A keni dëgjuar ndonjëherë për Moisiun, Jezusin, Konfuçion, Krishnën apo Budën? A keni dëgjuar diçka për Gandin, apo Martin Luter Kingun? Në të kërkuarit e vazhdueshëm të njeriut për pavdekshmërinë dhe kuptimin, shumë liderë dhe heronj, edhe të mirët por, edhe jo të mirët, kanë lënë gjurmë të paraqitjes së tyre në skenën botërore. Respekti dhe nderimet e mëdha të shfaqura në çdo kohë ndër popujt e kombe të ndryshme ndaj këtyre njerëzve, tregojnë nevojën e madhe njerëzore që t' i besojnë dikujt që është më i madh se ta, e të gjitha këto si përpjekje për të tejkaluar kufijtë e kufizimeve personale.
E shohim se kjo temë përsëritet në tregimet, legjendat, mitet botërore mbi heronjtë dhe personalitetet e idealizuara, të cilët pjesëtarët e vet i kanë ngritur në super-qenie, ose u kanë dhënë statusin hyjnor. Sot, shumë njerëz të arsimuar janë skeptikë dhe tregimet e tilla i vlerësojnë si mbetje të "thjeshta" të kohëve "magjike" të së kaluarës.
Me globalizimin dhe zhvillimet e reja, me paraqitjen e ideologjive dhe religjioneve të reja që njerëzit e kohës bashkëkohore, çdo ditë u ekspozohen, është bërë vështirë të përcaktohesh dhe të dish në çka të besosh. Disa mendojnë që është më lehtë që të injorohen në tërësi çështjet shpirtërore që u imponohen e, në vend të tyre, duhet fokusuar në lidhjen e miqësive të reja, realizimin e karrierës së suksesshme dhe" depërtimin përpara". Gjithashtu e dimë se përkushtimi i tepruar ndaj materializmit "gulçit" arsyen, mendimet dhe shpirtin, kështu njeriu, përkundër përmirësimeve teknologjike, edhe më tej lakmon thellë që të besojë në Fuqinë më të Lartë dhe në udhëheqjen e vërtetë dhe të kërkojë qëllimin dhe kuptimin përfundimtar të jetës në tokë.
Sot, në kohën që po jetojmë, shtrohet pyetja kush mund të jetë i shquar si shembull lideri, të cilin mund ta ndjekim si në çështjet materiale ashtu edhe në ato shpirtërore? Ekziston një udhëheqës i tillë - një person që është shembull i përkryer i udhëheqësit, i cili mund të jetë model i njerëzve më rrënjë të ndryshme - ai është Profeti i Zotit, Muhamedi a.s ..
Detajet nga jeta e Muhammedit a.s. janë ruajtur kujdesshëm, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë objekt i studimeve të historianëve - edhe të atyre nga Lindja edhe e atyre nga Perëndimi. Në kundërshtim me njerëzit dhe udhëheqësit tjerë, të cilët lavdinë e tyre e kanë arritur në sfera të kufizuara të aktivitetit, sukseset dhe të arriturat e Muhammedit a.s. shtrihen në çdo sferë të jetës.
Historiani Michael H. Hart ka shkruar: "Zgjidhja ime që Muhammedi të jetë në krye të listës së njerëzve më me ndikim në botë mund të jetë befasi për disa lexues, apo diskutabile për disa të tjerë. Mirëpo, ai është i vetmi njeri në histori, i cili qe plotësisht i suksesshëm në të dy anët - edhe në atë religjioze edhe në atë shekullare."(1)
Përse një evropian apo amerikan i zakonshëm di pak për njeriun, jeta e të cilit ka qenë aq e mrekullueshme? Qëndrimet e paarsyeshme, irracionale dhe propaganda negative, e cila rrjedh që nga luftërat kryqtare dhe e cila është stërmadhuar në medie, ka shkaktuar "bllokimin mental" te shumë njerëz ndaj të gjitha çështjeve që i përkasin islamit. Meqë kemi hyrë në periudhën e "fshatit global", a nuk është kjo koha e vërtetë për ata të cilët përpiqen të jenë persona pa paragjykime, mendimtarë të pavarur, të cilët nuk do t'i ndjekin qëndrimet e atyre nga epoka e mbijetuar. Ju ftoj ju që t'i ndani disa minuta që të zbuloni të kuptuarit e ri të drejtimeve religjioze dhe duke e bërë këtë ta njihni njeriun të cilin e duan një e pesta e njerëzve të këtij planeti.
Personaliteti më i madh i botës, me meritën e të cilit gjinia njerëzore nisi rrugën e saj të ndriçuar në realizimin e së ardhmes së saj, pa dyshim është Pejgamberi i fundit i Zotit (xh. sh.) - Muhammedi a.s .. Pejgamberia dhe misioni i tij, që e pranoi nga i Gjithëdijshmi, vështrohen nga çdo kënd dhe nga çdo pikëpamje. Dëshira e fundit e çdo njeriu të urtë ka qenë që të lëre diçka të shkruar rreth personalitetit të Muhammedit a.s. Dëshirën tonë këtë herë do ta përqendrojmë në Muhammedin a.s. si shembulli dhe modeli më i mirë për tërë njerëzimin.
Krijuesi i gjithëfuqishëm u ka treguar njerëzve se feja është thesar i tillë, që nuk fitohet dhe nuk përjetohet lehtë. Muhammedi a.s. që në fëmijëri e shijoi fatin e jetimit - humbjen e prindërve, pastaj me radhë edhe humbjen e farefisit të afërm - bashkëshortes Hadixhe dhe të gjithë fëmijëve, përveç Fatimesë, e cila gjysmë viti pas tij u shpërngul në ahiret duke mos mundur të ngadhënjejë dëshpërimin e pafund për babanë. Ndërsa pas pranimit të Shpalljes - gjatë 23 viteve të ardhshme, Pejgamberi a.s. u ballafaqua me të gjitha fatkeqësitë e kohës dhe botës së atëhershme shkretinore. Kulmi i sprovimit për të dhe gjithë grupin e besimtarëve ishte Hixhreti. Krahas vështirësive dhe vuajtjeve që i përjetoi, Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk dyshoi në misionin dhe detyrën e tij fisnike të përhapjes së Fjalës së Allahut. Dyshimi është shkatërrim për shpirtin e njeriut. Ai e dobëson imanin, ia humb fuqinë njeriut dhe mund ta shpjerë në vetshkatërrim. Muhammedi a.s. këtë e tejkaloi me fuqinë e shpirtit të tij kuranor. Sa më të mëdha bëheshin pengesat aq më tepër i shtohej fuqia e tij, pikërisht ashtu sikur malet e mëdha kur i lëshojnë hijet e tyre të thella. Pejgamberi a.s. bëri unifikimin e çdo force të shpirtit dhe trupit, gjakimet e mendjes dhe flakën e zemrës në një fuqi: të jetohet, të fisnikërohet bota dhe të ngadhënjehet e keqja në mënyrë që të jetë më mirë për të gjithë popujt. Thënë shkurt, jeta e tij është rrëfim i shkëlqyeshëm përmes të cilit lexohet etika kulmore: bota ekziston për shkak të vëllazërisë, fetë vijnë që të bashkojnë, e Zoti paralajmëron që të pajtojë.
Fama dhe sukseset e tij pikërisht qëndrojnë në atë që i frymëzuar dhe i përshkuar me mësimin e Kur' anit, ai diti që në këtë botë fenomenale, e cila jeton me jetën e saj vetjake, ta gjejë vendin e vet, t' i harmonizojë dëshirat dhe përpjekjet e tij me rendin dhe ligjet që zotërojnë në botë dhe diti më së miri të zbatojë Fjalën e All-llahut. I sinqertë, me tërë shpirtin e tij dhe me tërë qenien e tij i kthyer kah e vërteta absolute, ai, njëkohësisht, qe i sinqertë dhe i kthyer edhe kah bota, e cila s' është asgjë tjetër vetëm se një shenjë dhe reflektim i asaj të vërtete që ai e përjetoi në mënyrën më të fuqishme.
Është vështirë të haset në histori një shembull i tillë i ekuilibrit jetësor sikurse është rasti me Pejgamberin e Islamit. Pejgamberi (a.s.) ka qenë thellë i vetëdijshëm për këtë të vërtetë. Me plot të drejtë mund të themi se në atë pikëpamje ka qenë Kuran i gjallë që ka punuar, ka vepruar dhe ka thirrur në Islam, shehadet, në të vërtetën, drejtësinë, dashurinë, barazinë, diturinë etj.
Është e pamundur të mos pajtohesh dhe të mos mbetesh i magjepsur para madhështisë së Pejgamberit a.s .. Nuk mund të mbetemi indiferentë ndaj kaptinave, të cilat flasin mbi atë si bartës i moralit dhe karakterit të përkryer, si njeri, baba, bashkëshort mësues, edukator, shtetar, diplomat, burrështetas, mik, dhe çka jo nga veçoritë dhe virtytet njerëzore. "Jam dërguar që të përkryej moralin njerëzor", nuk janë vetëm fjalë, por edhe praktikë e përditshme e Muhammedit (a.s). Gjithashtu hadithi tjetër: "Jam dërguar si mësues" nuk janë vetëm frazë, por edhe realizim e mësuesisë në çdo të mirë njerëzore dhe fisnike.
Me sa u tha më lartë kuptojmë që kur është fjala për të zgjedhurit e All-llahut (xh. sh.) kemi të bëjmë me njerëz të cilët kanë poseduar veti mbi-mesatare, të cilat i kanë bërë të përkryer në formën njerëzore dhe se vetëm ata kanë mundur të jenë të zgjedhurit për detyrën që u është besuar nga Krijuesi i gjithësisë. Asnjë pejgamber i Zotit nuk e ka fituar detyrën e vet deri sa nuk ka flijuar pjesën më të mirë të jetës për luftë dhe përpjekje që ta përgatitë veten për këtë. Gjithsesi secili pejgamber për myslimanët paraqet shembullin e përkryershmërisë njerëzore, pra edhe vetë Muhammedi (a.s.) paraqet si shembullin e përsosmërisë njerëzore, po ashtu edhe të asaj profetike dhe se në të dyja drejtimet ri-prezanton mishërimin kuranor të të dyja dimensioneve.
Prandaj nuk është e rastësishme që Kurani e merr për shembull më të mirë në çdo pikëpamje: "Ju keni shembullin më të mirë në Pejgamberin e All-llahut." (33: 21) Ky imperativ i është drejtuar mbarë njerëzimit, veçmas myslimanëve. Sikur Muhammedi (a.s.) të vendoste të jetonte si melek (engjëll) duke mospërfillur çdo gjë të këndshme, ky imperativ do të mbetej shkronjë e vdekur. Ai, pra, nuk është melek (engjëll), por njeri dhe njerëzve për pejgamber u dërgohen qeniet njerëzore. (Hud: 31).
Përvoja e Pejgamberit a.s., sado që duket jo e zakonshme, duhet vështruar si përvojë e përkryer njerëzore.
Qëllimi praktik i këtij shkrimi është të rikujtojmë shumë çështje, të cilat na mundojnë në jetën tonë islame, të kërkojmë përgjigje në Kuran dhe në shembullin e Muhammedit a.s.
Shumë bashkësi të reja islame të cilat formohen gjithandej botës, ku asnjëherë nuk ka pasur më parë, sidomos në të dy amerikat dhe në Evropën Perëndimore, atë Veriore dhe Qendrore, shpesh theksojnë, pyesin, brengosen se ata do të mund të shkojnë rrugës së formimit të xhematit si ka qenë në fillim të islamit, a do ta ndjekin shembullin e Muhammedit a.s. dhe a do të shfrytëzohet xhamia në atë qëllim që e ka shfrytëzuar Pejgamberi a.s .. ç' do të thoshim ne të cilët kemi lindur si myslimanë dhe të cilët jemi të udhëzuar në burimet kuranore dhe sunnetike? A na brengos edhe ne fakti që në shumë çështje nuk jemi duke e ndjekur Pejgamberin a.s.? Si duket ne myslimanët ende nuk e kemi kuptuar si dhe sa duhet imperativin e parë të All-llahut xh.sh. të shpallur në Kuran, i cili urdhëron: ‘IKRE' - Lexo, mëso. Fatkeqësisht, këtë imperativ kuranor nuk e kemi marrë me seriozitetin e duhur. Nuk e kemi kuptuar domethënien e tij, ashtu si e ka bërë vetë Muhammedi (a.s.). Nuk ka besim pa përpjekje, pa angazhim, pa investim të fuqisë, pa hulumtim. Nëse dëshirojmë të gjejmë mënyrën më të mirë të mësim-besimit si për të rritur, ashtu edhe për fëmijë, por edhe mbi përgatitjen e nënës për punë islame me fëmijët, të pyesim si e ka bërë këtë Pejgamberi a.s .. Ai ka lënë jo vetëm përmbajtje por edhe metodat e punës(2), prandaj dhe Allahu për të thotë: "Ti, vërtet, je në shkallën më të lartë të moralit". (El-Kalem: 4), ndërsa ai për veten e tij tha: "Unë jam Pejgamber i të gjithë atyre që i kam mbërritur dhe i të gjithë atyre që do të vijnë."
Prandaj, kur të flasim mbi elementin e dytë të kelimei-shehadetit, mbi besimin se Muhammedi është Pejgamber i Zotit, kur të flasim mbi të si shembull, të cilin myslimanët doemos duhet ta ndjekin, atëherë, padyshim, duhet ditur se kjo mund të shprehet dhe të vërtetohet në praktikën, jetën dhe veprimin e caktuar. Vetëm fjala, vetëm të deklaruarit e kelimei-shehadetit, vetëm këndimi i salavateve nuk shpreh asgjë, nuk vërteton asgjë, nuk do të thotë kurrfarë qëndrimi. Solemniteti i synetimit, për shembull, ku shërbehet dhe konsumohet alkooli paraqet ironi dhe fyerje të personalitetit të Muhammedit. Ai personalisht për vete nuk ka kërkuar asgjë, nuk lejoi t'i tregohej ndonjë formë e posaçme respekti. Nuk lejoi respektimin formal të përcjellë me gjeste të jashtme duke thënë se ai nuk është mbreti romak as perandori persian.
"Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhëri e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam." (El-Ahzab: 56)
Literatura:
1. Muhammed Hamidullah; Muhammedi a.s. (2), Sarajevë, 1983.
2. Ebul A'la el-Meodudi, Ka razumevanju islama, Sarajevë, 1989.
3. El-Fahri, Muhammedou a.s. lik covjeka i borca, Tuzla, pa vit botimi.
4. Islamska misao, nr. 5011983 Sarajevë.
5. Glasnik VIS-a, nr. 7-811971 Sarajevë.
6. Takuimi 1989, Sarajevë, 1989.
7. Hart, Michael The 100: A Ranking of the Most Influential Persons in History)
8. http://www.nahla.bajbal?
_______________
(1) Hart, Michael) The 100: A Ranking of the Most Influential Persons in History.
(2) (2) Për ne është me rëndësi të veçantë metoda dhe mënyra e punës së Muhammedit (a.s.) në zbatimin dhe zgjidhjen e çështjeve fetare sesa zgjidhjet e gatshme.