Janë bërë shumë kërkime në lidhje me dëmet e internetit dhe janë treguar shumë histori të cilat kanë një pjesë të madhe të së vërtetës. Tashmë interneti është pjesëtari i padëshiruar i familjeve.
Në ditët e sotme, blerjet elektronike janë bërë aq të thjeshta sa ne nuk arrijmë që t’i llogarisim shumat që harxhojmë për këto blerje dhe jemi bërë një pre e lehtë e këtij kurthi. Të gjithëve na duket shumë e favorshme sjellja tek dera e shtëpisë e produkteve që porosisim pa qenë nevoja të shëtisim sa në një vend në tjetër...
Kompanitë e duhanit dhe të pijeve alkoolike e përdorin internetin si një mjet për të joshur të rinjtë tanë që janë duke ecur në një rrugë rrëshqitëse... Lojëra, që në pamje të parë janë krejt të pafajshme, kanë përmbajtje të pakëndshme për sytë e fëmijëve tanë... Rrjetet sociale të përdorura me qëllim komunikimi janë kthyer në një mjet shkatërrues të shoqërisë... Këto rrjete nganjëherë bëhen shkak që të lindin mosmarrëveshje të vogla në familje e deri tek ato që mund të përfundojnë me ndarjen e çifteve...
Për faj të internetit, pjesëtarë të familjes që ndodhen në të njëjtën dhomë jetojnë në botë krejt të ndryshme; në të njëjtën kohë rritet mungesa e kujdesit dhe interesit mes çifteve dhe shtohen gjërat negative të jetës në familje.
Në sistemin arsimor interneti ka sjellë më shumë efekte negative se pozitive. Si nxënësit ashtu edhe mësuesit duhet të bëjnë kujdes që ta përdorin me kujdes këtë teknologji të re. Fëmija harxhon kohë të shumtë përpara kompjuterit në përpjekje për të kryer detyrat shkollore. Gjithashtu është vënë re se një fëmijë që në shkollë nuk është aspak social, në internet është pjesëtar i shumë rrjeteve sociale, në të cilat shumë herë mund të njihet me njerëz të rrezikshëm.
Mos të harrojmë se ky fëmijë çapkën i teknologjisë ka edhe shumë anë pozitive. Në qoftë se ne do të jemi të kujdesshëm dhe do ta përdorim me përgjegjësi atë, pse të mos jetë ai një derë diturie?! Mos të harrojmë se interneti na ofron mënyrën që vetëm më një klikim të gjejmë detaje për çdo temë të fesë sonë. Postat elektronike, në qoftë se lexohen në një kohë të përshtatshme, na sjellin gëzim dhe kënaqësi. Interneti na sjell pranë nesh njerëzit tanë të dashur, por që ndodhen larg nesh fizikisht... Shumë herë ai na bën të mundur të komunikojmë me njerëzit që ndodhen në anët e tjera të botës. Interneti është mjeti që bën të mundur ndarjen e kënaqësive të jetës me njerëzit tanë të dashur...
Interneti duhet të jetë një mjet për të arritur sukses dhe lumturi. Në qoftë se do të arrijmë që ta shfrytëzojmë internetin për punë të mira, ai do të bëhet një mjet shumë i dobishëm.
Ashtu siç ndodh në shumë fusha të jetës, e mira dhe e keqja janë të fshehura tek ndërgjegjja jonë. Në kemi mundësi që të shfrytëzojmë anët e mira apo të këqija të tij. Interneti është vetëm një mjet. Është karakteri ynë ai i cili përcakton sjelljen tonë në rrjetet sociale. Rrugën që do të zgjedhim, e kemi ne në dorë: ose do të jemi një përdorues i zgjuar i internetit ose do të bëhemi robër të tij, një rob i lidhur me zinxhirët e rrezikshëm të kënaqësive virtuale...
Fatma Allada
Etika 144 Mars 2020