Të përshkruash vetëm 24 orëshin e jetës së një personi do të ishte plotësisht e pa mjaftueshme që ta njohim atë person, sepse asnjë ditë nuk përjetohet në tërësi njësoj sikurse tjetra.
Kjo detyrë bëhet më e vështirë kur bëhet fjalë për një personalitet të jashtëzakonshëm si Pejgamberi ynë Muhammedi s.a.v.s.
Pavarësisht nga pesha e kësaj detyre, unë jam përpjekur ta përshkruaj atë duke e ndarë në periudha të caktuara dhe duke deklaruar se çfarë është zhvilluar në ato periudha, edhe nëse kjo nuk ndodhi në të njëjtën ditë, duke u bazuar në burimet konfidenciale.
Duke pasur parasysh se në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. ditët kryesisht janë kaluar përreth xhamisë, duke u fokusuar në faljen kohëve të namazit, unë jam përpjekur që ditën ta ndaj në periudhat e pesë kohëve të përditshme të namazit, për arsye se orët e vonshme të natës kishin rëndësi të veçantë për Pejgamberin s.a.v.s. dhe ata të cilët e pasojnë, prandaj edhe i kam përfshirë si periudhë e veçantë e kohës.
Mëngjesi
Jeta ditore fillon në mëngjes, para agimit. Prej shfaqjes së vesës gjer në hapjen e sythit të bimës, prej këngës së zogjve deri te puhia e lehtë, të gjitha krijesat qëndrojnë bashkë në hallkë para lindjes së diellit, duke bërë dhikër me gjuhët e tyre unike. Njeriu gjithashtu me vetëdije prezanton në këtë dhikër dhe e fillon ditën e tij me forma të ndryshme të dhikrit dhe të aktiviteteve, përderisa e veçon namazin.
Muhammedi s.a.v.s. gjithashtu e ka filluar ditën me namaz. Ndërkaq, pasi që Abdullah ibn Maktum, njëri nga sahabet, e thirrte ezanin e sabahut, Pejgamberi ynë s.a.v.s. e falte synetin e namazit të sabahut në dhomën e tij, dhe më pas dilte në xhami, për të udhëhequr namazin e farzit. Të gjithë muslimanët e Medinës, më përjashtim të atyre të cilët kishin arsye serioze dhe të justifikueshme për të mos dal, mundoheshin që të dalin në xhami për t’i falur të gjitha kohët e namazeve farze me Pejgamberin s.a.v.s.
Çdo mëngjes, pas faljes së namazit, Pejgamberi a.s.v.s. e lexonte tesbih doven (ajetulkursinë) dhe pjesët tjera të Kur’anit, derisa dielli të ngjitej në lartësinë e caktuar, e atëherë kthehej nga sahabet dhe bisedonte me ta. Në këto biseda diskutohej për shumë çështje që lidhen me nevojat e njerëzve, nga çështjet aktuale deri te kujtimet historike, interpretimin ose komentimin e ëndrrave deri te shërbimi i fesë, duke parashtruar pyetje, duke dhënë përgjigje dhe duke zgjidhur shumë probleme. Me fjalë tjera, menjëherë pas hallkës së ibadetit –adhurimit formohej hallka e diturisë dhe kulturës. Çka u ka sjell kjo orë, apo më shumë, në shoqërimin e Pejgamberit s.a.v.s. në pjesën më produktive të ditës të pranishmëve. Këtë mund ta din vetëm ata të cilët e kanë përjetuar, e në te duhet të kërkojmë arsyet e veçanta të sahabeve. Nëse nuk kishte të caktuar të shkonte diku tjetër pas namazit, Pejgamberi s.a.v.s. do të kthehej në shtëpi dhe do të pyeste nëse ka ushqim. Nëse do të kishte, do të ushqehej, në të kundërtën do të thoshte: “Atëherë, po agjëroj” dhe e agjëronte atë ditë. Kur kishte ushqim, zakonisht ushqimi i rëndomtë ishte qumështi, hurmet, buka prej thekrës dhe të ngjashme. Ushqehej me çka gjente në shtëpi, nuk e zgjidhte ushqimin.
Për dallim nga koha e sodit, ose ndryshe nga kohët e tashme, për Pejgamberin s.a.v.s. ushqimi nuk ishte në epiqendër të jetës, përditshmëria nuk ishte e organizuar sipas kohës së drekës dhe darkës, nuk harxhohej shumë kohë në ushqim, nuk organizoheshin darka solemne, ushqimi nuk është përmendur gjithnjë në biseda, nuk udhëtohej me kilometra për ushqim më të mirë, nuk janë bërë rezerva ushqimore vjetore, nuk janë shtruar sofrat. Në këto rrethana, për ndryshim nga koha e tashme, më shumë kohë dhe para janë kursyer për gjëra më të rëndësishme.
Pejgamberi s.a.v.s. e kishte zakon të pushonte pak para dreke. Krahas natës dhe ditën është pushuar dhe fjetur për shkak të mungesës së gjumit dhe pushimit për shkak të namazit të natës dhe aktiviteteve të ngjashme, për shkak të mungesës së koncentrimit nga puna e lodhshme dhe nga stresi dhe për shkak të lodhjes së trupit nga klima e nxehtë.
Dreka
Dreka ose mesdita është koha kur dita e arrin plotësimin ose zenitin , detyrat e përditshme janë plotësuar deri në një masë të caktuar dhe paraqitet nevoja për të lënë punën dhe për të marrë një pushim të shkurtër, edhe shpirtit i nevojitet pushimi, nga moskujdesi dhe lodhja të cilën e shkakton kjo botë kalimtare dhe puna e rëndë. Shpirti i njeriut ndjen peshë të madhe dhe nevojë për ta falur namazin e drekës, për t'i shpëtuar atmosferës së ngurtë, dhe të ngritët, shpirtërisht, në praninë e Zotit të Gjithëfuqishëm. Duke i lidhur duart tregojmë mirënjohje e falënderim për të mirat, duke kërkuar ndihmë tregojmë paaftësinë tonë dhe përkulemi para madhështisë dhe lartmadhërisë së Zotit, e në veçanti në qoftë se ky namaz do të falej pas Pejgamberit s.a.v.s. Po, Pejgamberi s.a.v.s., u falte namazin e drekës sahabëve, të cilët vraponin për në xhami me dëshirë të flaktë. Nëse qëllonte dita e xhuma, atëherë për namaz do të përgatiteshin krejtësisht në formë tjetër me entuziazëm dhe në një frymë festive. Laheshin, pastroheshin, vishnin rrobat e reja, parfumoheshin, shkonin në xhami më herët se rëndom, e dëgjonin humben e Pejgamberit s.a.v.s. dhe pastaj falnin namazin. Fëmijët dhe gratë vinin në këtë namaz më shpesh se në namazet tjera.
Kur flasim për ushqim, dreka nuk është përmendur aq shumë. Sasia e cila jepej në emër të sadekatul fitrit është llogaritur në dy racione ditore, gjë që dëshmon se nuk ka pasur ushqim të tretë ditor, përkrah drekës dhe darkës. Kjo sqaron se sa lehtë është të agjërohet, për atë i cili ushqehet në syfyr. Të ushqehesh vetëm dy herë në ditë është synet, të cilin nuk duhet vetëm ta porosisim, por edhe ta praktikojmë, sepse kursejmë kohë dhe mjete financiare, por është edhe më e shëndetshme. Të sëmurit kronik dhe njerëzit me vështirësi tjera, normalisht, kanë përjashtim.
Nganjëherë, Pejgamberi Muhammedi s.a.v.s. i vizitonte sahabet, i kryente detyrat e përditshme, preokupohej me problemet e shoqërisë si prijës, ua diktonte ajetet e shpallura shkruesve të Kur’anit, e lajmëronte popullin për urdhrat urgjente dhe pranonte mysafirë. Për shembull, pas vitit të tetë hixhrij, ambasadorët e shumë vendeve vinin për ta vizituar. Një pjesë të ditës e kalonte në takim me ta, duke iu përgjigjur pyetjeve e kërkesave të tyre.
Pasditja
Pasditja, koha kur orarit të ditës i vjen fundi dhe kur ata mbledhin frutat e shëndetit, paqes e mirësisë që janë kryer gjatë ditës.
Sipas udhëzimit të Kur’anit, Pejgamberi ynë s.a.v.s. i ka kushtuar vlerë të veçantë këtij namazi, po ashtu edhe Bilalli e thërriste ezanin për namaz me zërin e tij të prekshëm. Për arsye se koha e namazit të ikindisë është koha kur ndërrohen rojtarët, melekët e natës dhe të ditës, të cilët i mbrojnë besimtarët, poashtu dhikri pas këtij namazi është më i gjatë. Kjo është transmetuar në hadithin: “Një grup melekësh është me neve gjatë ditës, ndërsa grupi tjetër gjatë natës. Ata tubohen gjatë kohës së sabahut dhe të ikindisë për të ndërruar rojet. Edhe pse Allahu i Madhërishëm më së miri i di gjendjen e krijesave të Tij, Ai i pyet melekët: “Si i latë robërit e Mi?” Ata përgjigjen: “I lamë në namaz dhe ne ishim përkrah tyre gjersa ishin në namaz”.
Pejgamberi s.a.v.s. kishte një zakon të cilin e ka mbajtur në vazhdim: Pas ikindisë i vizitonte bashkëshortet e tij, për t’i pyetur nëse kanë ndonjë nevojë apo kërkesë, kurse ato e kanë gostitur më atë që kishin pranë vetës
Mbrëmja
Fundi i ditës na kujton fundin e shumë krijesave dhe të njeriut, e një ditë edhe bota do të shkatërrohet, në fillim të Ditës së Gjykimit. Në këtë kohë shpirti i njeriut dëshiron të qëndroj në prezencën e Atij i cili të gjitha këto i ka krijuar dhe duke shqiptuar “Allahu ekber” duke lënë çdo gjë kalimtare në një anë dhe duke e dëshmuar edhe një herë Madhërinë e Tij. Në këtë dëshirë, Pejgamberi s.a.v.s., shpeshherë e priste namazin e akshamit, ende pa perënduar dielli, dhe menjëherë pas thirrjes së ezanit lidhej në namaz (qëndronte para Allahut xh.ah.). Pas namazit farz i falte dy deri në gjashtë rekate synet, këtë e ka porositur që të veprohet.
Pas namazit të akshamit, pejgamberi s.a.v.s. e tubonte familjen tek ajo bashkëshorte që do ta kalonte natën dhe fillonin bisedat familjare. Shtëpia e Pejgamberit s.a.v.s. ishte shndërruar në një mjedis në të cilin mësimi dhe mësimdhënia asnjëherë nuk kishte pushuar, si gjatë jetës së tij dhe pas vdekjes. Pas shpërnguljes së Pejgamberit s.a.v.s. në jetën e amshueshme, bashkëshortet e tij e vazhduan këtë aktivitet, duke e zgjeruar rrethin edhe për njerëzit tjerë. Jeta familjare e Pejgamberit s.a.v.s. ka pasur një rol të madh në transferimin e disa rregullave të posaçme për gratë, si dhe shumë rregulla të përgjithshme të Islamit, më të rëndësishmet ndër to vërtet ishin këto "bisedat e mbrëmjes", një lloj shkolle dhe një burim për shumë dijetar të pa tejkalushëm, me Ajshen r.a. në krye. Natyrisht, nuk bisedohej vetëm për diturinë, aty zhvillohej lidhshmëria me ata të cilët kishin ardhur nga mjediset dhe kulturat e ndryshme dhe me karaktere te ndryshme.
Nata
Ne kohën e namazit të jacisë, kur e tëra mbështillej në errësirën e natës, ndërsa ajo që është parë ditën sikur nuk ekziston më, sikur një njeri i cili ka dhënë shpirt, vdes dhe harrohet, sikur të na paraqitet ose parafytyrohet fundi i jetës tokësore, e cila është një sprovë. Madhështia e Plotfuqishmit edhe një herë i tregon njeriut, i cili është shpesh si i varrosur në atë që rrethon, me lehtësi, shkruan, fshinë dhe ndryshon ditën dhe natën, verën dhe dimrin, këtë botë dhe te ardhmen, sikur faqet e një libri. Njeriut, të cilit tani e ardhmja i duket e errët, pa shpresë, në këtë kohë kryen faljen e namazit, kthehet, mbështetet dhe kërkon ngushëllim te Allahu xh.sh. fuqia e të cilit është gjithëpërfshirëse. Njeriu, para gjumit e cila i ngjan vdekjes, fale namazin për ta përfunduar ditën në formën më të mirë.
Pejgamberi s.a.v.s. u printe sahabeve në namaz dhe nëse nuk kishte diçka të jashtëzakonshme, tërhiqej për të pushuar pa thënë asnjë fjalë. Para se të flinte lexonte lutjet të cilat gjithnjë kishin vend të rëndësishëm ne jetën e tij. Aisheja r.a. i transmeton lutjet dhe zakonet e Perjgamberit s.a.v.s. para se të flinte: Pejgamberi s.a.v.s. çdo natë, kur binte për të fjetur i mblidhte shuplakat e duarve, frynte në to, dhe e lexonte suren Ihlas, Falek, dhe Nas, dhe më pas me duar e prekte çdo pjesë të trupit, duke filluar nga koka dhe atë e përsëriste tri herë. Natyrisht, mund të gjejmë edhe porosi dhe praktika tjera ne këtë teme, si p.sh. njërën të cilën e transmeton Aliu r.a.: “Pejgamberi s.a.v.s. e ka porositur Fatimen dhe mua: “Kur të shtriheni në shtrat, thuani tridhjetë e tri herë Allahu ekber, subhanall-llah, dhe elhamdulilah.” Pas kësaj Aliu r.a. asnjëherë nuk e kishte lenë pa e lexuar, dikush e kishte pyetur: “A edhe në natën e Siffinit?”, ai u përgjigj: “Po, edhe atëherë…”
Natën vonë
Pjesa vonë e natës ia kujton njeriut stinën e dimrit, varrin dhe jetën e varrezave, dhe se si shpirti i tij është i varur nga mëshira e Allahut xh.sh. Prandaj, namazi i natës është burim i pazëvendësueshëm i dritës e cila do të ndriçoj rrugën tonë në natën e varrit dhe në errësirën, jetën e varrit.
Pejgamberi s.a.v.s. pjesën e fundit te ditës, orët e vona të natës, i kalonte në ibadet. Transmetohet se Aisheja r.a. ka thënë: “Pejgamberi ynë falte namaz natën gjersa iu ajshin këmbët. Kur është pyetur: “O i dërguari i Allahut, Allahu t’i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshme, pse edhe më tej po e mundon aq shumë veten”, u përgjigj: “A mos të jem rob falënderues?”
I dërguari i Allahut s.a.v.s. pushonte pas namazit të natës dhe zgjohej për namazin e sabahut kur myezini e thirrte ezanin. Bilalli e thirrte ezanin para agimit, i zgjonte njerëzit në syfyr dhe në namaz të natës, kurse Abdullah ibn Ummi Mektum e thirrte ezanin në agim duke e shënuar fillimin, për faljen e namazin të sabahut.
Përfundim
Jeta e përditshme e Muhammedit s.a.v.s. mund të analizohet nga këndvështrimet e ndryshme, megjithatë, në çfarëdo forme qe t’i qasemi, do të gjejmë vepra, zakone dhe fjalë të cilat do t’i dërgohen mbarë njerëzimit. Në kohën në të cilën jeta e përditshme është kthyer në një makth, sa me fat janë ata që mund ta studiojnë jetën e Pejgamberit s.a.v.s. dhe të nxjerrin mësim prej saj!
Autor:Dr.Abdulhakim Yuce
Përktheu dhe përshtati : Esat Rexha