Refleksione nga vetëngujimi (vetëkarantimi)


”Me të vërtetë ky është përkujtim për ty dhe për popullin tënd...”(1)

Pandemia COVID-19 shfaqi rrethana shqetësuese në vende të ndryshme të botës.

Virusi Corona shkaktoj pasoja fatale, numër enorm i të infektuarve si dhe shumë vdekje në nivel global.
Vetëngujimi-vetëkarantimi është masë preventive në përhapjen e infeksioneve të ndryshme, gjegjësisht, qëndrimi në shtëpi dhe shmangia e kontakteve me njerëz, për t’u mbrojtur nga simptomet e sëmundjeve pandemike. Karantimi-vetëngujimi zvogëlon dukshëm gjasat që personi të mund ta bartë sëmundjen tek të tjerët.

Në një rrethanë të tillë, vetizolimi është e vetmja alternativë për parandalimin e përhapjes së virusit Corona. Kjo masë preventive fillimisht përcaktohet ndaj të infektuarve me simptome të sëmundjes, ndaj personave të cilët presin një përgjigje të analizave laboratorike, me pas ndaj atyre që paraprakisht kishin kontakt me një të infektuar me virus, dhe përfundimisht ndaj gjithë shoqërisë së një vendi për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë.

Të shumta ishin thirrjet publike të përfaqësuesve institucional dhe ekspertëve të fushës së mjekësisë drejtuar qytetarëve për izolim në ambiente familjare, për faktin se shtëpia është hapësira më e mirë e mbrojtjës dhe sigurisë.

Jeta është një dhuratë nga i Madhi Zot, ndaj së cilës duhet shtuar vëmendjen për ta ruajtur deri në momentin e vdekjes. Allahu Bujar thotë: "Mos e shkatërroni veten tuaj me duart e juaja".(2)
Fakti se pandemia COVID-19 mund të zgjatë me muaj e ndoshta edhe me vite të tëra (në nivel global), vetëngujimi duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në vijim do të sjellim disa këshilla-leksione, si të reflektojmë në raport me familjarët tanë në një situatë të tillë.

Roli ynë në familje gjatë periudhës pandemike - "Të gjithë ju jeni kujdestar dhe çdo njëri nga ju është përgjegjës për përgjegjësinë (kopenë) e tij..."(3)
Familja është një institucion shoqëror i njohur gjatë gjithë historisë njerëzore, për vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka në shoqëri.

Fakti se rreth një e treta e dispozitave juridike të Kur’anit përfshijnë aktet ligjore dhe normative në raport me familjen, pasqyron më së miri rolin dhe pozitën e lartë të familjes në shoqëri. Thotë i Lartëmadhëruari në Kur’an: “O ju që besoni, mbrojeni veten dhe familjen tuaj ...’’(4)

- Aspekti i sigurisë: " O Zoti im, bëje këtë vend (qytet) të sigurt ... "(5)

Qasja e njeriut në raport me sigurinë e tij individuale dhe familjare është parim dhe normë hyjnore, ndaj së cilës duhet shtuar kujdesin në nivelin më të lartë. Shëndeti, siguria dhe jeta familjare në këtë periudhë të krizës globale (COVID-19) është gjëja më e rëndësishme.
Andaj, mirëqenia, harmonia, paqja dhe siguria e familjes në këtë kohë pandemie duhet të jetë në kulminacion. Edhe thirrja nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ishte: ”Qëndroni në shtëpi, dëgjoni ekspertët dhe mos u frikësoni”.

Prioritet i yni në rrethana të tilla është të jemi pranë familjarëve tanë. Roli dhe misioni ynë kryesor në familje është kujdesi dhe krijimi i një ambienti relaksues. Të mos krijojmë frikë dhe panik të panevojshëm, por të respektohen të gjitha masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore dhe qeveritare.

Të mos krijomë tensione dhe situata të pakëndshme në vatrën tonë familjare, ngase momentet e tilla çrregulluese mund të ndikojnë negativisht në shëndetin tonë përballë mundësisë për t’u prekur nga virusi Corona.
Në momente të tilla kritike, rekomandimet kur’anore janë më se të domosdoshme: "Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!"(6)

Është e natyrshme të ndihemi të shqetësuar përballë një pandemie të tillë, por durimi dhe mbështetja në Allahun duhet të na bëjnë më të fuqishëm e më të bashkuar. Humbja e shpresës nuk përkon me natyrën e muslimanit. Edhe profetët përjetuan situata të rënda e të vështira. Qëndrimet dhe mesazhet e tyre ishin jashtëzakonisht të fuqishme e shpresdhënëse: Jusufi a.s. tha: Mos u pikëllo!(7), Shuajbi a.s. tha: Mos u frikëso!(8), Muhamedi ? tha: Mos u shqetëso!.(9)
Cili nga ne (të vetëngujuarit) do t’i pranonte këto këshilla të dobishme?!

Krahas përpjekjeve tona për të krijuar një ambient të qetë e të sigurt, falja e namazit të sabahut është një masë preventive në mbrojtje nga gjërat e dëmshme. Pejgamberi ? ka thënë: "Kush e fal namazin e sabahut është në mbrojtjen e Zotit".(10)
Një masë tjetër për të krijuar siguri ndaj fatkeqësive të papritura, në këtë rast edhe nga pandemia COVID-19, është edhe lutja të cilën na e mësoi i Dërguari ynë ?: "Kush e thotë këtë dua tri herë në mëngjes dhe në mbrëmje, nuk do t'i bëjë dëm asgjë: Me emrin e Allahut pranë emrit të të Cilit nuk bën dëm asgjë në tokë dhe as në qiell, Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë".(11)

-Aspekti edukativ: - “Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi!”(12)

Gjatë vetëngujimit-vetëkarantimit, krijimi i një atmosfere të sigurisë familjare është primare, për të vazhduar më pas me edukimin e nevojshëm të fëmijëve tanë.
Në rrethana të tilla jostabile, megjithatë, është mundësi e mirë që fëmijët tanë të edukohen me një edukatë të mirëfilltë kulturoro-fetare.

Është fakt se prindërit janë mësuesit-edukatorët e parë të fëmiut, gjersa shtëpia është çerdhja e parë në të cilën fëmiu merr edukatën e duhur. Fatkeqësisht, shumë prindër sikur kanë anashkaluar obligimet dhe detyrat që kanë ndaj fëmijëve të tyre.

- Vallë jemi treguar të kujdesshëm në raport me edukimin e fëmijëve tanë?!
- Vallë kemi shfrytëzuar gjithë energjinë dhe potencialin tonë në arsimimin e tyre?!

Objektivi ynë final ndaj fëmijëve tanë gjatë kësaj periudhe kritike, duhet të jetë njohja e tyre me Islamin-legjislacionin e fundit hyjnor.
Të shumta janë vërsetet kur’anore dhe hadithet profetike të cilat në mënyrë brilante pasqyrojn qasjen tonë ndaj fëmijëve tanë në edukimin e tyre në raport me Krijuesin, vetveten, prindërit dhe me të tjerët. Muhamedi ? nxitë prindërit duke thënë:" nderoni fëmijët tuaj dhe edukoni me edukatë të mirë".(13)
Një prind i suksesshëm, është ai i cili fëmijës së vet i ndërton të ardhmen e ndritshme të dunjas dhe ahiretit. Përmendja e Allahut gjatë kohës së karantimit përveç që qetëson zemrën, ajo i jep gjallëri trupit dhe forcon edhe më shumë shëndetin e njeriut.

Duke qenë të vetëdijshëm me sprovën me të cilën përballemi, ditët në vijim duhet të jenë të mbushura përplot shpresë, ngase këtë sfidë do arrijmë të e kalojmë më lehtë në rast se jemi mbështetur në Allahun Fuqiplotë. Të vërtetën e thotë Allahu: "Askush nuk e humbë shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur".(14)

- Aspekti fetar: - “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten...”(15)

Sprovat, vështirësitë dhe vuajtjet e mëdha që i përjetonte Pejgamberi ? ishin të natyrave të ndryshme, megjithatë, ai ? kur përballej më ndonjë brengë në familjen e tij, i urdhëronte të faleshin, pastaj lexonte: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë!” (16)
Tani kur Bashkësia Islame e Kosovës ka pezulluar përkohësisht faljen e namazit me xhemat në xhami nga frika e përhapjes së virusit Corona, shtëpit tona duhet të luajn rolin e xhamisë.
Falja e namazeve në shtepi si rezultat i vetizolimit, është një mundësi për t’i nxitur edhe familjarët tjerë në përmbushjen e kësaj shtylle të Islamit.

Për aq kohë sa do të zgjatë vetëkarantimi, është mirë që fëmijët tanë të e mësojnë faljen e namazit, më pas edhe leximin e Kur’anit. Kjo është edhe përgjegjësi e jona ndaj tyre.
"Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz derisa ata janë ne moshën shtate vjeçare, dhe rrihini kur ata janë ne moshën dhjete vjeçare dhe ndani ne shtrat".(17)

Pas përkushtimit ndaj tyre, të themi lutjen e Ibrahimit a.s. :“O Zoti im! Më bëj nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi, dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë!”(18)
Nëse në shtëpi tona falët namazi, atëherë ato shtëpi mund të i ngjajnë xhamiave, e në rast se aty nuk falet namaz, atëherë ato i ngjajnë varrezave. Në shtëpi tona për kohë të gjatë janë bërë mëkate të shumta, të paktën tani gjatë vetëngujimit t’i shfrytëzojmë në adhurim ndaj Zotit.

Edhe tani kur jemi të vetëkarantinuar në shtëpi tona dhe nuk mund të imagjinojmë epilogun e pandemisë COVID-19, është momenti të reflektojmë në raport me përgjegjësitë tona ndaj familjes. Është momenti që Islamin t’ua paraqesim në mënyrën më të mirë të mundshme.
Është e papërceptueshme t’i thërrasim të tjerët në Islam, ndërsa familjet tona të vazhdojnë të jenë në mëkate e devijim.

Të kesh një familje të shëndoshë do të thotë të kesh një të ardhme të shendoshë. Fëmijët tanë duhet të jenë të suksesshëm në çdo aspekt të jetës: të jenë falënderues ndaj Zotit, të moralshëm, të edukuar e të sinqertë.

Një rrethanë e tillë është e padëshiruar për ne, por megjithatë ”...mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju...”(19)

Gjatë kohës së vetëngujimit të e pyesim vetën: Nëse i kemi bërë padrejtësi ndonjërit prej njerëzve? Nëse kemi cenuar nderin e ndokujt? Kemi ofenduar, fyer apo nënçmuar ndonjë person?
Të reflektojmë pozitivisht, të bëhemi të ndërgjegjshëm, bujar e solidar në këto momente të rënda që po përjeton shoqëria jonë kosovare, jo vetëm përballë pandemisë, por tani edhe përballë gjendjës së rëndë politike.
O Zot, kërkojmë prej Teje lehtësi e jo vështirësi, siguri e jo frikë, shpresë e jo pesimizëm.
O Allah! Na gjej rrugëdalje në këto ditë të vështira, ruaje dhe udhëzoje shoqërinë tonë. AMIN!


______________
1. Kur’an, Zuhruf: 44.
2. Kur’an, El-Bekare: 195.
3. Musned ahmed 2/102
4. Kur’an, Et-Tahrim: 6.
5. Kur’an, El-Bekare: 26.
6. Kur’an, Er-Ra'd: 28.
7. Kur’an, Jusuf: 69.
8. Kur’an, EL-Kasas: 28.
9. Kur’an, Et-Teube: 40.
10. Muslimi 657.
11. Ebu Davudi 4/323, Tirmidhiu 5/465.
12. Kur’an, El-Inshirah: 5.
13. Sunen ibni maxhe 2/1211
14. Kur’an, El-Hixhër: 56.
15. Kur’an, Err-Rad: 11.
16. Kur’an, Ta ha: 132.
17. Sunen ebu dawud 1/334 , Musned ahmed 2/180-186
18. Kur’an, Ibrahim: 40.
19. Kur’an, El-Bekare: 216.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi