Në vixhilje të hixhretit dhe vitit të ri islam

Të mërkurën, me 19 Gusht, me namazin e Akshamit, fillon Viti i Ri islam – i Hixhretit 1442. Në natën e fillimit të Vitit të Ri mysliman, ne e kujtojmë hixhretin e Pejgamberit, s.a.v.s., dhe detyrimin për të braktisur gjithçka që është haram dhe e keqe, e, po ashtu, duhet të kujtojmë edhe hixhretin tonë në fund të viteve të 90-ta.
Sa i përket fillimit të shënimit të kalendarit islam, historia e Islamit shënon se kjo ka ndodhur gjatë hilafetit të halifit Omer r.a.. Me sugjerimin e disa shokëve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., që kalendari islam, llogaritja dhe shënimi, të fillojë nga Hixhreti i Muhamed Mustafasë s.a.v.s., nga Mekka deri në Jethrib (Medina e Ndritshme/Munevvere), Omerit r.a., i pëlqeu propozimi dhe urdhëroi që ditët të fillojnë të llogariten dhe shënohen nga dita e shpërnguljes së Pejgamberit s.a.v.s., në Jethrib, dhe si muaji i parë është marrë në konsideratë muaji i Muharemit, i cili vjen menjëherë pas muajit të bekuar të Dhul-Hixhes, muaji në të cilin kryhet kushti/sharti i pestë islam, Haxhi.
Hixhreti në kuptimin gjuhësor do të thotë lënia ose braktisja e gjithçkaje. Njeriu mund të bëjë hixhretin dhe të largohet nga vendlindja, njeriu mund ta bëjë hixhretin nga mëkatet duke kaluar nëpër to, ai gjithashtu mund ta bëjë hixhretin duke e lënë këtë botë dhe kalim në Amshim.
Rëndësia e Hixhretit tregohet edhe nga fakti se Hixhreti përmendet në kontekstin e hadithit të parë të shumë koleksioneve të haditheve, ku në hadithin e famshëm të transmetuar nga Omeri r.a, thuhet si në vijim: “E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s., të thotë: “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve; dhe çdo njeriu i përket ajo që e ka menduar/synuar! Hixhreti i të cilit është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, hixhreti i tillë është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kurse ai hixhreti i të cilit është për përfitimet e kësaj bote të cilat dëshiron të arrijë ose për hir të gruas që dëshiron të martohet me të, hixhreti i tij është për hir të asaj për të cilën ka bërë hixhret”. (Muttefekun alejhi)
Hixhreti i Muhamedit s.a.v.s., është frymëzimi i përjetshëm i çdo myslimani të ndërgjegjshëm, dhe nuk është pa arsye, që pikërisht hixhreti - shpërngulja tij të merret për fillimin e llogaritjes së viteve të reja islamike.
Hixhreti është një vepër që duhet të jetë krenaria e çdo muhaxhirit/të shpërngulurit-mëkatlënësit. Pejgamberi s.a.v.s., i quajti muhaxhirët me atë emër sepse pikërisht ata pranuan një vepër të denjë për të gjitha vlerësimet dhe lavdërimet! Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Po të mos ishte hixhreti, unë do të isha një ensar!" (Muttefekun alejhi)
Abdullah b. Amr r.a., ka thënë: Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Myslimani është ai nga gjuha dhe duart e të cilit janë të sigurt myslimanët e tjerë, ndërsa muhaxhiri është ai që e ka braktisur atë që e ka ndaluar Allahu xh.sh.." (Buhariu)
Pra, hixhreti në emër të Allahut xh.sh., është braktisja e gjithçkaje që Allahu xh.sh. nuk e do, duke punuar gjithçka që Allahu xh.sh., do dhe me të cilën Ai është i kënaqur dhe razi!
Baza e Hixhretit mbështetet në dashuri dhe urrejtje; dashuria për atë që Allahu xh.sh., do, dhe urrejtja për atë që Allahu xh.sh., nuk do - për këtë arsye janë muhaxhirët ata që i japin përparësi asaj që Allahu xh.sh., e do të punohet! Shejtanët dhe pasionet e njeriut vazhdimisht e thërrasin në gjithçka që Allahu i Madhëruar nuk e do dhe atë me të cilën Ai nuk është i kënaqur dhe razi, kështu që Hixhreti është një gjendje në të cilën besimtari vazhdimisht ikën nga robëria hyjnive të rreme në robëri ndaj Allahut xh.sh., të vetmit dhe i cili me të vërtetë meriton të adhurohet!
Në ditën e parë të hixhretit 1442, le të rishqyrtojmë veten dhe marrëdhëniet tona me Hixhretin. Le të shqyrtojmë veten nëse jemi një nga muhaxhirët pasi Pejgamberi ynë s.a.v.s., ishte gjithashtu muhaxhir. Le të shqyrtojmë veten nëse e kemi filluar Hixhretin në drejtimin e duhur duke nxituar drejt Allahut xh.sh., apo i jemi drejtuar një rruge që na distancon nga Allahu xh.sh.. Le të rishqyrtojmë nëse shtëpitë, zyrat, kafenetë, dyqanet, pyjet dhe fushat tona – janë më të dashura nga shtëpitë - xhamitë e Allahut xh.sh.? Le të rishqyrtojmë nëse muzika është më e dashur për ne sesa dëgjimi i Kuranit, dhe nëse gazetat janë më të dashura për ne sesa leximi i Kuranit; le të rishqyrtojmë mirë nëse jemi të sinqertë kur themi se jemi të kënaqur me Allahun xh.sh., si Zot, Muhamedin s.a.v.s., si Pejgamber të Allahut dhe Islamin si fe!
Allahu xh.sh. thotë: “Engjëjt që ua morën shpirtin atyre që ishin mizorë të vetvetes ju thanë: “Në çka ishit ju? – Ata thanë: “Ne ishim të paaftë në atë tokë!” (engjëjt) ju thanë: “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migronit në të?” Vendi i tyre është xhehenemi dhe sa vend i keq është ai! Përveç atyre që ishin të paaftë nga burrat, gratë e fëmijët që nuk kishin mundësi të gjenin, as mënyrë, as rrugë (për shpërngulje). Atyre do t´iu falë Allahu. Allahu është shumë Shlyes dhe Falës i madh i mëkateve. Kush shpërngulet për hire (të fesë së) Allahut, ai gjenë mundësi të madhe dhe begati në tokë. E kush del prej shtëpisë si migrues te Allahu dhe i dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), te Allahu është shpërblim i tij. Allahu është Shumëfalës, Mëshirues i madh.” (En-Nisa', 97-100)
Bazuar në këtë ajet, është obligim i secilit mysliman që të braktisë dhe të luftojë kundër mos fesë dhe mosbesimit të të gjitha llojeve, të braktisë dhe të luftojë kundër çdo lloj mëkati dhe mosbindjeje ndaj Allahut, të braktisë dhe të luftojë kundër çdo devijimi të cilin ai e has personalisht ose në shoqërinë e tij në tërësi.
Hixhreti i Muhamedit s.a.v.s., dhe i shokëve të tij ishte dhe mbetet ndarës i së vërtetës nga e pavërteta, sepse tregonte gatishmërinë e besimtarëve dhe hezitimin e atyre që nuk e pranuan besimin si duhet. Hipokritët nuk mundën që të duronin aq shumë flijime, kështu që munguan në këtë rrugëtim. Besimtarët e vendosur u nisën për një të ardhme të pasigurt, plot luftë dhe vetë-mohim, por, të cilët brenda një kohe të shkurtër, siguruan thesarin e kësaj bote dhe shpërblimin e përtejmë. Dhe jo vetëm për ata që u shpërngulën por edhe për ata që ishin nikoqirë siç thotë Kurani i Madhërishëm: “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka premtuar xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.” (Et-Teube, 100)
Kështu që Allahu xh.sh., është i kënaqur me myslimanët e parë, muhaxhirët (migruesit/mekasit) dhe ensarët (ndihmëtarët/medinasit), të cilët e konfirmuan veten në besimin e tyre ashtu siç kërkohet prej tyre, por, Allahu gjithashtu do të jetë i kënaqur me gjeneratat që do të vijnë inshaAllah më vonë, për të gjithë ata për të cilët Islami të jetë në vendin e parë dhe që i pasojnë në të mirën e të drejtën myslimanët e parë. Hixhreti është ende një detyrim për të gjithë sot, dhe si i tillë është i përjetshëm.
Hixhreti nuk ka vetëm rëndësinë e një ngjarje historike të kufizuar nga hapësira dhe koha. Hixhreti është fati i shumë personaliteteve kuranore si: Nuhit a.s., Ibrahimit a.s., Musait a.s., Isait a.s., si dhe Muhamedit s.a.v.s., dhe besimtarët e parë.
Hixhreti është një simbol i fitores shpirtërore sepse kurorëzohet me fitoren tokësore të teuhidit dhe besimit të vetëm të saktë! Hixhreti është ruajtja e besimit si të individit ashtu edhe të grupit. Hixhreti është para së gjithash afirmimi i fesë, jo një jetë e rehatshme ose një ekzistencë fizike. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të kishte nevojë për shpërngulje. Një atmosferë islamike kërkonte një ambient që sigurisht që nuk ekzistonte atëherë dhe nuk mund të ekzistonte në Mekë. Zgjedhja e Medinës për destinacionin e parë të Hixhretit ishte rezultat i një pamje realiste dhe të zgjuar të gjendjes së hapësirës dhe kohës!
Nëse të dy robër e Allahut xh.sh., Ibrahimi dhe djali i tij Ismaili a.s., kaluan nëpër një rrugë të vështirë të pjekurisë shpirtërore për t’u nderuar me ndërtimin e Qabesë dhe kthimin e saj nga harresa në kujtesën e gjallë, Qabeja si simbol i teuhidit Islam dhe monoteizëm, nuk u duhej asnjë rrugë më e lehtë për ata që nderuan të pastrojnë Qabenë dhe rrethinat e saj nga statuja dhe idhujtari, duke vendosur përfundimisht një besim të pastër të Allahut xh.sh., imun ndaj këtyre shtrembërimeve dhe të pastër nga adhurimi i fotografive dhe statujave, viktimave dhe varrezave, gurëve, etj., si dhe një nder që të jenë ndër bartësit e saj të parë në Tokë.
Hixhreti është fundi i një faze dhe fillimi i një faze tjetër të shënuar nga dinamizmi dhe suksesi i plotë, i cili u soll në fund me një ritëm të fortë. Kurora e suksesit ishte Haxhi i Lamtumirës së Pejgamberit s.a.v.s., para mbledhjes madhështore, kur u shpall ajeti: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe...!” (El-Ma'ideh, 3)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi