Numërohet se në çdo fe monoteiste, aktet e adhurimit përmbajnë në vetvete kuptim jo vetëm fizik por sidomos shpirtëror. Veçanërisht në fenë islame, qëllimi në vetvete (nijeti) konsiderohet si një element thelbësor në vazhdimësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë midis krijesës dhe Krijuesit.
"Objekti" i vetë i këtij qëllimi universal është përkufizuar në mënyrë madhështore brenda kufirit të Teuhidit (Njëshmërisë së Krijuesit). Jo më kot, në hierarkinë e përcaktimit të shtyllave të Islamit (që janë pesë) Teuhidi qëndron në bazë të praktikës fetare, duke formësuar kështu themelet e qëndrueshme të saj, si një burim i cili gjallëron dhe i jep jetë strukturës mbajtëse të Islamit. Të njohurit dhe të pranuarit e Njëshmërise së Krijuesit shndërrohet në një domosdoshmëri pa të cilën çdo praktikë fetare islame do të humbiste vlerën si vepër dhe do të asgjësohej në peshojën e veprave fetare tek vetë Krijuesi. Kështu, ato vepra të kualifikuara si tërësisht mekanike marrin jete dhe kuptim fetar, në momentin që kryhen në përputhje me vetëdijesimin e praktikimit të një riti adhurimi dhe madhërimi. Gjeste të vogla mund të marrin valencë kuptimore sublime nëse shoqërohen nga një "nijet" (qëllim) adhurimi, përkitazi më këtë, edhe veprat e mëdha (siç është rasti me namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin) mund të humbin tërësisht vlerë nëse privohen nga ky element thelbësor.
E vrojtur në këtë prizëm, praktikimi fetar, konceptohet si një nga ndërmarrjet më serioze dhe personale në jetën e një individi. Veçanërisht, ritet dhe praktikat fetare të Islamit gjenden të lidhura ngushtë me njëra tjetrën si nga aspekti praktik po ashtu edhe nga ai kuptimor: "çdo gjest i bërë duhet t'i dedikohet qëllimisht vetëm Allahut". Ky element thelbësor, ka aftësinë ta shtrijë kuptimin e tij gjer në skajet e veprimtarisë njerëzore. Jo më kot Islami trajtohet si një sistem i mirëfilltë jetese dhe jo vetëm si një fe me rituale të caktuara shkëputur nga rrjedha e jetës së rëndomte e individit. Rituale të cilat nuk mund të dalin nga kornizat fetare për vetë faktin se do ta humbisnin vlerën e tyre si të tilla. Shtrohet pyetja: çfarë vlere do të kishin këto rituale po ta humbisnin vetë esencën që i përbën? Përgjigja në Islam vjen natyrshëm po të vërejmë se praktikimi i pjesshëm i çdo rituali fetar duke e privuar atë nga qëllimi i përqendruar në Teuhid do ta gjymtonte vlerën që kjo praktike përçon në vetë jetën e individit. Në fakt, ky koncept është përshkruar më së miri nga PARVEZ MANZOOR ne esenë e tij "Struktura konceptuale Islame" (publikuar i përkthyer ne gjuhen shqipe nga siti i internetit vizioni-islam.com) kur shprehet se: "Çdo diskutim i etikës në Islam, duhet që patjetër të rrjedhë nga teuhidi, duke qenë se ai është pjesë thelbësore e besimit islam. Në Islam, etika është e pandashme nga feja dhe ndërtohet tërësisht mbi të. Islami është, mbi gjithçka, pohim i sigurisë së teuhidit; njëshmërisë së Zotit. Si rrjedhim, teuhidi është parimi metafizik dhe teologjik par excellence, që i jep fesë Islame profilin unik dhe morfologjinë e saj të veçantë. Parimi i njëshmërisë, vlera mbështetëse kryesore e besimit të Teuhidit, është interpretuar në Islam si një aksiomë teleologjike: Zoti, i cili e ka krijuar universin, është gjithashtu synimi i tij përfundimtar. Në fakt synimi përfundimtar është një për gjithë universin, duke përfshirë të gjitha qeniet dhe krijesat. Ky synim është Zoti." Për këtë arsye, praktikat fetare të privuara nga besimi në Zot janë shterpë dhe të pa vlefshme.
Forma apo qëllimi?
Siç thamë edhe më lart, rituale të caktuara marrin valencë fetare kur theksohet vetëdijesimi tek individi se gjesti që po bën nuk i dedikohet askujt tjetër përveç Krijuesit të tij. Paçka se esenca mistike dhe fetare e agjërimit të Ramazanit vazhdon të përcillet përtej ambienteve rigorozisht fetare të ndërtuara nga besimtarët praktikant, gjithsesi ndihet nevoja e transmetimit dhe thellimit të ndjenjës kolektive të shenjtërisë së këtij muaji përtej traditës popullore. Kjo shenjtëri tregohet duke e përcjellur ushtrimin e saj në të gjitha sferat dhe aspektet që e rrethojnë. Do të ishte e udhës të transmetonim shembuj për ta ilustruar rëndësinë thelbësore që zotëron qëllimi në vetë pranueshmërinë e veprës së praktikës fetare. Por mund të mjaftohemi në këtë shkrim në shqyrtimin e këtij elementi për sa i përket një prej shtyllave bazë të fesë islame, pra agjërimi i muajit të Ramazanit.
Ndodh që për shkak të mos informimit mbi rregullat e brendshme të agjërimit (sinqeriteti dhe nijeti) apo edhe neglizhimit dhe mos dhënies përparësi atyre, ata të cilët dëshirojnë ta praktikojnë atë duke shoqëruar muslimanët gjatë muajit të Ramazanit, rrezikojnë të krijojnë huti në vetë kuptimin esencial të tij. Kjo për shkak se si e tillë konsiderohet si një vepër e cila ka valencë të fuqishme shpirtërore dhe praktike, dhe kjo bën që të konsiderohet domosdoshmerisht si shenjë e bindjes ndaj Allahut (xh.sh). Siç shprehet dhe Krijuesi i gjithësisë në Kur'anin Fisnik , se tek Ai nuk arrin vepra materiale dhe fizike por arrin bindja e besimtarit ndaj urdhrave të Tij ["Tek Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre,por te Ai arrin bindja (devotshmëria) e juaj…" (El-Haxh:37)]. Në këtë kontekst, duhet të kihet parasysh mirë se agjërimi pa një qëllim të kanalizuar nëpërmjet bindjes ndaj Allahut, e kthen veprën e largimit nga ushqimi në thjesht uri dhe etje. Pra, duke minimizuar dhe zhvlerësuar kështu një nga elementët më sublim dhe kuptimplotë të fesë Islame.
Është e natyrshme që një praktike kaq e përhapur dhe e kapilarizuar në popullin tonë për shkak të traditave të lashta fetare, të përcillet gjerësisht në popullsinë e cila ende nuk e ka harruar dhe asgjësuar vetëdijesimin e saj fetar. Madje kjo vërehet edhe tek rezonanca e mënyrës se si muslimanët e jetojnë atë në potencialitet të plotë, e kthen agjërimin në një nga eventet popullore më të përhapur dhe më domethënës në kombin tonë.
Muslimanët praktikant, mbeten përçuesit më të denjë te kësaj praktike, të cilët e kane kuptuar tërësisht rendësin e saj. Qëllimi kryesor i këtyre të fundit, natyrisht që mbetet të jetë ai i përçimit të vlerave të sakta dhe origjinale të vetë agjërimit në ambientin që i rrethon duke kontribuar në vetëdijesimin e tyre për këtë përgjegjësi. Paçka se esenca mistike dhe fetare e agjërimit të Ramazanit vazhdon të përcillet përtej ambienteve rigorozisht fetare të ndërtuara nga besimtarët praktikant, prapë ndihet nevoja e transmetimit dhe thellimit të ndjenjës kolektive të shenjtërisë së këtij muaji përtej traditës qytetare dhe mundësisë së venitjes së saj.
Ekzistojnë familje muslimane në të cilat Islami shfaqet si një traditë e zbehtë dhe ku rëndësia e gjërave është zhvendosur ose spostuar në një sferë më tepër praktiko-tradicionale se sa praktiko-fetare. Të gjithë së bashku, duhet të kontribuojmë në rigjallërimin e këtyre traditave familjare duke ja kthyer dhe një herë kuptimin e vërtetë të esencës spirituale të tyre. Kjo sjell përkthimin në mënyrën më të mirë të nevojës që ka populli jonë për besim dhe vlera fetare.
Shpesh herë ndeshemi në individ tek të cilët agjërimi është shndërruar në një praktikë e cila ka përjashtuar totalisht valencën fetare prej vetes. Raste të tilla mund të përmendim ata të cilët e kanë zhvlerësuar agjërimin e ramazanit duke e kthyer thjesht në një rast të volitshëm për të nisur dieta rigoroze dhe afatgjate (?!?!), apo të tjerë të cilët për arsye jo fetare dëshirojnë të konformohen me grupet e besimtarëve (agjërimi pa qëllim adhurimi, apo për t'u dukur). Për sa i përket këtyre rasteve vlen ajo çka tham më lart. Kjo do te ndihmonte në zbehjen e perceptimi publik se të agjëruarit ndihmon në mbarëvajtjen e dietave apo në humbjen e peshës trupore. Në këtë kontekst vlen të përmendet se vetë nutricionistët nuk e klasifikojnë agjërimin si dietë, por si regjim ushqimor i mirëfilltë i cili veçori karakteristike të tij ka ngrënien në orare të caktuara dhe domosdoshmerisht të respektuara në mënyrë rigorozisht konstante. Për më tepër, nuk raportohet prej tyre ndonjë rënie e konsiderueshme në peshë të praktikuesve të agjërimit. Arsyeja në dukje është e thjeshtë: kjo praktikë nuk karakterizohet nga mosngrënia totale, por nga spostimi i ngrënies dhe pirjes në orare të caktuara. Ky lloj rigoroziteti dhe disipline ndihmon në metabolizmin e trupit të njeriut duke i imponuar një regjim ndryshe nga ai monoton si dhe duke e regjur individin me një rigorozitet në ndarjen e kohës për nevojat e tij fizike.
Prandaj, praktika e të agjëruarit për qëllime rënie peshe, nuk ka baza të justifikueshme për aq kohe sa kjo nuk e kryen këtë funksion përkundër opinionit që mund të jetë krijuar në perceptimin publik. Në aspektin fetar, agjërimi për arsye dietologjike apo pa arsye fare, përshtatet më së miri me fjalët profetike të Muhamedit a.s i cili me të drejtë e përshkruan këtë gjendje si e tillë që ofron thjesht "uri dhe etje" . Për më tepër nutricionistët, nga ana e tyre, janë të bindur se të larguarit vullnetar nga ushqimi në mënyre totale dhe pa ndërprerje paraqet një rrezik të dukshëm për shëndetin dhe vetë jetën e njeriut, ndërsa për sa i përket largimit të pjesshëm (siç është rasti i muajit te ramazanit) është më se i këshillueshëm dhe i rekomandueshëm për përmirësimin në patologji të ndryshme. E theksoj minimalisht këtë fakt, për shkak se mendoj se agjërimi i Ramazanit ka më shumë për të ofruar se sa thjeshtë një regjim ushqimor të shëndetshëm dhe të ekuilibruar. Ashtu si urdhëresat e tjera fetare, dhe agjërimi i Ramazanit ka filozofinë e tij, pra arritja e disa objektivave të caktuara shpirtërore dhe sociale.
Ç’kuptim do të kishte të thuash se agjërimi të bën mirë fizikisht ndërkohë që anashkalojmë objektivin thelbësor të tij: arritjen e kënaqësisë së Allahut! Ne si komunitet, mendoj se duhet të nisim një fushatë sensibilizimi të shoqërisë sonë në fokusimin e saj tek vlerat primare të praktikave tona fetare, duke u larguar kështu nga gjetja e vazhdueshme e justifikimeve se kjo apo ajo praktikë fetare ka këtë apo atë dobi duke anashkaluar thelbin e duke vënë në plan të parë pasojat. Në këtë rast, edhe praktikimi i tyre do të ishte më i vetëdijshëm dhe i pastër, e pas kësaj le të mirëpresim me kënaqësi dobitë e tyre duke qenë se Zoti jonë është shpërblyesi më i mirë për to.
vajadamanjani.blogspot.com