Vetëvrasja dhe fajdeja si dy dukuri që po kërcënojnë shoqërinë tonë

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së kësaj jave në fokus ka dy dukuri negative, rritja e të cilave ka filluar të na shqetësojë shumë. Fjala është për dukuritë e vetëvrasjes dhe fajdesë. Sipas statistikave, në Kosovë, ndërmjet viteve 2001-2017, janë vetëvrarë 921 veta derisa 3417 të tjerë kanë tentuar ta bëjnë një gjë të tillë. Ajo që e bënë këtë shifër edhe më alarmante është fakti se ajo prek kryesisht shtresat e reja. Shumica e viktimave të kësaj dukurie janë nën moshën 35 vjeçare. Si dukuri është pasojë e një sërë dukurish tjera, duke filluar nga depresioni, varësia ndaj lëndëve narkotike, fajdeja, edukimi jo i duhur dhe problemet familjare. Shprehur me fjalor fetar, vetëvrasja është pasojë e ikjes nga feja. Njerëzit që kanë motiv fetar të dobësuar dhe që nuk arrijnë dot ta menaxhojnë drejt aspektin shpirtëror janë viktimat kryesore të kësaj dukurie. Të tillët, sikur ta kuptonin se vetëvrasja është mëkat i madh dhe absolutisht vendim i zhdrejtë, sigurisht se nuk do ta bënin një gjë të tillë. Allahu ka thënë: “...dhe mos vritni vetveten! Allahu, me të vërtetë, është mëshirues për ju.” [Kur’ani: Nisa: 29] Njeriu që mbyt vetveten nuk ka gjetur zgjidhjen, ai vetëm sa ia ka komplikuar vetes punët, sepse dënimi për këtë mëkat është vërtetë i rëndë. Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: “Kush mbyt veten duke i zënë frymën (duke u varur), do të qëndrojë ashtu, me frymën zënë, në xhehenem. Kush mbyt veten duke e goditur (shpuar), do të qëndrojë ashtu duke shpuar veten në xhehenem.” [Transmeton Buhariu]

Si ta trajtojmë dukurinë e vetëvrasjes?

Së këndejmi, që ta parandalojmë këtë dukuri, duhet përforcuar motivin fetar dhe duhet ngritur vetëdijen fetare. Të rrezikuarve nga ky fenomen duhet t’iu shpjegojmë se:
1) Jeta është dhuratë e Zotit që i është dhënë njeriut andaj në asnjë rrethanë ata nuk kanë të drejtë ta privojnë veten e tyre prej saj.
2) Fatkeqësitë dhe sprovat nuk janë për të na dëshpëruar. Përkundrazi, po i kuptuam drejtë dhe i investuam në jetën shpirtërore siç duhet, mund të fitojmë prej tyre. Pejgamberi Muhammed a.s. çuditej me punën e besimtarit, i cili shpërblehet në çfarëdo rrethane: në mirësi, për shkak të falënderimit; në fatkeqësi, për shkak të durimit [Transmeton Muslimi]. Pra, nëse durojmë, fatkeqësinë mund të shndërrojmë në shpërblim. Në këtë kontekst, ka edhe diçka tjetër që ngrit vetëdijen e besimtarit dhe e bën të pathyeshëm para çdo sprove e gjendje të rëndë. Dija e tij se çdo gjë është e caktuar nga Allahu, e ngushëllon shumë, sepse e di se ai nuk mund të del jashtë caktimit të Tij. Andaj, në vend të veprimeve të gabuara, ai tërhiqet në adhurim e lutje, që Allahu t’ia lehtësojë, sepse, siç Vetë na ka premtuar: “...e kush i ka frikën Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij!” [Kur’ani: Talak: 2]
3) Mëkatet nuk janë fundi i botës. Çdo njeri gabon. Gabon edhe besimtari, vetëm se ajo që e dallon besimtarin nga të tjerët është vetëdija, e cila, rrjedhimisht, e ndalon të merr ndonjë vendim të gabuar. Pejgamberi Muhammed a.s. e ka përshkruar rastin e një njeriu që ka gabuar, jo një herë, por disa herë, dhe i cili ka arritur të shpëtojë falë mënyrës së duhur të veprimit. Sa herë që gabonte, pendohej. Zgjidhja nuk është vetëvrasja por pendimi. Ja me çfarë thirrje i drejtohet Allahu mëkatarëve: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i falë të gjitha mëkatet. Ai, me të vërtetë, është falës dhe përdëllimtar.” [Kur’ani: Zumer: 53] Se sa i mëshirshëm është Allahu me ne, gabimtarët, flet edhe fakti se na e ka ndaluar rreptësishtë që të mos e humbim shpresën në Të, bile e ka bërë edhe një ndër mëkatet më të mëdha: “...dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Me të vërtetë, shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humbin, përpos populli mohues.” [Kur’ani: Jusuf: 87]

