Qëllim nga obligueshmëria e agjërimit dhe ligjësimit të tij nuk janë vetë uria dhe etja, por ajo që pason këtë proces, që është thyerja e epshit, shuarja e shpërthimit të hidhërimit dhe nënshtrimi i shpirtit urdhërues për keq ndaj shpirtit të qetësuar.

Hyrje

Falënderojmë Zotin për agjërimin, nëpërmjet të cilit njeriu dobëson me uri epshin e tërbuar dhe kthjell me meditim e rikujtim mendjen e hutuar, ashtu që mendja e ndritur ta ushqejë me vlera unin e uritur.
Ramazani është muaj i fisnikërimit dhe i devotshmërisë. Në këtë kohë besimtarët myslimanë mbajnë agjërimin, shtojnë ibadetin, fisnikërojnë shpirtin dhe solidarizohen me nevojtarët, në rikujtim të fjalës së të Madhit Zot: “Më fisniku mes jush te Zoti është ai më i devotshmi.”
Në kuptimin tim, mirëpritja nënkupton ndërmarrjen e së paku tri gjërave:
1. Përgatitjes psikologjike për të pritur,
2. Inspektimit të gjendjes dhe mundësive reale për pritje, dhe
3. Planifikimit të mënyrës së përfitimit nga i prituri.

Përgatitja

Është në natyrën e gjërave që përfitimi prej tyre të varet shumë nga përgatitja për to. Ramazani është një punëtori njëmujore për të arritur rezultate të ditura. Përgjatë ditëve të këtij muaji të begatshëm, ne të rriturit heqim dorë vullnetshëm nga dy nevoja tona të natyrshme: nga ushqimi dhe intimiteti bashkëshortor.
Me këtë abstenim gjatë ditës, që nga syfyri deri në iftar, kemi për qëllim t’i japim hapësirë më të madhe brenda vetes virtytit të devotshmërisë, ashtu që ai të bëhet ligj i karakterit të veprimeve dhe reagimeve tona.
Agjërimi i Ramazanit është shtyllë konkrete e fesë dhe si e tillë konsiderohet normë fetare që shërben për orientimin e sjelljes drejt një qëllimi, devotshmërisë, ose, thënë ndryshe: të qenët i vëmendshëm ndaj Zotit. Kurani thotë: “Ju është bërë detyrë agjërimi, sikur edhe atyre para jush, ashtu që ju të bëheni të devotshëm”. (El Bekare: 183)
Pra, synimi ynë nga ky muaj i madhërishëm është që nëpërmjet agjërimit, si një proces fizik, të themelojmë në brendësinë tonë një koncept etik. Zoti i Madhërishëm në Kuranin fisnik thotë: “Dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, jini të vëmendshëm ndaj Meje, o njerëz të mençur!”
Ky ajet do të na thotë se ky petk moral, devotshmëria, me të cilën stolisen dhe zbukurohen të mirët, trashëgohet prej agjërimit; sepse me të agjëruesi thyen egon, edukon epshin dhe pasionin e shfrenuar.
Prandaj, i Dërguari i Zotit - paqe dhe mëshirë pastë - ka thënë: “Kush nuk lë fjalët e rreme (gënjeshtrën e shpifjen), dhe punën sipas tyre (mashtrimin e falsifikimin) dhe sjelljen e ligë, Zoti nuk ka nevojë që ai të lërë hajen dhe pijen”.
Kjo, sipas komentatorit të njohur Bejdavit, do të thotë se: “Qëllim nga obligueshmëria e agjërimit dhe ligjësimit të tij nuk janë vetë uria dhe etja, por ajo që pason këtë proces, që është thyerja e epshit, shuarja e shpërthimit të hidhërimit dhe nënshtrimi i shpirtit urdhërues për keq ndaj shpirtit të qetësuar. Nëse asgjë prej këtyre nuk ndodh, nuk ndikohet shpirti prej agjërimit dhe agjëruesi nuk fiton tjetër përveç urinë dhe etjen, Allahu nuk i kushton kurrfarë rëndësie agjërimit të tij dhe as që e sheh me shikim pranimi”.
Pra, nëse agjëruesi nuk realizon këtë qëllim, arritjen e dashurisë ndaj Allahut, me realizimin e devotshmërisë, atëherë ka vepruar diçka në të cilën nuk ka dashuri dhe kënaqësi, prandaj edhe nuk shpërblehet për të.
Prandaj, i Dërguari i Allahut, paqe dhe mëshirë të Tij pastë, u tërheq vëmendjen atyre që nuk bëjnë agjërim të vërtetë e korrekt duke u thënë: “Ka agjërues që nuk fiton nga agjërimi i tij veçse urinë e etjen dhe ka falës natën që nuk fiton veçse pagjumësinë”.
Paralajmëronte me këtë në mënyrë që të mos ketë në shoqëri agjërues pa agjërim të vlefshëm dhe falës pa namaz të shpërblyeshëm, që kanë kryer formën e kërkuar, por të zbrazët prej vlerave dhe kuptimeve për të cilat është bërë ligj.

Inspektimi

Inspektimi është shenjë e vigjilencës. Në këtë muaj të begatë, kemi nevojë për një vetëvlerësim. Këtë mund ta bëjmë në dy mënyra: Të matim gjendjen tonë aktuale, shprehitë dhe veset dhe, në bazë të rezultatit, të përcaktojmë parametra realë për ndryshim.
Të përcaktohemi për aktivitete të realizueshme, e të mos vendosim objektiva shumë të lartë e të pamatshëm; që të mos zhgënjehemi nga vetvetja. Të marrim në fokus një veti të ligë, siç është përgojimi për shembull, që gjatë këtij muaji ta eliminojmë dhe një shprehi të mirë, siç është bujaria, që ta përforcojmë.
Në gjendje të pandemisë, gjithashtu, shtohet rëndësia të njohim nga vetja:
Sa i vlerësojmë të mirat që kemi? Shëndetin, familjarët, begatitë e të tjera.
Dhe, sa prej të mirave të planifikuara kemi realizuar? Kjo duhet bërë në mënyrë që të dimë më saktë sa duam çfarë kemi dhe sa kemi prej atyre që duam. Vlerësimi i asaj që kemi shton mirënjohjen, ndërkaq inspektimi i dëshirave të parealizuara rrit kapacitetin e planifikimit për t’i kthyer në realitet.
Në këtë kohë është rasti më i mirë të kthejmë vëmendjen kah dy gjërat e rëndësishme që janë të pavlerësuara veçse pasi të humben, shëndeti dhe koha e lirë. Për këtë realitet tonin ka tërhequr vëmendjen edhe Muhamedi -paqe dhe mëshirë të Zotit pastë- duke thënë: “Janë dy të mira ndaj të cilave shumica e njerëzve janë të shkujdesur: shëndeti dhe koha e lirë”.

Planifikimi

Njeriu është qenie që planifikon, sepse ai imagjinon gjërat para se t’i realizojë. Kjo nënkupton se plani për ardhmërinë përcakton aktivitetin e pranishëm të individit ose grupit shoqëror dhe zakonisht ndodh që ajo e cila dëshirohet të arrihet në të ardhmen përcakton atë që njeriu e bën në të tashmen.
Meqenëse Ramazani është muaj i përzemërsisë, le ta shfrytëzojmë si rast ideal që përbën kjo kohë që të planifikojmë të afrohemi më tepër kah Zoti dhe më pranë zemrave të njëri tjetrit, duke gërshetuar mes ibadetit ritual me dhikr e lutje dhe ibadetit social me mirësjellje e solidaritet
Në këtë kohë të emergjencës. shëndetësore dhe të izolimit mbarëkombëtar nëpër shtëpi, është më se e nevojshme t’i kushtojmë rëndësi porosisë së Profetit, paqe dhe mëshirë të Zotit pastë, që, kur hyri në Medinë, tha:
“O njerëz! Përhapni paqen, ushqeni të tjerët dhe faluni natën kur të tjerët janë fjetur, do të hyni në xhenet, në paqe”.
Këshilloj me këtë thënie profetike sepse shoh që është kohë tipike për tri gjëra:
Për të përhapur fjalën e mirë dhe optimiste e jo të kundërtën me këtë. Dihet se fuqia e fjalës është shumë e madhe, por të metë ka atë se shpeshherë nuk arrin të jetë e dëgjueshme, nganjëherë për fajin se fjalët tona nuk prodhojnë kuptime që i interesojnë tjetrit.
Për të qenë solidarë, sepse ndihma në kohë emergjente është më e vlefshme se në kohë normale, si dhe mirësia për të tjerët përshfaq faktin sa ne vlerësojmë të mirat e shumta që kemi prej Zotit.
Për të falur teravitë me familjarët e ngushtë. Kurani filloi të zbresë në muajin Ramazan, prandaj edhe është manifesti i Kuranit, andaj ta lexojmë në grup virtual ose vetmas. E, kur të vijë koha e iftarit, të gëzohemi familjarisht me përfundimin e agjërimit. Sepse, “agjëruesi ka dy gëzime: njërin gëzim e ka kur çel iftarin dhe gëzimin tjetër e ka kur takon Zotin”.
Gëzimi i parë është për shkak të ndjenjës që kryem detyrën, ndërsa i dyti për arsye se agjërimi atë ditë shpërblehet pa masë.

Përdundim

Është shumë me rëndësi të mos lejojmë virusin Korona dhe asgjë tjetër të na privojë nga dobitë dhe shpërblimet që sjell Ramazani.
Për të ruajtur agjërimin tonë duhet të ndërlidhim adhurimin me moralin. Pejgamberi, paqe dhe mëshirë të Zotit pastë, këshillonte agjëruesin edhe për rastet e provokimit, ai ka thënë: “Agjërimi është mburojë. Ditën kur dikush agjëron të mos flasë keq e as të mos bërtasë, madje, edhe nëse dikush e ofendon ose do që të ngatërrohet me të, le të thotë: unë jam agjërueshëm”.
Pra, t’i kujtojë vetes para tjetrit se është në gjendje të vetëpërmbajtjes, sepse devotshmëria e cila synohet të arrihet përmes ibadetit është rregullator i jetës, i cili duhet të reflektojë në kontrollimin e vetes, në mënyrë që të konkretizohet virtyti. Të agjërojë bashkë me stomakun tënd edhe veshi, syri dhe gjuha jote nga mëkati, mos e shqetëso tjetrin dhe të të mbulojë qetësia e brendshme. Mos lejo te jetë dita kur nuk agjëron njësoj me atë kur je agjërueshëm.

Literatura:

1. Buhariu, Muhamed bin Ismail, Es-Sahih, Muhamedzuhejr bin Nasir En-Nasir (red.), Beirut: Tavkun-Nexhah, 1422 h.
2. El-Bejdavi, Abdullah bin Umer, Tuhfetul-Ebrari Sherhu Mesâbihis-Sunneh, Nureddin Talib (red.), Kuvajt: Ministria e vakëfit dhe çështjeve islame, 2012.
3. El-Kushejri, Muslim bin El-Haxhxhaxh, Es-Sahih, MuhamedFuadAbdulbaki (red.), Beirut: DaruIhjait-turathil-arabi.
4. Err-Rrazi, Muhamed bin Umer, Mefatihul-Gajb, Beirut: Daru IhjaitTurathil-Arabi.
5. Esh-Shejbani, Ahmed ibn Hanbel, El-Musned, Shuajb Arnauti dhe të tjerë (red.), Muesseseturr-Rrisaleh, 2001.
6. Ibn Tejmijje, Ahmed bin Abdulhalim, Minhaxhus-SunnetinNebevijjeti, ed. 1, Dr. Muhamed Reshad Salim (red.), Kairo: Muessesetu Kurtube.
7. Tirmidhiu, Muhamed bin Isa, El-Xhamiul-Kebir, Beshshar Ma’ruf (red.), Beirut: Darul-garbil-islami, 1998.



Shkrimi është publikuar në revistën Dituria Islame 352/353 - fq.19-21.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi