Komentimi i kaptinës El-Hashr 8)

Emrat e bukur të Allahut

“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi, i_Plotfuqishmi, Mbizotëruesi, i Madhërishmi. I lartësuar është Allahu nga ajo që ia shoqërojnë (në adhurim)! Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të Tij janë emrat më të bukur; Atë e lartëson çka ka në qiej e në tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti" - (El-Hashr, 23-24)

Koment:

23. “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi, i Plotfuqishmi, Mbizotëruesi, i Madhërishmi. I lartësuar është AlLahu nga ajo që ia shoqërojnë (në adhurim).

Vazhdojmë të jemi ne shoqëri të emrave të bukur të Allahut, të cilët na dëftojnë për madhështinë e Tij krijuese. Ajeti i 23-të fillon poashtu me përmendjen e njërit prej emrave më të .. mëdhenj të Allahut (Allah) , duke dëshmuar se nuk ka të adhuruar tjetër të denjë për adhurim përveç Tij. Ai Veten e ka cilësuar me shumë emra dhe cilësi, të cilat dëftojnë për madhështinë e Tij. Këta Emra të Bukur të Tij, janë përmendur nëpër shumë prej ajeteve kuranore, sikur këta që jemi duke i komentuar. Emri i parë që përmendet në këtë ajet, pas emrit më madhështor ''ALLAH'', është emri:

EL - MELIKU - Sunduesi

Ky emër i Allahut, në këtë formë, është përmendur pesë herë në Kuran dhe nënkupton se Allahu është sundues dhe zotërues i çdo gjëje. Ai sundon tërë Universin, të cilin Vetë e ka krijuar, me sundim të vërtetë e të mirëfilltë. Askush nuk mund t' i përzihet në këtë sundim. I lartësuar është në Madhërinë e Tij sunduese. Këtë sundim të Tij e shoqëron fuqia, sepse nuk mund të jetë sundues, po të mos ketë forcë, ashtu siç ka thënë Vetë në Kuran: “I madhëruar është Ai, në dorën e fuqisë së të Cilit është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send:" - (El-Mulk, 1)
Sundimi i Tij nuk përfundon kurrë, ndryshe nga mbretërit e kësaj bote, sundimi i të cilëve është i përfundueshëm. Ai është "Malikul mulki vel melekut ", dhe çdo gjë i është nënshtruar sundimit-mbretërimit të Tij hyjnor.
Në dua e cila përmend këtë emër të bukur të Allahut, e gjejmë në ajetet 26-27 të sures Ali Imran:
"Thuaj: "O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do dhe ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë! Ti e fut natën në ditë dhe Ti e fut ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do."

EL –KUDDUSU - i Pastri, i Shenjti, i Shndritshmi

Ky emër i bukur i Allahut, në Kuran është përmendur në dy ajete, në suren "El-Hashr", përkatësisht në këtë ajet, të 23-të, të cilin jemi duke e komentuar, dhe në suren "El-Xbumuatu", ajeti 1. Ndërsa i Dërguari i Allahut, pasi që përfundonte namazin e Vitrit, thoshte tri herë: "Subbane-l Meliki-l Kuddus".
Në aspektin gjuhësor, fjala "kadese" ka dy kuptime: pastërti-shenjtëri dhe begati. Me kuptim të pastërtisë dhe të shenjtërimit ka ardhur në ajetin 30, të sures El-Bekare: "(Kujto, o Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: "Unë po krijoj (po caktoj) një mëkëmbës në tokë"! Ata thanë: (A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë (shenjtërojmë) dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty!" Ai tha: "Unë di atë që ju nuk dini!"
Ndërsa me kuptimin e begatisë, ka ardhur në ajetin 21, të sures "El-Maide": "O populli im, hyni në tokën e shenjtë (të begatshme), të cilën Allahu jua premtoi, dhe mos u ktheni mbrapa, pse atëherë do të ktheheni të dëshpëruar."
Emri i bukur i Allahut "El-Kuddus", nënkupton pastërtinë dhe shenjërinë absolute, që do të thotë se për Qenien e Tij është e paqëndrueshme t'i atribuohet ndonjë dobësi a mangësi.
Duke u nisur nga kuptimi i pastërtisë dhe i shenjtërisë, edhe Qabeja e ndritshme është quajtur "Bejtul-Mukaddes", që nënkupton vendin e shenjtë e të pastër, ku besimtarët pastrohen prej gjynaheve.
Po ashtu, Xhibrili a.s. është quajtur me emrin "Ruhul-Kudus", sepse është i pastër dhe i lartë në grada te Allahu, meqë ishte i ngarkuar t'ua përcillte Shpalljen pejgamberëve të Allahut.
Duaja me këtë emër të bukur të Allahut, na është përcjellë nga Aishja r.a., e cila thotë: I Dërguari i Allahut në ruku dhe sexhde lutej e thoshte: "Subbuhun, Kuddusun, Rabbul melaiketi ve-r-Rruh" – “I Madhërishëm dhe i Shenjtë është Zoti i melaikeve dhe i Xhibrilit".

ES-SELAMU - Paqedhënësi - Paqesjellësi

Pa dyshim, ky emër i bukur i Allahut, është një prej emrave më madhështorë të Tij. Është emër që simbolizon paqen, qetësinë, shpëtimin, dashurinë dhe fisnikërinë e Tij hyjnore. Është përmendur vetëm një herë në Kuran, pikërisht në këtë sure, "El Hashr", ajeti 23.
Siguria, qetësia dhe paqja e mirëfilltë, mund të vijnë vetëm nga Allahu, që është Paqedhënës, që ofron siguri dhe sjell qetësi shpirtërore. Në Dorën e Tij është i tërë sundimi. Ai edhe fenë, të cilën e zgjodhi për mbarë njerëzimin e quajti "Islam", që do të thotë paqe-siguri.
Njërin prej kateve të Xhenetit e quajti "Daru-s-Selam"- "Shtëpia e Paqes", ndërsa fjala e parë e mirëseardhjes për xhenetlitë, do të jetë Selami: "E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xheneti e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: "Selamun alejkum" - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë. " - (Ez-Zumer, 73).
Nga duatë e Resulullahit s.a.v.s. me këtë emër është edhe kjo: “Allahumme ente-s-Selamu, ve minke-s-Selamu, tebarekte ve tealejte ja Dhel Xhelali vel Ikram." - "O Allah! Ti je Paqedhënësi, Prej Teje vjen paqja e siguria. I bekuar dhe i lartësuar je vetëm Ti o Zot i Madhërishëm dhe Fisnik!"

EL –MU’MINUN - Siguridhënësi, Mbështetësi dhe Mbajtësi i premtimit

Allahu i madhërishëm nuk e thyen kurrë premtimin e Vet, që do të thotë se në Ditën e Gjykimit, Ai do t'i mbrojë dhe sigurojë robërit e Vet të sinqertë nga ndëshkimi i zjarrit.
Ky emër i bukur i Allahut është përmendur vetëm një herë në Kuran, pikërisht në këtë sure "El Hashr", ajeti 23. Ky emër i ka dy kuptime: Allahu mban premtimet ndaj të dërguarve të Vet, dhe i mbështet ata me mrekulli, kurse kuptimi i dytë e që është më i pranuari nga ana e dijetarëve, është: Allahu është Ai që jep siguri, qetësi, përkrahje dhe do t'i mbrojë e sigurojë robërit e Vet edhe në këtë botë, në jetën e varrezave-në Berzah dhe pa dyshim, në Ahiret, nga zjarri i Xhehenemit.
Në lidhje me sigurinë e besimtarëve në këtë botë, Allahu xh. sh. thotë: “Atyre që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë. " - (El En'am,82).
Ndërsa siguria e Tij në jetën e varrezave për besimtarët, është portretizuar në ajetin 27 të sures "Ibrahim": "Allahu i forcon ata që besuan me fjalë të fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote po edhe në botën tjetër... "
Kurse sa i përket Ditës së Kiametit, Allahu xh.sh. do t'i fusë robërit e Vet të sinqertë në hijen e mëshirës dhe të sigurisë së Tij, kur thotë: " ... dhe ata do të jenë të siguruar (mbrojtur) prej tmerrit të asaj dite. " - (En-Neml, 89).
Edhe emri "mumin": besimtar, në një mënyrë nënkupton se ai që është i denjë për këtë emërtim, nga ai reflektohet vetëm siguri për të tjerët. Besimtar i vërtetë është ai nga dora dhe gjuha e të cilit janë të siguruar myslimanët e tjerë. Kështu na mëson i Dërguari i Allahut.
Ndërsa një nga duatë e Pejgamberit a.s., që ndërlidhet me këtë emër të bukur të Allahut, apo me sigurinë, është edhe kjo që transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu kur thotë: "Në Ditën e Hendekut, i thamë Resulullahit s.a.v.s.: o i Dërguar i Allahut! Çfarë të themi, kur të jemi më së ngushti (në gjendje frike e pasigurie)? Ai tha: "O Allah, na mbulo të metat dhe na ofro qetësi e siguri (nga çdo gjë që na frikëson)!”

EL -MUHEJMINU - Mbizotëruesi, Mbikëqyrësi

Ky emër i bukur i Allahut, i cili është përmendur vetëm një herë në Kuranin fisnik, nënkupton se Allahu është Mbikëqyrës dhe Mbizotëruesi çdo gjëje që ndodh në këtë ekzistencë. E tërë kjo gjithësi, është nën vrojtimin e kontrollin e Tij të përhershëm. Në gjuhën arabe, fjala "El-Muhejminu" nënkupton: Siguruesin, Dëshmitarin, Mbrojtësin, Kontrolluesin dhe Mbizotëruesin.
Besimtari duhet ta stolisë karakterin e vet me këtë emër të bukur të Allahut, duke vënë kontroll ndaj vetvetes dhe ndaj djallit të mallkuar, i cili na cyt dhe na nxi t vazhdimisht për punë të liga. Ai që e përmban veten, ai do të jetë i shpëtuar.
Është përcjellë nga disa njerëz të devotshëm kjo dua: "O Allah! Unë të lutem me emrin tënd "El-Muhejminu" - Mbizotërues ndaj gjithçkaje dhe Mbizotërues mbi çdo gjë, që të më mundësosh të kontrolloj e të mbizotëroj nefiin, epshin dhe ligësinë time, dhe të ma forcosh Imanin!"

EL-AZIZU - Fuqiploti, Madhështori

Emri i bukur i Allahut "El-Aziz': shpreh madhështi, fuqi dhe mbizotërim mbi çdo gjë në këtë ekzistencë. Fuqia e Tij mbulon këtë gjithësi dhe askush nuk është i barabartë me Fuqinë e Tij.
Atë që Ai e përkrah dhe e fuqizon, nuk ka kush që mund ta përdhosë a ta nënçmojë: "Thuaj: "O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do dhe ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do ... " - (Ali Imran, 26).
Ky emër i bukur i Allahut është përmendur 60 herë në Kuran. Në disa ajete ka ardhur i shoqëruar me emrin tjetër të Allahut "El-Hakim - I Urti" me atë "El-Alim - I Gjithëdijshmi”: me emrin tjetër "Er-Rrahim- Mëshirëploti” etj.
Ky emër i bukur i Allahut "El-Aziz", çdo besimtari i jep forcë dhe e vesh me petkun e krenarisë. E ne, sot më tepër se kurrë, kemi nevojë të ngarendim pas kësaj krenarie, të cilën e kemi humbur me fajin dhe neglizhencën tonë. Të parët tanë, kur krenoheshin vetëm me besimin e pastër në Allahun, ishin prijatarë të botës në shkencë dhe në kulturë, kurse sot pothuajse jemi zhveshur në tërësi, nga të tilla parime, duke ngarendur pas iluzioneve të kësaj bote. Për shkak të kësaj, gati sa nuk jemi shndërruar në robër të pasioneve, duke garuar për pasuri e ndërtime e jo për devotshmëri dhe parime.
Kur ne ta kuptojmë se krenaria dhe fuqia është e tëra prej Allahut, ndoshta në një të ardhme të afërt, do ta gjejmë veten pjesë të këtij ajeti: " ... e tërë krenaria i takon Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve" - (El-Munafikun, 8).
Nga duatë e të Dërguarit të Allahut që na janë përcjellë me emrin e bukur të Allahut "El-Aziz”: është edhe kjo dua: "La ilahe il-la Allahu el Vahidu-l Kahhar. .. Rabbus-s-semauati vel erdi ve ma bejnehuma, El-Azizu-l Gaffar" - Nuk ka zot tjetër pos Allahut. I Vetmi Ngadhënjimtar (Mposhtës), ... Zot i qiejve dhe i Tokës dhe çfarë ka në mes tyre, i Gjithëfuqishëm dhe Mëkatfalës.”

EL-XHEBBARU - i Gjithëfuqishmi, Madhështori, Mbizotëruesi ndaj çdo gjëje

Ky emër i bukur i Allahut është përmendur vetëm një herë në Kuran dhe nënkupton se Ai është Madhështori që imponon vullnetin e Tij dhe çdo krijesë i nënshtrohet vetëm madhërisë së Tij.
I Dërguari i Allahut shpeshherë e bënte, thoshte: “I Lartësuar qofsh o Allah, Pronar i Madhështisë, i Sundimit dhe i Lartësisë"

EL - MUTEKEBBIRU - i Madhërishmi

Edhe ky emër i bukur i Allahut dëfton për madhështinë e Tij. Kjo madhështi nuk mund të matet e as të krahasohet me të perceptuarit e mendjes njerëzore, sepse Allahu është i Madhërishmi, Madhështori, i Vetmi i denjë për madhërim dhe lartësim. Allahu xh.sh. nëpërmjet këtij emri, tregon se është i Lartmadhërishëm, mbi të gjitha krijesat dhe tërë ekzistencën.
Lartmadhërimi është i denjë për Allahun, gjë të cilën nuk mund ta pretendojë asnjë prej krijesave, qoftë engjëll, xhin apo njeri.
Nga njerëzit e devotshëm dhe të dashur tek Allahu, na është përcjellë kjo dua: "O Allah! Unë të lutem me emrin Tënd të madh: El-Mutekebbiru - I Madhërishëm, që të më furnizosh me respekt ndaj të dashurve të Tu, dhe me krenari e madhështi kundër armiqve, sepse të tregohesh i madh ndaj mendjemëdhenjve, është sadaka, ashtu siç është respekti ndaj të devotshmëve sadaka."

24. “Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të Tij janë emrat më të bukur; Atë e lartëson çka ka në qiej e në tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti!”
Edhe ajeti i fundit i sures ''El- Hashr", fillon me përmendjen e emrit Allah, i Cili është emër i përveçëm dhe përfshin të gjithë emrat dhe kuptimet e Lartmadhërisë së Tij. Ndërsa emri i bukur i Allahut në vijim të këtij ajeti është:

EL -HALIKU - Krijuesi

Ky emër i bukur i Allahut është përmendur vetëm një herë në Kuran, pikërisht në këtë ajet, të 24-të të sures "El-Hashr", dhe nënkupton se Allahu, i Cili e ka krijuar këtë ekzistencë, nga mosqenia, është Krijuesi i vetëm, i Plotfuqishëm dhe i Pashoq.
Allahu është Krijuesi madhështor dhe askush nuk ka mundësi ta imitojë e as t'i bëjë rivalitet në këtë segment. Në lidhje me pamundësinë që njerëzit të jenë si Zoti, Ai në Kuran thotë: "Vërtet ata që po i adhuroni në vend të Allahut, ata nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të, e po ashtu, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi." - (El-Haxh, 73).
Allahu i ka lavdëruar të gjithë ata që meditojnë rreth asaj që ka krijuar i Gjithëpushtetshmi:
"Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar je, ruana prej dënimit të zjarrit." - (Ali Imran 191). dhe: '1 lartë është Allahu, më i miri Krijues!" - (El-Muminun, 14)
Nga duatë e Resulullahit s.a.v.s., që ndërlidhen me këtë emër të bukur të Allahut, është edhe kjo: "Allahumme kema ahsente halki, fahsin huluki - O Zoti im! Ashtu siç e përsose (zbukurove krijimin tim, përsose (zbukuroje) edhe moralin tim!"

EL-BARIU - Filluesi-Shpikësi

Ky emër i bukur i Allahut është përmendur 3 herë në Kuran, njëherë me këtë emërtim në ajetin 24 të kësaj sureje, dhe dy herë në ajetin 54 të sures EL- Bekare: "Dhe kur Musai popullit të vet i tha: "O populli im, me adhurimin e viçit (në vend të Zotit), ju i bëtë zullum vetvetes, pra pendohuni para Krijuesit tuaj, dhe mbyteni vetveten. Kjo për ju është më së miri te Krijuesi juaj. E Ai jua pranoi pendimin tuaj, Ai është mëshirues, ndaj pranoi shumë pendimin."
Emri "El-Bariu" dëfton se Allahu xh.sh. i krijoi krijesat pa ndonjë model dhe Vullneti i Tij është zbatuar dhe zbatohet nëpërmjet urdhrit hyjnor: "Bëhu!". Pasi që i krijoi krijesat, Ai i përsosi ato, duke u dhënë formë dhe pamje.

EL - MUSAVVIRU - Formëdhënësi-Formësuesi

Ky emër i bukur i Allahut është përmendur vetëm një herë në Kuran në trajtë gramatikore të emrit, ndërkohë si kuptim është shprehur me folje edhe disa herë të tjera si në: Ali Imran-6; Gafir-64; Et-Tegabun, 3 etj.
Allahu është Ai i Cili u dha formë të gjitha krijesave e ndër to dalloi njeriun, si krijesën më fisnike, të cilën e krijoi në formën më të bukur.
Allahu xh.sh, e përsosi çdo gjë që krijoi, duke i dhënë formë të veçantë çdo krijese. Megjithatë, në krijimin e fytyrave të njerëzve, vërehet mrekullia e krijimit, sepse nga miliarda njerëz në këtë botë, përfshirë edhe ata që kanë qenë para nesh, po edhe ata që do të vijnë pas nesh, nuk mund të gjesh dy fytyra të njëjta, përveç nëse janë binjakë nga një vezore e vetme. Madje, përveç fYtyrës, asnjë nga njerëzit nuk i ka të njëjta as majat e gishtërinjve (papilarët), madje as tonin e zërit, i cili ndryshon nga njëri te tjetri.
Krijoi qiellin dhe tokën, ujin dhe planetët, kodra e dete, lugina e lartësi, krijoi natën dhe ditën, krijoi jetën dhe vdekjen, krijoi natyrën me tërë koloritin e saj të mahnitshëm, por mbi të gjitha, krijoi njeriun dhe e zgjodhi mëkëmbës të Tij në Tokë.' I Lartësuar qofsh në Madhërinë Tënde o Allah, që përsose çdo gjë në këtë krijim!

EL-AZIZU - Fuqiploti, Madhështori

Meqë e komentuam më parë këtë emër të bukur të Allahut, mund vetëm të shtojmë se, pa fuqinë e Tij, nuk mund të ndodh asnjë proces në këtë ekzistencë.

EL-HAKIIM - i Urti

Allahu xh.sh. me urtësinë e Vet, cilësi që përkon me madhështinë dhe përsosmërinë e Tij hyjnore, mbikëqyr dhe udhëzon krijesat. Ai është i Urti, i Dijshmi, i Drejti dhe i Gjithëmëshirshmi.

Porosia e ajeteve 23-24

- Allahu i Madhërishëm nëpërmjet emrave të Tij të Bukur, sikur dëshiron të na nxitë që ne të stolisim karakterin tonë me madhështinë e këtyre emrave apo cilësive të Tij. Të ndihemi të mëshirshëm, të dhembshur, të fuqishëm, krenarë me përkatësinë tonë fetare, të devotshëm etj.
- Ai na bën me dije se është Sunduesi dhe Poseduesi i çdo gjëje në këtë Univers (El-Meliku). Ai është i Pastri dhe i Shenjti (El-Kuddusu), pa ndonjë të metë a mangësi. Është Paqesjellësi (Es-Selamu), Siguruesi dhe Mbrojtësi (El-Mu'minu) i çdo besimtari gjatë jetës, vdekjes dhe ringjalljes së tij. Ai ashtu siç i ka fuqizuar të Dërguarit e Tij me mrekulli, ai po ashtu do ta realizojë premtimin e Tij ndaj besimtarëve. Ai e mbikëqyr dhe mbizotëron çdo proces në këtë ekzistencë (El-Muhejminu). Është i Gjithëfuqishëm (El-Azizu), e lartëson kë të dojë dhe e ul kë të dojë dhe ka pushtet mbi çdo gjë. Ai është Madhështori (El-Xhebbaru) dhe i Lartmadhërishmi në madhështinë e Vet (El-Mutekebbiru).
- Allahu është i pastër nga çdo mangësi që ia përshkruajnë idhujtarët. Të Tij janë emrat dhe cilësitë më të bukura e më të përsosura. Ai është Krijuesi absolut (El-Haliku) i tërë asaj që e quajmë ekzistencë. Është Shpikësi (El-Bariu), që krijoi e shpiku çdo gjë nga pafillimësia, qiejt, tokën, engjëjt, exhinët, njerëzit etj. Është Formësuesi apo Formëdhënësi (El-Musavviru) i Cili çdo gjëje i dha formë, duke dalluar ndër krijesat, njeriun të cilin e krijoi dhe e formësoi në formën më të bukur. Ai është i Gjithëfuqishmi (El-Azizu) dhe i Urti (El-Hakimu) për çdo gjë.
- Sipas shumë transmetimeve nga i Dërguari i Allahut, emri më i Madh i Allahut, gjendet në ajetet e fundit të sures "El-Hashr".

(Fund)


________________
1. Taxhuddin Nevfel, Esmaullahi-l Husna, Giza-Egjipt 1998,f. 69-74.
2. Et-Tefsirul Munir, vëll. 28. F. 489.



Sabri Bajgora