Pozita e Sahih el-Buhari te dijetarët hanefi

Libri i njohur si “Sahihu i Buhariut” është përmbledhja e haditheve të sakta, më e pranuara prej dijetarëve myslimanë, prandaj edhe llogaritet si libri kryesor dhe më i saktë në lëminë e hadithit.

Si çdo vepër njerëzore që vjen nga njerëzit, edhe ky libër ka lëshime e që janë pak në krahasim me veprat e tjera të kësaj fushe. Autori Imam Buhariu është ndër të parët dijetarë që i ka vënë kusht vetes që të tubojë në një libër vetëm hadithe të sakta, ndërkohë ishte traditë të mbledheshin të gjitha hadithet e transmetuara, pavarësisht vërtetësisë së tyre. Kritikat e vazhdueshme profesionale që i janë bërë kësaj vepre ndër shekuj, gjithnjë e kanë vlerësuar si përmbledhja kolosale më autentike e hadi theve të Profetit Alejhi Selam dhe me të drejtë konsiderohet libri fetar më i saktë pas Kuranit të Madhëruar. Këtë e dëshmon edhe fakti që është libri njerëzor, të cilit dijetarët e shkollave të ndryshme islame i kanë kushtuar më së shumti rëndësi për ta lexuar, dëgjuar, shënuar, komentuar, shkurtuar dhe studiuar.(1)
Synimi i këtij artikulli është të nxjerrë në pah pozitën e kësaj vepre monumentale te dijetarët e shkollës juridike hanefite.

Vlerësime të dijetarëve hanefi për “Sahihun e Buhariut”

Konsensusi i dijetarëve hanefi thotë që “Sahihu i Buhariut” është libri më i saktë.

Ka thënë Ibn Ebi Iz el-Hanefij: "Dy librat e Sahihut që i kanë transmetuar Imam Buhariu dhe Imam Muslimi janë librat më të saktë të shkruar dhe kjo është ajo për të cilën janë bashkuar të gjithë dijetarët e Islamit.(2)
Ka thënë Imam Bedrudin el-Ajni: "Janë bashkuar të gjithë dijetarët nga Lindja deri në Perëndim se nuk ka pas librit të Allahut libër më të saktë se "Sahihu i Buhariut”.(3)
Poashtu Imam Bedrudin el-Ajni thotë: "E kanë pranuar Sahihun e Buhariut gjithë dijetarët pa përjashtim nga të parët dhe të fundit, prerazi.(4)
Ka thënë Hafidh Mula Ali el-Karl: "Dijetarët e kanë pranuar librin e Imam Buhariut dhe Imam Muslimit si të saktë në çdo gjeneratë deri në ditët e sotme.(5)
Ka thënë Imam Ibn Abidin: "Sahihu i Buhariut është libri më i saktë pas librit të Allahut të lartësuar."(6)
Ka thënë Ahmed Ali Es-Seharnfuri: "Janë bashkuar të gjithë dijetarët se Sahihu i Buhariut dhe Muslimit janë librat më të saktë, dhe shumica e dijetarëve thonë se Sahihu i Buhariut është më i saktë dhe në të ka më shumë dobi.(7)
Nga këto thënie të sjella nga dijetarët e medhhebit hanefi bindemi në saktësinë e këtij libri, sepse siç dimë konsensusi i dijetarëve në çështje të caktuara është argumenti më i fortë nga burimet e Islamit, po ashtu i Dërguari paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Nuk bashkohet Umeti im në të kotën."(8)
Pra nuk ka mundësi të bashkohen gjithë dijetarët nëpër kohëra të ndryshme që Sahihu i Imam Buhariut të jetë i saktë e të vijnë njerëz nga fundi i këtij umeti ta kontestojnë saktësinë e tij.

Argumentimi nga Sahihu i Buhariut është i padiskutueshëm te dijetarët hanefi

Vlerën e këtij libri ia shton fakti që në të gjitha librat e medhhebit hanefi, gjejmë dijetarët në kohë të ndryshme, duke u argumentuar nga hadither që ka transmetuar Imam Buahriu në librin e tij, dhe jo vetëm, mirëpo gjejmë nga ta se në mënyrë të qartë e kanë pohuar faktin se asnjë hadithi që ka sjellë imam Buhariu nuk i diskutohet vlera argumentuese.
Ka thënë Imam Muhamed Enver El-Kishmiri: "Dijetarët janë ndarë në dy mendime rreth asaj se hadithet në Sahihun e Buhariut dhe në Sahihun Muslimit a janë të argumentit në aspektin e vërtetësisë, si i prerë, apo bëjnë pjesë në argumentet jo të prera (Dhani), dhe se shumica e tyre thonë se bëjnë pjesë në argumentet jo të prera (Dhani), por ka edhe nga ta që thonë se hadithet në këtë libër janë të formës së prerë në vërtetësi (Katij), këtë mendim e ka Hafidh Mula Ali el-Kari si dhe para tij Imam Es-Serhasi, dhe ky është mendimi më i saktë.(9)

Kushdo që ul vlerën e Sahihut të Buhariut nuk e pason rrugën e besimtarëve

Ka thënë Velijullah ed-Delevi: “Sa u përket dy librave, Sahihut të Buhariut dhe Muslimit, ata janë të saktë pa kontestim, të gjitha hadithet kanë zinxhir deri te Pejgamberi, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe se libri i Buhariut dhe ai i Muslimit janë të pa kontestueshëm deri tek autorët e tyre, dhe kushdo që mundohet ta ulë vlerën e tyre është nga të devijuarit që nuk e pasojnë rrugën e besirntarëve”.(10)
Nga kjo fjalë e Imam Dehleviut kuptojmë se kushdo që mundohet të ulë pozitën e Sahihut të Imam Buhariut është në kundërshtim me dijetarët në përgjithësi dhe pason rrugën e armiqve të besimtarëve e që me çdo kusht mundohen ta ulin pozitën e sunetit në Islam duke i lëshuar gjuhët dhe lapsat e tyre kundrejt librave më të saktë të shkruar prej njerëzve.

Komentarët hanefi të Sahihut të Buhariut

Aspekt tjetër që vërteton rëndësinë dhe pozitën e Sahihut të Buhariut te dijetarët e medhhebit hanefi janë edhe komentimet e shumta që i janë bërë këtij libri, që është shumë vështirë t'i gjejmë të gjitha, mirëpo edhe t'i theksojmë në këtë shkrim, pasiqë dijetarët e kanë parë si borxh ndaj umetit komentimin e Sahihut të Imam Buhariut, por do të mjaftohem me komentet më të dalluara në këtë aspekt, e ato janë:
1. Et-Telvih ila el-Xhamia EsSahih. Autor: Hafidh Magllatai bnu Kalixh bnu Abdullah el-Bekxheri Ala ed-Dijn El-Misri (vdiq në vitin 762 h.).
2. Umdetu el-kari sherh Sahih el- Buhari. Autor: Imam Bedrudin el- Ajni, (vdiq në vitin 855 h.).
3. Fejdul Bari sherh Sahih el-Buhari. Autor: Imam Muhamed Enver Shah El- Kishmiri, (vdiq në vitin 1353 h.).

Shkurtimet e bëra nga dijetarët hanefi Sahihut të Buhariut

Edhe në këtë aspekt gjejmë dijetarët e medhhebit hanefi që i kanë shërbyer Sahihut të Imam Buhariut duke e shkurtuar dhe lehtësuar për lexuesin, nga më të njohurit janë:
1. Et-Texhrijh es-Sarih Li-Ehadijth Xhamia es-Sahih. Autor: Ebi Abas Ahmed bnu Ahmed ez-Zubejdi (vdiq në vitin: 893 h).
2. Muhtesar Es-Sahih el-Imam El-Buhari. Autor: Nuru-Dijn Ismail bnu Abdullah uskudari el-Hanefi.
3. Zubdetu el-Buhari. Autor: Omer Dija ed-Dijn ed-Dagistani (vdiq: 1340 h).

Studimet tematike të dijetarëve hanefi rreth Sahihut të Buhariut

Këtu kam gjetur shumë hulumtime dhe studime që kanë bërë dijetarët hanefi ndaj Sahihut të Buhariut e që del në pah vlera e këtij libri te dijetarët e medhhebit hanefi, që nga shkrimi i tij e deri në kohën e sotme. Mirëpo ka qenë e pamundur në një shkrim si ky të përmenden të gjitha, për këtë shkak edhe kam përzgjedhur disa hulumtime kryesore si në vijim:
1.En-Nexhm el-Hadi es-Sari ila Hal elfadh sahih El-Buhari. Autor: Mahmud bnu Ahmed nu Abdu Sejid el-Buhari El-Hanefi, (vdiq në vitin 637 h.).
2. Sherh Teraxhum Ebvab el-Buhari. Autor: Imam Ahmed bnu AbduRrahim ed-Dehlevi el-Hanefi, (vdiq në vitin 1176 h.).
3.Mihnetu el-Bari bi mukerrerrat el-Buhari. Autor: Muhadith elFekih Muhamed Abid bnu Ahmed Es-Sindi el-Hanefi, (vdiq në vitin 1257 h.).
4. Talik ala Xhamia es-Sahih. Autor: Alame Ala ed-Dijm El-Haskefi, (vdiq në vitin 1088 h.).
5. Haja el-Kari biatraf Sahih el-Buhari. Autor: Imam Muhamed bnu AbduRrahman Es-Sindi el-Hanefi, (vdiq në vitin 1174 h.).
Jam munduar në mënyrë shumë të shkurtë ta tregoj pozitën e këtij libri te dijetarët hanefi, duke ditur se nuk ka libër të dijetarëve hanefi që nuk e ka marrë për argumentim Sahihun e Buhariut, jo vetëm kaq, mirëpo ajo që e gjejmë te të gjithë pa përjashtim është se pasi argumentohen me Librin e Allahut; Kuranin e Madhërishëm, gjejmë se menjëherë argumentohen me hadithet e transmetuara nga Imam Buhariu në librin e tij "Sahih"(11).
Po ashtu Imam Buhariu në shumë prej mendimeve të tij pajtohet me medhhebin e Imam Ebu Hanifes, siç thotë Kishmiri në Fejdul- Bari. Lus Zotin e Madhëruar të na mundësojë ta lexojmë, ta studiojmë dhe të përfitoj më nga "Sahihu i Imam Buhariut"!


__________________________
1.Shiko: Menhexh Imam el-Buhari fi Xherh ve Teadil, fq: 25, autor Profesor Dr. Muhamed Seaid EL-Hava, botoi: Dar Nur el-Mubijn, botimi I pare, viti 2018, Amman.
2. Shiko: EL-Itba-a, fq: 46, autor: Ibn Ebi Iz el-Hanefi, recenzuan librin: Muhamed Atallah el-Hanif, dhe Asim Abdullah el-Karjuti, botoi: Alem el-Kutub, Liban.
3. Shiko: Amduetu el-Karl sherh Sahih el-buhari, 1/63, autor: Bedrudin el-Ajni, recenzus Ali el Halebi me bashpuntorë.
4.Shiko: Amduetu el-Kari sherh Sahih el-buhari, 1/58, autor: Bedrudin el-Ajni, recenzus Ali el Halebi me bashpuntorë.
5. Shiko: Merfat el-Mefatih Sherh Mishkat el-Mesabih 1/81, autor: Mula Ali el-Kari, recenzus Sidki Muhamed Xhemijl el-Atar.
6 Shiko: Siretu Imam El-Buahri, fq:121, autor: Abdu Selam Mubarekfuri, Botoi: Dar Ailm el-Fevaid, Meketu Mukerreme, Botimi i parë, viti 1422 h
7. Shiko: Hashjetu Es-Seharnfuri 1/89, autor: Ahmed Ali Seharnfuri, recenzus Prof. Dr.Ahmed Ali en-Nedevi.
8. Transmeton Imam Tirmidhi në Sunen, nr:2167, Shejh Albani thotë: Hadithi është Hasen.
9. Shiko Fejdul Bari 1/41, autor: Muhamed Envr El-Kishmiri.
10. Shiko: Huxhetullahi el-Baliga 1/249, autor: Velijullah ed-Dehlevi, recenzus: Sejid Sabik, botoi: Dar el-Xhil, Bejrut, Liban.
11. Shiko: Fejdu El-Bari 1/58, botoi: Dar Kutub el-Ailmije, Bejrut, viti 2006



Mr. Fitim ef. Gërguri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip