Sedat ef.ISLAMI
Rezymeja e ligjëratës: 1. E tash çka o mëkatar? 2. Shpërblimi i besimtarit. 3. Programi i besimtarit pas Ramazanit.
***
Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim!
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të qiejve dhe tokës, Sunduesit absolut të Ditës së Kiametit. Dëshmojmë se askush nuk meriton adhurimet tona përveç Tij!
Kurse përshëndetjet tona qofshin mbi zotërinë e njerëzimit dhe vulën e profetëve. Dëshmojmë se ai ishte robi dhe i dërguari i Allahut; kreu me sukses amanetin, këshilloi ummetin dhe luftoi për të vërtetën derisa i erdhi vdekja. O Zoti ynë! Derdhi mirësitë dhe mëshirën Tënde mbi të, familjen, shokët dhe pasuesit e tij si dhe lartësoje atë në pozitën që ia premtove, në “Mekamin Mahmud.”
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Hadithin profetik për gëzimet e besimtarit me agjërimin e tij në këtë dhe në botën tjetër[1], të cilin ua kemi përmendur shumë herë gjatë muajit që sapo e lamë pas, vetëm sot mund ta përjetojmë më së miri, ani pse, prapë, pjesërisht.
Them kështu ngase ky gëzim yni në këtë ditë, në të cilën shënojmë përmbylljen e suksesshme të adhurimit dhe kënaqemi shumë me faktin se jemi munduar të tregohemi maksimalisht të përulur para Madhërisë së Allahut, jemi munduar ta tregojmë robërinë tonë të sinqertë për Të, robëri kjo, e cila thënë me sinqeritetin më të madh për ne është KRENARI, është vetëm një imazh që përkujton ditën e madhe të shpërblimit, e cila gjithsesi se në kohën e kësaj ligjëratë do të zë vend të theksuar.
Ajo që në këtë fillim synoj është një bashkëbisedim me të privuarin nga kjo mirësi, dhe mu për këtë, ligjëratën e sotshme e kam titulluar: “Sy më sy” me besimtarin dhe mëkatarin. Sot dua që para se t’ia përkujtoj besimtarit mirësitë e adhurimit të tij, para se t’ia përshkruaj programin të cilin duhet ta zbatoj në muajt në vijim, dua të flas me mëkatarin, me atë që nuk agjëroi Ramazanin pa arsye.
Ajo me te cilën dua të hap dialogun me atë që nuk agjëroi është kjo pyetja: Çfarë iu ndodhi besimtarëve?
Ndoshta çuditesh pak dhe të duket disi e huaj kjo pyetje por më lejo të sqarohem: Pate refuzuar agjërimin me pretekst se është kohë e gjatë, vështirë, vapë, se kështu e shkatërron veten..Madje pate filluar edhe të na mësosh fenë neve se kinse Allahu i Madhëruar nuk po iu dëshiruaka vështirësi besimtarëve?
Sot, në këtë ditë kur shënohet mbarimi njëmujor i këtij adhurimi, a sheh ndonjë besimtar të gjymtuar për shkak se ka agjëruar? A e sheh ndonjërin ta ketë humbur dorën a këmbën pse nuk ka ngrënë prej mëngjesit deri në mbrëmje? A nuk sheh se arsyet tua kanë qenë tepër banale?
Le të vazhdojmë tutje!
Si e ndien veten në këtë dite gëzimi për besimtarë?
Si e përjeton ditën kur besimtarëve iu ndahen shpërblimet ndërsa ty jo?
Sa le gjurmë në shpirtin tënd thënia e Muhammedit, alejhi’s selam se:
“وَرَغِمَ أَنْفُ رَجُلٍ دَخَلَ عَلَيْهِ رَمَضَانُ ثُمَّ انْسَلَخَ قَبْلَ أَنْ يُغْفَرَ لَهُ
I poshtëruar qoftë ai që përjeton Ramazanin ndërsa nuk i falen mëkatet”[2]?
A e di çfarë shansi ke lëshuar?
- Ke lëshuar mundësinë e faljes së mëkateve ngase Muhammedi, alejhi's selam, alejhi’s selam ka thënë:
“مَنْ صَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ
Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme”.
- Ke lëshuar mundësinë e çregjistrimit nga Xhehennemi, dhe atë për çdo natë. Muhammed Mustafaja, alejhi’s selam, ka thënë:
“وَلِلَّهِ عُتَقَاءُ مِنْ النَّارِ وَذَلكَ كُلُّ لَيْلَةٍ
...dhe Allahu për çdo natë të Ramazanit liron njerëz nga zjarri.“[3]
- Të ka ikur shansi i Natës së Kadrit, natës në të cilën vuloset fati yt, natës e cila vlen më shumë se 1000 muaj. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi’s selam të ka paralajmëruar se po nuk pate hise në këtë natë, ke humbur.
“فِيهِ لَيْلَةٌ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ مَنْ حُرِمَ خَيْرَهَا فَقَدْ حُرِمَ
...në të është një natë më e mirë se 1000 muaj; ai që privohet prej mirësisë së saj vërtet është i privuar.”[4]
Ke mundur ta adhurosh Allahun e Madhëruar për një natë dhe ta arrish këtë shpërblim.
Vëlla mëkatar!
E sheh, po të quaj vëlla, ngase me gjithë mëkatet që ke bërë, edhe pse shumë të rënda, prapë duam që ti të mos na ndahesh. Duam që të shpëtosh...
Po dua të filloj nga e para por me një rrëfim, nga i cili dua të marrësh mësim. Ka thënë një musliman i devotshëm: Kam prezantuar në mexhlisin e Mensur b. Ammarit, vaizit, në Xhumanë e fundit të Muajit Ramazan. Foli për vlerën e agjërimit dhe faljes, për mirësitë të cilat Allahu i Madhëruar ua ka përgatitur të sinqertëve, por askush nuk u ndikua. Kur pa këtë vrazhdësi tha:
O ju njerëz, a askush nuk qan për të metat që i janë shfaqur?! A nuk ka të pasionuar pas faljes së mekëtave?! A nuk është ky muaji i pendimit dhe faljes?! A nuk është ky shpirti i faljes dhe kënaqësisë?! A nuk hapen dyert e Xhennetit në të?! A nuk mbyllen ato të Xhehennemit?! A nuk prangoset çdo djall i tërbuar në të?! A nuk ndahen rrobat e mirësisë?! A nuk shfaqet në të madhëria e të Madhit Allah?! A nuk lirohen në të për çdo natë një milion njerëz?! Çfarë keni, përse ikni nga shpërblimi i Tij? Përse në rrobat e kundërshtimit keni hy?
“أَفَسِحْرٌ هَذَا أَمْ أَنْتُمْ لا تُبْصِرُونَ
A mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk po shihni (jeni verbëruar siç u verbëruat nga e vërteta në Dunja).”et-Tur, 15.
“وَتُوبُوا إِلَى اللَّهِ جَمِيعًا أَيُّهَ الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ
...Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” en-Nur, 31.
Atëherë -vazhdon rrëfimin ky asket- filluan njerëzit të qajnë dhe dënesin kurse një i ri që të qarit nuk i ndalej u ngrit dhe tha: O Hoxhë! Çfarë mendon, a më pranohet agjërimi? A llogaritëm në mesin e namazfalësve? A më fal Allahu i Madhëruar pas tërë kësaj kohe që kalova në mëkate dhe harrova ditën kur jepet llogaria?
Mensuri iu përgjigj: O biri im! Pendohu tek Allahu i Madhëruar ngase Ai ka thënë:
“وَإِنِّي لَغَفَّارٌ لِمَنْ تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا ثُمَّ اهْتَدَى
Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë.”Taha, 82.
Pastaj Mensuri urdhëroi lexuesin dhe lexoi:
“وَهُوَ الَّذِي يَقْبَلُ التَّوْبَةَ عَنْ عِبَادِهِ وَيَعْفُو عَنِ السَّيِّئَاتِ
Ai është që pranon pendimin e robërve të vet dhe shlyen të këqijat dhe e di çka punoni.” esh-Shura, 25.
Djaloshi bërtiti: Mjerë për mua! Sa shumë jam mallëngjyer për Atë që mirësia e Tij vazhdon të më bëjë hije, dhe butësia e Tij të më shoqërojë! Bërtiti dhe një herë e pastaj ra për toke i vdekur!
I nderuar!
Ta përmenda Natën e Kadrit, një prej veçorive të së cilës është edhe caktimi i vdekjeve për vitin vijues. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ
Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.”ed-Duhan, 4.
O mëkatar! O ti që braktise këtë mirësi, këto shanse, këto mundësi!
A ke menduar qoftë edhe për një çast se sikur që sot je ndarë nga turma e besimtarëve, sot nuk ka gëzim për ty, edhe nëse mundohesh që të pështjellësh në karvanin e besimtarëve, do të ndahesh prej tyre edhe në një ditë më të madhe, në Ditën e Llogarisë.
A ke menduar se atë ditë kur vapa është e papërballueshme, atë ditë kur dielli do të qëndrojë mbi kokat e njerëzve, atë ditë kur tërë njerëzimi, prej të parit, Ademit, alejhi’s selam, e deri tek i fundit, do të jenë tok në një vend, atë ditë kur askujt për askënd, absolutisht, nuk do t’i bie ndërmend, atë ditë kur etja shuhet vetëm nga kroi i Muhammedit, alejhi’s selam...A ke menduar se atë ditë do të pengohesh nga ky ujë. Do të afrohesh por melaiket do të tërheqin zvarrë. Muhammedi, alejhi's selam, alejhi’s selam do të tentojë të të shpëtojë kur merr vesh punën tënde, edhe ai do të refuzojë.
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“أَنَا فَرَطُكُمْ عَلَى الْحَوْضِ مَنْ وَرَدَ شَرِبَ وَمَنْ شَرِبَ لَمْ يَظْمَأْ أَبَدًا وَلَيَرِدَنَّ عَلَيَّ أَقْوَامٌ أَعْرِفُهُمْ وَيَعْرِفُونِي ثُمَّ يُحَالُ بَيْنِي وَبَيْنَهُمْ
Unë do t’iu paraprijë tek Havdi. Kush vjen, pinë, e kush pinë nuk ndien etje më kurrë. Do të më vijnë tek Havdi ca njerëz, që i njoh e më njohin por më pas pamundësohet kontakti me ta (afrimi i tyre tek havdi).”[5]
Në një transmetim, po kështu nga Muslimi, Pejgamberi, alejhi’s selam jep edhe disa detaje tjera, si:
“فَأَقُولُ يَا رَبِّ هَؤُلَاءِ مِنْ أَصْحَابِي فَيُجِيبُنِي مَلَكٌ فَيَقُولُ وَهَلْ تَدْرِي مَا أَحْدَثُوا بَعْدَكَ
…them: O Zot, ata janë shokët e mi. Një melek më përgjigjet: Ti nuk e di se çfarë kanë bërë - shpikur pas teje.”
Çështja nuk mbaron këtu. Ajo vazhdon me fletushkat për të mbaruar shumë tmerrësisht me ndarjen. Se për çfarë ndarje e kam fjalën, mëso nga ky ajet kur’anor:
“إِنَّ أَصْحَابَ الْجَنَّةِ الْيَوْمَ فِي شُغُلٍ فَاكِهُونَ (55) هُمْ وَأَزْوَاجُهُمْ فِي ظِلَالٍ عَلَى الْأَرَائِكِ مُتَّكِئُونَ (56) لَهُمْ فِيهَا فَاكِهَةٌ وَلَهُمْ مَا يَدَّعُونَ (57) سَلَامٌ قَوْلًا مِنْ رَبٍّ رَحِيمٍ (58) وَامْتَازُوا الْيَوْمَ أَيُّهَا الْمُجْرِمُونَ
Ata të xhennetit tash janë të angazhuar me kënaqësi. 56. Ata dhe shoqet e tyre janë nën hije të mbështetur në kolltukë. 57. Aty ata kanë pemë dhe çka të duan. 58. Kanë "Selam", thënie e Zotit mëshirues!59. E tash, o ju kriminelë, ndahuni!” Jasin, 55-59.
