Muhamedi a.s. i Dërguar i Allahut

"Muhamedi është i Dërguari i Allahut ... " (El Fet'h: 29).

Studiuesja belge do të thotë: "Unë pohoj me bindje dhe siguri të plotë se: Nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari Tij".

Sikur Kurani të ishte shkruar nga Muhamedi a.s. dhe sikur vërtet Muhamedi a.s. të mos ishte i dërguar prej Zotit të botëve, a do të mund që ai të mashtronte vetveten? Po të mos ishte i bindur i Dërguari a.s. thellësisht në pejgamberinë e tij a do të mund ta rrezikonte jetën e tij?!
Ajeti vijues është nga Kurani fisnik, i cili është fjalë dhe libër i Allahut. Në të Zoti i thotë të dërguarit të Tij: "O ti i dërguar! Komunikoje atë që t'u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer mesazhin (risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon. " (El Maideh: 67)
Aisha, nëna e besimtarëve - Allahu qoftë i kënaqur me të - për shpalljen e këtij ajeti tregon: I Dërguari i Allahut e kaloi një natë dhe unë isha pranë tij. Unë i thashë:
"O i Dërguari i Zotit, çfarë ke?" Ai tha: "Sikur një njeri i mirë nga sahabët e mi të më ruante natën." Ajo tregon: "Derisa ne ishim aty, dëgjova zërin e një arme. I Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, pyeti: 'Kush është?' Ata thanë: 'Sadi dhe Hudhajfa, erdhëm për të të ruajtur.' Pejgamberi i Allahut fjeti deri sa u shpall ky ajet (67 nga sureja El Maideh)'. Kur u shpall ajeti, tregon hazreti Aishja, Pejgamberi i Allahur, paqja qoftë mbi të, e nxori kokën dhe tha:
"Nëse ky njeri do t' i mashtronte të gjithë njerëzit, ai nuk do ta mashtronte vetveten dhe nuk do ta rrezikonte jetën e tij.
"Shkoni o ju njerëz, tani po më ruan Allahu."
Një studiuese belge që është marrë me studimin e biografisë së të Dërguarit të Allahut, kur arrin në këtë ndodhi, ndalon dhe thotë:
"Nëse ky njeri do t'i i mashtronte të gjithë njerëzit, ai nuk do ta mashtronte vetveten dhe nuk do ta rrezikonte jetën e tij. Nëse ai nuk do të kishte bindje të thellë se është Pejgamber i Zotit dhe nëse nuk do të ishte i sigurt se Zoti do ta ruante atë, Muhamedi nuk do të vepronte ashtu dhe nuk do të kërkonte nga rojet që të largoheshin dhe të shkonin.
Ky veprim është dëshmi e fortë që tregon besimin e Muhamedit a.s. në Krijuesin e tij. Studiuesja belge e impresionuar dhe duke mos mund ta përmbajë veten e pranoi Islamin duke deklaruar: "U në pohoj me bindje dhe siguri të plotë se: Nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari Tij".
Biografia e Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, ka shumë dëshmi dhe mrekulli që vërtetojnë se ajo që ai ka thënë dhe vepruar është e vërtetë nga Zoti i plotfuqishëm, Krijuesi i gjithësisë.
Një herë erdhi një beduin, i cili nxori shpatën e tij dhe tha:
“O Muhamed, kush të mbron nga unë? Pejgamberi a.s. i tha: "Allahu". Beduinit filloi t'i dridhet dora dhe i ra shpata nga dora. Pastaj Pejgamberi i Zotit e mori shpatën dhe i tha: Po tani ty kush të mbron nga unë? A do të ishte kaq i bindur dhe a do ta thoshte me kaq siguri këtë thënie sikur vërtet Muhamedi a.s. të mos ishte i Dërguari i Allahut?!”
Në betejën e Hunejnit kur ushtria e mosbesimtarëve i kishte dalë në pritë befas myslimanëve u krijua një gjendje kaotike dhe myslimanët filluan të iknin nga fushë beteja dhe të largoheshin nga të mundnin, i vetmi ishte Pejgamberi a.s. ai që nuk bëri asnjë hap prapa por qëndroi përballë ushtrisë armike duke i ftuar muslimanët që të qëndronin duke thirrur me zë të lartë: "U në nuk jam pejgamber i rrejshëm, unë jam biri i Abdul Mutalibit", Kur panë vendosmërinë e Pejgamberit a.s., myslimanët filluan të kthehen në betejë dhe të mblidheshin përreth tij. Sikur Muhamedi a.s. të mos ishte vërtet pejgamber i Zotit, ai nuk do të vepronte në mënyrë të tillë duke rrezikuar jetën e tij!
Gjatë hixhretit të tij, Pejgamberi a.s. së bashku me mikun e tij Ebu Bekrin u strehuan në shpellën Theur. Idhujtarët mekas që ishin në kërkim të tyre arritën deri te hyrja e shpellës. Ebu Bekri kur i pa ata u frikësua për Pejgamberin. Mirëpo Muhamedi a.s i tha: "O Ebu Beker! Çfarë thua për dy persona kur i treti i tyre është Allahu? Mos u pikëllo! Allahut është me ne". Vallë a mund të dalin këto fjalë në çaste të tilla aq kritike nga goja e një mashtruesi?!
Suraka in Malik ishte vënë për ta gjetur Pejgamberin a.s. me qëllim që t'ia dorëzonte idhujtarëve kurejshitë dhe të merrte si shpërblim 100 deve të caktuara nga ata. Kur Ebu Bekri pa Surakën tha: -O i dërguar i Allahut, një kalorës po na vjen pas. Pejgamberi a.s filloi të lutet: "O Zot na ruaj nga e keqja e tij me atë që do dhe ashtu si do. Ti je i plotfuqishëm për gjithçka që dëshiron". Në atë moment këmbët e kalit të Surakës zhyten në rërë dhe Suraka rrëzohet. Suraka tentoi edhe dy herë dhe Pejgamberi u lut me të njëjtën lutje. Tri herë Suraka u rrëzua së bashku me kalin e tij. Pas kësaj tregon Suraka: -E kuptova se Muhamedi ishte njeri i mbrojtur nga të bërit keq. Ai kërkoi prej Pejgamberit a.s siguri duke thënë: -O Muhamed të lutem më mbro nga zhytja në rërë. Pejgamberi a.s iu përgjigj: -Je i mbrojtur. Suraka përsëri i tha: -O Muhamed, më jep të paktën diçka. Pejgamberi a.s i tha: -Të premtoj byzylykët e Kisraut. I hutuar Suraka e pyeti: -Kisraut, mbretit të persëve?" Pejgamberi i tha: -Po. Suraka tregon: -Megjithëse nuk isha mysliman i besova dhe i thashë përsëri: -A ma premton këtë duke ma shkruar në një letër, o Muhamed? Pejgamberi i tha po dhe e urdhëroi Ebu Bekrin që t'ia shkruante këtë premtim në letër. Suraka e ruajti ketë letër. Tetë vjet më vonë kur myslimanët e liruan Mekën dhe hynë në të në mënyrë madhështore Suraka e pranoi Islamin.
Pasi vdiq Pejgamberi a.s., në kohën kur Omeri ishte udhëheqës, myslimanët fituan ndaj persëve dhe pasuritë e Kisras i sollën në Medinë. Bashkë me pasuritë e tjera ishin edhe byzylykët e tij, që Pejgamberi a.s. ia kishte premtuar Surakës para 15 vjetësh. Omeri ngjitet në mimber të xhamisë, ku duke qarë e thërret Surakën që ishte i moshuar dhe i thotë: -O Suraka, Pejgamberi i Allahut të premtoi byzylykët e Kisraut të persëve. Merri dhe vendosi në duart e tua që të besojnë njerëzit!
Suraka dhe të gjithë njerëzit që ishin në xhami filluan të qajnë me të madhe duke thënë: -Të vërtetën e ka thënë i Dërguari i Allahut.
Shtrohet pyetja, çfarë e shtyri Pejgamberin a.s. që t'ia ekspozonte mesazhin e tij një rreziku të madh duke bërë një premtim aq të largët dhe madje të pamundshëm sidomos kur kemi parasysh çastet dhe situatën kur ai e bëri këtë premtim?!
Për rrjedhim, secilit prej nesh kur lexon biografinë e Muhamedit a.s. nuk i mbetet tjetër, veçse i impresionuar njashtu sikurse studiuesja belge, të thotë: "Unë pohoj me bindje dhe siguri të plotë se: Nuk ka zot përveç Allahur dhe se Muhamedi është i dërguari Tij".


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi