All-llahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në vështirësi të njëpasnjëshme” (El Beled, 4)
Të gjithë njerëzit në këtë botë punojnë dhe përpiqen, dhe që të gjithë kanë interes që ta rregullojnë këtë jetë. Kështu njeriu përballon vështirësitë dhe sprovat, sepse fatkeqësitë, dhembjet, hidhërimi, varfëria, mërgimi, dhe format e tjera të vuajtjeve janë pjesë e kësaj jete. Brenga për fëmijët, për banesë, punë, vdekja e prindërve, të afërmve, miqve, gjithashtu janë pashmangshmëri në jetën e secilit njeri. Mos të flasim për ata që kalojnë kufirin nga përdorimi i alkoolit, drogës, prostitucionit… duke u bërë të vuajtur, të ngarkuar në shpirt e zemër. Të tillët e lënë namazin dhe obligimet e tjera të Zotit.
All-llahu i madhërishëm thotë në Kur’an:
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër” (Ta Ha, 124)
“Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë” (Ez Zuhruf, 36)
Secili njeri në rruzullin tokësor dëshiron lumturinë dhe me çdo kusht mundohet të arrij tek ajo. Njerëzit mund të janë të besimeve të ndryshme, racave dhe kombësive të ndryshme, por të gjithë e kanë një gjë të përbashkët – përpjekja për të arritur lumturinë. Rruga deri te lumturia është përplot pengesa dhe të pakët janë ata që e gjejnë rrugën e vërtet të lumturisë. Shumë humbasin në këtë rrugë dhe kërkojnë lumturinë në pasuri duke menduar që nëse vijnë tek paratë, pasuria e patundshme, do të janë të lumtur. Disa mendojnë, i lumtur është ai që ka para në bankë. I lumtur është ai që ka tokë dhe bagëti. Por, pasuria nuk sjell lumturi, me të janë brengat. Brengat janë gjatë grumbullimit të pasurisë, pos kësaj shumë brenga për ta ruajtur dhe investimet, e humbet pasuria, sa ka milionerë të cilët janë të frikësuar dhe shqetësuar për pasurinë e tyre. Frikësohen mos bëhen ndryshime politike, apo mos dikush do t’ua vjedhë pasurinë. Frikësohen për pasurinë e cila nuk mund t’u mënjanoj as sëmundjen, as vdekjen e as format e ndryshme të problemeve. Sa e sa njerëz të pasur janë kidnapuar dhe vrarë për shkak të pasurisë? Sa prej tyre nuk mund të ecin të lirë, të udhëtojnë të dalin apo të flejnë të qetë?
Nëse nuk janë besimtarë, pasuria nuk mund t’i shpëtoj nga dënimi i Zotit, të cilët si Unujje b. Halifi dhe të ngjajshëm do të thonë:
“Pasuria ime nuk më bëri fare dobi” (El Hakka, 28)
Ka të tillë që lumturinë e kërkojnë në sport, muzikë, film etj. Personat e tillë jetojnë në stres të përhershëm dhe brengë për shkak të dilemave në rrugën e lavdisë. Kur humbet lavdia, çfarë ndodhë? Shumica bien në harresë, të tjerët i sulmojnë, bile edhe i mallkojnë. Kemi shumë shembuj nga koha e sotme që sportistët shërbehen me doping për të arritur rezultate sa më të mira, e më pastaj kalojnë në drogë dhe vetëshkatërrim. Sa ka këngëtar dhe artist të cilët pas zhdukjes së lavdisë, jetojnë të varfër, të izoluar, duke vdekur në vetmi?
Disa mendojnë se lumturia është në diplomë, në tituj dhe pozita të larta. Edhe kjo është një lumturi imagjinuese e cila shkakton mendjemadhësi, nënçmim të tjerëve dhe shmangie nga rruga e vërtetë. Një mjeke pas studimeve të gjata dhe specializimeve pasi e morri diplomën tha: “Merrni diplomën time dhe ma jepni bashkëshortin”! “Sa kisha dëshirë që të më thonë doktoreshë, dhe ja u bëra, por çfarë kam nga kjo? Dëshiroj ta përqafoj një fëmijë timin, por me para nuk mund ta blej!”
Shumë prej vendeve të zhvilluara, me kuadër superior, jetojnë në tendosje psikologjike. Shtetet skandinave kanë standardin më të lartë në botë por edhe përqindjen më të madhe të vetëvrasjeve.
Vëllezër të dashur besimtar! Shkakun e fatkeqësisë e tregon All-llahu i madhërishëm kur thotë:
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…” (Ta Ha, 127)
Ai i cili nuk beson, bën vepra të këqija, ushqehet haram, konsumon alkool, drogë, ai është i palumtur. Lumturia e vërtetë është në bindje ndaj All-llahut:
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do ti japim atij një jetë të mirë (në këtë botë) e (në botën tjetër) do t’u japim Shpërblim më të mirë për veprat e tyre” (En Nahl, 97)
Ka thënë Pejgamberi, s.a.v.s. “Ruaje All-llahun – Ai do të ruan. Kujto Atë në mirëqenie, Ai do të kujtoj ty në vështirësi. Kur pyet, pyete All-llahun, kur kërkon ndihmë kërkoje nga Ai”.
Kur robi i afrohet All-llahut, Ai i lëshon në zemër qetësi, kënaqësi dhe lumturi. Zemra ka sëmundje që mund ti shëroj vetëm All-llahu, ka zbrazëti të cilat i mbushë vetëm kthimi kah All-llahu dhe ibadeti me sinqeritet. Zemra nuk ka qetësi dhe kënaqësi jashtë ibadetit, bile edhe nëse ia ofrojmë të gjitha të mirat e kësaj bote.
Mirësia ndaj të tjerëve, ndihma në mënjanimin e vështirësive që i ngarkojmë të tjerët (materiale dhe psikike) janë shkas i lumturisë. Ai i cili mënjanon nga besimtari një brengë të kësaj bote, All-llahu do t’ia mënjanoj nga ai brengën e asaj bote. Kush mbulon një turp të muslimanit, All-llahu do t’ia mbuloj turpin në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu është me bëmirësit, ndërsa shpërblimi pason sipas llojit të veprës që bëhet. Andaj, bëni mirë njerëzve, përjetoje dhembjen e tyre, sepse All-llahu do të mëshiroj: “Bëhuni të mëshirshëm ndaj atyre që janë në Tokë do t’u mëshiroj Ai i cili është në qiej!”
Nëse falë atë që të ka bërë padrejtësi, nëse i jep atij që nuk të ka dhënë, nëse i bën mirë atij që është sjellë keq ndaj teje, do të arrish lumturinë.
Me qenë i kënaqur me përcaktimin e All-llahut gjithashtu është një prej shkaqeve të lumturisë. Besimtari i sinqertë i ka gjithmon në mendje fjalët e All-llahut të Madhërishëm:
“Çfarëdo e keqe që ndodh (godet) nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut” (Et Tegabun, 11)
Nuk duhet harruar se kjo botë është një rrugë deri në ahiret. Kjo botë është kaluese dhe e pa vlerë, për ta marrë si qëllim dhe cak të jetës sonë. Këtu ka përplot padrejtësi, tirani, ngatërresa. Ai i cili nuk martohet me këtë botë dhe nuk e zgjedhë për bashkëshorte do të jetë i lumtur. Kush e shijon ëmbëlsirën e imanit e ka shijuar lumturin e vërtet. Pejgamberi, s.a.v.s ka thënë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e imanit ai i cili është i kënaqur që All-llahu është Zoti i tij, islami feja e tij, dhe Muhammedi a.s i dërguari i tij” (Muslimi).
Ai i cili në zemrën e tij nuk ndien kënaqësi është përplot lakmi; hanë dhe pinë sikurse kafshët. Të vërtetën e ka thënë i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s: “Lumturia e njeriut është në kënaqësinë me përcaktimin e All-llahut ndërsa fatkeqësia e njeriut është në pakënaqësinë me përcaktimin e All-llahut” (Tirmidhiu).
Omeri r.a i kishte shkruar letër Ebu Musa el-Esh’ariut, ku i tha: “E tërë e mira është në kënaqësi (me atë që ke). Nëse mundesh bëhu i kënaqur (me atë që ke), nëse nuk mundesh bëhu i durueshëm”.
O robët e All-llahut, mos u brengosni dhe mos u mërzituni nëse jeni fuqishëm në lidhje me Krijuesin tuaj i cili thotë në hadithi-kudsi:
“Unë jam me robin kur ai mendon në Mua, Unë jam me të kur ai më përmend. Nëse më përmend në vete, Unë e përmendi në vete, nëse më përmend në shoqëri, Unë e përmendi në shoqëri më të mirë” (Buharimi dhe Muslimi).
Shkas i lumturisë dhe kënaqësisë është vetëdija që All-llahu është gjithnjë me ty, të ndihmon dhe të jep fitore. Për këtë, kryej urdhrat e Tij, largohu nga ndalesat e tij, mos kalo kufijtë e të lejuarës dhe All-llahu do të dhuroj sukses dhe ndihmë.
Shkas i lumturisë është përmendja e shpeshtë e All-llahut (dhikër):
“Ata që besuan dhe të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen, po ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen” (Er Rr’ad, 28)
Shpesh bën lutje (dua) sepse përmes lutjes e lidhë zemrën tënde me Zotin tënd. Lutja ndihmon të sëmurin, fatkeqin, atij që i është bërë e padrejtë, ai i cili është përplot probleme, sepse All-llahu ka thënë:
“Me thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…” (El Mu’min, 60)
O ti që kërkon lumturinë, ruaju mirë nga mëkatet e vogla dhe të mëdha. Mëkatet helmosin zemrën duke e sëmurë, shkaktojnë vuajtje dhe brengë shpirtërore. All-llahu i madhërishëm i përulë ata që nuk janë të bindur ndaj Tij në këtë dhe në botën tjetër. Mëkatet e vdesin zemrën, ndërsa lënja e tyre ngjallë zemrën dhe shpirtin.
O ti që kërkon lumturinë, mos iu dorëzo shejtanit e të jesh i kënaqur me turpërim. Mos qëndro në anën e të keqit. Mos harro se ke Zotin i cili të mbron dhe të ndihmon në çdo moment, i cili ti falë mëkatet dhe të udhëzon në rrugë të drejtë duke larguar, brengat dhe plotësuar nevojat tua.
All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë:
“Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, dhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezantimit të dëshmive” (Gafir, 51)
Kush e shpëtoi Junusin në barkun e peshkut dhe errësirat e detit? Kush ia hapi detin Musait a.s? kush bëri që zjarri të bëhet i ftohtë dhe shpëtimtar për Ibrahimin a.s.? Kush e shëroi Ejjubin a.s. pas 18 vjet vuajtje dhe sëmundje të rëndë në vetmi pa askënd? Kush e shpëtoi nga mushrikët në shpellë Muhammedin a.s kur i tha shokut besnik: Mos u frikëso, All-llahu është me ne! (El-Teube, 40) Kush i mundësoi Isait a.s të flasë në djep për ta mbrojtur nënën e tij, Merjemin a.s? Kush ia ktheu Jusufin, Jakubit a.s. pas asaj ndarje të gjatë? Kush i ndihmoi sahabët e varfër e të uritur, të pakët në numër, por të sinqertë ndaj All-llahut në luftë kundër idhujtarëve, kundër Kisras dhe Kajserit? Kush bëri që gjaku të rrjedhë nëpër damarët tu, duke ushqyer trurin dhe organet tua? Kush të jep shëndet pas sëmundjes? Kush t’i dhuroi të gjitha begatitë e panumërta që i ke pranë vetit, të dëgjuarit, të parët, mendjen jetën dhe besimin?
“Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat edhe në qoftëse përpiqeni ti numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni.” (Ibrahim, 34)
O ti që dëshiron lumturinë në këtë dhe në botën tjetër, kërkoje nga All-llahu, mundohu të arrish kënaqësinë e Tij! Gëzohu suksesit, gëzohu xhematit tënd që ndanë gëzimin dhe hidhërimin me ty, gëzohu shokëve ty që të përkrahin në çdo situatë.
Të jesh i bindur që jeta është e shkurtë, ndërsa vdekja shumë afër, për këtë, mos e harxho jetën tënde në gjëra të pa vlera. Përkujto fjalët e All-llahut të madhërishëm:
“…E kush u përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij…” (Et-Talak, 2-3)
All-llahu na mundësoftë të arrijmë lumturi në këtë dhe në botën tjetër.