Në këto momente, a e di se çfarë dëshiron?
A e di cila është dëshira jote më e madhe?
Diç shumë më të rëndë se agjërimi 16 orë për 30 ditë...
Do të doje që trupi yt të copëtohej copë-copë në adhurim...Do të doje që lëkura jote të të hiqej me gërshërë....por, vonë. Thotë Muhammedi, alejhi’s selam:
“يَوَدُّ أَهْلُ الْعَافِيَةِ يَوْمَ الْقِيَامَةِ حِينَ يُعْطَى أَهْلُ الْبَلَاءِ الثَّوَابَ لَوْ أَنَّ جُلُودَهُمْ كَانَتْ قُرِضَتْ فِي الدُّنْيَا بِالْمَقَارِيضِ
Të shëndoshët, që nuk janë sprovuar në këtë botë, nesër në Ditën e Kiametit, kur do të shohin shpërblimet që iu jepen durimtarëve do të dëshironin sikur lëkurat e tyre të rrjepshin në denja me gërshërë.”[6]
Tash shiko se si qëndron puna me besimtarin, me atë që duroi këtë vapë për të mos vuajtur këto që përmendëm. Këtë gëzim që sot e kanë këtu për arsye se kanë përmbushur një obligim ndaj Zotit të tyre, kanë agjëruar për një muaj, dhe tani po i kthehen normales, në fakt nuk kanë të vetmin shpërblim. Ai, thjesht, është si një paraprijës ose sihariques i një gëzimi të madh.
Të shfletojmë detaje të këtij gëzimi bashkërisht.
- Besimtarët gëzohen ngase para së gjithash kanë realizuar botëkuptimin e vërtetë të përkatësisë islame. Allahu i Madhëruar në Kur’an iu drejtua: “O ju që keni besuar, agjërimi iu është bërë obligim”; Pejgamberi, alejhi’s selam i mësoi se agjërimi është shtyllë e Islamit, kështu që ata pa hezitim iu përgjigjen kësaj.
- Besimtarët gëzohen ngase ato vështirësi që i përmendëm të Ditës së Kiametit nuk i përjetojnë. Vështirësitë që i përjetuan nga uria dhe etja e agjërimit ndikojnë që Allahu i Madhëruar t’i kursejë nga tmerri i asaj dite. Pejgamberi, alejhi’s selam thotë:
“الصيام والقرآن يشفعان للعبد ، يقول الصيام : رب إني منعته الطعام والشهوات بالنهار فشفعني فيه ، ويقول القرآن : منعته النوم بالليل فيشفعان
Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robin. Thotë agjërimi: O Zoti im! E kam privuar nga ushqimi dhe epshet gjatë ditës ndaj më lejë të ndërmjetësojë për të! Ndërsa Kur’ani thotë: E kam ndaluar nga gjumi gjatë natës. Allahu iu jep leje për ndërmjetësim.” [7]
- Besimtarët gëzohen ngase në ditën kur shpërndahen fletushkat e veprave ata janë të gëzuar. Atë ditë kur të tjerët marrin fletushkat pas shpinës, ata, bazuar në hadithin që e përmendëm në fillim të ligjëratës gëzohen ngase i marrin ato në anën e djathtë. Ata gëzohen kur ta takojnë Allahun e Madhëruar. Allahu i Madhëruar thotë:
“فَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِيَمِينِهِ (7) فَسَوْفَ يُحَاسَبُ حِسَابًا يَسِيرًا (8) وَيَنْقَلِبُ إِلَى أَهْلِهِ مَسْرُورًا
E përsa i përket atij që libri i vet i jepet nga e djathta, 8. Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë, 9. Do të kthehet te familja e vet i gëzuar.” el-Inshikak, 7-9.
