe atë prej vitit 1917 e gjer në ditët e sotshme të vitit 2017. Kemi për detyrë, çdo njëri me atë njohuri që posedon, të shkruajë që të mbetet e shënuar në letër dhe e publikuar në gazeta, revista, libra apo në media dhe portale elektronike që të mbetet përherë dhe të mos harohen, për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm që do të vijnë të jenë të njoftuar me të kaluarën tonë të pasur jo vetëm kulturore e kombëtare, por edhe atë fetare. Sidomos kemi obligim, të trajtojmë periudhën pas vitit 1912, vit në të cilin u largua Perandoria Osmane nga trojet shqiptare, që këtë njëqindvjeçar të kaluar, të hulumtojmë dhe të shkruajmë sa më shumë që mundemi për këtë periudhë kohore të kaluar të trojeve shqiptare në ish Jugosllavinë e Kralit dhe ish Jugosllavinë e Titos, si dyperiudha gjatë së cilës populli shqiptar përballoi sakrificat dhe vështërsitë e ndryshme duke arritur të ruajë jo vetëm përkatësinë kombëtare por edhe atë fetare myslimane.
Gjithashtu edhe periudhën pesëshekullore të kaluar gjatë Perandorisë Osmane duhet trajtuar e hulumtuara, pasi që janë me qindëra mijëra dokumente arkivore të ruajtura në arkivat e Stambollit, të cilët presin të dalin në dritë për opinionin e gjerë publik shqiptar në Ballkan për të mësuar dhe njohur me shumë elemente të rëndësishme gjatë së cilës shqiptarët në trojet e tyre etnike në kuadër të Perandorisë Osmane kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushat e ndryshme, politike, ushtarake, fetare, kulturore, administrative, arsimore, letare humanitare, tregtare, zejtare, bujqësore, etj.
Këtë punë duhet kryer me një planifikim afatgjatë, jo vetëm në kuadër të institucioneve shtetërore, por edhe të Bashkësisë Islame të Kosovës, që të dërgohen të rinjtë entuziast hulumtues që me vullnet do të qasen kësaj pune, në specializim për të mësuar gjuhën osmane në Stamboll dhe Ankara, pas së cilës do të rreken punës shumëvjeçare të hulumtimit të arkivave të periudhës osmane që kanë të bëjnë me të kaluarën politike, fetare, kulturore të shqiptarëve gjatë periudhës së kaluar të Perandorisë Osmane jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë e Ulqin.
Periudhën e kaluar një shekullore, nga viti 1912 e gjer në ditët e sotshme e kemi më lehtë të hulumtojmë dhe të analizojmë, por duhet pasur vetëm vullnet dhe punë sistematike në hulumtimin e periudhës së kaluar një shekullore, me theks të posaçëm të asaj fetare, pasi e kemi më lehtë të hulumtojmë dokumentet arkivore, të cilët janë në gjuhët dhe alfabetet të cilët sado kudo i njohim dhe mund të përdorim me më pak vështërsi se të periudhës së kaluar pesëshekullore të periudhës osmane. Edhe ky shkrim mëton në vazhdën e hulumtimi të kësaj periudhe të kaluar njëqindvjeçare, që në rastin konkret ka të bëjë me përshkrimin dhe hulumtimin e imamëve dhe myezinëve që kanë shërbyr në xhaminë e Gazi Mehmed Pashës(Bajraklisë) në Prizren gjat periudhës kohore 1917-2017.
Punimi që kam trajtuar përmban hyrjen, një histori të shkurtër të xhamisë së Gazi Mehmed Pashës(Bajraklisë), pas së cilës pason pjesa tematike e hulumtimit dhe përshkrimit të imamëve të xhamisë së Bajraklisë, duke vazhduar me myezinët e xhamisë së Bajraklisë , duke e përmbyll me një përfundim të punimit në fjalë dhe bibliografinë e përdorur.
Në fund jam i vetëdijshëm, dhe kërkoj ndjesë nga lexuesit, për gabimet eventuale që kan mund të përvilen gjatë trajtimit të këtij punimi, e veçanërisht të viteve të cekura, edhe pse jam përpjekur që sa më përafërt të jem me data dhe vite, gjatë hulumtimit të materialeve të gjetura, por edhe nga deklaratat e mara nga personat e kontaktuar, ka mundësi diku edhe të kem gabuar pa dashje.
Vetëm Allahu është i pagabueshëm dhe vetëm atij i falemi dhe vetëm prej tij kërkojmë mëshirë, me shpresë se në ditën e ringjalljes, do të na mëshirojë me mëshirën e tij të pafundme . Amin!
Historia e xhamisë së Gazi Mehmed Pashës(Bajraklisë) në Prizren
Është xhamia qendrore e Prizrenit, ndërtimi i saj ka filluar në vitin 1571 dhe ka përfunduar në vitin 1574 nga Gazi Mehmed Pasha, një pasha(gjeneral) i famshëm osman i cili ka marrë pjesë në shumë beteja, dhe ka lanë shumë vakëfe (fondacione). Mehmet bej Dukagjinzade(më vonë merr titullin pashë dhe njihet si Gazi Mehmet Pasha), i cili shërbeu një kohë në pozitën e sanxhakbeut të Shkodrës, në vitin 1571 ka lënë një shumë të madhe parash me të cilin ndërtoi kompleksin fetaro-arsimor në qendër të qytetit të Prizrenit në mahallën e Bajraklisë. Kompleksi i tij përbëhet prej xhamisë, mejtebit, ders-hanes, medresesë, hamamit, bibliotekës dhe tyrbes. Të gjitha këto objekte edhe sot e kësaj dite janë të ruajtura, por tani disa janë me destinacione tjera, përveç xhamisë së Gazi MehmetPashës e cila në popull njihet më shumë si xhamia e Bajraklisë.
Për ndërtimin e kompleksit fetaro-arsimor, Gazi Mehmet Pasha ka lënë vakëf (fondacion) shumën prej 340.000 akçash të destinuara për ndërtimin e medresesë dhe xhamisë. Gazi Mehmet Pasha ishte me prejardhje shqiptare, ka qenë djali i Ahmet bej Dukagjinit, i cili gjatë vitit 1514-1515 ishte në pozitën e Vezirit të Madh të oborrit të Perandorisë Osmane. Ahmet bej Dukagjini ishte nip i familjes së njohur mesjetare shqiptare feudale, të Dukagjinëve, posedues tokash të mëdha në fushën e Dukagjinit.Tyrben Mehmet Pasha e ngriti në oborr të xhamisë së Bajraklisë me dëshirë që aty të varrosej, por ajo ka mbetur bosh, pasi që ai ka ra dëshmor në një fushëbetejë në Hungari në vitin 1596 dhe atje është varrosur.
Në tyrben e ndërtuar tani është vendosur biblioteka me dorëshkrime të vjetra orientale, në të cilin gjenden rreth 200 libra nga koha e Perandorisë Osmane në gjuhën arabe, perse dhe osmane (turke). Aty gjendet edhe një raritet i rrallë me vlerë jashtëzakonisht të madhe, dorëshkrimi i vjetër i Kur’anit nga viti 1312. Medreseja e Gazi Mehmet Pashës ka qenë medreseja më e vjetër, jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë, e cila ka punuar gjer në vitin 1947 kur u ka mbyll me dhunë nga pushteti i atëhershëm lokal komunist.
Në popull është e njohur me emrin xhamia e Bajraklisë, pasi që prej ditëve të para të punës së saj, është ngritur flamuri në maje të minares për nderë të ditëve festive dhe festave të Bajramit, traditë e cila vazhdon edhe në ditët e sotshme. Mbi derën hyrëse të xhamisë qëndron mbishkrimi në gjuhën osmane, ku përveç tjerash shkruan: “se kjo xhami është ngritur në vitin 981 hixhri, nga ana e Gazi Mehmed Pashës i cili nuk e ka ngritur këtë xhami për shyhret(bukuri), por për emër të Allahut, të shërbejë qytetit të Prizrenit”. Në vitin 1993-1994 nën udhëheqjen e imamit të tanishëm aktual të xhamisë së Bajraklisë mulla Reshat ef. Mexhiti dhe në koordinim të plotë me Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit si dhe ndihmës së pakursyer të xhematit të Prizrenit është kryer restaurimi i tërësishëm i xhamisë së Bajraklisë dhe mund të themi lirisht se sot kompleksi i xhamisë së Gazi Mehmet Pashës në kuadër të cilit hynë medreseja(tani muzeu i Lidhjes së Prizrenit), ders-hanja(tani shtëpia e Lidhjes së Prizrenit), biblioteka, mejtepi(tani ndërtesa e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit), paraqet me të vërtet “per exellens” të xhamisë më të rregulluar dhe më të mirëmbajtur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë dhe mund të krahasohet si i tillë vetëm me kompleksin e xhamisë së Gazi Husrevbeut në Sarajevë të Bosnjës.
Kur jemi tek kompleksi i xhamisë nuk mund e të mos përmend edhe 8 çeshmet (krojet), të cilët gjenden në oborr të xhamisë, dhe nga të cilët rrjedh uji pandërprerë natë e ditë, gjer para luftës së Kosovës, kishte ujësjellës të posaçëm që nga periudha e ndërtimit të xhamisë , i cili për fat të keq viteve nëntëdhjeta të shek. XX-të është kyçur në kompleksin e ujësjellësit të qytetit, e cila gjatë periudhës së kaluar historike kur ka qëlluar ndonjë avari apo prishje të ujësjellësit të qytetit, i tërë qyteti është furnizuar me ujë prej xhamisë së Bajraklisë gjer në evitimin e prishjes së ujësjellësit të qytetit.
Imamët e xhamisë së Bajraklisë në Prizren
1. Hafëz Qamil ef. Imami(1917-1945)*
2. Hafëz Sylejman ef. Shehapi(1945-1947)*
3. Hafëz Ismailhaki ef.Ustaibo(1947-1959)*
4. Hafëz Safet ef. Basha(1959-1965)*
5. Hafëz Aziz ef. Hoxhallari(1965-1977)*
6. Hafëz Adnan ef. Rexhepi(1977-1980)*
7. Mulla Reshat ef. Mexhiti(1987-në detyrë)*
*vitet e shërbimit në detyrën e imamit në xhaminë e Bajraklisë
Hafëz Qamil ef. Imami - u lind në Prizren në vitin 1879, rrjedh prej një familje të njohur qytetare dhe me traditë të lartë fetare, e cila ka dhënë imamë, hoxhallarë, hafëzllarë. Babai i tij ka qenë hafëz Mehmed ef.Imami, vëllau i tij, hafëz Abdyli etj.Hifzin e kreu tek i ati, hafëz Mehmed efendiu. Pas hifzit kreu edhe medresenë e Gazi Mehmed pashës në Prizren. Për herë të parë praktikën e kreu gjatë muajit të bekuar Ramazan, dhe për 27 netë e bëri Kur’anin hatme. Një natë i kishte thënë xhematit në xhami: “Nëse jeni në gjendje të qëndroni, kam mundësi që për tri netë ta përfundoj Kur’anin në tërësi!” Vërtet, ashtu siç ju premtoi, për tri netë në teravi nga dhjetë xhyza i këndoi dhe Kur’anin e përfundoi!
Pas kësaj ngjarjeje të veçantë, u caktua imam në xhaminë kryesore të Prizrenit, në xhaminë e Mehmed Pashës (Bajraklisë) në vitin 1915, ku e kaloi tërë jetën në shërbim për të vërtetën, gjer në vitin 1945. Një vit, para se të ndërronte jetë, u sëmurë, dhe pas kësaj e la në amanet që në vend të tij, të caktohet hafiz Ismailhakiun në pozitën e imamit në xhaminë e Bajraklisë.
Hafëz Qamili ishte një hafëz me shumë vlera, çmohej, nderohej si hafëz i rrallë, i fortë dhe me zë shumë të bukur, kishte nxjerrë hafëzë që u bën të njohur sikur ishin hafëz Maksut Spahiu, hafëz Sami Sylbije, hafëz Ismailhaki Ustaibo, hafëz Reshad Opoja, hafëz Safet Basha , hafëz Asije Ashqiu etj.
Gjatë kohës sa ishte imam në xhaminë e Bajraklisë, paralelisht përveq që mësonte hifzin talebeve, jepte mësim edhe në medresenë e Gazi Mehmed Pashës, ashtu që në detyrën e imamit të xhamisë i ndihmonte vëllau i tij hafëz Abdyli, i cili ishte edhe imam ofiqar për mahallën e Bajraklisë. Ashtu që zakonisht hafëz Qamil efendiu i falte namazët e sabahut, akshamit dhe jacisë, ndërsa vëllau i tij hafëz Abdyl efendiu namazin e drekës dhe iqindisë. Hafëz Qamil ef. Imami ndërroi jetë në vitin 1945 dhe u varrosë në varrezat Kuriçeshme të Prizrenit. Shpirti i tij rahmet paste!
Hafëz Sylejman ef. Shehapi - ishte me prejardhje nga Tetova, ka shërbye në në xhaminë e Bajraklisë 3 vite, 1945-1947, me ç’rast besimtarët mysliman të Prizrenit kanë treguar respekt të madh ndaj tij. Hafëz Sylejman ef. Shehapi u lind në vitin 1892 në Tetovë. Hifzin e kreu tek hfz.Xhemil efendiu. Studimet i vazhdoi në Stamboll të Turqisë, ku pasi diplomoi një kohë punoi në Stamboll.Në vendlindje u kthye në vitin 1921 dhe u emërua imam në xhaminë e Çarshisë së Epërme, njashtu ishte edhe të myderriz në medresenë e Çarshisë së Epërme në Tetovë, ku shërbeu deri në vitin 1944. Ka qenë edhe myfti i Tetovës prej vitit 1940 deri në vitin 1942. Një kohë ka ushtruar edhe detyrën e gjykatësit në Gjykatën e Tetovës.
Nga Tetova u detyrua të largohej, pasi erdhën në pushtet komunistët sllavo-maqedonë, me ç’rast u vendos në Prizren në fund të vitit 1944. Në Prizren e vendosën në një dhomë në medresenë e Mehmed Pashës, me ç’rast e emërua edhe si myderriz (profesor) në medresenë e Mehmed Pashës, dhe imam në xhaminë e Bajraklisë. Ka qenë hafiz, alim (dijetar) i madh dhe atdhetar i flaktë. Për vetëm tre vjet që ka shërbye me devotshmëri, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Prizren që akoma kujtohen. Aq respekt të madh kishte për te në Prizren, sa që për Ramazan shtyheshin qytetarët e Prizrenit se cili do t’a përgatisë iftarin dhe syfyrin për hafëzin, myderrizin e nderuar të medresesë si dhe imamin e Bajraklisë meqë banonte në një dhomë i vetmuar në medrese. Për derset apo ligjëratat e t’ia që mbante flitej me javë dhe muaj, jo vetëm në Prizren por edhe më gjerë. Edhe babai im shpesh gjatë kujtimeve të t’ia më ka rrëfyer për këtë personalite me nam që kishte lënë mbresa të veçanta, për të cilën më thoshte nuk kishte ylema si ai në atë kohë gjatë së cilës jetoi dhe veproi për vetëm tre vite në Prizren.
Me një vendim, urdhër të pushtetit komunist vendor, hafëz Sylejman ef. Shehapi u detyrua të largohej nga Prizreni. Hafëz Jakub ef. Muqeziu në vitin 1948 e mori me vete, dhe e strehoi hfz.Sylejman efendiun në Sarajevë . Atje hafëzi tetovar gjeti strehim dhe mbështetje nga boshnjakët nëpërmjet lidhjeve që pati hafëz Jakub efendiu. Por, hafizin e nderuar edhe atje nuk e lënë rahat, nuk zgjati shumë, një ditë prej ditëve, një futbollist serb prizrenas, i cili luante në atë kohë për klubin futbollistik ”Metohia” të Prizrenit, gjatë shkuarjes në Sarajevë për të zhvilluar një ndeshje futbollistike miqësore, rastësisht e takoi hfz. Sylejman efendinë në rrugë, e njohu, dhe menjëherë shkoi në zyret e OZN-ës (shërbimi sekret jugosllav), në Sarajevë dhe e denoncoi hafëzin si njeriu që ishte kundër sistemit dhe rendit qeverisës komunist. Nuk shkoi shumë kohë pas kësaj, hafëzi u burgos dhe u deportua në Gjykatën Hetimore në Shkup. Ndërroi jetë në burg, për shkak të torturave të ushtruara ndaj tij. Akoma nuk dihet varri i tij, sikur nuk dihet as dita kur ka ndërruar jetë.
Hafëz Ismailhaki ef. Ustaibo - u lind në vitin 1921 në Prizren. Hifzin e kreu në vitin 1937 së bashku me hfz. Nysret efendin dhe hfz. Sylejman efendin tek muhafizi i shquar i kohës hfz.Qamil ef, Imamit. Para hifzit kreu shkollën fillore, kurse medresenë e Gazi Mehmet Pashës në Prizren e përfundoi në vitin 1940. Rrjedh nga një familje e njohur prizrenase me traditë fetare e qytetare. Hfz. Ismailhaki Ustaibo ka punuar si imam në xhaminë e Emin Pashës, të Sinan Pashës si edhe në xhaminë e Gazi Mehmed Pashës (Bajraklisë) në Prizren në të cilin shërbeu nga viti 1947 gjer në vitin 1959. Nga vitit 1948 ishte zgjedhur edhe kryetar i Këshillit të Vakëfit të Prizrenit. Në vitin 1950 u emërua edhe në detyrën e myftiut të Prizrenit. Hafiz Ismailhaki ef.Ustaibo prej 1 janarit të vitit 1960 u caktua drejtor i medresesë “Alaud-din”, gjatë udhëheqjes së tij e ngriti medresen nga një rang i ultë që ishte në një rang më të lartë e barazoi me gjimnazin e atëhershëm në Prishtinë.
Më 14 tetor 1963 me dekret u zgjodh kryetar i kryesisë së Bashkësisë Islame në RSS me seli në Prishtinë. Këtë detyrë e kreu deri në çastet e fundit të jetës së tij. Për plot 20 vite, sa ishte në detyrë ka dhënë një kontribut të çmuar, për jetën fetare islame në Prizren në veçanti, kurse për Kosovën në përgjithësi. Në vitin 1979 u zgjodh për kryetar të Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame në ish Jugosllavi. Hafëz Ismailhaki Ustaibo dallohej me zërin e tij të bukur, të bilbilit, gjatë këndimit të Kur’anit. Ka qenë kënduesi më i mirë i Kur’anit të gjeneratës së tij, si fëmijë në atë kohë që isha e kam mbajt në mend dhe këndim më të bukur të Kur’anit gjer tani nuk kam arrit të ndëgjojë sikur ai që këndonte për bukuri Kur’anin.
Gjatë viteve 70-ta të shek.XX-të gjatë një vizite në Malejzi së bashku me Reisin e atëhershëm të ish Jugosllavisë Sylejman ef. Kemurën, nga nikoqirët ishin ftuar të marrin pjesë në garën e këndimit të Kur’anit që mbahej në Kuala Lampur në një stadion para 50.000 shikuesëve. Në atë rast Reisi iu drejtua nikoqirëve që të lejojnë që edhe hfz.Ismailhakiu të mer pjesë në garë të Kur’anit, të cilin nikoqirët me plot dëshirë e pranuan. Hafëz Ismailhakiu lexoi një ashere të bukur me ç’rast i la pa frymë të gjithë të pranishmit, të cilët me duartrokitje frenetike e përcollën këtë bilbil që aq bukur e ka kënduar Kur’anin i cili vinte nga Jugosllavia e largët. Juria e pranishme e shpërbleu me vendin e parë dhe se si shpërblim mori një Kur’an me kopertina të praruara.
Ndërroi jetë më 26 prill 1983 në Prishtinë në moshën 62 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Xhamia e Bajraklisë ishte mbushur përplotë me xhematë, hoxhallarë të ardhur jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Maqedonia, Mali i Zi, Sërbia, Bosna e Hercegovona. Namazin e xhenazes ia fali Reis ul ulemaja i atëhershëm i Jugosllavisë Naim ef. Haxhiabdiqi. Masa e madhe e xhematit, e cila përbëhej prej një numri të madh hoxhallarësh dhe besimtarësh, të cilin Prizreni si asnjëherë më parë nuk ka përjetuar një vërshim të tillë të njerëzve me autoritet dhe renome, u nisën drejt varrezave Kuriçeshme të Prizrenit në të cilin u varros me nderime më të larta fetare.
Hafëz Safet ef. Basha- u lind në vitin 1920 në Prizren. Shkollën fillore katër vjeçare e kreu në Prizren, vazhdoi shkollimin tek hfz.Sylejman efendiu edhe për katër vite tjera. Këtu mori njohuri nga lëmi të ndryshme fetare e laike. Në vitin 1932, në moshën 12 vjeçare filloi mësimin e hifzit të Kur’anit tek muhafizi, Qamil efendiu, i cili ishte imam në xhaminë e Bajraklisë. Për dy vjet e mësoi Kur’anin përmendësh, dhe mori titullin e nderuar, hafëz i Kur’anit, në moshën 14 vjeçare. Në vitin 1934 u regjistrua në medresenë e Gazi Mehmet Pashës, ku u dallua për zgjuarsinë e tij dhe sjelljen shembullore, të cilin e kreu me sukses. Qysh si nxënës filloi të punonte si myezin në xhaminë e Sozi Çelebiut. Në vitin 1943 u emërua imam në xhaminë e Mahmud Pashës (Hoçamahallës) në Prizren. Në vitet 1945-1947 shërbeu si imam në xhaminë e Iljaz Kukës.
Pas kryerjes se shërbimit ushtarak, në vitin 1950 u emërua arkëtar i Këshillit të Bashkësisë Islamë në Prizren. Nga viti 1954 deri në vitin 1959 e kreu detyrën e imamit në xhaminë e Terzi Mehmed Beut (Terzi Mahallës). Hafëz Safet Basha në vitin 1959, pas shkuarjes së myftiut të gjeratëhershëm hfz. Ismailhakiut me detyrë të re në Prishtinë, u zgjodh myfti i Prizrenit, njëherit edhe mori detyrën e imamit në xhaminë e Mehmed Pashës (Bajraklisë).
Në dhjetor të vitit 1982, pas një pune aktive gati 40 vjeçare u pensionua. Hafëz Safet Basha, myftiu i findit i Prizrenit më datë 05.01.1987 ndërroi jetë. Lajmi për vdekjen e tij u prit më pikëllim të madh nga besimtarët e Prizrenit. Xhenazen e të ndjerit e përcolli një numër i madh i xhematit, nga shtëpia deri në xhaminë e Bajraklisë. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe delegacioni i Kryesisë së Bashkësisë Islame i prirë nga kryetari Jetish ef. Bajrami, anëtarë të kryesisë së Shoqatës së Ylemave, Myftiu i Prishtinës, përfaqësues të medresesë “Alaud-din”, pastaj anëtarë të Këshillave të Bashkësisë Islame nga qytete të ndryshme si Prishtina, Gjakova, Dragashi, Rahoveci etj. Namazin e xhenazes së hfz.Safet ef.Bashës e fali kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame Jetish ef. Bajrami. Nga xhamia e Bajraklisë, pas namazit, xhenazja e të ndjerit u nisë drejt varrezave të qytetit të Kuriçeshmes, e shoqëruar nga një numër i madh i xhematit.
Hafëz Abdylaziz ef.Hoxhallari - u lind në vitin 1922 në Prizren. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse hifzin e kreu tek muhafizi i tij, Beqir efendi Kajserliu në mejtebin e xhamisë së Emin Pashës, ku ishte imam hafëz Beqiri. Vazhdoi mësimet në medresenë e Mehmed Pashës tek myderrizi i shquar Hasan ef. Nahi, por, u detyrua t’i ndërpres mësimet si dhe shumë talebe (nxënës) tjerë, sepse regjimi komunist, në vitin 1947, e mbylli medresenë. Shërbeu si imam në xhami të ndryshme të qytetit të Prizrenit, si në xhaminë e Jenimahallës, Emin Pashës, Gazi Mehmed Pashës (Bajraklisë) në të cilin shërbeu me plot sukses prej vitit 1965 e gjer në vitin 1977, pas së cilës kaloi në xhaminë e Terxhuman Skenderit (Dragomanit ), ku edhe u pensionua në vitin 1987.
Hfz. Aziz ef.Hoxhallari ( në popull ka qenë i njohur me emrin hafëz Azizi) ka dhënë një kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj deri në pleqëri të thellë. Ka mësuar shumë talebe, jo vetëm në xhami, por edhe nëpër shtëpi. Tek ai kanë mësuar, kohë pas kohe, edhe hafëz Mersad Ajvazi, hafëz Ardiana Alishani, hafëz Xhengiz Igxhiu. Krahas shërbimit në xhami, gjatë gjithë kohës, sa ka pas mundësi, është marrë me punët e bujqësisë në arat e tij, për të mbijetuar me familjen e tij. Ka qenë shumë modest, gjatë gjithë jetës ka qenë i kënaqur me rrëskun që ia ka caktuar Zoti.
Ndërroi jetë më 5 shkurt 2011, në moshën 89 vjeçare. U varros në varrezat Kuriçeshme të Prizrenit po atë ditë, pas namazit të drekës. Nga xhamia e Bajraklisë deri në varrezat e qytetit u përcjell nga besimtarët dhe qytetarët e shumtë, si edhe hoxhallarët,kolegët e tij të shumtë të qytetit të Prizrenit, si dhe imamët mysafir nga Turqia.
Hafëz Adnan ef. Rexhepi - u lind në vitin 1925 në Brodosanë (Bresanë) të Opojës. Ishte i biri i myderrizit të shquar të Opojës, haxhi Rexhep ef. Ismaili, i cili për plotë 40 vjet ka mirëmbajtur medresenë e Opojës në Bresanë, në të cilën kanë mësuar shumë talebe të cilët, në veçanti, gjatë periudhës komuniste kanë dhënë një kontribut të çmuar në mbajtjen gjallë të fesë Islame në trevën e Opojës dhe më gjerë në Kosovë. Edhe tre vëllezërit tjerë të hfz. Adnanit me dekada kanë shërbyer si imam në rrethe të ndryshme.
Hfz.Adnan Rexhebi shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes, krahas shkollës fillore ai do të ndjek edhe mësimet në medresenë e Opojës në Bresanë tek myderrizi, babai i tij, haxhi Rexhep efendiu. Në medrese do të dallohej për aftësi të veçanta, zgjuarsi dhe aftësi për të mbajtur në mend, kjo i ndihmoi shumë që të mësonte hifzin, përmendësh Kur’anin. Në medresenë e Opojës në Bresanë, hfz.Adnani do të mësojë tetë vjet dhe do të merr diplomën në vitin 1946 nga babai i tij, myderrizi i njohur haxhi Rexhep efendiu. Nga viti 1960 e deri në vitin 1968 shërbeu si imam në fshatin e tij të lindjes në Brodosanë, kurse më vonë u shpërngul në Prizren, ku shërbeu si imam në tri xhamitë e qytetit të Prizrenit, në xhaminë e Sozisë, të Mehmed Pashës (Bajraklisë) nga viti 1977 e gjer në vitin 1980, pas së cilës kaloi me detyrë në xhaminë e Mahmut Pashës (Hoçamahallës).
Detyrën e imamit e vazhdoi me vullnet e devotshmëri të plotë derisa e mbërtheu sëmundja, e cila hafëzin e detyroi të ndahej nga detyra aktive e imamit, që e deshi aq shumë dhe së cilës ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij. Më 2 korrik 2001 hafëz Adnan ef.Ismaili ndërroi jetë. Me kalimin në Ahiret të hfz.Adnan ef. Ismailit, Opoja dhe Prizreni mbetën pa një alim, hoxhë dhe hafëz të nderuar.
Në periudhën kohore 1980-1986 xhamia e Bajraklisë për shkaqe objektive nuk ka pas imam të rregulltë, por imam të përkohshëm, gjatë së cilës në tri vite, 1981,1982 dhe 1983 nga 6 muaj shërbeu si imam mulla Mazllum ef. Mazllumi, disa vite me rallë ka falë namazin e sabahut dhe jacisë, hafëz Jakub ef. Muqeziu, pastaj një kohë ka shërbyer edhe mulla Vahid ef. Hasani, e tjerë.
Mulla Reshat ef. Mexhiti – u lind në vitin 1959 në fshatin Kuklibeg të komunës së Dragashit. Rrjedh prej një familje fetare me prejardhje opojare, pasi që edhe babai i tij mulla Hajriu ka shërbyer si imam. Pas përfundimit të shkollës fillore, kreu medresen Alaudin në Prishtinë në vitin 1979. Pas kësaj shkoi në Kairo dhe në Universitetin Al-Az-har kreu fakultetin, dega e tefsirit. Pas kryerjes së fakultetit u emërua imam në xhaminë e Bajraklisë në vitin 1987, në të cilin detyrë gjendet akoma edhe sot e kësaj dite. Krahas punës si imam në xhaminë e Bajraklisë jep mësim edhe në Medresenë Alaudin, paralelja e ndarë në Prizren.
Sivjet mbushen plot 30 vjet që shërben si imam në xhaminë e Bajraklisë, dhe e ka mbërritur imamin e dikurshëm të xhamisë së Bajraklisë hfz. Qamil ef. Imamin i cili ka shërbyer plot 30 vite. Inshallah mulla Reshati do të ketë ymër e shëndet dhe të shërbej edhe 7 vjet, gjer në pension, dhe pas kësaj kohe do të jetë imami me më së shumti vite që ka shërbyer në xhaminë e Bajraklisë në 100 vitet e fundit, rrafsh 37 vjet. Mulla Reshat efendiu përveç udhëheqjes të rregullt të xhematit të xhamisë së Bajraklisë, në namazet ditore(pesë vaktet), javore (xhumasë), mujore (teravive) dhe vjetore(bajrameve), angazhohet me të madhe për mirëmbajtjen dhe nevojat elementare të xhamisë, veçanërisht aspektin teknik të pajisjes, rregullimit, restaurimit të xhamisë. Ka meritë të madhe pasi me një vullnet të madh i ka organizue dhe udhëheq mbarëvajtjen e punimeve gjatë restaurimit apo renovimit detal të xhamisë dhe oborrit të saj gjatë viteve nëntëdhjeta(saktësisht viteve 1993-1994), dhe lirisht mund të them se ka qenë më meritor për këtë duke u angazhuar me gjithë trupin dhe qenien e tij në këtë aksion të dobishëm rreth renovimit të xhamisë së Bajraklisë.
Myezinët e xhamisë së Bajraklisë në Prizren
1. Ismail ef. Telaku(1917-1927)*
2. Rexhep ef. Rogaça(1927-1947)*
3. Abdyrahim ef. Limani(1947-1950)*
4. Rexhep ef. Rogaça(1950-1963)*
5. Xhelal ef. Hoxhaj(1963-2007)*
6. Xhengiz ef. Igxhiu(2007-2011)*
7. Muhamed Haki ef. Bojniku(2011- në detyrë)*
*vitet e shërbimit si myezin në xhaminë e Bajraklisë
Ismail ef. Telaku- u lind në vitin 1899 në Prizren. Rrjedh prej një familje prizrenase me traditë fetare, pasi që të dy vëllezërit i kishte hafëz, hfz. Abdullah ef. Telaku i shquar si dhe hfz. Beqir ef. Telaku. Mësimet e para i mori në familje si dhe nga vëllezërit e tij, të dy hafizë, ashtu që si ri qysh në moshën 18 vjeqare u bë myezin në xhaminë e Bajraklisë, në vitin 1917, shërbeu si myezin gjer në vitin 1927 me ç’rast ia lëshoi vendin Rexhep ef. Rogaçës i cili ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Vetë Ismail ef. Telaku shërbeu si myezin me siguri pa pagesë, pasi që posedonte një dyçan tekstili në atë kohë dhe me të e ka mbajt familjen. Kishte me të vërtetë një zë të bukur melankolik, dhe mbahej në mend nga qytetarët e vjetër të Prizrenit. Në vitin 1956 së bashku me familjen dhe vëllaun u shpërngul në Turqi, në vazhdën e shpërnguljeve të mëdha shqiptare nga presioni i atëhershëm serb i udhëhequr nga Rankoviqi. Atje u vendos me familje në Bakërkyj të Stambollit. Atje ka hap një dyçan tregtar me të cilin e ka mbajt familjen e tij. Herëpashere bënte kamet sa herë që kërkonin vendasit e atjeshëm në xhaminë e lagjes, pasi kishte zë të bukur. Ndërroi jetë në vitin 1980 dhe u varros në varrezat e Bakërkyjit në Stamboll.
Rexhep ef. Rogaqa- u lind në vitin 1900 në Prizren, në mahallën e Kurillës. Familja e tij ishte me prejardhje nga Restelica e Gorës, por që moti ishin shpërngul në Prizren. Në vitin 1927 u emërua myezin në xhaminë e Bajraklisë ku shërbeu plot 37 vjet gjer në vitin 1963, me një ndërprerje të shkrurtër 3 vjeçare, prej vitit 1947 gjer në vitin 1950, me ç’rast shërbeu si myezin në xhaminë e Dragomanit, pas së cilës u rikthye në xhaminë e Bajraklisë në të cilin vazhdoi të shërbej gjer në vitin 1963, kur edhe u pensionua. Rexhep efendiu mbahet në mend si njeri që ishte fukara, në atë kohë ishte gjendje e rëndë ekonomike, pasi myezinët fare pak apo aspak nuk paguheshin për shërbimin e tyre. Çmohej me zë të thekshëm gjatë këndimit të ezanit dhe esalasë i cili dëgjohej larg qytetit gjer në fushat e Arbanës dhe Petrovës.
Ishte shumë i sjellshëm, me takvallëk dhe shumë i rregulltë në detyrën që e kryente, dhe se në atë kohë pa aspak pritese hipte pesë herë në ditë në minaren 120 shkallës të xhamisë së Bajraklisë për të thirrur ezanin. Pa pritesë edhe në acarin më të madh dimëror nuk e lënte detyrën e vet. Për rregullshmërin dhe hizmetin që i bënte xhamisë, është dëshmia apo rrëfimi i imamit të xhamisë së Bajraklisë hafëz Qamil ef. Imamit për myezini e tij të vyeshëm Rexhep efendinë, të cilin rrëfim më ka treguar djali i hfz.Qamil ef. Imamit, axha Metë Imami rahmetliu.
Para plot 80 vitesh kishte qenë një dimër me acar dhe borë të madhe, në namazin e sabahut për të dalë, myezini i xhamisë së Bajraklisë Rexheb efendiu kishte kaluar rrugën nëpër borë të madhe me trashësi mbi një meter nga maja e mahallës së Kurillës për të dalë në xhami dhe për të thirr ezanin e sabahut, i cili në atë kohë gjatë gjithë jetës së tij është thirrur nga minarja, ku duhej hipur pesë herë në ditë në minaren e lartë 120 shkallë të xhamisë kryesore të Bajraklisë për të thirr ezanin. Kur e ka ndier ezanin e sabahut imami i xhamisë së Bajraklisë, hafëz Qamil ef. Imami i ka thënë djalit të vet:“Ja Allah, i lumi, ai, Rexheb efendiu nuk ka hezitue edhe në këtë borë të madhe të vijë nga maja e largët e Kurillës dhe ta thirr ezanin e sabahut, e si bën unë të mos shkojë të udhëheq namazin e sabahut që shtëpinë e kam larg xhamisë vetëm 100 metra?”
Si i ri, që isha në atë kohë, e mbaj në mend myezinin Rexhep efendinë, pasi që edhe pas pensionimit vinte në xhaminë e Bajraklisë për të falur ndonjë namaz, dhe i cili ishte karakteristik meveshjen e tij, të pantallonave shallvar. Rexhep ef. Rogaça ndërroi jetë në vitin 1983 dhe u varros në varrezat Kuriçeshme të Prizrenit.
Abdyrahim ef. Limani – u lind në vitin 1901 në Prizren. Në vitin 1932 u martua me Ifete Drini bijën e Ali efendi Drinit, me të cilën patën pesë vajza: Jëlldëze, Nadire, Tyrkane, Ajshe dhe Minire. Para se të kryejë detyrën e myezinit në xhaminë e Bajraklisë gjatë viteve 1947-1950, shërbeu si myezin në xhaminë e Emin Pashës. Pasi që në atë kohë myezinët nuk merrnin rrogë, por shërbenin më shumë në mënyrë vullnetare, Abdyrahim efendiu ka pas një dyqan tregëtar me të cilin e mbante familjen. Përveç kësaj ka qenë i njohur edhe për përgaditjen e ilaqit popullor kundër sëmundjes ngjitëse, zhugës(scabies) e cila gjatë kohës së tij ishte bukur shumë e përhapur. Në vitin 1958 u detyrua të shpërngulet në Turqi, me rastin e shëpërnguljeve të mëdha në Turqi që janë bërë nga Kosova e Maqedonia për shkak të politikës së ushtrimit të dhunës dhe presionit nga politika serbe e nxitur nga Rankoviqi. Pas shpërnguljes në Turqi, me familje u vendos në kryeqytetin Ankara. Atje për të mbajtur veten dhe familjen u punësua në fabrikën “Et-ballëk Kurumu” në të cilin punoi gjatë gjithë kohës gjersa doli në pension. Ndërroi jetë në Ankara në vitin 1990 në të cilin u varos larg vendlindjes së tij, Prizrenit të cilin e deshti aq shumë dhe me mallëngjim gjithnjë e përkujtonte atë.
Xhelal ef. Hoxhaj- u lind në vitin 1937 në fshatin Zhur të Prizrenit, shkollën fillore katërvjeçare e kreu në Vlashnjë, pasi që më moshën 5 vjeçare me familje u shpërngul nga Zhuri në Vlashnjë. Dy vjet ka ndjekur mësimet në Medresenë e Gazi Mehmet Pashës në Prizren, nga viti 1945 e gjer në vitin 1947, vit kur u mbyll medreseseja nga sistemi komunist i atëhershëm, me ç’rast morën në qaf shumë talebe(nxënës) që mbetën pa vazhduar, pa përfunduar Medresenë. Komunistët kanë bërë një krim të paparë me Medresenë, pasi që një vatër arsimore me traditë mdi 400 vjeçare, me një vendim të prerë nga pushteti i atëhershëm komunist, u shua një vatër shumë shekullore islame arsimore. Pas kësaj vazhdoi mësimet edhe 2 vjet tek hafëz Sinan efendiu, i cili përkundër ndalesës, organizoi mësimin me 30-40 talebe(nxënës) në shtëpinë e tij në Marash, gjer në burgosjen e tij dhe më vonë shpërnguljen e tij pas presioneve të kryera ndaj tij nga sistemi komunist, për në Turqi.
Pasi që u detyrua të ndërpres dy herë mësimin e tij, haxhi Xhelali në vitin 1958 u emërua myezin në xhaminë e Terzimahallës dhe të Sozisë për një kohë 2 vjeçare. Prej vitit 1960 e gjer në vitin 1963 shërben si imam në fshatin Gjinoc të Suharekës. Në fillim të vitit 1963 me ftesë të hfz, Safet ef. Bashës u emërua myjezin në xhaminë e Bajraklisë në të cilin shërbeu me plotë 44 vjet, gjer në vitin 2007, me ç’rast u pensionua. Zyrtarët e Vakfit të Prizrenit kanë bërë një gabim, pasi që kanë pas dashtë të lejojnë edhe 6 vjet, për të shërbyer myjezin në xhaminë e Bajraklisë, pasi që do të arrinte një rekord, gjysmë shekulli pune pa ndërprerë në xhaminë qendrore të Prizrenit, atë të Bajraklisë. Edhe kështu si i tillë që ishte gjatë 100 viteve të fundit ka qenë myjezinë me kohëzgjatje më të gjatë shërbimi në këtë detyrë, plot 44 vjet pandërprerë në xhaminë e Bajraklisë, i cili e tejkaloi myezinin paraprak Rexheb efendinë i cili ka shërbyer para tij plot 37 vjet në xhaminë e Bajraklisë. Me të vërtetë haxhi Xhelali do të mbetet në kujtim të përhershëm të xhematit të xhamisë së Prizrenit në veçanti dhe të qytetarëve të Prizrenit në përgjithësi, pasi ka pas zë të bukur melankolik si bilbili, dhe se i tillë krahasohej vetëm me Gani Koshin, myezin legjendar gjakovar i cili në Sarajevë i ka shërbyer plot 40 vjet në xhaminë e mbretit në Sarajevë.
Për herë të parë pasi që u emërua myezin në xhaminë e Bajraklisë, në vitin 1963, pasi hypi në minare në namazin e drekës dhe thirri ezanin e parë të tij në Bajrakli xhami, të gjithë nëpunësit që ishin në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili në atë kohë ishte afër xhamisë, dolën jashtë të habitur se nga doli ky zë tani kaq i bukur, ezani i tij i parë u ndie larg gjer në majën Kurillës, Bazhdarhanës e gjer në fushat e Arbanës dhe Petrovës. Me të vërtetë ishte hidajeti(dhuntia) e Allahut që ja ka falë këtë zë të bukur si bilbili haxhi Xhelalit. Akoma ekziston inqizimi i ezanit të tij të xhiruar në vitin 1967 nga studioja televizive e atëhershme e Beogradit, e cila qarkullon dhe është prezent në You Tube me zërin e tij të bukur si bilbili. Përveç ezanit të bukur me të vërtetë edhe meylydin që e këndonte haxhi Xhelali ishte një kënaqësi dhe bukuri e veçantë për ta ndëgjuar. Tani është në moshën 80 vjeçare, me shëndet i mirë dhe vital, po jeton ditët e pleqërisë duke mos harruar të vizitojë për namaz kohë pas kohe edhe xhaminë e Bajraklisë në të cilët shërbeu plot 44 vite.
Hafëz Xhengiz ef. Igxhiu- u lind në vitin 1981 në Prizren. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin për imam në Stamboll. Hifzin e filloi së mësuari qysh në moshën fëminore tek hfz. Azizi, pastaj tek hafëz Ajdini dhe përfundoi tek muhafizi Kadir Tashkën në Stamboll në moshën 20 vjeçare. Shërbeu si myezin në xhaminë e Mehmed Pashës (Bajraklisë) në Prizren plot katër vjet, pas pensionimit të haxhi Xhelal efendisë, prej vitit 2007 gjer në vitin 2011, pas së cilës kaloi në detyrën e re, myezin në xhaminë e Emin Pashës, ku shërben edhe sot e kësaj dite në këtë detyrë në xhaminë e Emin Pashës në Prizren.
Muhamed Haki ef. Bojniku – u lind në vitin 1980 në Prizren. Shkollën fillore kreu në Prizren, ndërsa medresenë Alaudin, paralelja e ndarë në Prizren, e kreu në vitin 1998. Pas kryerjes se medresesë u emërua së pari myezin në xhamin e Ahmet beut(Tabakhanes) në vitin 2006, në të cilin shërbeu plot 5 vite gjer në vitin 2011. Në vitin 2011 u caktua myezin në xhaminë e Bajraklisë, të cilin detyrë e kryen edhe sot e kësaj dite. Është një myezin pedant, i rregulltë, i sjellshëm, me terbije, detyrën e kryen me plot zell e vullnet. Edhe pse xhamia e Gazi Mehmed Pashës karakterizohet me sipërfaqe të madhe jo vetëm të pjesës së brendshme të xhamisë, por edhe të pjesës së jashtme të oborrit, me vullnet dhe pa pritesë e mirëmban xhaminë pastër, ashtu që e bën me të vërtetë xhaminë e Bajraklisë e posaqshme si për nga vjetërsia e saj, rëndësia saj si xhami qendrore e Prizrenit, po ashtu edhe për pastërtinë e saj.
P ë r f u n d i m i
Në përmbyllje të këtij punimi do të konkludojë se sado pak ia kam arritur qëllimit të jap kontributin tim modest, që krahas asaj që gati plot 47 vjet që e frekuentoj xhaminë e Bajraklisë në mahallën e të cilës edhe gravitojë, që përveç obligimit shpirtëror, të adhurimit të Allahut fuqiplotë, të kryej edhe obligimin tim shoqëror, intelektual dhe kulturor,që gjatë kësaj periudhe kohore njëqindvjeqare të hulumtojë të gjithë imamët dhe myjezinët që kanë shërbyer me plot përkushtim në xhaminë qendrore apo kryesore të Prizrenit, GaziMehemd Pashës apo e njohur në popull më tepër si xhamia e Bajraklisë.
Prej imamëve dhe myjezinëve të xhamisë së Bajraklisë, shumicën e tyre kam pas rast të njoh, të shoqërohem, të dëgjojë hytbet dhe vazet, ezanet, mevlydet, etj., të falem gati plot 50 vjet pas tyre, po edhe ata më të vjetrit, imamët dhe myjezinët, që nuk kam pas rast të takoj e të falem pas tyre, bile hiq më pak kam dëgjuar për ta, nga më të vjetrit që kanë rrëfyer e treguar, e në këtë kontest edhe prej babait tim, shpirti i tij rahmet pastë, kam marrë mjaft njohuri dhe informata për imamët dhe myjezinët e xhamisë së Bajraklisë.
Ky punim le të shërbej edhe si formë senzibilizimi për të gjithë të tjerë, që merren me shkrime dhe hulumtime, që të japin kontribitutin e tyre në hulumtimin dhe përshkrimin e xhamive të tyre në të cilët janë falur dhe kanë pas rast të takohen me imamët dhe myjezinët e tyre për një periudhë të caktuar kohore, e sidomos që edhe në hyrjen e këtij punimi kam cekur, të periudhës kohore njëqindvjeqare, nga largimi i Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare e gjer në ditët e sotshme.
Në këtë punim kam trajtuar vetëm një pjesë shumë të vogël të trashëgimisë sonë fetare të Prizrenit, gjegjësisht të imamëve dhe myjezinëve të xhamisë së Bajraklisë, mbetet që studjuesit, hulumtuesit të vazhdojnë me hulumtimin e mëtutjeshëm të figurave tona të ndritshme fetare jo vetëm të Prizrenit por edhe anembanë Kosovës. Pjesën time të përgjegjësisë intelektuale për ndriçimin e imamëve dhe myezinëve të xhamisë së Bajraklisë gjatë periudhës kohore njëqindvjeçare(1917-2017) si pjesë e pandashme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të qytetit të Prizrenit, në rastin konkret të xhamisë së Bajraklisë, me këtë punim e kam shlyer sado pak. Pjesa tjetër takon të gjithë të tjerëve, e sidomos brezave të ardhshme që të vazhdojnë më tutje me pjesën e tyre të përgjegjësisë shoqërore e intelektuale për ndriçimin e mëtutjeshëm të trashëgimisë sonë të pasur jo vetëm atdhetare, por edhe asaj fetare, kulturore që të mbes përherë e shënuar në historinë e ndritshme të së kaluarës sonë kombëtare në përgjithësi, e asaj fetare në veçanti.
Literatura e konsultuar
1. Miftari, Faik”Hafizët e Prizrenit me rrethinë(1912-2012)”, Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit, Prizren, 2012
2. ?, ?????, ??????? ????? ??????????? ??????? ?? 1571. ??????, ???????: ?????????? ????????, 2010.
3. V?rmiça,Raif,’’Prizren Camileri’’,TDB yay?nlar?, Prizren,1996
4. Miftari, Faik”Publicistika e absolventit”, Prizren, 2016
5. Kati?, Tatjana”Osmanizimi i qytetit mesjetar të Prizrenit në shek.XV dhe XVI“, Hikmet nr.11, Instituti për shkencat humane „Ibni Sina“,Prishtinë, 2015