"I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, epo ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim për asnjërin nga të dërguarit e Tij dhe thanë: "Iu përgjigjëm (thirrjes), dhe respektuam (urdhrin). Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë! Vetëm tek Ti është ardhmëria jonë. Allahu nuk obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi, dhe atij i bie ajo (e keqe) që meritoi. Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë ! Zoti ynë, mos na ngarko ne barrë të rëndë, siç i ngarkove ata që ishin para nesh ! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar! (El-Bekare, 285-286).
Shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve
Transmetohet që Ebu Hurejra të ketë thënë: "Pas zbritjes së ajetit ''E për atë që keni në shpirtin tuaj, - e shfaqët haptazi, apo e mbajtët fshehtë, Allahu do t'ju marrë në përgjegjësi", shumë shokë të Muhamedit a.s. kjo i rëndoi dhe shqetësoi, andaj shkuan tek Muhamedi a.s. dhe i thanë: "Jemi obliguar me disa vepra që mund t'i kryejmë si p.sh.: namazi, agjërimi, sadakaja, kurse tani të ka zbritur ky ajet që ne s'mund ta përballojmë". Atëherë, Muhamedi a.s. tha: "A doni të thoni sikurse patën thënë ithtarët e librit para jush? - "dëgjuam dhe kundërshtuam", po ju thoni: "Dëgjuam (iu përgjigjëm thirrjes) dhe respektuam. Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë! Vetëm tek Ti është kthimi ynë". Dhe pas respektit që shprehën sahabët ashtu si iu tha Muhamedi a.s., zbriti ajeti (I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit Tij .... ), dhe më pastaj Allahu zbriti ajetin që anuloi atë -"Allahu nuk obligon asnjë njeri përtej mundësive të tij". (Transmeton Muslimi)(1).
Ibn Abasi thotë: "Pas zbritjes së ajetit "E për atë që keni në shpirtin tuaj ....", në zemrat e ashabëve hyri diçka e paparë më herët. Atëherë Muhamedi a.s. tha: “Thoni "dëgjuam, respektuam (u bindëm), dhe u nënshtruam". Dhe Allahu forcoi besimin në zemrat e tyre, e thanë: "dëgjuam dhe u bindëm", kurse Allahu zbriti ajetin" Allahu nuk obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij "(El-Bekare), dhe tha: ''kështu veprova" deri në fund të kaptinës(2)
Komentuesit e Kuranit kanë thënë: Pas zbritjes së ajetit "E për atë që keni në shpirtin tuaj .... ", Ebu Bekri, Omeri, Abdurrahman bin Avf, Muadh bin Xhebel, dhe një grup nga ensarët shkuan tek Muhamedi a.s. dhe thanë: ”O Pejgamber, pasha Allahun nuk ka zbritur ajet më i rëndë se ky për ne. A duhet të përgjigjemi edhe për mendimet që qarkullojnë në shpirtrat tona, u shkatërruam, pasha Allahun.” Atëherë Muhamedi a.s. tha: "Kështu ka zbritur". Ata thanë: "U shkatërruam, jemi obliguar me diçka që s'mund ta bartim (ta kryejmë). Atëherë, Muhamedi a.s. tha: "A doni të thoni sikurse i thanë Beni-Israilët Musait a.s. - "dëgjuam dhe kundërshtuam", po ju thoni: "dëgjuam dhe respektuam", atëherë ata thanë kështu. Kjo gjendje që zgjati afro një vit, i rëndoi shumë ata, e pastaj Allahu zbriti gëzimin dhe qetësinë për ta me ajetin "Allahu nuk obligon asnjë njeri përtej mundësive të tij", dhe ky ajet anuloi ajetin e mëparshëm. Kurse Muhamedi a.s. tha: "Me të vërtetë
Allahu ia ka falur ymetit tim mendimet derisa ato nuk zbatohen në praktikë ose nuk fliten."(3)
Vlera e këtyre ajeteve
Transmetohet nga Ibn Mesudi që Muhamedi a.s. të ketë thënë: "Kush i lexon dy ajetet e fundit nga kaptina El-Bekare, i mjaftojnë për atë natë." (Transmeton Buhariu)
Transmetohet nga Ebu Dherri se Muhamedi a.s. ka thënë: "Më është dhënë fundi i kaptinës El-Bekare nga thesari nën Arsh, dhe nuk i është dhënë asnjë pejgamberi para meje".
Ibën Abasi thotë: "Muhamedi a.s. ishte në mesin tonë dhe me të Xhibrili a.s. Dëgjoi një zë nga lart dhe, ngriti shikimin drejt qiellit e tha: "U hap një derë në qiell, që nuk ishte hapur kurrë më parë. Zbriti nga ajo një engjëll dhe erdhi tek Muhamedi a.s. e tha: "Myzhde për dy drita që t'u dhanë e që nuk iu kanë dhënë asnjë pejgamberi para teje,-Fatihatul- kitabi dhe fundi i kaptinës El-Bekare, - me leximin e një shkronje prej tyre, fitohet ajo (drita)." (Transmeton Muslimi dhe Nisaiu).(4)
Abdullahu thotë: "Kur Muhamedi a.s. ishte në qiellin e shtatë, në Sidretul Munteha, gjatë Miraxhit, i janë dhënë tri gjëra "Pesë kohët e namazit, fundi i kaptinës El-Bekare, dhe është falur ai që nuk i bënë shok Allahut nga ymeti i tij." (Transmeton Muslimi).(5)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me përmbejfjen e Kaptinës
Këto dy ajete përmbyllin kaptinën El-Bekare, dhe përfshijnë shkurtazi thuajse çështjet dhe temat kryesore që përmenden në këtë kaptinë, dhe kanë një lidhshmëri shumë të ngushtë me të. Për të kuptuar më mirë, le të marrim disa shembuj ilustrues:
Kjo kaptinë ka filluar me fjalët e Allahut "Elif, Lam, Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët e besojnë të fshehtën, kryejnë faljen e namazit, dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, japin. Dhe ata që besojnë në atë që tu shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për botën tjetër ", kurse në fund të saj janë theksuar sinjale të qarta mbi këtë të vërtetë, në mënyrë të veçantë besimi tek të gjithë pejgamberët.
Kaptina El-Bekare përfshin shumë detyrime dhe dispozita për myslimanët dhe në anën tjetër, në të janë theksuar shumë mospërfillje dhe injorime të Beni-Israilëve ndaj dispozitave dhe obligimeve kurse në fund të kaptinës ajetet vendosin vijën ndarëse në mes të kryerjes së tyre duke sqaruar se Allahu xh.sh nuk obligon askënd me diçka që s'mund ta kryejë dhe nuk obligon përtej mundësi e të njerëzve. ..
Përgjatë kësaj kaptine, 'përmenden tregime për Bern-Israilët, begatitë e Allahut për ta, injorimin, mohimin dhe mosmirënjohjen e tyre ndaj këtyre të mirave, e shumë dënime (kefarete) në rast të shkeljes së dispozitave. Kurse, në fund të kaptinës, është theksuar kjo dua - lutje e besimtarëve drejtuar Allahut xh.sh.: "Zoti ynë, mos na dëno, nëse harrojmë apo gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko ne barrë të rëndë, siç i ngarkove ata që ishin para nesh ... ".
Në këtë kaptinë Allahu i Madhëruar ka bërë obligim luftën e shenjtë. Myslimanët urdhërohen për luftë dhe shpenzimin e pasurisë në rrugë të Zotit, për t'u mbrojtur nga pabesimtarët, kurse kaptina përfundon me lutjet e besimtarëve drejtuar Allahut për ndihmë për të kryer obligimet dhe për fitore kundër popullit pabesimtar.(6)
Komentimi i ejeteve
Në këto dy ajete çdo fjalë ka rëndësinë e saj, paraqet të vërtetat e besimit, natyrshmërinë e besimit në këtë fe, veçoritë dhe specifikat e tij, gjendjen-lidhjen e besimtarëve me Krijuesin, bindjen e tyre dhe kuptimin e drejtë të dispozitave që ka urdhëruar Zoti, lutjet dhe dorëzimin e plotë ndaj Allahut, dhe mbështetjen tek Ai për ndihmë. Pra, çdo fjalë ka ardhur me një renditje madhështore dhe shumë mahnitëse, që tregon mrekullinë mbinatyrore të Kuranit famëlartë.
"I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, e po ashtu edhe besimtarët".
Ky është lajmërim, dëshmi dhe sihariq i Muhamedit a.s. për këtë besim, andaj, lidhur me këtë, Enes ibn Malik thotë: "Pasi i zbriti Muhamedit a.s. ky ajet, ai tha: "Me plot të drejtë ai (Muhamedi a.s.) beson.”(7)
Besimi i Muhamedit a.s. në atë që i zbriti, është besim i ardhur drejtpërdrejt nga Zoti me anë të Shpalljes hyjnore. Allahu i Madhëruar, në shenjë respekti ndaj besimtarëve, me këtë cilësi të Muhamedit a.s.i ka atribuar edhe ata, bashkë në të njëjtin ajet. Përmendja e Muhamedit a.s. në ajet është dëshmi nga ana e Allahut xh.sh. për sinqeritetin e tij në besim dhe vendosmërinë e tij në mision, për se nuk ka dyshim.(8)
"Secili besoi Allahun"
Besimtarët janë ata që e besojnë sinqerisht Allahun Një të Vetëm, Atë të Cilit i drejtohet- i mbështetet çdo krijesë për çdo nevojë. Fjala "secili - kul-lun" ka kuptimin - Muhamedin a.s. dhe besimtarët"
Në fenë islame besimi në Allahun xh.sh. konsiderohet bazë e programit që udhëheq jetën, moralin dhe çdo lëvizje të besimtarëve. Besimi në Allahun xh. sh. do të thotë Njësia e Tij me bindje, adhurim dhe ibadet. Ai nuk ka shok në krijim e shpikje, dhe në sistemimin e çështjeve, jetës së njerëzve, dhe gjithësisë në tërësi. Pa lejen e Tij, nuk ndodh asgjë.
"Engjëjve të Tij”
Besimtarë të sinqertë janë ata që besojnë me plot bindje edhe engjëjt (me-laiket). Besimi në engjëjt i përket botës së fshehtë (gajb), andaj njeriu nuk ka rrugë tjetër për njohjen e engjëjve përpos nëpërmjet Shpalljes së Allahut xh.sh., sepse shqisat e njeriut s'mund të arrijnë assesi tek e fshehta e padukshme. Vetë natyrshmëria e njeriut anon nga dëshira për të njohur dhe kuptuar botën e fshehtë dhe mu për këtë arsye Allahu xh.sh., nga mëshira e Tij ndaj njerëzve, ka publikuar disa të vërteta sekrete (gajb), siç është rasti edhe me Engjëjt dhe specifikat e veçoritë e tyre.
"shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim për asnjërin nga të dërguarit e Tij "
Besimtarë të sinqertë janë ata që me bindje besojnë edhe librat e shpallur, të zbritur nga Allahu xh.sh. tek pejgamberët e mëparshëm. Ata besojnë fuqishëm edhe në pejgamberët a.s. dhe nuk bëjnë kurrfarë dallimi në mes tyre. Nuk thonë sikurse thanë ithtarët e librit: " besojmë një pjesë të librit dhe mohojmë pjesën tjetër". Për besimtarët, të gjithë pejgamberët janë të njëjtë, të dërguar me një mision identik të përcaktuar nga Allahu xh.sh., kurse dërgimi përfundoi me vulën e të gjithë pejgamberëve - Muhamedin a.s..
Sheriati (legjislacioni) me të cilin erdhi, është përfshirës edhe i sheriateve të mëparshme, dhe i përkryer deri në Kiamet.
Besimi në librat e shpallur dhe pejgamberët, pa dallim në mes tyre, është natyrshmëri që buron nga besimi në Allahun, sepse besimi në Allahun doemos kërkon besimin dhe bindjen në gjithë ata që ka urdhëruar Ai për t’u besuar. Andaj, vetë me këtë besim të fortë, besimtarët arrijnë të kuptojnë vlerën dhe rolin e tyre të madh në këtë botë.
" ... dhe thanë: iu përgjigjëm (thirrjes), dhe respektuam (urdhrin)"
Besimtarët thonë: Dëgjuam fjalën Tënde, e kuptuam, e zbatuam dhe vepruam sipas saj. Këto fjalë burojnë nga besimi me bindje të plotë në Allahun xh.sh., Engjëjt e Tij, librat dhe pejgamberët e Tij, që rezulton me bindje dhe respekt, bindje për gjithë atë që ka ardhur nga Allahu, dhe respektim e zbatim të të gjithë urdhrave të Tij. Besimtarët nuk thonë sikur thanë Beni-Israilët - "dëgjuam dhe kundërshtuam", por ata thonë - "dëgjuam, u bindëm, respektuam dhe zbatuam urdhrat-dispozitat".
"Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë"
Kërkimi i faljes dhe mëshirës erdhi pasi besimtarët shprehën dorëzimin dhe nënshtrimin e tyre të plotë para Allahut dhe u zotuan për dëgjimin, bindjen dhe respektin pa asnjë lloj kundërshtimi. Ata thonë: Ti je Zoti ynë i vërtetë, për këtë arsye kërkojmë nga Ti falje dhe ne besojmë bindshëm se mëshira Jote tejkalon hidhërimin Tënd".
"Vetëm tek Ti është ardhmëria jonë”
D.m.th. vendi i kthimit tonë në Ditën e Llogarisë.
Xhabiri thotë: "Pasi i zbriti Muhamedit a.s. ky ajet, Xhibrili i tha: "Me të vërtetë Allahu të ka lavdëruar ty dhe popullin - ymetin tënd, andaj kërko (çfarë dëshiron), dhe ai (Muhamedi a.s.) kërkoi - "Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij."(9)
Me këtë fjalë besimtarët shprehin besimin e tyre të plotë në Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhëruar ka krijuar njeriun si mëkëmbës në Tokë, por me kusht që ai t'i përmbushë zotimet e tij, për dëgjimin, bindjen dhe respektimin ndaj dispozitave të Zotit. Në botën tjetër ekziston shpërblimi për besimtarët dhe ndëshkimi për pabesimtarët, andaj ky besim i myslimanëve për botën tjetër i motivon ata vazhdimisht për respektim dhe zbatim të të gjitha dispozitave të Krijuesit.
"Allahu nuk obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij"
Nga mëshira dhe butësia e Allahut xh. sh. ndaj njerëzve, nuk i obligoi ata përtej mundësive të tyre. Kjo pjesë e ajetit është anuluese e ajetit të mëparshëm, që i rëndoi shumë ashabët (e për atë që keni në shpirtin tuaj). Kështu Allahu xh. sh. merr në përgjegjësi njerëzit vetëm për atë që është në mundësitë e tyre, kurse, përsa i përket asaj që është përtej mundësive, si p.sh. cytjet e ndryshme që qarkullojnë nëpër shpirtrat e tyre, - për këtë nuk ka llogari dhe nuk ngarkohet askush. Në këtë mënyrë besimtari kupton mëshirën e Zotit në përcaktimin e obligimeve për të, dhe ky është një motiv shtesë që t'i përmbahet ligjit të Allahut xh.sh.
"Atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi, dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi"
Çdo njeri do të shpërblehet për veprat e tij të mira dhe do të ndëshkohet për veprat e këqija dhe mëkatet. Dhënia e llogarisë nga secili njeri për vetveten, bën që çdonjëri të marrë atë që ka merituar. Pa dyshim, kjo është një drejtësi absolute nga ana e Krijuesit.
"Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë apo gabojmë"
Nga kjo pjesë e ajetit e deri në fund, janë duatë-lutjet, që pasqyrojnë lidhjen e besimtarëve me Zotin e tyre. Ata kuptojnë dobësinë dhe pamundësinë e tyre për shumë çështje, nevojën e madhe për mëshirën dhe ndihmën e Allahut xh.sh., si dhe për triumfin kundër popujve pabesimtarë, që mund të arrihet vetëm me përkrahjen e Tij.
Besimtarët thonë: Nëse nuk kryejmë ndonjë obligim për shkak të harresës, ose bëjmë ndonjë mëkat nga harresa, na fal, o Zot, e mos na dëno. Kjo përputhet edhe me hadithin e Muhamedit a.s.: "Me të vërtetë Allahu ka liruar ymetin tim nga gabimi (pa qëllim), harresa dhe nga ajo përse detyrohen me dhunë".
"Zoti ynë, mos na ngarko ne barrë të rëndë, siç i ngarkove ata që ishin para nesh"
Kështu na mësoi Allahu xh.sh. të lutemi: Mos na ngarko ne me punë të rënda dhe të papërballueshme, sikurse i ngarkove popujt e mëparshëm. Muhamedin a.s. e dërgove mëshirë dhe me fe të pastër e të lehtë, dhe në Kuran ke thënë: "Dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi"
"Siç i ngarkove ata që ishin para nesh", kjo ka të bëjë me Beni-Israilët, të cilët Allahu xh.sh. i kishte ngarkuar me obligime shumë të rënda, si: mbytja e vetvetes (si kompensim për adhurimin e viçit), falja e pesëdhjetë namazeve në ditë, dhënia zekat e një të katërtës së pasurisë, e shumë obligime të tjera të vështira.(10)
"Zoti ynë, mos na ngarko me atë për se ne nuk kemi fuqi"
Besimtarët luten që të mos ngarkohen me sprova të rënda, ndëshkime, apo obligime, që janë përtej mundësive të tyre. Kjo lutje përputhet plotësisht me nënshtrimin e besimtarëve ndaj Krijuesit, sepse besimtarët kërkojnë mëshirë nga Zoti, në mënyrë që Ai t'ua lehtësojë.
"Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro"
Kjo është një garanci e vërtetë për të kaluar provën dhe për të arritur kënaqësinë, sepse njeriu është jo i përkryer, sado që të përpiqet, kurse Allahu xh.sh., nga mëshira e Tij, besimtarin e trajton me falje, butësi dhe mëshirë.
Transmetohet nga Aishja që Muhamedi a.s. të ketë thënë: "Asnjë nga ju s'mund të hyjë në Xhenet me punën e tij". Shokët e tij thanë:" As ti, o i Dërguar i Allahut? Ai tha: "As unë, përveç me mëshirën e Allahut të Madhërishëm." (Transmeton Buhariu)
"Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar"
Besimtarët thonë: O Zot, Ti je mbrojtësi ynë, Ndihmësi ynë, tek Ti jemi mbështetur, dhe s'ka fuqi tjetër pos Teje, andaj na ndihmo kundër armiqve tanë, na bëj triumfues ndaj atyre që mohojnë ekzistencën Tënde, fenë Tënde dhe misionin e Muhamedit a.s.. Ata adhurojnë dikë tjetër pos Teje dhe të bëjnë rival në adhurim. Me të vërtetë Allahu xh.sh. i ndihmon besimtarët që e kanë këtë besim të sinqertë në luftë kundër armiqve, dhe u dhuron atyre fitore. Fjala "pabesimtarë", ka të bëjë me të gjithë njerëzit që nuk i nënshtrohen Allahut xh.sh. dhe nuk e madhërojnë Atë, siç e meriton Qenia e Tij.
Pas këtyre lutjeve të besimtarëve, Allahu xh.sh. iu përgjigj atyre pozitivisht. Muhamedi a.s. ka thënë: "Allahu tha: "Po ". Andaj, Muadh ibn Xhebel, sa herë mbaronte së lexuari kaptinën El-Bekare, thoshte - "Amin."(11)
Fusnotat:
1. Imam Nisaburi "Esbabu En-nuzul", faqe 82, Kajro 1996.
2.Imam Nisaburi "Esbabu En-nuzul", faqe 83, Kajro, 1996.
3. Tefsir Ibën Kethir, pjesa e parë, faqe 340, 341, 342 Kajro, pa vit botimi.
4. Sejjid Kutub "Fi dhilalil Kur'an" fq, , Kajro, 1996.
5. Nisaburi "Esbabu nuzuil", fq. 83, 1996 Kajro
6. Bejdaviu" Envarut Tenzili ve esrarut Tevili" vëll. i parë, fq. 147, Bejrut 1999.
7. Muhamed Mahmud Hixhazi "Tefsirul Vadih" fq.202 Kajro, 1992.
8. Muhamed Muteveli Esh-Sharavi "Tefsir", pjesa e dytë, faqe 1241, pa vit botimi.
9. Ibën Kethir "Tefsirul Kur 'anit Adhim ", pjesa e parë, fq. 342, Kajro, pa vit botimi.
10. Dr. Muhamed Hixhazi "Tefsir El-Vadih", pjesa e parë, faqe 203, Kajro 1992.
11. Ibën Kethir "Tefsirul Kur 'anit Adhim ", pjesa e parë, fq. 343, Kajro, pa vit botimi.
Mr. Adnan Simnica