Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe


Përkthimi i Kur’anit dhe interpretimi i mesazheve të tij fisnike, është një prej disiplinave më të rëndësishme islame. Kjo lëmi gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve myslimanë, si në të kaluarën ashtu edhe sot.

Mesazhet e Kur’anit Fisnik ishin dhe, si të tilla, mbetën, burimi themelor i mendimtarëve myslimanë. Vështirë se ka gjuhë botërore në të cilën nuk është përkthyer Kur’ani.

Duke pasur parasysh se shumica e popullsisë shqiptare i përket besimit islam, nga mesi i tyre kanë dalë dijetarë, të cilët kanë kontribuar në përkthimin e Kur’anit të Madhërishëm në gjuhën shqipe që nga koha e Perandorisë Osmane. Prandaj, qëllimi i këtij punimi është që të nxjerrë në pah përkthimin e Kur’anit Fisnik në gjuhën shqipe; nevojën për përkthimin e tij në gjuhë të tjera; kuptimin dhe llojet e përkthimit të Kur’anit; dhe në fund të kësaj tematikeje, rreth përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe.

Fjalët kyçe: Kur’ani Fisnik, përkthimi i Kur’anit, nevoja për përkthimin e Kur’anit, përkthimi tekstual dhe kontekstual i Kur’anit, përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe.



Hyrje

Lavdi i qoftë Atij, i Cili i zbriti robit të Tij Kur’anin në natën e zgjedhur, i cili është udhërrëfyes, paralajmërues dhe det i pafund i thesareve të diturisë, shkencës dhe përparimit të njerëzimit, si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në atë material.

Fjala e Zotit gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e dijetarëve myslimanë, që nga kohët e hershme e deri në ditët tona, qoftë nëse kjo ka të bëjë me formën e vet origjinale dhe rëndësinë e Kur’anit të Shenjtë në gjuhën arabe apo përkthimin e kuptimit të tij në gjuhët e tjera.

Kur’ani, siç është e njohur, është themeli i parë dhe më i rëndësishmi i Sheriatit nga i cili burojnë mesazhet gjithëpërfshirëse dhe mësimet, rregullat ligjore dhe i gjithë bontoni i jetës islame. Gjithashtu, ai është themeli i të gjitha disiplinave të tjera islame.

Në fillim të punimit do të bëhet fjalë rreth përkthimit të Kur’anit, pra, a mund të përkthehet Kur’ani në gjuhë të tjera?, e deri te përkthimet e plota të Kur’anit në gjuhën shqipe. Duke i krahasuar përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, kemi kuptuar se disa prej tyre janë në korrelacion të mirë me parimet e përgjithshme islame, megjithatë, ekzistojnë edhe të tillë që adresohen kundër tekstit të Kur’anit, në një kuptim të veçantë, dhe kundër Islamit në kuptimin e përgjithshëm.



Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe

“Kur’ani nuk mund të përkthehet, Kur’ani duhet[1]të interpretohet!”[2]

(Prof. Dr. Enes Kariq)

“Përkthimi i domethënieve të Kur’anit është i nevojshëm, është i kërkuar, sepse nëpërmjet tij besimtarët njoftohen rreth udhëzimeve të tij të larta.”[3] (Haxhi Sherif Ahmeti)

Sa i përket përkthimit të Kur’anit, kjo është një temë delikate dhe e rëndësi­shme, sepse jo vetëm që bart në mënyrën më të mirë të mundshme kuptimet, mrekullitë dhe konceptet kuranore te myslimanët joarabë, por është edhe e rrezikshme, sepse, nëpërmjet përkthimit të gabuar dhe jo të saktë, de­formohet e vërteta kuranore dhe njerëzit mund ta keq­kuptojnë Islamin. Shumë njerëz e kanë pranuar Islamin të ndikuar nga leximi i përkthimeve të Kur’anit, shumë të tjerëve u është shtuar besimi dhe dituria rreth Islamit, duke medituar rreth kuptimeve të Kur’anit sipas përkthimeve të bëra në gjuhët e tyre, ndërsa disa të tjerë janë larguar nga e vërteta, si shkak i përkthimeve jo të duhura të citateve kura­nore. Shkaqet dhe arsyet e një përkthimi të gabuar janë të shumta. Ka mundësi që përkthyesi të jetë qëllimmirë, mirëpo, nga ana tjetër, mund të ndodhë që nuk njeh në mënyrë të shkëlqyer gjuhën arabe, ose gjuhën e tij amtare. Gjithashtu, ka mundësi që përkthyesi të jetë edhe qëllimkeq, jo objektiv dhe jo i drejtë në bartjen e kuptimeve kuranore.[4]

Kur’ani është libri më fisnik, më i lexuar dhe më i përkthyer në botë dhe ky është një fakt, i cili është i njohur për të gjithë ne, megjithatë, në bazë të gjithë asaj që është përmendur, shqiptarët, deri para pak kohësh, nuk kishin një përkthim të kompletuar në duart e tyre.[5] Është e rëndësishme që në fillim të theksohen disa arsye pse shqiptarët janë vonuar në përkthimin e Kur’anit:

Shqipëria në vitin 1967 u shpall shteti i parë ateist në botë[6], kështu që u ndalua çfarëdo aktiviteti në rrafshin fetar[7];
Komunizmi – nuk ka asnjë dyshim se gjysmëshekulli i regjimit komunist në Shqipëri, e ka dëmtuar kryesisht çështjen fetare[8];
përkthimi i Kur’anit te shqiptarët ka qenë një temë tabu[9];
mungesa e traditës së përkthimit dhe qëndrimi se nuk duhet përkthyer Kur’ani[10];
mungesa e një alfabeti të përbashkët;
mungesa e institucioneve profesionale (arsimore, shkencore dhe fetare) në trojet shqiptare për të zhvilluar aktivitetin e vet në gjuhën shqipe deri në kohën e ringjalljes kombëtare.[11]

Përkthimi i parë i pjesshëm i Kur’anit në gjuhën shqipe daton nga mesi i viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Mund të duket e çuditshme, por e vërteta është se përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe ishte shqiptari ortodoks i krishterë nga Korça – Shqipëria, Ilo Mitko Qafëzezi.[12] Ai në vitin 1921 bëri përkthimin e pjesshëm të Kur’anit në gjuhën shqipe, duke iu referuar përkthimit të Kur’anit nga George Sale, në gjuhën angleze.[13] Qafëzezi ka meritat e veta, sepse siç konstaton edhe studiuesi i mirënjohur Gazmend Shpuza, deshi të bëjë “çështje të kulluar kombëtare” dhe të paraqesë prova të një koncepti të gjerë dhe përparimtar për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin midis besimtarëve të feve të ndryshme në atdheun e përbashkët.[14] Megjithatë, është fakt se edhe para këtij përkthimi të Ilo Mitko Qafëzezit, që në vitin 1894, pjesë dhe sure nga Kur’ani, i përktheu shkrimtari i famshëm shqiptar dhe intelektuali, Naim Frashëri, me titull: “Thelb i Kur’anit”, të botuar në librin e tij “Mësime”, në Bukuresht.[15]

Në kulmin e përpjekjeve rreth përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe ballafaqohemi me dy dijetarë të njohur myslimanë dhe hafizë te shqiptarët në Shqipëri: Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu. I pari kishte botuar përkthimin e 37 ajeteve dhe dy sureve të Kur’anit në Shkodër, në vitin 1926, kurse i dyti nga viti 1929 deri në vitin 1944, në tre vëllime botoi përkthimin e 7 sureve (El-Bekare – El-A’raf) me titull: “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”. Ky përkthim është shoqëruar me një koment nga autori. Përpjekje për përkthimin e Kur’anit ka pasur edhe nga Ali Asllani, Ferit Vokopolla, Abdulla Ze(ë)mblaku, Beqir Maloku nga Gjakova, por me shërbim në Romë – Itali, Mehdi Frashëri, i cili sipas dëshmive të bijve të tij Vehbiut dhe Ragibit, kishte përkthyer Kur’anin, por nuk arriti ta botonte.[16]

Lidhur me çështjen e përkthimit të Kur’anit në Kosovë, që nga vitet ‘70, është diskutuar disa herë, si në Bashkësinë Islame ashtu edhe në Shoqatën e Ulemasë. Hajrullah Hoxha thotë: “Më kujtohet si sot, kur në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës, në vitin 1974, në Gjilan, në shqyrtimin e çështjes së shtypit fetar u diskutua edhe rreth përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe. Me këtë rast u konstatua se mungon kuadri i aftë profesional për kryerjen e një pune të tillë të shenjtë si dhe mjetet për përkthim dhe botim. Lidhur me këtë, myftiu i Beogradit, H. Jusufspahiqi, u ndërlidh në diskutim duke thënë: ‘Nëse ju e siguroni përkthimin e Kur’anit, unë ju garantoj për sigurimin e shpenzimeve të përkthimit dhe të shtypit nga Liga Islame, – anëtar i së cilës ishte edhe ai. Kjo çështje u zvarrit për një kohë të gjatë…’”[17]

Në vitin 1981, Shoqata e Ulemave nën udhëheqjen e H. Abdullah Zhegrovës, formoi komisionin prej dhjetë anëtarësh për përkthimin e Kur’anit, të kryesuar nga H. Sherif Ahmeti, i cili u autorizua për redaktimin e materialit të përkthyer dhe komentimin e tij sipas nevojës. Ky projekt i përkthimit të Kur’anit në mënyrë institucionale, pas një pune disavjeçare, dështoi. Pjesërisht me tërheqjen e Feti Mehdiut nga Komisioni, i cili vazhdoi punën e përkthimit të Kur’anit në mënyrë individuale dhe e botoi atë në vitin 1985, ndërsa përfundimisht, me paraqitjen e Sherif Ahmetit me përkthimin e tij personal, dhe botimin e tij në vitin 1988.[18]

Sipas shumicës së intelektualëve myslimanë shqiptarë, Akademiku Feti Mehdiu është i pari që e kishte përkthyer plotësisht Kur’anin në gjuhën shqipe, në vitin 1985.[19] Megjithatë, Ledian Cikalleshi, mbi këtë çështje thotë: “Në bazë të fakteve që kemi ne, Feti Mehdiu nuk është përkthyesi i parë i tërë Kur’anit në gjuhën shqipe, por Muharrem Blakçori (1894-1968) …”[20]

Bazuar në atë që u përmend më sipër, arrijmë në përfundimin se Akademiku Feti Mehdiu është përkthyes i parë i Kur’anit në mënyrë të plotë në gjuhën shqipe. Tre vite pasi është botuar përkthimi i Kur’anit nga Akademiku Feti Mehdiu, më saktësisht në vitin 1988, nga shtypi dolën edhe dy përkthimet e Kur’anit, i pari i Muderris Sherif Ahmetit dhe tjetri i prof. Hasan Nahit. Pas këtyre tre përkthimeve të përmendura të Kur’anit, kemi edhe përkthimin e Kur’anit nga Zakarijja Muhammad Khani, i cili i përket sektit ahmedij/kadijanij, me emërtim Kur’ani i Shenjtë, i botuar në vitin 1990. Më pas, përkthimin e Kur’anit nga Selim Stafa në vitet 1996-1998; përkthimin e Kur’anit nga një grup studentësh pranë “Darus-selam”, Mbretëria e Arabisë Saudite, i botuar në vitin 1999; përkthimin e Kur’anit nga Alban Fejza, i botuar në vitin 2010; dhe përkthimin e Kur’anit të Prof. dr. Enes Kariqit, i përkthyer nga gjuha boshnjake nga përkthyesi: Selim Sylejmani, i botuar në vitin 2011.

Në vazhdim të punimit do të bëhet fjalë rreth përkthimeve të plota të Kur’anit në gjuhën shqipe:

Përkthimi i Kur’anit nga Akademiku Feti Mehdiu

Përkthimi i Kur’anit nga Akademiku Feti Mehdiu, Kur’an-i, recensentë: Bahri Aliu, Idriz Murati, Tevfik Gashi; lektor: Jusuf Gashi, Elez Ismaili, Mehmet Halimi; korrektor: Hasan Emrëllahu; redaktor teknik: Ali Govori; boton: Kryesia e Bashkësisë Islame e RSS, Prishtinë, 1985, 878 faqe. Në fillim është “Parathënia” e shkruar nga Jetish Bajrami, f. 3-8, më tej pason një studim i gjatë nga Fazlur Rahmani rreth Kur’anit, f. 9-27., dhe pastaj teksti i përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga f. 28-882.

Lidhur me këtë përkthim të Kur’anit, Emin Behrami në studimin e tij rreth katër përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe, thotë: “… Edhe pse këtë hap e ka marrë me qëllim të mirë, ka aq gabime të mëdha dhe të shumta, të cilat kanë krijuar kontradikta të hapëta kuptimore jo vetëm brenda një ajeti të përkthyer por edhe me ajetet dhe me vijat gjenerale të konceptit islam (…) E gjithë kjo ndodhi sepse përkthyesi nuk e ka synuar vlerën dhe kualitetin e punës dhe ndjenja e përgjegjësisë së tij nuk ka qenë e aktivizuar sa duhet si dhe shumë pak është konsultuar me literaturën islame përkatëse e cila merret me këtë problematikë.”[21]

Gabimet në përkthimin e Feti Mehdiut janë të natyrave të ndryshme. Nganjëherë paqartësia kuptimore e përkthimit i përket tërësisë së ajetit të përkthyer, nganjëherë ajo është e pjesshme dhe jo rrallë ndodh që kuptimi i përkthimit të humbë për shkak të mos përcaktimit të drejtë rreth njërit version kuptimor të fjalës, e cila kërkohet në rastet konkrete. Shumë herë përkthimi ka mbetur pezull, pa ndonjë përfundim kuptimor e logjik, thotë Emin Behrami.[22]

Në fillim ka afruar një studim të Fazlur Rahmanit rreth Kur’anit, ndërsa në fund të përkthimit ka dhënë edhe 258 shënime si komente të fjalëve apo të ajeteve, të marra nga Besim Korkuti sipas botimit të vitit 1977. Në fund të përkthimit ka treguar se ku bëhet sexhdja gjatë leximit të Kur’anit dhe ka shpjeguar edhe disa terma dhe ngjarje të jetës së Pejgamberit a.s., të marra nga Kur’an ?asni, botimi i IV, Zagreb, 1978.[23]

Për përkthimin e Kur’anit, Akademiku Feti Mehdiu ka konsultuar literaturën e mëposhtme, të cilën e përmend në faqen 864 të përkthimit të tij, ku thotë: “Dy burimet e fundit: El-Muntehabu fi tefsiri-l-Kur’ani-l-Kerim, Kairo, 1975., botimi i V, dhe Tuhfetu-l-erjabi bima fi-l-Kur’ani minel garaibi, Bagdad, 1977, që më kanë shërbyer si mbështetje që ky përkthim të jetë sa më korrekt, përkatësisht sa më me pak gabime, më afër origjinalit.”[24]



2) Përkthimi i Kur’anit nga H. Sherif Ahmeti

Përkthimi i tij është titulluar: Kur’an-i, përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, Prishtinë, 1988. Gjithsej ka 903 faqe, së bashku me tekstin origjinal të Kur’anit në gjuhën arabe. Recensentët e këtij përkthimi ishin: H. Hfz. Muhamed Gashi – muderris dhe prof. Miftar Ajdini; lektorët: Mehmet Halimi, Shefkije Islamaj dhe Ragip Mulaku; korrektorët: Avni Aliu dhe Rexhep Lushta; redaktimi teknik: Ali Govori. Nga f. 7 deri në f. 23 shtrihet Parathënia e shkruar nga vetë përkthyesi, Sherif Ahmeti. Teksti i përkthimit me tekstin origjinal fillon nga e majta. Përkthimi i Kur’anit me komente fillon nga f. 25 e deri në f. 893, në fund është edhe Fjala e përkthyesit, Sherif Ahmeti.

Ky përkthim i Kur’anit ka edhe një total prej 458 komentesh. Në faqen 27 të përkthimit të Kur’anit, Sherif Ahmeti tregon se komentet i ka shënuar me shenjën (*) yll. Sipas Emin Behramit, ato nuk janë të rregulluara mirë nga aspekti teknik, sepse nuk kanë numër të komentit dhe nuk dihet saktësisht se ku fillon dhe ku mbaron një koment.[25]

Sa për përdorimin e literaturës në përkthimin dhe komentimin e Kur’anit, Sherif Ahmeti, në faqen 902, citon: “… Kam përdorur: Safuetu et-Tefasir të Muhamed Sabunit; Mekasidu Fet’hil bejan fi-l-Kur’ani të Muhammed Hasan Khanit; Mufesser Mus’hafi të Ferid Vexhdit; Kamusun Kur’anijjun të Hasan Muhamed Musës. Ndonjëherë kam përdorur edhe Fahru Raziun,[26] Ibn Kethirin, etj.”[27]

Dr. Feti Mehdiu thotë se Sherif Ahmeti kishte përdorur edhe përkthimin e Kur’anit nga Muhamed Panxha dhe Xhemaludin Çausheviqi për përkthimin dhe komentimin e Kur’anit, edhe pse Sherif Ahmeti nuk e përmend këtë.[28]

Në vitin 1993, në Medinë, në një milion ekzemplarë, ky përkthim i Kur’anit është shtypur me titull: Kur’an-i, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, përktheu dhe komentoi: H. Sherif Ahmeti, 1413. H., Medinetu Muneuuere, Arabia Saudite. Dallimi i këtij botimi nga ai i vitit 1989 qëndron në faktin se ky botim në fillim të tij ka Shënime të botuesit, ku, ndër të tjera, thuhet: “Kompleksi Hadimu-l-Haramejni-sh-Sherifejni-l-Melik Fahd dhe Liga Botërore Islame, kanë nderin që t’i ofrojnë lexuesit të nderuar këtë Kur’an të përkthyer e të komentuar në gjuhën shqipe nga H. ef. Sherif Ahmeti e të korrektuar nga Mensur Halili me banim në Ohër -Tetovë, student i diplomuar në Medinë …”.

Përkthimi i Kur’anit nga Sherif Ahmeti, është shtypur edhe nga Daru-l- Tablegh në Angli dhe SHBA (Amerika e Veriut), por nuk është regjistruar vendi dhe viti i botimit. Botuesi në kllapa shtoi (… me disa ndryshime …), por nuk përmendet ndonjë shënim për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë dhe kush i ka bërë këto ndryshime.



Përkthimi i Kur’anit nga prof. Hasan Nahi

Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe nga Prof. Hasan Nahi është përkthimi i tretë i plotë në gjuhën shqipe, i botuar për herë të parë në vitin 1988. Për shkak të sistemit komunist të qeverisjes ky përkthim nuk ka rënë në sytë e askujt, madje as që u lexua – si injorim ndaj këtij lloji literature (fetare), sepse literatura islame, deri në vitin 1990, në kuadër të inteligjencës shqiptare nuk ka pasur një trajtim që meritonte vëmendje të veçantë.[29]

Botimi i parë i përkthimit të Kur’anit (1988), doli me tekstin origjinal në gjuhën arabe, megjithatë, teksti në gjuhën arabe nuk është në proporcion të barabartë me tekstin e përkthyer në gjuhën shqipe. Recensentët ishin: Adem Hoxha dhe Nuhi Hajrullahu (të cilët nuk kishin edhe aq përvojë në këtë fushë), ndërsa redaktimin gjuhësor e bëri Mehmet Halimi (ekspert në fushën e albanologjisë) dhe Nexhat Nahi (i biri i përkthyesit, profesor i gjeografisë dhe një ish-nxënës i Medresesë Gazi Mehmed Pasha në Prizren deri në vitin 1948). Nga parathënia e Kur’anit, shkruar nga Mulla Sadri Prestreshit, kuptojmë se: “Ky përkthim është bërë nga origjinali arabisht dhe është rezultat i punës shumëvjeçare të përkthyesit”.[30]

Një tipar i veçantë i këtij përkthimi është se emri i Allahut, zëvendësohet me “Perëndi (Zot)”, e që, sipas mendimit të akademikut Feti Mehdiu, nuk është plotësisht i saktë. Një tipar tjetër i këtij përkthimi është edhe përkthimi i disa ajeteve në bllok, duke mos i ndarë ato me kryerresht, por vetëm duke i shënuar ato me numrin e ajetit.[31]

Përkthimi i Kur’anit nga prof. Nahi, sipas fjalëve të Prof. Emin Behramit, eliminoi ato pak vërejtje në fushën e kuptimit në ajete, si dhe gabimet teknike nga përkthimet paraprake të botuara të Kur’anit në gjuhën shqipe, dhe u përpoq që ta përcjellë frymën dhe kuptimin e Kur’anit Fisnik. Vetë përkthimi i Kur’anit na sugjeron dhe dëshmon se përkthyesi i ka hyrë thellë kuptimit të mesazheve të Kur’anit, dhe se ai posedonte një gamë të gjerë të njohurive në fushën e disiplinave shkencore islame.[32]

Ky përkthim i Kur’anit ka pasur disa botime, si: a) botimi në vitin 2000 në Prizren, në formatin e xhepit (10×14.5 cm), recensues i këtij botimi ishte Reshat Mexhiti, ndërsa të tjerët, si redaktorë dhe lektorë, mbetën të njëjtë si në vitin 1988 dhe është botuar nga Këshilli i xhamisë së “Gazi Mehmed Pashës – Bajraklisë” në Prizren, dhe vetëm printimi është kryer në Turqi; b) botimi në vitin 2006 në Tiranë, Kur’ani i Madhërishëm.[33] Ky botim është realizuar nga botuesit seriozë në fushën e shtypit islam. Ky përkthim është përgatitur nga: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në Tiranë (AIITC), me këshillin botues: redaktor (Prof. Dr. Xhevat Lloshi) dhe recensentë (Dr. Ramiz Zekaj dhe Dr. Hajredin Hoxha), dhe ky botim ishte pa tekst origjinal në gjuhën arabe;[34] c) botimi në vitin 2008, Kur’ani i Madhërishëm.[35] Në kontrast me atë të vitit 2006, ky botim në kopertinë e ka edhe titullin në gjuhën arabe: Terxhemetu meani-l-Kur’ani-l-kerim bil-lugati-l-albanijjeti;[36] d) Botimi i radhës ishte ai në vitin 2010 dhe i fundit në vitin 2014, i cili vjen me këtë emërtim: Kur’ani i Madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe.[37] Sipas mendimit të Akademikut Feti Mehdiu, është e diskutueshme nëse ky botim i përkthimit mund të përkojë me përkthimin e Prof. Hasan I. Nahit nga viti 1988, për shkak të ndërhyrjes së dukshme në tekstin e përkthimit, siç mund të shihet edhe nga vetë emërtimi i përkthimit.[38]



4) Përkthimi i Kur’anit nga Muhammed Zakarijja Khani

Zakarijja Khan ishte student i Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, kështu që ky përkthim i Kur’anit është realizuar nga jo shqiptari nga Pakistani.[39] Prof. Emin Behrami, rreth këtij përkthimi, thotë: “Nëse u hedhim një shikim të njëmendtë dhe të thukët e shkencor katër përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe nëse bëjmë krahasimin e tyre me vlerat e mirëfillta, si kualitetin dhe vlerën e tyre shkencore, atëherë do të gjejmë se midis tyre ka dallime të mëdha. Disa përkthime, fillimisht, me qëllim janë adresuar kundër Kur’anit në veçanti dhe kundër Islamit në përgjithësi. Në këtë grup bën pjesë edhe përkthimi i Kur’anit nga Zakarijja Khani, i cili është bërë me qëllim të rrënimit dhe të shkatërrimit total dhe me themel të të gjitha bazamenteve dhe vlerave kryesore islame.”[40]

Përkthimi i Kur’anit nga Muhammed Zakarijja Khani[41] është botuar nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e Hazret Mirza Tahir Ahmadit, Khalifa i katërt i Mesihut të Premtuar dhe Presidenti Suprem i lëvizjes Ahmedia[42].[43] Kjo lëvizje është formuar me qëllime anti-islame, kështu që edhe ky përkthim i Kur’anit ka për qëllim shtrembërimin e mësimeve islame dhe infektimin e ndjenjave myslimane. Ky përkthim për myslimanët e zonave tona është kritik, sepse atij jo vetëm që i mungon një kulturë e gjerë e dijes islame, por i mungojnë edhe mësimet themelore rreth Islamit.[44] Përkthimi është botuar në vitin 1990, dhe ka gjithsej 893 faqe. Përkthyesi thotë se Kur’anin e përktheu nga origjinali, megjithatë, duke e shfletuar atë lehtësisht kuptojmë se është përkthyer nga gjuha angleze, nga Muhamed ‘Ali, siç thonë disa, por sipas mendimit tim është përkthyer nga Shar ‘Ali, gjithashtu një mbështetës i sektit Ahmedi.[45]



5) Përkthimi i Kur’anit nga përkthyesi Selim Stafa

Në vitet 1996-1998, kemi përkthimin vijues të Kur’anit në gjuhën shqipe, nga përkthyesi Selim Stafa, i realizuar në Tiranë. U botua në dhjetë vëllime në formatin A-5, me mbështetjen financiare të Komitetit Botëror Islam për Mirësi me qendër në Kuvajt. Bëhet fjalë për përkthimin e veprës El-Muntehab fi Tefsiri-l-Kur’ani-l-Kerim, të botuar në Kajro në vitin 1988. Ajo përmban tekstin origjinal të Kur’anit, por jo në funksion të përkthimit, dhe, siç thotë Dr. Feti Mehdiu, shërben vetëm si një “fasadë dekorative”, sepse në këtë situatë nuk është një përkthim i Kur’anit, por përkthimi i të folurit rreth Kur’anit, i cili në teorinë e përkthimit quhet “përkthimi brendagjuhësor”. Thënë shkurt, ky përkthim mund të karakterizohet si një lloj tefsiri, sepse vetë vepra Muntehabu-Tefsir është përkthim brendagjuhësor.[46]



6) Përkthimi i Kur’anit nga një grup përkthyesish pranë “Darusselam”

Përkthimi i radhës i Kur’anit në gjuhën shqipe, u realizua në Riad, Arabia Saudite, në vitin 1999 me titullin: “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të lartë në gjuhën shqipe”, përmbledhur në një vëllim nga Dr. Muhammed Taki-ud-Din El-Hilali dhe Dr. Muhammed Muhsin Khani, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë “Darussalam”, Riad, Arabia Saudite.

Në këtë botim, nuk përmenden emrat e përkthyesve e as të personaliteteve përgjegjëse, të cilët kanë kontribuar në botimin e përkthimit në gjuhën shqipe. Ky përkthim u botua në dy formate, në formatin A5 dhe atë të xhepit. Në faqen e parë thuhet: “Versioni i përmbledhur i Et-Taberi, El-Kurtubi dhe Ibn Kethir, me komente nga Sahihul-Bukhari; përmbledhur në një vëllim.”[47] Veprat e këtyre autoriteteve në fushën e tefsirit, dhe të katërtën në fushën e hadithit, grupi anonim ka arritur t’i përmbledhë në një vend. Punë e çuditshme![48]

Përkthimi është shoqëruar me tekstin origjinal të Kur’anit. Në faqen e fundit të këtij përkthimi të Kur’anit, e titulluar si Njoftim, sqarohet: “Kur’ani i Madhërishëm, përkthyer nga Dr. Muhammed Taki-ud-Din El-Hilali dhe Dr. Muhammed Muhsin Khan, Universiteti Islamik i qytetit të Medinës Al-Munawwarah”. Dihet me saktësi se asnjëri prej tyre nuk e dinë gjuhën shqipe.[49] Në faqen e fundit të këtij përkthimi të Kur’anit thuhet: “Atëherë, si mund të thuhet se ky përkthim i Kur’anit të Madhërishëm nga Dr. Muhammed Taki-ud-Din El-Hilali dhe Dr. Muhammed Muhsin Khan, është marrë nga Muhamed bin Abdul-Wahab, i cili ka vdekur në vitin 1206 H., pra me një ndryshim në kohë prej qindra vitesh (prej 400 deri në 1000 vjet) midis këtij të fundit dhe Taberiut, Kurtubiut, Ibn Kethirit dhe Bukhariut!”[50] Pyetja është, ç’të përbashkët ka përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe me Muhamed bin Abdul-Wehabin, që të citohen këto të dhëna?!



7) Përkthi mi i autorizuar i Kur’anit nga Rashad Khalifa, përktheu në gjuhën shqipe Alban Fejza

Përkthimi i radhës i Kur’anit në gjuhën shqipe, është Kur’ani, përkthimi i autorizuar në gjuhën shqipe, versioni në shqip i përkthimit të autorizuar të Kur’anit nga Rashad Khalifa nga gjuha angleze, i vitit 1989, të cilin e përktheu në gjuhën shqipe Alban Fejza, dhe i cili për herë të parë u botua në vitin 2010. Ky përkthim përbëhet prej 418 faqesh + XV.[51]

Në fillim të këtij përkthimi thuhet: “Pa dyshim, kush beson, qoftë nga Ortodoksët, Katolikët, ose të konvertuarit; kushdo që beson në Zotin, dhe beson në Ditën e Fundit, dhe çon jetë të drejtë, do ta marrin shpërblimin e vet prej Zotëruesit të tyre. Nuk kanë pse të frikësohen, e as nuk do të brengosen.”[52] Këtu besimi i myslimanëve krahasohet me besimin e njerëzve të tjerë.

Në faqen 7 përmendet “DEKLARATA” – Një Fe të Bashkuar Për të Gjithë Njerëzit: “Të gjitha fetë e botës – Hebraizmi, Krishterimi, Islami, Hinduizmi, Budizmi dhe të tjerat – janë korruptuar së tepërmi nëpërmjet shpikjeve, traditave, dhe idhullizimeve të njerëzve siç janë profetët dhe të shenjtët. (…) Tash e tutje, është vetëm një fe e pranueshme për Zotin – Nënshtrimi. (…) Kushdo që i nënshtrohet Zotit dhe ia kushton adhurimin VETËM Zotit është “i Nënshtruar.” Pra, dikush mund të jetë i Nënshtruar Hebre, i Nënshtruar i Krishterë, i Nënshtruar Budist, i Nënshtruar Hindu, ose i Nënshtruar Mysliman. (…) E vetmja fe e pranueshme nga Zoti është Nënshtrimi …” Në fund të këtyre fjalëve është nënshkruar Rashad Khalifa, nëntor 1989.

Në Hyrjen e këtij përkthimi mohohet ekzaltimi trupor i Muhamedit a.s., në Isra’ dhe Mi’raxh, duke deklaruar se ai ishte vetëm një ekzaltim shpirtëror. Dhe në vazhdim thuhet se Muhamedi a.s., e ka shkruar Kur’anin me dorën e tij, dhe thekson si vijon: “Gjatë ri-renditjes së sureve të Kur’anit, shkruesit, të cilët kanë kthyer në idhull Pejgamberin, i kishin shtuar dy strofa në fund të sures 9 (Teube)…”[53] Gjithashtu, në vazhdim thuhet: “Ishte sunduesi Umajad, Meruan Ibn Al-Hakem (vdiq në 684 Pas Krishtit) që e shkatërroi Kur’anin origjinal, që u shkrua nga dora e Muhamedit, ‘nga frika se do të shpërthenin grindje të reja’.”[54]

Ai gjithashtu thotë: “I Dërguari i Zotit i Besëlidhjes[55] ka paraqitur prova të pakalueshme që 9: 128-129 nuk përkasin në Kur’an. Me heqjen e këtyre strofave të rrejshme, Kur’ani më në fund është restauruar. Gjenerata jonë është gjenerata e parë që pranon Kur’anin në formën e tij të pastruar dhe të përfunduar …”[56]

Ky përkthim i Kur’anit nuk e ka tekstin origjinal dhe ka komente në fusnota. Në faqen 323 të këtij përkthimi të Kur’anit thuhet: “Shtojcat në vijim janë shkruar nga Dr. Rashad Khalifa, i Dërguari i Zotit i Besëlidhjes në vitin 1989 në përkthimin e Kur’anit në gjuhën angleze.”[57]

Si përfundim mund të themi se në mesin e atyre përkthimeve në gjuhën shqipe, me qëllim të adresimit fillimisht kundër Kur’anit në veçanti dhe kundër Islamit në përgjithësi, në këtë grup bën pjesë edhe përkthimi i Kur’anit nga Zakarijja Khani, i përmendur më parë, dhe ky përkthim i autorizuar i Kur’anit nga Rashad Khalifa, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Alban Fejza. Këto dy përkthime të Kur’anit janë bërë me qëllim të rrënimit dhe të shkatërrimit total dhe me themel të të gjitha bazave dhe vlerave kryesore islame dhe sipas mendimit tim, që të dy këto përkthime të Kur’anit duhet të ndalohen nga autoritetet përkatëse islame si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e më gjerë, ku jeton popullata shqipfolëse.



8) Përkthimi i Kur’anit nga prof. dr. Enes Kari?, përkthyer në gjuhën shqipe nga dr. Selim Sylejmani

Përkthimi i radhës i Kur’anit në gjuhën shqipe, është ai nga Akademiku dr. Enes Kariq, të cilin, nga gjuha boshnjake në shqip, e përktheu Selim Sylejmani, me emërtim Kur’ani – përkthim i kuptimeve.

Ky përkthim i Kur’anit doli nga shtypi në vitin 2011 në Prishtinë, është botuar në formatin A-5, në 1000 ekzemplarë, me lidhje të fortë. Shtypi: A-Print, Prishtinë, botues: K.O. “KUR’ANI” – Kosovë; për botues: Muhamed Bakër Salihi; redaktorët profesionalë: Prof. dr. Qazim Qazimi, Dr. sc. Lulzim Esati dhe Dr. sc. Mustafa Bajrami, redaktimi gjuhësor: Selim Z. Sylejmani; korrektura: Islam H. Osmani dhe Zekerija Abdullahu; realizimi kompjuterik: Mr. Fahrudin Ismaili; krahasimi i ajeteve nga gjuha arabe në gjuhën shqipe: Dr. sc. Lulzim Esati.

Teksti i përkthimit me tekstin origjinal në gjuhën arabe fillon nga ana e djathta në të majtë. Ka 607 faqe të përkthimit + 607 faqe të tekstit origjinal në gjuhën arabe. Në fillim të këtij përkthimi të Kur’anit pason Fjala e botuesit, ku ndër të tjera thuhet se synimi ishte që veprimtaria kulturore – islame, të kurorëzohet me kryeveprën madhore të islamit – Kur’anin Fisnik, duke ia bashkangjitur atë varganit të përkthimeve të deritanishme të Kur’anit në gjuhën shqipe.

Përkthyesi pohon se u përpoq që ky përkthim të ketë një stil të lehtë dhe të përshtatshëm me gjuhën moderne shqipe, si dhe të ruhej aq sa ishte e mundshme, kuptimi origjinal i Kur’anit.

Sa i përket përkthimit të Kur’anit nga akademiku dr. Enes Kariq në gjuhën shqipe, i cili i përket kalibrit të lartë akademik, si në Ballkan ashtu edhe më gjerë, besoj se me këtë ndërmarrje është bërë një përpjekje e mirë, për të cilën kishte nevojë edhe lexuesit shqiptar, dhe për këtë e lus Zotin e Madhërishëm që ta shpërblejë përkthyesin për përpjekjet e tij.

Në thelb, ky është një përkthim i përkthimit të Kur’anit (nga arabishtja në gjuhën boshnjake, dhe nga gjuha boshnjake në atë shqipe).



9) Përkthimi i Kur’anit nga Myftiu Salih F. Hoxha

Përkthimi i radhës i Kur’anit në gjuhën shqipe, është ai nga Myftiu Salih F. Hoxha, me titull: El Kur’an El Kerim / Kur’ani i nderuar. Përgatiti: Kudret S. Hoxha; kopertina: Elvis Bejtja; botimi i parë: tirazhi 1000 kopje, boton: SHPSH “Pegi”, Tiranë, maj 2013; botimi i dytë: edicion elektronik (ebook), rishikuar 2015, publikuar nga: K.S. Hoxha at Smashwords.[58]

Edicioni elektronik përbëhet prej 491 faqesh. Në faqen e parë ka të dhëna rreth këtij përkthimi të Kur’anit. Në faqen e dytë pason përkthimi i Kur’anit me suren El-Fatiha (Hyrja), dhe përfundon me suren En-Nas (Njerëzit) në faqen 489 të këtij edicioni elektronit. Në faqen 489-490 pason Kronika e ngjarjeve, që nga viti 610 – fillimi i shpalljes së Kur’anit e deri në vitin 632 – v. 10 H., Pelegrinazhi i Lamtumirës. Kurse, krejt në fund, është përmendur ajeti 3 i sures El-Maide, i cili në paraqitjen e domethënies së tij në gjuhën shqipe ka ardhur nga ky përkthyes si vijon: “Sot jua përsosa fenë, plotësova Mirësinë Time ndaj jush, pëlqeva për ju Islamin fe.” (Kur’ani, 5:3).

Ky përkthim i Kur’anit në gjuhën shqipe, në fillim të çdo sureje së caktuar, e cek numrin rendor 1, 2, 3…113, emërtimin e sures (p.sh. Hyrja/El-Fatiha), periudha e shpalljes – periudha e Mekës apo e Medinës, dhe numri i ajeteve të sures së caktuar. Për ilustrim do të përmendim përkthimin e sures El-Fatiha (Hyrja) nga ky përkthimi i Kur’anit:



HYRJA (EL FATIHA)
Periudha e Mekës, 7 ajete
1. Me Emrin e Zotit Bamirës, Mëshirëplotë.
2. Lavdi Allahut, Zotit të botëve,
3. Bamirësit, Mëshirëplotit,
4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit!
5. Ty të adhurojmë, Ty të kërkojmë ndihmë.
6. Drejtona në Rrugën e Drejtë,
7. në rrugën e atyre që ke bekuar, jo të atyre që urrehen, as t’atyre që janë të gabuar.



Konkluzione:

Nga sa u tha deri tani, mund të nxjerrim këto konkluzione:

– Për shqiptarët, si edhe për popujt e tjerë, që nuk e kanë arabishten gjuhë të folur, ishte një nevojë urgjente përkthimi i Kur’anit në gjuhën e veta amtare;

– Dijetarët e popullit shqiptar kanë dhënë një kontribut të dukshëm në fushën e përkthimit dhe në përgjithësi në atë të interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe;

– Dkzistojnë disa parakushte për atë që dëshiron të angazhohet me përkthimin e Kur’anit, kështu që jo të gjithë mund të merren me këtë fushë të rëndësishme të shkencave islame;

– Përkthimi kontekstual i Kur’anit është i detyrueshëm, sepse, duhet të kemi në dijeni se Kur’ani është shpallje universale e Allahut xh.sh., e dërguar për të gjithë popujt e botës, arabë dhe jo arabë. Kështu që është e pamundur që të përcillen mesazhet kuranore te njerëzit jo-arabë, në qoftë se kuptimet e tij nuk përkthehen siç duhet;

– Përkthimi i Kur’anit është nevojë e myslimanëve në mbarë botën, është një temë e rëndësishme dhe gjithashtu e ndjeshme, sepse me përkthim të gabuar dhe jo të saktë shtrembërohet e vërteta kuranore. Shumë njerëz, nga ndikimi i përkthimeve të Kur’anit kanë pranuar Islamin, megjithatë, për fat të keq, ka edhe të tillë që janë larguar nga e vërteta për shkak të përkthimeve të shtrembëruara të Kur’anit.


___________________________
[1]. Në këtë rast folja modale duhet në lidhore (duhet të përkthehet) aludon në domosdoshmërinë e interpretimit të mesazheve kuranore në gjuhët e ndryshme të botës.
[2]. Enes Kari?, Kako tuma?iti Kur’an, Tugra, 2005, Sarajevë, f. 50.
[3]. Kur’an-i, përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi: H. Sherif Ahmeti, Kryesia e Bashkësisë Islame për RS Serbisë – Prishtinë, Prishtinë, 1988, f. 23.
[4]. Gilman Kazazi, “Rreth përkthimeve të Kur’anit”, nga ueb-faqja: http://www.progresibotime.com/artikuj/120-rreth-perkthimeve-te-Kur’anit.html, (shkarkuar më: 15.08.2014).
[5]. Jahja Hondozi, “Jehona e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe në shtypin e huaj”, Edukata Islame, nr. 93, Prishtinë, 2010, f. 165.
[6]. Mexhid Yvejsi, vep. cit., f. 71-75. Po ashtu: Akademik dr. Feti Mehdiu, “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, Edukata Islame, nr. 90., Prishtinë, 2009, f. 77.
[7]. Hajrullah Hoxha pajtohet me fjalët e Mexhid Yvejsit dhe të Akademikut Feti Mehdiu, kur është fjala për Shqipërinë, mirëpo, ai thotë se ateizmi zyrtar nuk pengoi përkthimin e Kur’anit në Kosovë. Për më shumë shih: Hajrullah Hoxha, “Një vështrim kritik punimit me titull: ‘Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe’“, Edukata Islame, nr. 92, Prishtinë, 2010, f. 244.
[8]. Qemajl Morina, “Identiteti fetar i shqiptarëve” në: Shtresimet e identitetit kulturor shqiptar, Shoqata Kulturore “Zëri Ynë”, Zëri Ynë, Prishtinë, 2003, f. 25-31.
[9]. Ky është mendim i Akademikut Feti Mehdiut të cilin e përmend në punimin e tij me titull: “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, vep. cit., f. 77. Rreth kësaj, Hajrullah Hoxha nuk pajtohet me mendimin e Feti Mehdiut dhe thotë se përkthimi i Kur’anit nuk ishte temë tabu tek shqiptarët, sepse kishte prej atyre që e përkthenin Kur’anin. Shih: Hajrullah Hoxha, “Një vështrim kritik punimit me titull: ‘Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe’“, vep. cit. , f. 244.
Po ashtu, edhe prof. Nexhat Ibrahimi nuk pajtohet me mendimin se përkthimi i Kur’anit ishte temë tabu tek shqiptarët dhe thotë: “Për disa arsye ishte vonuar përkthimi i Kur’anit. Por nuk ishte temë tabu…”.
[10]. Po aty, f. 244. Këtu mendohet për përkthimin tekstual të Kur’anit e jo për ndalimin e përkthimit të tij në përgjithësi.
[11]. Shih: Ramadan Shkodra, “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”. Shkarkuar nga ueb-faqja: http://shkodrar.wordpress.com/2009/04/16/perkthimet-e-Kur’anit-ne-gjuhen-shqipe/, (shkarkuar më: 16.11.2014).
[12]. Feti Mehdiu, “O albanskim prevodima Kur’ana”, Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, Libri V-VI, Sarajevë, 1978, f. 238.
[13]. Po aty, f. 239.
[14]. Shih: http://www.islampress.info/2016/03/03/disa-tema-dhe-dilema-rreth-perkthimit-te-Kur’anit-ne-gjuhen-shqipe/, (shkarkuar më: 16.01.2016).
[15]. Nexhat Ibrahimi, vep. cit., (fusnota 91), f. 42.
[16]. Po aty, f. 71-75.
[17]. Shih: Hajrullah Hoxha, ‘Një vështrim kritik punimit me titull: “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe.”’, vep. cit., f. 245.
[18]. Po aty, f. 245-246.
[19]. Është fakt interesant se i pari që ka shkruar në shtypin shqiptar rreth këtij përkthimi në gjuhën shqipe ishte Dr. Engjëll Sedaj. Shih: Jahja Hondozi, vep. cit., f. 169.
[20]. Për më shumë shih: Ledian Cikalleshi, “Përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe”, nga ueb-faqja: http://www.dritaislame.al/perkthyesi-i-pare-i-Kur’anit-ne-gjuhen-shqipe/, (shkarkuar më: 16.11.2014).
[21]. Emin Behrami, vep. cit., f. 15.
[22]. Po aty, f. 14-15.
[23]. Po aty, f. 15.
[24]. Po aty, f. 17.
[25]. Emin Behrami, vep. cit., f. 16
[26]. Shënim: Mendoj se Sherif Ahmeti gjatë përkthimit dhe komentimit të Kur’anit kishte përdorur dhe Keshshafin e Zemahsheriut, gjë kjo që kuptohet nga përkthimet e tij të disa ajeteve të Kur’anit.
[27]. Kur’an-i, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, përktheu dhe komentoi: H. Sherif Ahmeti, v. e cit., f. 902.
[28]. Dr. Feti Mehdiu, Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, Logos-A, Shkup, 1996, f. 76.
[29]. Akademik Feti Mehdiu, “Përkthimi i Kur’ani Kerimit nga Hasan ef. Nahi dhe veçoritë e ribotimit të këtij përkthimi (në njëzetvjetorin e vdekjes së Hasan ef. Nahit)”, Takvim – Kalendar 2013., Prishtinë, 2013, f. 239.
[30]. Kur’ani i Madhëruar, e përktheu nga arabishtja Prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë, 1988.
[31]. Po aty, f. 244.
[32]. Për më shumë shih: Emin Behrami, vep. cit., f. 16.
[33]. Kur’ani i madhërishëm, përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe: Prof. Hasan I. Nahi, Tiranë, 2006.
[34]. Shih: Akademik Feti Mehdiu, “Përkthimi i Kur’ani Kerimit nga Hasan ef. Nahi dhe veçoritë e ribotimit të këtij përkthimi (në njëzetvjetorin e vdekjes së Hasan ef. Nahit)”, vep. cit.,f. 247-250.
[35]. Kur’ani i madhërishëm, përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe: Prof. Hasan I. Nahi, (ISHMQI) Tiranë, 2008.
[36]. Akademik Feti Mehdiu, “Përkthimi i Kur’ani Kerimit nga Hasan ef. Nahi dhe veçoritë e ribotimit të këtij përkthimi (në njëzetvjetorin e vdekjes së Hasan ef. Nahit)”, vep. cit., f. 253.
[37]. Kur’ani i Madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe, mbështetur në përkthimin e Prof. Hasan I. Nahi, (ISHMQI), Tiranë, 2010 (2014).
[38]. Akademik Feti Mehdiu, “Përkthimi i Kur’ani Kerimit nga Hasan ef. Nahi dhe veçoritë e ribotimit të këtij përkthimi (në njëzetvjetorin e vdekjes së Hasan ef. Nahit)”, vep. cit., f.. 255.
[39]. Akademik dr. Feti Mehdiu, “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, Edukata islame, nr. 90, Prishtinë, 2009., f. 80.
[40]. Emin Behrami, vep .cit., f. 13.
[41]. Kur’ani i shenjtë, përktheu dhe komentoi: Muhammed Zakarijja Khan, Islam International Publication, L.T.D., Islamabad, SheephachLane, Tilford, Surrey, G410 2AQ, U.K., 1990.
[42]. Ahmadiyya (a. Ahmadiyya), lëvizja Islame, të cilën e themeloi Mirza Ghulam Ahmedi (1835-1908) në vitin 1889 në Indi. Shih: Nerkez Smailagi?, Leksikon Islama, Svjetlost, 1990, f. 17.
[43]. Rreth Ahmedive më shumë shih: Fikret ef. Arnaut, Ko se krije iza Ahmedija?, botues: Xhemat Sabur, München, 2002. Po ashtu: Muharem Omerdi?, “Ahmedijska sekta u BiH”, Preporod, nr. 18/812 – 15. 09. 2005., f. 43; Po ashtu: Emin Behrami, vep. cit., f. 549-658.
[44]. Po aty, f. 13-14.
[45]. Rreth kadianizmit te shqiptarët shih më gjerësisht: Halil Ibrahimi, “Kur’ani, kadianizmi dhe shqiptarët”, marrë nga faqja e internetit: http://halilibrahimi.blogspot.com/2007/08/Kur’ani-kadianizmi-dhe-shqiptart.html (Shikuar më: 22.01.2016).
[46]. Më gjerësisht shih: Akademik dr. Feti Mehdiu, “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, vep. cit., f. 93.
[47]. “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të lartë në gjuhën shqipe”, përmbledhur në një vëllim nga Dr. Muhammed Taki-ud-Din El-Hilali dhe Dr. Muhammed Muhsin Khani, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë “Darussalam”, Riad, Arabia Saudite.
[48]. Akademik dr. Feti Mehdiu, “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, vep. cit., f. 93.
[49]. Po aty, f. 90.
[50]. “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të lartë në gjuhën shqipe”, përmbledhur në një vëllim nga Dr. Muhammed Taki-ud-Din El-Hilali dhe Dr. Muhammed Muhsin Khani, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë “Darussalam”, Riad, Arabia Saudite.
[51]. Kur’ani, përkthimi i autorizuar në gjuhën shqipe, versioni në shqip i përkthimit të autorizuar të Kur’anit nga Rashad Khalifa nga gjuha angleze, i vitit 1989, përktheu në gjuhën shqipe: Alban Fejza, 2010. Shkarkuar nga web-faqja: http://www.masjidtucson.org/albanian/Kur’aniShqip.pdf, (shkarkuar më: 23.11.2014).
[52]. Po aty, f. VII.
[53]. Rashid Khalifa e konsideronte veten si i Dërguari i Zotit i Besëlidhjes. Ai hodhi poshtë hadithet e Muhamedit a.s., si burim i fesë, dhe i kishte përjashtuar dy ajetet e fundit të sures Teube, duke mos i konsideruar ato si pjesë të Kur’anit. Sipas mendimit unanim të dijetarëve të Islamit, një njeri i cili mohon hadithin e Muhamedit a.s., nuk konsiderohet si mysliman. Po ashtu, kush dyshon në shenjtërinë e Kur’anit, si Fjalë të pa ndryshuar të Allahut xh.sh., ai del nga caqet e Islamit.
[54]. Po aty, f. VII.
[55]. Kjo i referohet Rashid Khalifas.
[56]. Po aty, f. VII.
[57]. Po aty, f. 323.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi