Huaja - borxhi dhe dispozitat e tij në të drejtën islame

 


Borxhi-huaja është nga çështjet e njohura në mesin e njerëzve dhe në të drejtën islame si dhe vepër e lejuar që konsiderohet si vepër e rekomanduar (mendub), duke u mbështetur në tekstet kuranore dhe në hadithet e të Dërguarit a.s.
Ligjshmërinë e borxhit e gjejmë në ajete kuranore, në hadithe, në konsensusin e dijetarëve (ixhma).


Allahu i Lartësuar ka thënë: "O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga mesi juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar All-llahu. Le të shkruajë, e atij le t'i diktojë ai që merr borxhin, le t'i frikësohet All-llahut, Zotit të tij e të mos lërë mangut asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mendërisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për shkak se, nëse njëra prej tyre gabon, t'ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë tek All-llahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras), që e praktikoni midis jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespekt juaji (ndaj dispozitave të All-llahut). Kini frikë All-llahun, sepse All-llahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), All-llahu është i Gjithëdijshëm për çdo send". (El Bekare, 282); dhe në ajetin: ”... huazoni (jepni sadaka) për hir të All-llahut hua të mirë". (El Muzemmil, 20).
l Dërguari a. s. ka thënë: "Në natën e Israsë e kam parë se në derë të Xhenetit shkruante: "Lëmosha shpërblehet dhjetëfish, kurse dhënia e huasë (borxhit), shpërblehet tetëmbëdhjetë fish”. E unë i thashë Xhibrilit a.s.: "Për ç'arsye huaja është më e vlefshme se lëmosha?” Ai më tha: "Arsyeja është se lypësi lyp edhe kur ka, ndërsa ai që kërkon borxh, kërkon vetëm atëherë kur të ketë nevojë”.
Ndërkaq, sa i përket ixhmait (konsensusit të dijetarëve), të gjithë janë të mendimit se lejohet marrja e huasë, dhe se shoqëria do të veprojë duke marrë hua nga koha e të Dërguarit a.s., e deri në fundin e kësaj jete. Pra, të gjithë myslimanët janë të pajtimit për ligjshmërinë e huasë, se lejohet të kërkohet borxh dhe se, ai që kërkon hua, nuk ka kurrfarë mëkati. Dhënia e borxhit konsiderohet vepër e rekomanduar për atë që e jep, dhe lejohet ta marrë huamarrësi për nevojat e jetës së tij. Ndonjëherë ndodh që marrja e borxhit të jetë e ndaluar, si p.sh.: kur huamarrësi merr hua për të bërë ndonjë vepër të ndaluar, si f.v., për të pirë alkool apo për të luajtur bixhoz etj. Norma e marrjes së borxhit mund të jetë edhe mekruh (vepër e urrejtur), si p.sh. kur merr borxh dhe nuk e harxhon për diçka që është e dobishme dhe në interes të dobishëm. Gjithashtu mekruh konsiderohet kur dikush merr hua duke e ditur se nuk ka mundësi për ta kthyer. Lejohet të merret borxh për të blerë kurban, me kusht që marrësi të ketë mundësi për ta kthyer borxhin.


Disa rregulla që duhet zbatuar për huanë


Për çështjen e huasë doemos duhen mbajtur parasysh këto rregulla:
1. Ai që merr hua nuk duhet të kërkojë borxh përveçse kur ka nevojë të madhe, si p.sh.: për t'u shëruar, për ndonjë operacion ose për të paguar diçka që është e domosdoshme për jetën, si p.sh.: sigurimi i lëndëve të ngrohjes gjatë kohës së dimrit.
2. Huamarrësi duhet të mos e teprojë me shpenzime, duke ngrënë ushqime të shijshme dhe që nuk janë të domosdoshme për konsumim.
3. Huamarrësi duhet të jetë i bindur se do të ketë mundësi t'ia kthejë borxhin atij që ia ka marrë, në kohën e caktuar, ngase ndryshe në këtë mënyrë huamarrësi bën mëkat, sepse bëhet shkaktar që të tjerët të mos japin më hua. "Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as hua)". (El Maun, 7) Pra, borxhi duhet kthyer në kohën e duhur, në mënyrë që të tjerët të kenë vullnet për të dhënë hua.


Regjistrimi i borxhit


Sipas së drejtës islame, kërkohet që borxhi të regjistrohet ose të merret diçka peng apo ndonjë gjë e ngjashme, me qëllim që të mbrohet dhe të ruhet e drejta e atij që jep hua-borxh. Allahu i Lartësuar për këtë thotë: "O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë..., e në qoftë se gjendeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng (paradhënie ose kapar)". (El Bekare, 282 dhe 283).
Shkrimi/Regjistrimi i borxhit nuk është vetëm për shkak të mossigurisë, po qëllimi kryesor është nëse ndodh Vdekja e ndonjërit, atëherë borxhi nuk humbet, sepse është i evidencuar me shkrim.
Shënim: kur ndodh që të ketë mospajtime rreth vlerës dhe sasisë së borxhit në mes të dhënësit dhe marrësit, atëherë merret fjala e marrësit, por duke u betuar në Allahun se po thotë të vërtetën.


Garancia e huasë


Garancia e pasurisë që është dhënë hua bëhet nga huamarrësi, prandaj ky e ka për obligim të garantojë pasurinë që merr hua. Pra, huamarrësi nga çasti që merr diçka hua a borxh, ai është edhe garantues i asaj pasurie.


Pronësia e huasë-borxhit


Borxhi-huaja bëhet pronë e huamarrësit, nga çasti kur ta marrë në duart e veta. Të këtij mendimi janë Ebu Hanifeja dhe Imam Muhamedi, kurse sipas malikinjve, huaja-borxhi bëhet pronë e huamarrësit nga çasti i bërjes së aktit, edhe nëse ai nuk e ka marrë ende.


Vendi ku duhet të kthehet borxhi


Sipas unanimiteti të dijetarëve të katër medhhebeve, huaja-borxhi duhet të kthehet në vendin ku është marrë, nëse ka mundësi, ndonëse është i vlefshëm kthimi i tij në cilindo vend. Lejohet kthimi i borxhit në çdo vend, veçse duke u plotësuar kushtet e duhura.


Borxhi nga i cili ka përfitim


Sipas mendimit mbizotërues te hanefinjtë, është e ndaluar të kihet përfitime nga dhënia e borxhit-huasë, nëse kjo kushtëzohet, e nëse nuk kushtëzohet, atëherë lejohet të kihet përftime nga ai. Po që se ndodh t'i jepet huadhënësit dhuratë, lejohet, por, nëse kushtëzohet dhënia e dhuratës, kjo është mekruhi tahrimen (me- kruh i rëndë).
Sipas malikinjve është e ndaluar rreptësisht që të kihet përfitime nga dhënia e borxhit, si p.sh.: të hahen ushqime tek ai që i është dhënë hua nga huadhënësi për shkak se i është dhënë borxh. Gjithashtu ndalohet dhënia e dhuratës për atë që është huadhënës, nëse huamarrësi me atë dhuratë ka për qëllim ta shtyjë afatin e pagesës së borxhit.
Sipas shafiinjve dhe hanbelinjve, nuk lejohet të ketë kurrfarë përfitimi nga dhënia e borxhit, si p.sh.: t'i jepet dikujt hua që t'ia shesë shtëpinë e më pastaj t'ia kthejë më shumë. Sipas këtyre dijetarëve kjo është e ndaluar.


Dhurata në rastin e dhënies së huasë


U përmend më lart se, sipas hanefinjve, nëse kushtëzohet dhënia e dhuratës, është vepër shumë e urrejtur (mekruh tahrimen), e nëse nuk kushtëzohet,lejohet. Ndërkaq, malikinjtë janë të mendimit se është e ndaluar rreptësisht të jepet dhuratë për huadhënësin. Këta mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e të Dërguarit a. s., i cili ka thënë: "Kur ndokush prej jush jep hua, të mos marrë dhuratë". Po ashtu shënohet se i Dërguari a. s. e kishte ndaluar të merrej dhuratë kur të jepet borxh, ngase `Veprimi i tillë është i afërt me ka- matën. Umer bin Abdul Azizi dhënien e dhuratës për huadhënësin e ka konsideruar si ryshfet.


Nxitja për të dhënë hua dhe për ta kthyer borxhin


I Dërguari a. s. i nxiste njerëzit për të dhënë hua dhe, po ashtu kërkonte që borxhi të paguhej me kohë.
Transmetohet se i Dërguari a.s. ka thënë: "A e dini se çfarë është obligimi ndaj fqinjit? Kur ai të të kërkojë ndihmë, ndihmoje atë; nëse kërkon hua prej teje, duhet t'i japësh”
Gjithashtu transmetohet nga Ibën Abasi r. a. se i Dërguari a. s. ka thënë: "Çdo dhënie e huas është lëmoshë."


Frikësimi nga marrja e borxhit


Se nuk duhet nxituar për të marrë borxh përveç në rastet kur kemi nevojë të domosdoshme, këtë e shohim nga thëniet e të Dërguarit a.s.: Në një rast i
Dërguari a. s. ka thënë: "Borxhi është ?amuri i Allahut në tokë, e kur do Ai që të poshtërojë robin e Tij, atë flamur ia vendos në qafë”(1.)
Transmetohen nga Amer bin el-Asi r.a., se i Dërguari a. s. ka thënë: "Allahu ia fal dëshmorit të gjitha mëkatet, përveç borxhit".
Gjithashtu në një transmetim të dobët thuhet se i Dërguari a.s. ka thënë: "Nuk ka brengë përveç brengës për dhënien e borxhit, dhe nuk ka sëmundje të rëndë përveç dhimbjes së syrit”. Sipas këtyre haditheve, bëhet e qartë se duhet nxituar për pagimin e borxhit, dhe duhet të ruhemi nga marrja e borxhit pa pasur nevojë.


Borxhliu gjykohet sipas nijetit të tij


Ai që merr borxh, duhet ta ketë nijetin për ta paguar (kthyer) atë që prej çastit kur e merr borxhin, ngase në këtë mënyrë ai fiton mëshirën dhe ndihmën e Allahut.
Në një transmetim, i Dërguari i Allahut a. s. ka thënë: "Për atë që merr borxh me qëllimin e vetëm që ta paguajë atë, Allahu cakton disa engjëj që ta ruajnë dhe të luten për të derisa ta paguajë borxhin". Disa nga të parët (selefinjtë) merrnin borxh edhe pa pasur nevojë, vetëm për të arritur që atyre t'u caktoheshin engjëj që të luteshin për ta.
Po ashtu transmetohet nga Mejmuneja r.a., se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin a.s. se ka thënë: "Ai që merr borxh me dëshirë që ta paguajë (ta kthejë), atë e ndihmon Allahu i Madhërishëm”.


Shpirti i besimtarit është i varur për shkak të borxhit


Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari a.s. ka thënë: "Shpirti i besimtarit është i varur për shkak të borxhit të tij, derisa të paguhet borxhi”.(2)
Transmetohet nga Aliu r.a. se, kur vinte ndonjë xhenaze tek i Dërguari a.s., ai në fillim pyeste mos i vdekuri kishte borxh. Nëse i thuhej se kishte borxh, ai ndalej dhe nuk ia falte namazin. Nëse i thuhej se nuk kishte borxh, ia falte namazin. Kishin sjellë një herë një xhenaze, dhe i Dërguari a.s. ishte bërë gati për t'ia falur xhenazen, por kur pyeti mos i vdekuri kishte borxh, e ata i thanë se kishte borxh dy dinarë, atëherë i Dërguari a.s. u tërhoq dhe u tha shokëve të tij: "Faljani namazin e xhenazes”! E Aliu r.a. tha: "Unë po e marr përgjegjësinë për ta paguar borxhin e këtij të vdekuri” - dhe atëherë i Dërguari a.s. doli dhe ia fali namazin e xhenazes, e më pastaj i tha Aliut: "Allahu të shpërbleftë me të mira, Allahu e largoftë prej teje atë që të bëhet peng sikurse largove këtë borxh prej vëllait tënd. Nuk ka asnjë të vdekur që vdes e që ka borxh e të mos jetë peng i borxhit të tij, prandaj ai që i largon këtë mundësi të bërjes peng, Allahu atë e shpëton në Ditën e Kiametit”. E disa që ishin të pranishëm, thanë: "A është kjo e veçantë vetëm për Aliun apo në përgjithësi për të gjithë myslimanët?" I Dërguari a.s. tha: "Kjo është për secilin mysliman". Nga ky rregull kuptohet qartë se është vepër e rekomanduar që t'i paguhet borxhi atij që ka vdekur me ndonjë borxh të pashlyer.


Transferimi i borxhit te tjetri


Kjo mënyrë e pagesës së borxhit realizohet kur obligimi i pagesës së borxhit i bartet tjetrit. Kjo mënyrë transferimi në të drejtën e sheriatit konsiderohet veprim legal. Transmetohet se i Dërguarit a. s. ka thënë:"Vonesa e pagesës së borxhit nga i pasuri që ka pasuri, është zullum, e po që se ndonjërit prej jush i ofrohet mundësia e pagesës së borxhit duke u transferua te tjetri, le ta pranojë këtë transfer, nëse personi ka mundësi ta paguajë borxhin”. Pra, në këtë rast vlen të përmendet se duhet marrë leje nga borxhdhënësi për transferimin e borxhit te tjetri.


Lutjet e rekomanduara për të eliminuar borxhin


Pa dyshim që lutjet drejtuar Allahut janë gjëja më e rëndësishme që të na mundësohet pagesa e borxhit.
Transmetohet nga Ebu Seid El-Huderiu r.a., i cili ka thënë: Një ditë i Dërguari i Allahut a.s. kishte hyrë në xhami, ku ishte i ulur njëri prej ensarëve, i cili njihej si Ebu Umamete. Në atë rast i Dërguari a.s. i pati thënë: Çfarë ke që po qëndron ulur në xhami, kur nuk është koha e namazit"? Ai u përgjigj: Më ka kapluar mërzia e borxheve, o i Dërguari i Allahut! "Kij mendjen, a dëshiron të të mësoj ty diçka që, kur ta thuash, Allahu i Lartësuar do të largojë prej teje mërzinë dhe do të ta mundësojë të paguash borxhet" - i tha. Ai u përgjigj: Po, si jo! Atëherë i Dërguari a.s. i tha: "Kurdo që të zgjohesh në mëngjes, dhe kurdo që të biesh në gjumë, thuaj: "O Zoti im, kërkoj mbështetje te Ti, që të më largosh brengën dhe pikëllimin, kërkoj mbështetje te Ti, që të më mbrosh prej plogështisë dhe përtacisë, kërkoj mbështetje te Ti, të më largosh frikën dhe koprracinë, kërkoj mbështetje te Ti, të më ndihmosh të paguaj borxhet dhe të më mbrosh nga shtypja e njerëzve”. Tha: “E thashë këtë dua dhe Allahu ma mundësoi të paguaj borxhet dhe më largoi mërzinë".


 


(1) Transmetojnë Ahmedi dhe El-Hakimi
(2) Transmeton Ahmedi


Nuk ka artikull pas ketij.