Vëllezër të nderuar!
Dukuri tjetër shqetësuese që vazhdon të rritet në mesin tonë, siç përmendëm më parë, është edhe fajdeja. Se sa është e rrezikshme kjo dukuri mjafton të dimë se ajo, jo vetëm që provokon konflikte, por edhe shkakton dhjetëra vetëvrasje e vëllavrasje. Ajo është duke minuar sigurinë shoqërore dhe me të drejtë është konstatuar se fajdeja është mbase sfida kryesore e sigurisë në Kosovë. Ajo rrënon vlerat humane të bashkëpunimit dhe ndihmës së ndërsjellë. Fajdeja ka në shënjestër njerëzit e dobët, nevojtarët, të cilëve, në vend se t’iu bëhet zgjidhje për hallin e tyre, iu rëndohet gjendja dhe për pasojë ose vrasin, ose vetëvriten. Fajdeja, vështruar nga perspektiva e një shoqërie myslimane me shumicë, siç jemi ne, atakon objektivat kryesore të fesë dhe vlerat më të theksuara të saj. Urdhri i Zotit për t’u ndihmuar në të mira dhe të mbara dhe nxitja e Tij për të garuar në mirësjellje e ndihmë ndaj njëri tjetrit ngelin vetëm tekste që lexohen por që nuk gjejnë vend në shoqëri. Për këtë shkak, fajdeja konsiderohet ndër mëkatet më të mëdha sipas fesë [Kur’ani: Bekare: 278; 279]. Fajdeja, si veprimtari, është e gjykuar për të dështuar [Kur’ani: Bekare: 276].

Si ta trajtojmë dukurinë e fajdes?

Fajdeja, siç arritëm të mësojmë, është dukuri që na rrezikon, andaj detyrimisht duhet të merremi me të. Mënyra më e mirë e trajtimit të saj është vetëdijesimi karshi rrezikut që paraqet.
1) Duke qenë se bie ndesh me atë që Zoti e ka lënë të natyrshme ndërmjet njerëzve, shitblerjen, dhe për pasojë shkatërron raportet shoqërore, Zoti e ka konsideruar këtë veprim si një lloj lufte të hapur ndaj Tij dhe ndaj Pejgamberit të Tij [Kur’ani: Bekare: 278; 279]. Pejgamberi Muhammed e ka klasifikuar si një ndër shtatë mëkatet shkatërruese [Buhariu dhe Muslimi].
2) Duhet punuar në kultivimin e vlerave dhe virtyteve, si: dhënia e lëmoshës, ndihma ndaj nevojtarëve, të zhyturve në borxhe, etj.
3) Duhet bërë presion autoriteteve tona që fajdenë ta sanksionojnë me ligje dhe të dënojnë rëndë ushtruesit e saj.

Të dashur besimtarë!
Vetëvrasja, vëllavrasja, fajdeja, dhe të gjitha dukuritë tjera devijonte në shoqëri janë edhe për shkak të mungesës së edukimit të mirëfilltë fetar. Andaj, duke përfituar nga rasti, për të mirën e vendit dhe popullit tonë, i drejtohemi autoriteteve shtetërore që kërkesën tonë për përfshirjen e edukimit fetar në sistemin arsimor ta miratojnë sa më parë të jetë e mundur. Vetëm kështu mund ta tejkalojmë këtë krizë të rënduar shoqërore.



Hutbe e mbajtur ditën e xhuma, më 04.05.2018 në të gjitha xhamitë e Kosovës