Hytbeja e Fitër Bajramit

Florim ef. Mellova

Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Falënderimet i takojnë Allahut, Fisnikut të Mëshirshëm, Mirësi-Dhuruesit të përhershëm, Atij që na ligjësoi fenë me rregulla dhe etikë!
E falënderojmë dhe i përulemi për dhuntitë me të cilat na veçoi nga krijesat tjera.
Kur’ani është libri më i përsosur, Muhammed a.s, është zotëria i tërë njerëzimit dhe i dërguari për njerëz dhe xhinë, e feja jonë është përmbyllëse për çdo fe.
O Zot, të falënderojmë me falënderim që askujt nuk i takon
Ty, Zoti ynë, që tërë njerëzimi prej Teje ndihmë kërkon
Dyert tjera para sysh na mbyllen
E dera jote e hapur përherë qëndron
Dëshmojmë me sinqeritetin më të madh se nuk ka meritor për adhurimin tonë përveç Teje; Ti je Një dhe i vetëm, nuk ke as paraardhës dhe as pasardhës kurse fjalët e politeistëve dhe pretendimet e jobesimtarëve janë vetëm shpifje!
Dëshmojmë se Muhammedi është rob dhe i dërguar prej Teje! Me të fisnikërove shpirtrat tanë, ndriçove rrugën tonë, udhëzove mendjet tona dhe lidhe shpirtrat tanë ndërmjet vete.
O Allahu Fuqiplotë! Mëshiroje Muhammedin a.s dhe ngrite në piedestalet më të larta, lartësoje atje që të ndërmjetësojë për ne!
Mëshiroje edhe familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnikë dhe neve pasuesit e tij, gjer në amshim!
Vëllezër të nderuar!
Mirë se vini në ditën tuaj, në këtë bashkim të fitores dhe ngadhënjimit, në këtë treg mëshire dhe dhuntish!
Mirë se vini në ditën kur poshtërohet e keqja dhe ithtarët e saj.
Mirë se vini në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve.
Uroj dhe lutem që asnjëri prej nesh të mos privohet sot nga mirësia e kësaj dite dhe falja e mëshira e Allahut të Madhëruar!
Vëllezër të nderuar!
Festa e fitër Bajramit, ceremoninë e se cilës jemi mbledhur ta shënojmë sot këtu, vjen pas një muaji të tërë adhurimi dhe kontributi, pas një muaji sfidues për shpirtin, ajo vjen pas muajit madhështor të Ramazanit.
Fitër Bajrami ndërlidhet me fillimin e shpalljes së Kur’anit, mision i të cilit është të udhëzojë, të drejtojë, të shpëtojë..Të na nxjerrë nga errësira e mosbesimit në horizontin e besimit. Pra, e falënderojmë Allahun ngase na udhëzoi!!!
Ju lutem, shumë sinqerisht, ndaluni dhe pyesni veten vetëm për një gjë: Sikur të isha mosbesimtar si do të ishte puna ime? Cili do të ishte raporti im me Allahun? A do të më donte Allahu? A do të isha i udhëzuar? A do të shpëtoja? A do të më bënte diç tjetër dobi nëse nuk jam besimtar i nënshtruar?
E tash, nëse do përgjigjen, dëgjo fjalët e Allahut dhe të Resulullahit, alejhi’s selam! Atë njeri që nuk beson, Allahu nuk e fal. Allahu thotë:
S'ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t'i përshkruhet Atij shok, e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” en-Nisa, 48.

Nisur nga ky parim një muaj të plotë e kaluam në agjërim,nëpërmjet të cilit u munduam që në vazhdimësi të jemi në kryerjen e të gjitha obligimeve që sjell agjërimi, dhe sot me të drejtë gëzohemi ngase i Madhi Zot na bëri të mundur ti kryejmë adhurime të shumta që kanë të bëjnë me agjërimin. Falënderojmë Allahun që na mbajti në jetë, dhe të gëzuar presim Bajramin ngase kemi kryer edhe një nga obligimet kryesore të fesë sonë islame.
Muhamedi a.s. thotë:
“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do t’i falet tërë çka ka gabuar më parë”.
Festa e fitër Bajramit është një falënderim për kryerjen e suksesshme të Muajit të Ramazanit.
Ramazani dhe agjërimi nuk janë adhurim i thjeshtë. Ato në vete ngërthejnë një thesar të çmueshëm mirësish, duke filluar nga falja e mëkateve, çregjistrimi nga lista e Xhehennemit, shansi i Natës së Kadrit, etj. Ndaj, të kryhet me sukses ky provim padyshim se është motiv i qëlluar për festim. Allahu i Madhërishëm thotë:
“O ju njerëz, vërtetë ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu me i ndershmi nder ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat),e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat:13)
Festa e fitër Bajramit është imazh shumëdimensional krenarie për besimtarin.
Festa e fitër Bajramit të tregon se të jesh në fenë e Allahut të Madhëruar është nderi më i madh. Është imazh i një uniteti shumë të veçantë të besimtarëve.
Vëllazëria fetare obligon solidaritet në mes besimtarëve,e jo mbështetjen e fanatizmave të verbër, ajo thërret për përkrahjen e besimtareve reformues për realizimin e të vërtetës dhe shkatërrimin e të pa vërtetës,për pengimin e keqbërësit dhe ndihmë atij që i është bërë e padrejtë.
Njerëzit nëse nuk i bashkon e vërteta, atëherë do t’i përçajë e pavërteta, nëse nuk i bashkon adhurimi i Allahut,do ti copëtoj adhurimi i djallit, nëse nuk i tërheqin mirësitë e ahiretit, do të konfrontohen për interesat e kësaj bote…për këtë, konfliktet e ndërsjella, të hidhura, janë prej veçorive të injorancës së errët dhe shprehisë së atyre që nuk kanë besim.
Festa e Fitër Bajramit është krenari për besimtarët musliman nëpërmjet së cilës zhdukjen e shtresave shoqërore në një shtresë të quajtur robër të Allahut. Pjesëmarrja e të pasurve dhe të varfërve dhe falja e tyre krah për krah njëri tjetrit, që në ditët e rëndomta ndoshta as nuk do ta ëndërronin, flet se si Islami njerëzit i ka ngritur me shpirt e jo me trup e pasuri. Pejgamberi, alejhi's selam ka thënë:
”Allahu nuk shikon trupat dhe as fizionomitë tuaja por shikon zemrat dhe veprat tuaja”
Ramazani është kolegj ku mësohen dhe përvetësohen vlerat dhe virtytet. Po dështove, rrezikon të bëhesh intelektual vlerash... Ramazani më së miri jep leksionet për mëshirë, butësi, solidarizim, respekt të ndërsjellë, humanitet, me kërkesën që këto në formë virtytesh të mbjellën tash në këtë muaj kurse kultivimi i tyre të zgjas gjatë gjithë jetës.
Ndaj, mos mendo se me përfundimin e Ramazanit mbyllet kapitulli i këtyre tipareve të çmuara. Mos mendo se me Sadakatu’l Fitrin ke dhënë tërë atë që duhet. Në fakt, Sadakatu’l Fitri nuk është hiç më shumë se aspekt teknik i festës. Qëllimi dhe synimi i festës nuk do të mund të realizohen kurrë përderisa të mos japësh edhe Sadakanë e shpirtit.
Edhe për shpirtin tënd ka Sadaka, e ajo është: shkatërrimi i egos, unit, nefsit...
Mos mendo se sot duhet ta vizitosh vetëm atë që të viziton, por edhe atë që ke shkëput lidhjet që një kohë të gjatë.
Vëllezër të nderuar!
Sikur që sot, të mbledhur kështu në këtë vend të bukur, presim shpërblimet e Allahut, presim kënaqësinë e Tij dhe e kërkojmë atë, lutemi për mëshirë dhe për falje, po kështu do të jetë puna edhe në botën tjetër. Sikur që sot jemi ndarë nga ata që refuzuan t’i përgjigjen Allahu dhe kundërshtuan urdhrin e Tij, po kështu do të ndahemi edhe në Mahsher, atje ku do të dalim për të dhënë llogari.
Ndaj, le të ngrijmë duart lart e me modesti, përulje, sinqeritet, lot, frikë dhe shpresë, ta lusim Allahun që të na falë nga tmerri i asaj dite!
Ta lusim që gëzimin për agjërim në ditën e takimit me Të ta bëjë aq të madh saqë të mos na privojë askënd prej tij! Ta lusim që etjen e Ahiretit ta shuajmë me shpërblimin e agjërimit! O Zoti ynë! Pranoje agjërimin tonë me mëshirën Tënde e të lutemi që për gabimet dhe lëshimet eventuale të na falësh!
Në këto momente festive, në këtë ditë shumë të veçantë e të gëzuar për të gjithë ne, ju lusë që të mos harroni begatit e Allahut Krijues, të lutemi për këto të mira dhe për një mirëqenie të përgjithshme në mbar botën. Në botë të mbretëroi paqja, harmonia, solidariteti ngase këto e tjera virtyte janë që e bëjnë njeriun krijesën më të përsosur.
I Madhëruar qofsh o Allah, Ti që krijove njeriun dhe çdo gjë tjetër!
Le të jehojnë tekbiret, le të buçet zëri me madhërim për Allahun!
Në emër të kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës z.Fatmir ef. Iljazit dhe në emrin tim personal ju them të gjithëve:
Me fat ju qoftë Fitër Bajrami!



09.09.2010
Xhamia e Hadumit
Gjakovë.