Feja islame i ka kushtuar rëndësi të madhe vlerave dhe virtyteve. Në tekste të shumta kur’anore dhe profetike gjejmë këshilla dhe porosi për të përvetësuar këto vlera dhe për ‘tu fisnikëruar me to sepse kështu reflektojmë më së miri Islamin dhe mesazhet e tij për njerëzimin. Allahu thotë: “Allahu është Ai që ju ka dërguar të pa arsimuarve një Profet nga mesi i tyre, që ua ka lexuar ajetet e Kur’anit dhe i ka pastruar (nga gjendjet e gabuara),…” (El Xhumuah: 2.)
Pra, Islami, si fe, dhe Muhammedi a.s., si profet, për mision kanë ndërrimin e kodit moral dhe jo vetëm. Profeti Muhammed a.s. ka thënë: “Jam dërguar për të plotësuar vlerat e larta të moralit!”(1)
Pra, kemi të bëjmë edhe më përsosje të vlerave, me një kod që dallon absolutisht nga kodet tjera, me një kod që moralin e sheh si imazhin më të përkryer të besimit. Profeti Muhammed a.s. ka thënë: “Besimtari me besimin më të përsosur është ai që ka moralin më të mirë…!”(2)
Për këtë shkak, gjejmë se Profeti Muhammeda.s. ishte shembulli më i mirë i mishërimit me vlerat e larta morale. Ishte Kur’an i gjallë. Ishte pasqyrë ku reflektonin këto vlera, por edhe burim i tyre. Me fjalët dhe këshillat e tij nxiste që të dallohemi për moral. Nga këtu, këshillat e tij janë të veçanta. Thirrjet e tyre i dedikohen shpirtrave të lartë, atyre që, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij, ofrojnë shembujt më të përsosur të mirësjelljes dhe humanizmit.
Një nga këto këshilla madhështore do ta trajtojmë dhe sot, në hutben e kësaj xhumaje. Aliu (r.a.) transmeton se në dorezën ose tehun e shpatës së Profetita.s. kishte gjetur të gravuara këto tre fjalë (këshilla): “Mbaji lidhjet me atë që i ka shkëputur me ty, thuaje të vërtetën, qoftë edhe kundër vetes sate, dhe bëji mirë atij që të ka bërë keq!”(3)
Në këto tre porosi profetike do të gjurmojmë që të gjejmë madhështinë e moralit islam por edhe arsyen dhe shpjegimin se përse ne duhet ta përvetësojmë këtë moral.
1. “Mbaji lidhjet me atë që i ka shkëputur me ty”
Njeriu nga natyra e tij e ka të vështirë të zgjidhet nga prangat e nefsit.
Si t’i shkoj atij që nuk më vjen?!
Përse ta vizitoj kur ai më refuzon?!
Si pasojë e një mendësie të këtillë sot vërejmë lëçitje, shkëputje lidhjesh, bojkotim të njëri tjetrit, e çka jo se. Ndërsa si myslimanë, do të duhej të kishim peshoje tjetër. Ne, karshi të tjerëve, nuk veprojmë siç veprojnë ata ndaj nesh. Kriter nuk e kemi sjelljen e tyre por urdhrin e Allahut dhe shpërblimin e Tij. Së këndejmi, feja nuk e konsideron ‘mbajtje të lidhjeve’ atë që nuk kryhet sipas këtij kriteri. Më qartë, Profeti Muhammed a.s., ka thënë: “Nuk konsiderohet mbajtës i lidhjeve ai që kërkon kompensim: mbajtës i lidhjeve është ai që i mban ato kur të shkëputen!”(4)
Pra, Islami na mëson që t’i shkojmë atyre që nuk na vijnë dhe t’i vizitojmë ata që nuk na vizitojnë!
2. “Thuaje të vërtetën, qoftë edhe kundër vetes sate”
Në Islam parimet janë mbi individë, e vërteta është mbi çdo interes dhe drejtësia mbi çdo autoritet. Për këtë shkak, si në Kur’an, si në hadithe, na bëhet thirrje që ta pranojmë të vërtetën, pavarësisht se është apo jo në favor tonin. Allahu na urdhëron: “O besimtarë! Bëhuni ithtarë të së vërtetës, duke dëshmuar në emër të Allahut, ajo qoftë madje edhe kundër jush, ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj…” (En Nisa: 125.)
Islami na nxit që të gjykojmë drejt për njerëzit, edhe nëse zemra nuk na i do.
“…Le të mos u nxis juve urrejtja ndaj një kombi për të bërë padrejtësi….” (El Maide: 8)
Paramendoni sa e drejta shkelet kur të shkelet ky parim, sa padrejtësia bëhet kur të njerëzit gjykojnë në favore të ndryshme, por jo sipas të vërtetës!
3. “Bëji mirë atij që të ka bërë keq!”
Porosia e tretë profetike është që ‘t’i bëjmë mirë atyre që na kanë bërë keq!’ Është si të thuash kriter dhe parim për sjelljet me njerëz. Porosia e parë (‘Shkoji atij që nuk të vjen!’) është formë se si manifestohet ky parim. Islami moralin nuk e sheh shenjë dobësie. Faljen e të këqijave, anashkalimin e tyre, harrimin e tyre, kthimin e tyre me të mira, i konsideron si forcë dhe guxim. Madje, i konsideron si mënyrë ndëshkimi. Omeri (r.a.) ka thënë: ‘Nuk ka ndëshkim më të rëndë ndaj atij që të ka bërë keq se t’ia kthesh duke e respektuar Allahun në raport me të!’
Me fjalë tjera kjo është ajo fjala e urtë popullore ‘Falja është ndëshkimi më i madh!’ E se si ndodhë kjo, na shpjegon hadithi në vijim. Një njeri erdhi tek Profeti Muhammed a.s., dhe iu ankua se të afërmit e kishin bojkotuar, edhe pse ai i mbante lidhjet me ta, i bënin keq, edhe pse ai iu bënte mirë dhe silleshin vrazhdë me të edhe pse ai sillej butë. Profeti Muhammed a.s. i tha: “Nëse je kështu siç po thua, atëherë ti (me sjelljen tënde të mirë) sikur po iu ofron prush të nxehtë për të ngrënë!…”(5)
Në kuptim të kësaj fjale janë thënë dy gjëra, njëra prej të cilave edhe kjo: kthyerja e të keqes me të mirë do t’i vret ata, do t’i bëj të ndihen keq emocionalisht, se si ti, që të kanë dëmtuar, po ua kthen të keqen me të mirë!
Pra, e kthejmë të keqen me të mirë, jo që t’i lëndojmë të tjerët, por t’ua pastrojmë ndërgjegjen dhe shpirtin, sepse ai që ndihet keq për atë që ka bërë, nuk ka si të mos kthehet në rrugën e drejtë dhe të të bëhet mik!
_________________
1. Albani në Sahihu-l-Xhami, nr, 2349, e konsideron të saktë.
2. Albani në Sahihu-l-Xhami, nr, 1232, e konsideron të saktë.
3. Albani në Sahihu-l-Xhami, nr, 3769, e konsideron të saktë.
4. Transmeton Buhariu.
5. Transmeton Muslimi.