Selektivizimi subjektiv i dijetarëve si tregues i dekadencës sonë

 


Gjatë epokave të ndritshme të historisë islame, epiteti i dijetarit i është dhënë vetëm atyre që e kanë merituar me virtytet e tyre të larta morale e fetare, si dhe me thellësinë e tyre hulumtuese dhe shkencore. Këtë gradë, do ta arrijnë vetëm ata që sinqeritetin me Allahun e kanë pishtar ndriçues në këtë rrugëtim, si dhe që durimin e çeliktë për të kërkuar dije e kanë të gdhendur thellë në shpirtin e tyre. Pos këtyre, ata kanë edhe tipare të cilat ua përshkroi më së miri Muhamedi a.s., kur tha: 
"Këtë dituri (dhe këtë fe) do ta bartin në çdo brez vijues, njerëz të drejtë-besueshëm; ata do ta largojnë prej saj shtrembërimin e ekstremistëve, pretendimet e rreme të gënjeshtarëve dhe interprehmet e gabuara të injorantëve." (El Bejhakiju, 21439).
Beteja e dijetarëve të vërtetë, që janë të dëshmuar për konsekuencë, sipas këtij hadithi është me tri kategori, që me gjasë, asnjë periudhë historike nuk do të mbetet e qetë nga zhurmat e pandalshme të tyre; ekstremistët, gënjeshtarët dhe injorantët. Asnjëra nga këto tri kategori nuk mungon as sot, madje ata duket se janë të shumtë edhe në numër, por edhe më i madh duket që është numri i atyre që magjepsen me "mendimet" e tyre.
Prirjet e ndjekësve dhe pasuesve fanatikë, në çdo kohë, rëndom nuk ndalen te vlerësimi i shëndoshë i kontributit të dijetarëve apo te veprat kolosale që ata lanë trashëgimi për ne. Rrjedhimisht, të njëjtit bëjnë dy gabime jo të lehta në peshojën e drejtësisë islame; njërin duke i mbivlerësuar e shpeshherë edhe duke i mitizuar dijetarët që ata u përcaktuan për pasimin e tyre, dhe tjetrin; duke nënvlerësuar e margjinalizuar të tjerët që i konsideruan konkurrentë të figurave ikonike të tyre. Madje, ndjekësit mediokër shkuan edhe më larg se kaq. Trilluan virtyte e cilësi që më shumë ngjanin të ishin profetike për ata dijetarë që i deshën në njërën anë, dhe akuzuan e sajuan gënjeshtra të pa thëna, e mangësi diskredituese për ata që i urryen padrejtësisht, në anën tjetër. Kjo "normë e re" që promovohet si një standard i mirëqenë, na vije si produkt dhe pasojë e pritshme e një tendence relativizuese dhe nënvlerësuese ndaj imamëve muxhtehidë-themeluesve të shkollave juridike dhe atyre që erdhën pas tyre. U barabartësuan të pabarabartët dhe u përbuzë mizorisht principi i afërsisë kohore me Muhamedin a.s., të cilën afërsi e vendosi si kriter selektiv edhe vetë ai kur tha: "Brezi më i mirë është ai që unë po jetoj me ta, pastaj ai që vije pas tyre, e pastaj ai që vije pas tyre." (El Buhari, 6695).
Imam Ebu Hanifeja (Zoti e pastë mëshiruar), me gjithë faktin se hynte te brezi i dytë i përshkruar si më i miri nga ky hadith, meqë ishte tabiin, prapë me modesti kur rrëfente ndonjë mendim të tij, deklaronte: "Ky është mendimi im më i mirë që unë mund ta nxirrja, e kushdo që sjellë ndonjë mendim më të mirë se ky, ne e pranojmë atë." (Ibën Abidin, 63/1).
Ndërkaq, gjejmë sot të tillë që distancën kohore me shekujt-brezat më të mirë e kanë mijëvjeçarësh, ndonëse jo rrallë pretendojnë se janë më të denjë për t'u pasuar dhe pozita e tyre me imamët e hershëm duhet barabartësuar. Të bindur në pretendimet e ndjekësit miopë nxitimthi vendosën "dijetarin e preferuar" si peshojë matëse e barometër të së vërtetës, duke pandehur se e vërteta është vetëm ajo që përputhet me mendimet, metodologjinë, e doktrinën e atij që është në frekuencë të njëjtë me të, dhe se numri i atyre që e thanë atë gjatë gjithë historisë islame nuk guxon të tejkalojë atë të gishtërinjve të njërës dorë. Ky standard, në fakt përmbys si mos më keq konceptin universal të drejtësisë për të cilin Allahu thotë: "... dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli (dikujt) e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë se ajo është më ajër devotshmërisë. Kini dronë Allahun se Allahu di hollësisht atë që veproni." (El Maide, 8).
Përtej zhurmave që mund të shpërndajnë konfuzion në kokën e atyre që keqlexojnë mësimet islame, epiteti i dijetarit, nuk duhet të burojë nga mbivlerësimi që fanatizmi i verbër ia ka atribuuar, por nga virtytshmëria, thellësia në dituri, dhe qëndrimet e tij parimore, të cilat rrëfejnë më së miri se "ai nuk ka frikën e askujt gjatë përpjekjes për ta ndriçuar rrugën e Zotit". Ky standard mund të mos jetë sot edhe ai më me renome, por kjo s'i bie që ai nuk është i vërteti.


 


Editorial
Dituria Islame 419


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip