- Skicë -
Për njeriun themi se është i mirë, duke u bazuar në parimet e përgjithshme pozitive të urdhëruara nga Krijuesi, apo themi se është i keq, duke u bazuar në parimet e përgjithshme po ashtu të urdhëruara nga Krijuesi. Herë-herë njeriun e vlerësojmë në bazë të këtyre koncepteve, e herë-herë nëpërmjet koncepteve të caktuara personin e caktuar përpiqemi ta identifikojmë. Nëse do t’ia bënim një analizë personalitetit të Muhammedit a.s. pa dyshim në të do t’i gjenim konceptet bazore njerëzore, por njëkohësisht, nëse do t’i analizonim konceptet e caktuara një nga një, në to do ta gjenim Muhammedin a.s., shembull të njerëzisë dhe manifestim e demonstrim praktik të parimeve hyjnore në botën e krijuar.
Në vazhdim do të trajtohen tre konceptet themelore islame (islami, imani, ihsani), duke dhënë shenjë në çaste botërore të manifestimit të tyre.
A. Islam-i
Islami (???????) është emri me të cilin njihen të gjitha fetë e Allahut, nga Ademi a.s., por me këtë emër njihet edhe shpallja e fundit e dërguar Pejgamberit të Allahut, Muhammedit a.s.. Gjuhësisht shprehja Islam do të thotë dorëzim, nënshtrim ndaj urdhrave të Zotit, dorëzim ndaj vullnetit të Zotit. Do të thotë nënshtrim, bindje dhe dëgjim, mirësi dhe pastërti nga të këqijat (mëkatet) e dukshme dhe të padukshme.
Në fe shprehja Islam do të thotë Njësia e Allahut, nënshtrim ndaj urdhrave të Tij, dëgjueshmëri dhe bindje ndaj Atij. Kjo fe quhet Islam në çdo kohë, sepse në këtë mënyrë realizohet bindja dhe nënshtrimi i krijesës ndaj Krijuesit të Saj.[1] Edhe pse ekziston dallimi ndërmjet imanit dhe islamit, këto të dyja “janë të lidhura njëra me tjetrën, sikurse jashtësia (shpina) me brendësinë (barkun)”[2] apo sikurse fara dhe fryti. Imani është fara kurse islami është fryti. Në aspektin teorik, islami (ligji) përfshin dy parimet e njohura, të njësisë së Zotit dhe të vlerës së Pejgamberit a.s. dhe të namazit, agjërimit, zekatit dhe haxhit.[3]
Disa të tjerë islamin e shpjegojnë si demonstrim praktik, historik të imanit, i cili manifestohet në jetën praktike të njeriut, në moralin e tij, në mirësjelljen e tij, në planifikimin dhe përdorimin e kohës, të energjisë dhe të aftësisë.[4] Islam do të thotë ligj dhe i përgjigjet monoteizmit të Musait a.s., dhe bashkë me imanin (besim) që i përgjigjet monoteizmit të Ibrahimit a.s. dhe ihsanin (rrugë) që i përgjigjet monoteizmit të Isait a.s. Në monoteizmin ibrahimian parimi i ligjit (islam) dhe i rrugës (ihsan) janë tretur në parimin e besimit (iman). Në musaizëm parimi i ligjit (islamit) dominon dhe i tretë parimin e besimit (imanit) dhe rrugës (ihsanit). Në isaizëm parimi i rrugës (ihsanit) i tretë dy parimet e tjera. Islami si fe përfshin të tri parimet njërin krahas tjetrit në baraspeshë të përkryer.[5]
B. Iman-i
Nocioni iman ( ??????? ) gjuhësisht do të thotë: besim, pranim. Në fenë islame kjo shprehje do të thotë edhe: Besimi në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, pejgamberët e Tij, Ditën e fundit dhe në caktimin e së mirës dhe së keqes dhe në pejgamberinë e Muhammedit a.s..., apo si e shpreh këtë F. Shuon, Imani (besimi) përfshin dy dëshmi, atë të njësisë së Zotit dhe të vlerës së Muhammedit a.s.[6] Këtë kuptim shprehja iman e ka nëse përmendet në kontekst të fesë islame dhe të gjithë ata që përmbushin këtë kërkesë quhen mu’minë (besimtarë). Iman do të thotë edhe feja në tërësi, kur theksohet pavarësisht nga fjala islam.[7]
Imani është punë shpirti, për dallim nga islami, i cili është manifestim fizik i ritualeve fetare. Edhe pse shprehja islam dhe iman dallojnë ndërmjet veti, ato janë të pandashme, sepse vetëm një iman i mirëfilltë kërkon nënshtrim dhe përkushtim dhe se nënshtrimi dhe përkushtimi i mirëfilltë janë pasojë e imanit të vlefshëm.[8]
Imam Ebu Hanifeh pohon se “imani është deklarimi me gjuhë dhe besimi me zemër” dhe ai “nuk zmadhohet as nuk zvogëlohet.”[9] Sipas Ebu Hanifes imani është koncept i pandarë, tërësia e tij është e barabartë te të gjithë njerëzit, nëse e kanë pranuar dhe se kësaj tërësie nuk mund t’i merret asgjë e që mos të fillojë mohimi i tërësishëm, sepse mohimi i një pjese njëkohësisht është mohimi i tërësisë, për ç’arsye e vërteta pranohet e tërë, ose refuzohet e tërë.[10]
C. Ihsan-i
Nocioni ihsan ( ??????? ) nga gjuha arabe do të thotë: mirëbërësi, bukuri, dhe paraqet dimensionin e brendshëm të fesë islame. Ihsan do të thotë përsosuria e veprave dhe saktësia e tyre dhe është e kundërta e të keqes..
Në fe ihsan do të thotë: zbukurimi i jashtësisë me ibadet dhe i brendësisë me përkushtim të sinqertë.[11]
Ihsani është shkalla më e lartë e Islamit dhe thelbi i ihsanit është dashuria ndaj Allahut. Njëkohësisht ihsani nënkupton bukurinë, bamirësinë dhe virtytet më të larta, përkushtimin e thellë, dashurinë e sinqertë, besnikërinë e mirëfilltë dhe sakrificën. Ihsani (rruga) paraqet pozicionin e mesëm dhe qenësor që konsiston në të përmendurit e Zotit (dhikr’ull-llah).[12]
Virtyti i ihsanit në qenësinë e tij është aktiv dhe kërkon aktivitet para të këqijave. Ai që aplikon ihsanin, muhsini, nuk qëndron indiferent para veprimeve kundërislame dhe vetëm të tillët meritojnë të gjenden nën mbrojtjen e Allahut. Institucioni i ihsanit ndërton sistemin politik, ekonomik, shoqëror, e cakton pozitën e njeriut në shtet dhe të shtetit mbi individin, ngre marrëdhëniet ndërkombëtare dhe brendashtetërore, në paqe dhe luftë.[13]
Ihsani nënkupton atë që njeriu rregullisht t'i kryej detyrat dhe obligimet ndaj vetvetes, bashkësisë dhe fqinjeve, e sidomos ndaj All-llahut xh.sh. dhe që njerëzve t'u jetë mirënjohës për të mirat që ia kanë bërë.[14] Tërë këto janë shprehje e besimit të pastër në All-llahun xh.sh. dhe rrugë për të fituar simpatinë dhe shpërblimin e All-llahut xh.sh.
Imam Neveviu lidhur me pjesën e hadithit "ta adhurosh All-llahun, sikur e sheh Atë…" thekson se paraqet një bazë të madhe të besimit islam, një nga bazat e mësimit islam, shtyllë e sinqeritetit të njerëzve të devotshëm dhe thesar të pashterrshëm moral e shpirtëror të besimtarit."[15]
Tërë kjo përbën një tërësi të pandashme që quhet islam,[16] ndonëse në kontekste të ndryshme shprehen disa specifika të vogla mes këtyre nocioneve që janë shprehje të rrethanave të ndryshme.
Edhe pse të gjithë pejgamberët i posedojnë të gjitha cilësitë pozitive, megjithatë Ibrahimi a.s. është profilizuar në virtytin e besimit, Musai a.s. në profilin e ligjit dhe Isai a.s. në profilin e rrugës. Muhammedi a.s. është sintezë e të gjithë atyre dhe profili i tij, si i dërguar gjithënjerëzor dhe gjithëkohor, është universal.
[1] Abdul Medžid Aziz Ez Zindani, Jedno?a Stvoritelja,Sarajevë, 1998, fq. 336.
[2] Imam Ebu Hanifeh, Fikh’ul-ekber, Zëri Islam, Prizren, 2005, fq. 92.
[3] Frithjof Schuon, Dimenzije islama, Sarajevo, 1996, fq. 91-92.
[4] Për aspektet e shprehjes islam shih: Mewsu’at’ul-edjani, botimi I, Bejrut, 2001/1422, fq. 80-82.
[5] Gjerësisht: Frithjof Schuon, Dimenzije islama, Sarajevo, 1996, fq. 91-92.
[6] Frithjof Schuon, po aty, fq. 92.
[7] Ez Zindani , po ashtu, fq. 337 ose përkthimin shqip.
[8] Mehmed Handzic, Izabrana djela, VI, Sarajevo, 1999, fq. 374.
[9] Imam Ebu Hanifeh, Fikh’ul-ekber, Zëri Islam, Prizren, 2005, fq. 78-79.
[10] Një dijetar tjetër, Halid-i Bagdadi pohon: “Nuk ekziston pak apo shumë iman. Besimi që zvogëlohet dhe zmadhohet nuk quhet iman, por parashtrim dhe iluzion. Të kesh iman më të fortë apo më të dobët domethënë të bëhet më shumë apo më pak ibadet.” Sipas: Imam Ebu Hanifeh, Fikh’ul-ekber, Zëri Islam, Prizren, 2005, fq. 79.
[11] Ez Zindani, po aty, str, 337.
[12] Frithjof Schuon, po aty, fq. 92.
[13] Muhammed Kutub, Shkëndija pejgamberike, Shkup, 2002, fq. 93-110.
[14] Sahih’ul-Buhari, op. cit., fq. 74.
[15] Ibid., fq. 74.
[16] Mewsu’at’ul-edjani, po aty, fq. 47-48.