- Besimtarët agjërues kanë një nder të veçantë në Xhennet. Për ta ka një derë ekskluzive, që të tjerët nuk kanë nderin të kalojnë nëpër të. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“إِنَّ فِي الْجَنَّةِ بَابًا يُقَالُ لَهُ الرَّيَّانُ يَدْخُلُ مِنْهُ الصَّائِمُونَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ لَا يَدْخُلُ مِنْهُ أَحَدٌ غَيْرُهُمْ
Vërtetë, në Xhennet ehte një derë që quhet Rejjan, nëpër të cilën hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër...”[8]
Besimtar i nderuar!
Ani pse sot kemi gëzim, kjo nuk do të thotë se ka mbaruar çdo gjë. Nëse Ramazani ka qenë shkollë, e thënë pak më qartë edhe sprovim: sprovim për adhurim, moral, sakrificë, solidaritet, dije se sot pritet rezultati. Se si duhet të jesh, shikoje gjendjen e studentit që pret rezultatin e provimit dhe ashtu qëndro. Allahu i Madhëruar të mëson e thotë:
“وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَى رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ
Dhe, ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.”el-Mu’minunë, 60.
Mos mendo se gëzimi ynë nënkupton shthurjen dhe tejkalimin e kufijve. Sot duhet të jetosh nën ankthet e frikës për mospranim dhe hijes së shpresës për pranim. Ndaj, ke të drejtë të gëzohesh por jo ta harrosh Allahun e Madhëruar.
Për të ndihmuar që të vazhdosh të ruash me fanatizëm idealin e Ramazanit dhe synimin e tij, ne me lejen e Allahut të Madhëruar do të përshkruajmë programin që duhet ta përfillësh, rrugën që duhet ta trasosh, me shpresë se ky Ramazan vërtetë do të jetë vendimtar për jetën tënde!
1. Zgjimi shpirtëror
Gjatë Ramazanit ke arritur të kuptosh se adhurimi për Allahun, Krijuesin Suprem, Sunduesin e Ditës së Gjykimit, nuk duhet të jetë formal. Agjërimi më së miri të mësoi se adhurimi duhet të ketë fillim shpirtin, sinqeritetin. Vetëm prej tij duhet të burojë. A nuk ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam duke cituar Allahun e Madhëruar:
“كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ لَهُ إِلَّا الصِّيَامَ فَإِنَّهُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ
Çdo vepër e njeriut është për të me përjashtim të agjërimit, i cili është për Mua – thotë Allahu- dhe Unë shpërblej për të...”Buhariu.
Duam që ky rregull t’i bëjë hije shpirtit tënd për çdo vepër, për çdo adhurim, për çdo ditë dhe tërë jetën. A nuk ka thënë Allahu i Madhëruar:
“قُلْ إِنَّ صَلاَتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ
Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.” el-En’amë, 162.
“الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلاً وَهُوَ الْعَزِيزُ الْغَفُورُ
Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” el-Mulk, 2.
Me këtë rregull Allahu i Madhëruar kërkon q ta përmbyllsh jetën:
“وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّى يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ
Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).”el-Hixhr, 99.
2. Mbizotërimi mbi epshe
Në Ramazan ruajte shikimin, ruajte të folurit, e ruajte nderin ngase ndryshe nuk bënte. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“الصيام جنة و إذا كان أحدكم صائما فلا يرفث و لا يجهل و إن امرؤ قاتله أو شاتمه فليقل : إني صائم مرتين
Agjërimi është mburojë, dhe kur ndonjëri prej jush të jetë agjerueshëm le të mos kryejë marrëdhënie intime me gruan dhe le të mos shfaq injorancë. Nëse ndokush e nxit për grindje apo e fyen, le t’i thotë dy herë: Unë jam agjerueshëm!...“[9]
Ndaj, nëse ndien vrazhdësi në zemër dhe sheh se anon kah epshet, agjëro ngase Muhammed Mustafaja ka thënë:
“يا معشر الشباب من استطاع منكم الباءة فليتزوج فإنه أغض للبصر وأحصن للفرج ومن لم يستطع فعليه بالصوم فإنه له وجاء
O ju të rinj! Kush ka mundësi materiale prej jush le të martohet ngase martesa ruan shikimin dhe nderin. E kush nuk ka, atëherë le të agjërojë ngase agjërimi është mburojë!” Transmetim unanim.
3. Dashuria për muslimanë dhe mirësjellja me ta
Thirrjet e Muhammedit, alejhi’s selam per lëmoshë skamnorëve, për dhënie iftar të dashurve, miqve, farefisit, etj, kanë synuar që lidhjet e tua me ummetin mbarë të jenë të forta. Solidariteti yt nuk ka mbaruar me Sadakatu’l Fitrin...Jetimë ende kanë nevojë për ty...Nëse në këtë muaj ke dhënë sadaka, dije se të ka mbetur Zekati, për të cilin Muhammedi, alejhi's selam, alejhi’s selam pati thënë se eshte urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa ta japin atë...
Të ka mësuar se në këtë muaj shpirti ngadhënjen mbi epshin, arsyeja mbi egon, falja mbi hakmarrjen. Sot, mos mendo se duhet t’i shkosh atij që te vjen por edhe atij qe nuk ti vjen. Duhet t’ia urosh festën edhe atij që të ka bërë keq. Ndryshe agjërimi yt nuk ka luajtur rolin e duhur.
4. Mos shfajësimi i vetes
Me gjithë adhurimin që ke bërë, me gjithë sadakatë dhe ushqimin që ke dhënë, mos mendo që ke mbaruar çdo gjë. Apo thënë më mirë, mos mendo se e ke siguruar Xhenentin. Ne nuk kemi punuar për Xhennet por për lejen e Xhennetit- mëshirën e Allahut të Madhëruar. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“مَا مِنْ أَحَدٍ يُدْخِلُهُ عَمَلُهُ الْجَنَّةَ فَقِيلَ وَلَا أَنْتَ يَا رَسُولَ اللَّهِ قَالَ وَلَا أَنَا إِلَّا أَنْ يَتَغَمَّدَنِي رَبِّي بِرَحْمَةٍ
Askënd vepra e tij nuk mund ta fus në Xhennet. A as ty o i dërguari i Allahut?!- e pyetën me habi. As unë. Përveç nëse Allahu më mëshiron- tha ai.”Muslimi.
Nga këtu, nuk ka vend për çudi kur të lexosh se Muhammedi, alejhi's selam, alejhi’s selam ka ndaluar të thotë njeriu:
“لَا يَقُولَنَّ أَحَدُكُمْ إِنِّي صُمْتُ رَمَضَانَ كُلَّهُ وَقُمْتُهُ كُلَّهُ فَلَا أَدْرِي أَكَرِهَ التَّزْكِيَةَ أَوْ قَالَ لَا بُدَّ مِنْ نَوْمَةٍ أَوْ رَقْدَةٍ
Le të mos thotë askush se: Kam agjëruar tërë Ramazanin! Jam falur tërë Ramazanin! Nuk e di – dyshon transmetuesi- se a e pati fjalën për ndalim të shfajësimit të vetes apo e tha se duhet patjetër të flesh dhe pushosh.”[10]
5. Vazhdimi në vepra të mira dhe mos monotonia nga adhurimet
Gjatë këtij muaji për 30 ditë me radhë ke agjëruar, ke falur namazin, ke falur teravitë, ke lexuar Kur’an, ke bërë dhikr, lutje, etj...Kjo është gjendja e cila duhet të të përcjellë edhe pas Ramazanit. Nëse ndien lodhje nga falja e namazeve fakultative, atëherë lexo Kur’an; nëse ndien lodhje, atëherë përkujtoje Allahun e Madhëruar. Me një fjalë, adhurimin bëje art, ashtu që shpirti yt të mos ngopet kurrë me të. Dhe mos harro se kjo është ajo që kërkohet prej teje. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“وَأَنَّ أَحَبَّ الْأَعْمَالِ إِلَى اللَّهِ أَدْوَمُهَا وَإِنْ قَلَّ
..dhe se veprat më të dashura tek Allahu janë ato që janë në vazhdimësi edhe nëse janë pak.” Buhariu.
Ndërsa për ata që adhurimet i fillojnë me Ramazan dhe i mbarojnë me të, të parët kanë thënë se janë njerëzit më të këqij.
“بئس القوم لا يعرفون لله حقا إلا في شهر رمضان إن الصالح الذي يتعبد و يجتهد السنة كلها
Njerëz të këqij janë ata që Allahun e njohin vetëm në Ramazan. I mirë është ai që e adhuron Allahun dhe përpiqet gjatë tërë vitit.”
Nga këtu ka qenë traditë e të parëve q[ ta lusin Allahun për tua sjellë Ramazanin 6 muaj më herët dhe e lusin për 6 muaj pas Ramazanit që tua ketë pranuar Ramazanin.
6. Mendimi i mirë për Allahun e Madhëruar
Gjatë këtij muaji ndamë mendim të mirë për Allahun e Madhëruar: në iftar lutje, namaz në teravi, namaz nate, lutje në syfyr, lutje për ta arritur Natën e Kadrit...
Kjo duhet të na përcjellë edhe pas Ramazanit. Duhet të jesh i kënaqur me Allahun e Madhëruar me çdo gjë që e cakton për ty.
Mu për këtë ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“لَا يَمُوتَنَّ أَحَدُكُمْ إِلَّا وَهُوَ يُحْسِنُ الظَّنَّ بِاللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ
Le të mos vdes askush pa patur mendim të mirë për Allahun!”Muslimi.
Përmbyllje!
Vëllezër të nderuar!
Duke e lutur Allahun e Madhëruar që të ketë pranuar prej nesh agjërimin, të ketë pastruar zemrat tona, të ketë stolisur me besim shpirtrat tanë, të ketë caktuar për ne më të mirën;
Duke shpresuar se mësimet e këtij muaji dhe këtij kursi do të ngelin të freskëta përherë në mendjen, shpirtin dhe veprat tona;
Duke u lutur që kështu siç jemi tubuar këtu do të tubohemi edhe në ditën e gëzimit tonë të madhe në Ahiret, atje ku do ta takojmë Allahun e Madhëruar, i përmbyll këto fjalë me përulësi para Allahut të Madhëruar, me falje për gabimet, me falënderime për sukseset!
Wes selamu alejkum
Ligjëratë e mbajtur për Fitër Bajram (para namazit) në organizimin e KBI-Vushtrri në Palestrën Sportive në Vushtrri.
9.9.2010
________________________________________
[1] “لِلصَّائِمِ فَرْحَتَانِ يَفْرَحُهُمَا إِذَا أَفْطَرَ فَرِحَ وَإِذَا لَقِيَ رَبَّهُ فَرِحَ بِصَوْمِهِ Agjëruesi ka dy gëzime me të cilat gëzohet: gëzohet kur të bëjë iftar dhe gëzohet kur ta takojë Allahun me agjërimin e tij.” Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Tirmdihiu, Nesaiu dhe Ibni Maxheh ndërsa teksti është i Imam Buhariut.
[2] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar hasenun sahih.
[3] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[4] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[5] Muslimi.
[6] Transmeton Tirmidhiu në Sunenin e tij ndërsa Albani në Silsiletu’s sahihah, 2206, në et-Ta’liku’rr rregib, 4/146 dhe në el-Mishkah, 1570, e ka cilësuar hasen.
[7] Hadithin Albani në. Sahihut Tergibi vet Terhibi e ka cilësuar autentik.
[8] Transmetim unanim ndërsa teksti është i Buhariut.
[9] Hadithi është autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 3877.
[10] Hadithin e transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani thotë se hadithi është i dobët derisa disa të tjerë, si El Vedaiu në Sahihu’l Musned mimma lejse fi’s sahihajn, e ka cilësuar autentik.