Abir Zaki, shkruan për ndikimin e buzëqeshjes dhe mënyrën se si e përjetojnë personat tjerë.
“Besoni ose jo, për islamin tim të sotshëm duhet t'i falënderohem buzëqeshjes së ngrohtë”, thotë Stacey, mikesha ime australiane e cila para disa vitesh u konvertua në islam.
Arsyeja pse kishte dëshirë të mësoj më shumë për islamin ishte një grua e re shumë optimiste dhe gazmore me emrin Sara, e cila bashkë me te punonte në një firmë. “Nuk e njihja shume mirë, por gjithnjë ndieja se ka diçka të veçantë”, shton Stacey.
Ajo më tej fliste për ndihmën e Sares ndaj njerëzve të tjerë, natyrës së saj optimiste dhe shumë gazmore, ashtu që dukej se kurrë nuk ka qenë e ngarkuar me probleme. Stacey dëshironte ta dinte sekretin e saj dhe kishte vendosur të ketë kontakte direkte me te.
Një ditë, Stacey e pyeti gruan e re për sekretin e saj, për qasjen pozitive dhe optimiste.
“Besimi im më ndihmon në këtë! Unë jam muslimane”, u përgjigj Sara. Ajo pastaj shpjegoi për ndikimin e islamit në mënyrën se si njeriu mendon, vepron dhe ushqen ndjenjat ndaj vetes dhe të tjerëve.
Atëherë Stacey vendosi të mësoj diçka më tepër për besimin i cili nuk merret vetëm me lidhjen shpirtërore të njeriut me Krijuesin, por edhe me aftësinë komunikuese të cilën njeriu duhet poseduar kur vjen në kontakt me të tjerët.
Shumë njerëz besojnë gabimisht se respekti i të tjerëve fitohet me pamjen e tyre të zymtë – njeriu duhet të jetë serioz për ta respektuar të tjerët. Në islam kjo nuk qëndron. Islami gjithnjë i kurajon muslimanët të jenë optimist dhe gazmorë – sepse i besojnë fatit (kismetit).
Muslimanët besojnë se çfarëdo që u ndodhë, ndodh për të mirën e tyre, dhe se Allahu gjithmonë kujdeset për ata, kudo që ndodhen. Edhe atëherë kur situata duket shumë e ngatërruar, muslimanët e sinqertë thellë në vetvete besojnë se pas të gjithave qëndron urtësia e Allahut dhe se së shpejti të gjitha gjërat do të vijnë në vendin e vet.
Muslimanët përpiqen të mos shqetësohen së tepërmi për të ardhmen dhe atë që ajo bartë në vete. Kjo nuk do të thotë se për të nuk mendojnë fare – ata këtë e kanë në mendje, por qëllimet e tyre janë të qarta duke planifikuar hapa që do t’i ndihmojnë në realizimin e tyre. E pas kësaj, muslimanët nuk brengosen dhe kanë besim të plotë në Allahun, duke ia lënë të gjitha urtësisë dhe mëshirës së Tij.
Transmetohet se vetë Muhammedi a.s. gjithmonë ishte i disponuar, optimist dhe i buzëqeshur. Fytyra e tij shkëlqente me dritën e falënderimit të Allahut, edhe atëherë kur ballafaqohej me vështirësitë që asnjë qenie njerëzore nuk do t’i duronte. Në brendësinë e shpirtit të tij ai ishte i sigurt se Allahu është gjithmonë i pranishëm, duke u kujdesur për të dhe duke drejtuar jetën e tij kah e mira.
Muhammedi a.s. na ka porositur edhe neve që të sillemi kështu. Ai, gjithashtu, ka thënë se kur muslimani i buzëqesh personit tjetër, ajo buzëqeshje ka vlerë të një sadakaje.
Përderisa praktikojmë islamin, çdonjëri prej nesh mban përgjegjësi që karakterin e vërtetë musliman t’ju tregoj njerëzve që vijnë në kontakt me të. Nga e kaluara dihet se veprat flasin më shumë se fjalët, prandaj mënyra se si komunikojmë me të tjerët krijon përshtypje më të mira se vetë fjalët që i flasim.
Besoni ose jo, gjuha verbale ka ndikimi të madh në komunikimin tonë me njerëzit tjerë – “Sekreti nuk qëndron në atë çka do të thoni, por për atë se si do ta thoni”.
Ajo që është interesante, kur bëhet fjalë për buzëqeshjen është fuqia e saj. Buzëqeshja është infektim mes njerëzve të origjinave të ndryshme, kulturave, gjinive, përkatësive etnike dhe moshës. Buzëqeshja është gjuhë të cilën çdokush e kupton. Ajo ka fuqi që njerëzit të ndihen të veçantë dhe të vlerësuar sepse përhap energji pozitive kudo që të jetë.
Edhe psikologët e konsiderojnë të shëndetshme buzëqeshjen kohë pas kohe. Provoni edhe ju: a mund ta shikoni dikë duke ju buzëqeshur, e që atij personi mos t’ia ktheni edhe ju me buzëqeshje? Dyshoj se këtë nuk mund ta bëni! Ndoshta është pjesë e natyrës së njeriut që njeriu buzëqeshjen ta kthej me buzëqeshje. Kjo ndodh edhe atëherë kur ju nuk mendoni fare për të.
Ekziston vetëm një fjali të cilën pandërprerë ia përsëris vetit: “Unë jam muslimane, Zoti të cilit i besoj është më i mëshirshmi, andaj pse të brengosem, kur thellë në vete e di se çfarëdo që më ndodh, është për të mirën time?”
Për këtë arsye të gjithëve u sugjeroj të filloni me praktikimin e kësaj shprehie të shëndoshë. Përhapni energjinë pozitive në çdo vend dhe në këtë mënyrë fitoni shpërblim nga Allahu i Madhëruar, për shkak të sadakasë të cilën e jepni me buzëqeshjen tuaj.
Abir Zaki është eksperte për marrëdhënie ndërpersonale. Ka diplomuar komunikimet masovike me specializim nga marketingu në Universitetin amerikan në Kajro dhe literaturë angleze në Universitetin Ajn Shems.