Abstrakt
Kosova është një nga vendet, me shumicë muslimane, që ka ruajtur me krenari trashëgiminë e saj shpirtërore edhe në kohët moderne. Falë angazhimit të drejtpërdrejtë të autoriteteve fetare islame dhe përkushtimit të popullates, është mbajtur me ekuilibër marrëdhënia midis institicioneve të reja arsimore dhe atyre tradicionale, duke vazhduar edukimin jorformal si një element tradicional që plotëson institucionin arsimor formal, e nuk e kompenson atë. Ky punim synon të jap një çasje shkencore mbi historikun e mejtepeve dhe xhamive të qytetit të Gjakovës, si dhe të paraqesë qëllimet e mësimit fetar joformal në këto vende, tekstin e përzgjedhur për t’u mësuar, planprogramin sipas të cilit mbahej mësimi dhe metodat e përdorura në mësimdhënie.
Fjalët kyç: arsim fetar, edukim joformal, mejtep, xhami etj.
1. Hyrje
Edukimi fetar ka vazhduar të jetë një çështje shumë e rëndësishme për myslimanët dhe shumë e ndjeshme në politikën bashkëkohore. Një nga faktorët më përcaktues të zhvillimit të kulturës shqiptare me ndikime islame ka qenë arsimi fetar, i cili daton në Gjakovë qysh në periudhat e hershme të themelimit të qytetit.
E them këtë, nisur nga fakti se deri në vitin 1582 Gjakova ishte fshat dhe qendër pazari, që nënkupton se fillimin e shndërrimit të kësaj qendre pazari në qytet duhet hulumtuar pas këtij viti, në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII(1), atëherë kur edhe filloi të marrë pamjen e qytetit me ndërtime në hapësirën mes lumit Krena dhe kodrës së Çabratit(2). Kemi mungesë gjurmësh materiale dhe shënime për antiken e Gjakovës(3), e poashtu edhe të dokumenteve nga periudha serbe para rënies nën sundimin osman. Mirëpo, nga informatat e rëndësishme që japin defterët osmanë të Sanxhakut të Shkodrës(4) të viteve 1485–1582 dokumentohet se Gjakova për njëqind vjet ishte katund(5) dhe qendër pazari, me një popullsi kryesisht shqiptare dhe shumë pak sllave. Gjithashtu, të dhënat nga defterët e Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571 theksojnë se në këtë vit “Gjakova kishte 44 shtëpi, 19 beqarë, 3 myslimanë me çiflig”(6). Me 1594/5, ose me 1003 sipas hixhretit, Hadumaga ndërtoi xhaminë e parë në Gjakovë, e cila u emërtua sipas themeluesit “Xhamia e Hadumit”(7). Shumë pranë nga aty, në Has veç ishte ndërtuar një Xhami në qendrën e fshatit Rugovë nga pasaniku Hasan Aga, pllaka e ndërtimit të së cilës mbanë datën 985 sipas hixhretit (1577-1578)(8). Sipas Çlirim Bidollarit, Gjakova si vendbanim përmendet për herë të parë në vitin 1594 kur përfundon së ndërtuari Xhamia e Hadumit, hani, hamami dhe dyqanet përreth, ndërsa në vitin 1605-1606 asaj iu njoh statusi i kasabasë (komunës)(9).
Depërtimi i osmanlinjve në Kosovë bëri, që bashkë me vendosjen e e administratës së tyre në vend, të hapen edhe institucionet arsimore e fetare të cilat i kishin përvetsuar nga arabët dhe persianët, sidomos me përhapjen e islamit në mesin e popullatës(10). Nga defteri i Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571 dhe i Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1582 del se në atë kohë veç sa kishte filluar kthimi i popullatës së Gjakovës në islam. Në vitin 1637/38 kryeipeshkvi i Tivarit Gjergj Bianki (ose Bardhi) që vizitoi Gjakovën raporton i alarmuar se në Gjakovë kishte vetëm 550 katolikë dhe ata ishin shumica femra, sepse meshkujt kishin përqafuar islamin. Pas disa vitesh, me 1641-1642, i njëjti kryipeshkv e viziton prapë Gjakovën dhe thekson se aty kishte 26 shtëpi katolike(11), 16 ortodokse dhe 250 myslimane(12). Më pas, në vitin 1671, Fra Bernardino raporton se në Gjakovë kishte vetëm një familje katolike prej 6 anëtarësh që merrej me tregti dhe thekson se para 35 vjetësh aty kishte pasur 80 shtëpi katolike me 600 anëtarë, një pjesë e të cilëve ishin bërë muslimanë kurse pjesa tjetër janë shpërngulur(13). Kështu që, pjesën kryesore të popullsisë në Gjakovë e përbënin shqiptarët myslimanë, mirëpo për shkak të përhapjes së urisë dhe sëmundjes së murtajës në vendet përreth, sidomos nga viset e malësisë, numri i shqiptarëve katolik u shtua(14).
Meqenëse veprimtaria arsimore islame fillet e saja i ka në xhami ose pranë saj, ky punim synon të jap një përshkrim dhe analizë të edukimit fetar në qytetin e Gjakovës në këndvështrimin historik dhe ka për qëllim që të shqyrtoj Xhaminë, por edhe objektin e saj shoqërues Mejtepin, si një institucion përfaqësues i arsimit islam joformal, përmes një metodologjie që përmban në vete hulumtimin dhe përdorimin e burimeve historike që përshkruajnë Xhaminë si hapësirë për Falje, vend për Edukim dhe qendër e Komunitetit.
2. Arsimimi në Xhami(15) dhe Mesxhide(16):
Para të qenit një hapësirë, mesxhidi është një vend, dhe ky vend në bazë të mësimeve Islame është vet toka, e tëra si vendfalje(17). Ky kuptim ka implikim tepër relevant, ngaqë nxit dhe obligon ruajtjen dhe përkujdesjen ndaj këtij mesxhidi madhështor duke e ruajtur ambientin ekologjik dhe të ndërtuar. Kjo premisë shumë themelore mund të jetë pikënisje e arkitekturës së gjelbër dhe mbrojtjes së ambientit në përgjithësi.
Xhamitë dhe mesxhidet janë objektet themelore nga të cilat përçohet mesazhi edukativ dhe arsimor i Islamit, përkrah adhurimit që kryhet për Zotin. Aty mësohet shkrim-leximi i Kuranit dhe çështjet e fesë.
Xhamia njihet si hapësira e parë arsimore myslimane për mësime zyrtare dhe joformale, si për fëmijë ashtu edhe për të rritur. Si në të kaluarën ashtu edhe sot xhamia ka qenë dhe mbetet vend i zhvillimit të komunitetit, qendër e tubimeve dhe marrëveshjeve ndërmjet myslimanëve(18).
Historia e arsimimit islam në Gjakovë me rrethinë ndërlidhet me historinë e ngritjes së Xhamive. Hulumtimet theksojnë se në shekullin XV dhe XVI, deri nga gjysma e dytë e shekullit XVII mësimi organizohej në xhami ose në afërsi të saj(19). Dhe, siç vëren historiani Filip Hitti, “Shkolla (mektebi) i qe bashkuar xhamisë, nëse ajo vetë nuk ishte xhami”(20).
Me gjithë ngritjen e medresesë, xhamia vazhdoi të ruajë pozicionin e saj si institucioni nënë, veçanërisht për arsimin. Në historinë e hershme të edukimit të medresesë, dallimi midis medresesë dhe xhamisë nuk ishte aq i qartë sa është sot, për shkak të afërsisë fizike të shtëpizave në xhami dhe karakterit arsimor të të dy vendeve.
Prandaj, është e rëndësishme të theksohet që në fillim se arsimi i lartë nuk ishte i kufizuar vetëm në parametrat e ndërtesave të medresesë. Xhamia mbeti një nga qendrat kryesore të studimeve të larta dhe të avancuara në disiplina të ndryshme gjatë pesë shekujve të parë të Islamit. Ishte zakon që studiuesit të uleshin në tokat e xhamive të mëdha dhe të rrethoheshin nga studentët. Ky lloj i qarqeve të studimit në dyshemenë e xhamisë njiheshin si mexhlise (kuvende) dhe halekah (tubim në rreth). Nga ana arsimore, xhamitë u përdorën si vende takimesh ku njerëzit mblidheshin rreth studiuesve, dëgjonin ligjëratat e tyre dhe lexonin libra me ta.
Pra, historikisht, xhamia ka patur rol shumë më të gjerë se ai i faltores, sepse ka qenë institucioni themelor islam me të cilin është lidhur ngushtë jeta e komunitetit si në aspektin fetar dhe shoqëror, ashtu edhe në rrafshin arsimor dhe edukativ. Xhamitë ishin të vendosura në qendrën e çdo lagjeje banimi. Imami ishte një lloj kryetari i lagjes ose fshatit ku shërbente. Ai lidhte në martesë çiftet, kujdesej për të varfërit(21) dhe printe në ngushëllime.
Xhamitë ishin shkollat e para dhe më të hershmet në Gjakovë dhe arsimi në këtë qytet daton me to. Veprimtarinë arsimuese dhe edukative në xhami e ka udhëhequr ligjëruesi (vaizi) dhe mësuesi (mual-limi). Në mungesë të tyre jepte mësim edhe imami, nëse imami nuk i ka patur në kompetencën e tij të tri funksionet, siç ndodhë rëndom në kohën e sotme.
Ndikimi i ligjërimeve, që jipen në çdo xhuma dhe bajram (vazi), ka qenë vërtet i madh dhe i gjithanshëm te bashkësia e besimtarëve (xhemati). Përmes ligjëratave ata nxinin njohuri nga fusha të ndryshme fetare dhe sociale; mësonin rregulla nga e drejta islame nisur me higjienen trupore deri te traktatet ndërshtetërore; merrnin koncepte të botëkuptimit nga besimi islam; transformonin sjelljen e tyre në përshtatje me virtytet e moralit e mirësjelljes; dhe njihnin historinë islame si dhe pjesërisht atë të njerëzimit. Predikimet e tyre janë përhapur te banorët si tregime popullore, madje disa prej tyre kanë frymëzuar shkrimtarët që ti tematizojnë ato në letërsinë e shkruar, në poezi dhe prozë(22).
Të dhënat që posedojmë në gjuhën shqipe lidhur me Xhamitë e Gjakovës vazhdojnë të jenë ende jo të plota. Sipas përshkrimit të Sami Frashërit, vetëm qyteti i Gjakovës deri më 1889 kishte 16 xhami, që është një numër jo i vogël për atë kohë. Sot, në qytetin e Gjakovës, mund të përmendim tre lloje të Xhamive(23):
- Xhamitë që nuk ekzistojnë më, siç janë: Xhamia e Bashpazarit (kryepazarit), Islambegut, Krismës dhe Tabjes.
Dikur kishte edhe Musal-la(24), por nuk janë më.
- Xhamitë monumentale ekzistuese, siç janë: Xhamia e Hadumit, e Mahmut Pashës, Mesxhidi i Medresesë së Madhe dhe Mesxhidi i Medresesë së Vogël(25), Xhamia e Fetah Agës, e Mulla Jusufit, Gecës, Kusarve, Sefës I, Haxhi Ymerit, Sofës, Qylit, Gërçarëve, Hankës dhe Xhamia e Re. Shumica e këtyre objekteve janë rinovuar ose vazhdojnë të restaurohen.
- Xhamitë e reja, siç është Xhamia e Sefës II dhe ajo e Kolonisë.
Në ditët tona, në fshatrat e Gjakovës janë gjithsej 17 xhami funksionale: Xhamia e Hasan Agës në Rugovë, e Skivjanit, Mulliqit, Brovinës, Ponoshecit, Batushës, Dobroshit, Babaj Bokës, Smolicës, Ramocit, Jabllanicës, Rashkocit, Becit, Lipovecit, Kralanit, Osek Hylës dhe Piskotës (në ndërtim e sipër). Ndërkohë që 2 xhami tjera, në fshatin Rrypaj dhe Cermjan, për momentin janë jashtë funksionit.
Mendohet, se në Gjakovë ka patur pranë seciles xhami një mejtep(26).
3. Arsimi joformal në mektebe
Me kalimin e kohës, arsimi fillor islam filloi të kryhet në mësonjtore të quajtura ‘mekteb’ ose ‘mejtep’, të cilat zakonisht ndërtoheshin afër xhamive, dhe hasen në Kosovë që nga fillimi i shekullit XVI(27). Numri i mejtepeve vazhdoi të rritet aq shumë saqë çdo fshat kishte një të tillë, nëse s’kishte më tepër(28).
Ky lloj i shkollave fillore nuk ishte i lidhur financiarisht me shtetin, ato kanë vepruar falë iniciativave private të bëmirësve të ndryshëm, të cilët jo vetëm i kanë themeluar, por edhe kanë lënë vakëfe për mbarëvajtjen e mësimit në to. Mejtepet që nuk kanë patur vakëfe janë mbajtur nga kontributet e qytetarëve(29). Si rrjedhojë e varësisë që kishte hapja dhe mirëmbajtja e këtyre mësonjëtoreve nga donacionet e besimtarëve, është e vështirë të përcaktohet numri i saktë i tyre. Mirëpo, duke marr parasysh traditen e asaj kohe në ndërtimin e xhamive me mejtepe përcjellëse, mund të thuhet në mënyrë të përgjithshme se në shekujt e hershëm numri i mejtepeve i përgjigjet përafërsisht numrit të xhamive, edhe pse në shekujt e më vonshëm ka patur ndryshime gjithnjë e më të mëdha(30).
Në mejtepet e Kosovës, që nga shekulli XV deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, është ligjëruar arsimi fetar dhe në këtë periudhë nuk ka patur shkolla shtetërore e laike. Mirëpo, pas viteve të pesëdhjeta të shekullit XIX ndodhen reforma në arsim në kuadër të Perandorisë Osmane dhe pas vitit 1869 u bë një rrjet i zhvilluar i shkollave, kur edhe u nxor Rregullorja e Arsimit të Përgjithshëm (Maârif-i Umûmiye Nizamnamesi), sipas të cilës shkollat publike ndaheshin në: Shkolla fillore (ibtidâi)(31); të mesme të ulëta (rü?diye)(32); të mesme të larta (idâdiye) dhe shkolla sulltanije (sultâniye). Në Kosovë nuk kishte shkolla të larta (mekâtib-i âliye), ku hynin shkollat e larta pedagogjike (dârulmullimîn). Këto shkolla publike kishin karakter laik(33).
Këshilli i Arsimit në Gjakovë, sipas studiueses turke Nefize Güler, është themeluar në vitin 1893 dhe nuk pati asnjë ndryshim deri në vitin 1900. Kryetar ishte myderrisi Hasan Efendiu; anëtarë ishin myderrisët Murteza Efendiu, Ahmet Hamdi Efendiu, Hafiz Muhtar Efendiu dhe Junus Efendiu, kurse sekretar (qatip) ishte Aqif Efendiu.(34)
Me reformat e vitit 1839, do të bëheshin përpjekje nga qeveria osmane për t’i mbyllur këto shkolla klasike (sibjan mejtepet), dhe në vend të tyre të hapte shkolla shtetërore fillore të reformuara (mejtepe iptidaie). Megjithatë, mejtepet klasike do të vazhdojnë punën e tyre deri në fund të perandorisë osmane, prandaj, pas Tanzimatit do të vepronin dy lloje të mejtepeve: mejtepet klasike dhe ato të reformuara(35).
Fakti se ky koncept shkollimi ka qëndruar për disa shekuj tregon se ka realizuar qëllimin për të cilin ishin ngritur. Gjenerata të tëra ishin edukuar në të njëjten frymë, gjë që i kontribuoi edhe formimit të një lloj traditeje fetare në këtë qytet.
Nga fundi i shekullit XIX numri i këtyre shkollave në Kosovë ishte shtuar. Në vitin 1874, në qytetin e Gjakovës gjejmë se ka patur 17 mejtepe, kurse në vitin 1893/94 funksiononin 18 mejtepe, 14 mejtepe të djemve me 1051 nxënës dhe 4 mejtepe të vajzave me 358 nxënëse, që në total bëjnë 1409 nxënës(36).
Sipas Sallnameve (vjetarëve osman), në vitin 1874 kanë ekzistuar 17 sibjan mektebe në Gjakovë, ndërsa në vitin 1893-94 punonin 18 sibjan mektebe, prej tyre 14 ishin të djemve, me 1051 nxënës, dhe 4 të vajzave me 358 nxënëse, gjithsej 1409 nxënës. Numër i njejtë i sibjan mektebeve regjistrohet edhe në regjistrat e vitit 1896.(37)
Mejtepet më kryesore të cilat ekzistojnë edhe sot në Gjakovë janë: Mejtepi i Hadumit(38), Mejtepi Ruzhdie(39), Mejtepi i Halil Efendisë, Mejtepi i Haxhi Ymerit(40), Mejtepi i Mahmut Pashës(41), Mejtepi i Gerçarëve, Mejtepi i Halil Efendisë(42).
Vlen të theksohet, gjithashtu, se përkundër vështirësive të mëdha që shkaktonte pushteti okupues prej vitit 1912 deri 1932, Vakëfi i Gjakovës arriti të rihapë dhe reformojë shumë mejtepe, ndërmjet viteve 1933-1937, në Gjakovë me rrethinë. Në bazë të dhënave arkivore kemi këtë gjendje të sibjan mektebeve(43):
1) Sibjan mektebi i Fetah Agës, kishte 2 klasë me 65 nxënës, 2 paralele, me mualim Jahja Tahir Bakalli, i emëruar me dekretin e Ulema Mexhlisit në Shkup, nr. 323, dt. 24.2.1932.
2) Sibjan mektebi i Hankes, kishte 2 klasë me 58 nxënës, mualim Beqir Zenun Baraku, i emëruar me dekretin e U. Mexhlisit, nr. 324, 24.2.1932. Më pas, emërohet mualim në këtë sibjan mekteb Zenun Emin Qurdina, me dekretin nr. 271, dt. 21.10. 1937.
3) Sibjan mektebi i Haxhi Ymerit, kishte 1 klasë me 45 nxënës, mualim hfz. Rushid Alushi, i emëruar nga Ulema Mexhlisi me dekretin nr. 3573/33, dt. 23.2.1934.
4) Sibjan mektebi i Bash Pazarit, kishte 2 klasa me 42 nxënës, mualim ishte Beqir Halil Pozhegu i emëruar nga Ulema Mexhlisi me dekretin, nr. 4746/33, dt. 23.2.1934.
5) Sibjan mektebi i Hadumit, i vetmi mekteb i vajzave, kishte 2 klasa me 35 nxënëse, mualime ishte Xhylie Spahiu, e emëruar nga Ulema Mexhlisi me dekretin nr. 2505/33, dt 19. 9.1933.
6) Sibjan mektebi i Skivjanit, 25 nxënës, mualim hfz. Murteza mulla Aliu, i emëruar me dekretin e Ulema Mexhlisit, nr. 3553/33, dt. 6.1.1934.
7) Sibjan mektebi i Brovinës, kishte 1 klasë me 27 nxënës. Mualim ishte Sait Sylejman Brovina, i emëruar me dekretin e Ulema Mexhlisit, nr. 3552/33, dt. 6.1.1934.
8) Sibjan mektebi i Pobërgjes, në vitin 1936, jepte mësim Sait Sylejman Brovina, i cili emërohet mualim në këtë mekteb me dekretin nr. 46/36, dt. 6.1.1936.
9) Në fund të vitit 1934 do të hapej edhe mektebi i Mahmud Pashës me mualim Zenun Emin Qurdina, i emëruar nga Ulema Mexhlisi me dekretin nr. 2287, dt. 5.11.1934. Më pas emërohet mualim në këtë mekteb Abdullah Hadri, me datë 19 shtator 1937, me dekretin nr. 3899/37.
10) Në fillim të vitit 1935 fillon nga puna edhe sibjan mektebi i Cërmjanit me mualim mulla Jakup H. Nimani, i emëruar nga Ulema Mexhlisi me dekretin nr. 899/35, dt. 25.4.1935.
Mekteb shkollat për nga struktura e nxënësve kanë qenë tre llojesh: për djem, për vajza dhe të përzier(44). Kurse, për nga arkitektura i takonin arkitekturës osmane, por meqenëse ishin të ndërtuara me material jo shumë të qëndrueshëm, mejtepet e hershme nuk kanë mbijetuar dot.(45)
Në sibjan mektebe mbaheshin mësime të posaçme për fëmijët e moshës gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç, si për djem ashtu edhe për vajza. Ishin të rrallë ata që nuk vijonin mësimet në mejtep, edhe pse nuk ishte i detyruar nga shteti. Gojëdhënat tregojnë se kur fëmijët ngatërroheshin njëri me tjetrin, fyerja më e rëndë për ta ishte: mejtepsëz (i pamejtep)(46).
Kuadrin mësimor në mejtepe e përbënte mësuesi (mual-limi) dhe repetitori (halife), e në mungesë të tyre punën e kryente imami i xhamisë së mejtepit. Arsimi në mejtepe ishte falas nëse ai ishte themeluar nga pasanikë, sepse mësimdhënësit paguheshin nga pasuria e vakëflënësit, ashtu siç e kishte përcaktuar ai në dokumentin vakëfname, madje edhe sigurohej ushqimi dhe veshmbathja për nxënës, sidomos për jetimët dhe skamnorët. Në rast se një mejtep nuk kishte të ardhura nga vakëfi, mësimdhënësi paguhej nga prindërit me para ose me prodhime bujqësore. Nëpër fshatra punën e mësuesit, të imamit, të vaizit dhe të hatibit e kryente zakonisht i njëjti person, hoxha i fshatit. Në vendet pa mejtepe mungesën e arsimimit të popullatës e plotësonin ‘hoxhët udhëtar’ (sejjar hoca), sidomos në Ramazan, dhe nxënësit e medreseve(47).
Qëllimi kryesor i mësimit në këto mejtepe ka qenë mësimi i leximit të Kuranit sipas rregullave të bukurleximit dhe memorizimi i sureve të shkurtëra, mësimi i rregullave themelore të islamit, si dhe edukimi me mirësjellje (ahlak). Tekstet mësimore përbëheshin nga shkrim-leximi ‘elifbaja’, bukurleximi (texhvidi) dhe themelorja e fesë (ilmihali)(48). Në shekullin XVII ka filluar të mësohet kaligrafia (hüsn-i hatt). Përveç këtyre lëndeve, aty mësohej edhe katër veprimet themelore të matematikës (mbledhjen, zbritjen, shumëzimin dhe pjesëtimin)(49). Në disa mejtepe mësohej edhe gjuha persiane(50). Këto lëndë përbënin kryesisht programin mësimor në mejtepe.
Gjuha e përdorur në mejtepe për mësimdhënie kryesisht ishte gjuha e literaturës që mësohej, që kryesisht ishte arabe, mirëpo në ligjerim merrej parasysh gjuha amtare e nxënësit(51). Pas Lidhjes së Prizrenit, mejtepet u bënë vatra të kultivimit të shkrimit shqip me shkronja arabe dhe të ndjenjave kombëtare(52). Të tilla ishin:
- Mejtepi ku jepte mësim Tahir ef. Boshnjaku ose ndryshe Tahir ef. Gjakova, i lindur në vitin 1774, mësuesi i parë në Medresenë e Re të ndërtuar në vitin 1807 nga Murad begu i Kurtpashëve – Kryezive të Gjakovës(53).
- Mejtepi i Tahir Efendi Llukës(54), në fshatin Llukë e epërme që ishte hapur në vitin 1889, e që konsiderohet nga shkollat e para shqipe në Kosovë me një alfabet të hartuar nga vet Hoxha në vitin 1878 dhe ku mësonin nxënësit e dy gjinive(55).
Shumë më vonë, respektivisht në vitin 1988, u formulua Planprogrami i unifikuar për mësimin fetar joformal në nivel të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili si qëllim kishte:
1) Njoftimi me dispozitat më të rendësishme islame.
2) Shpjegimi i rolit të myslimanit në kuadër të aftësive dhe mundësive që posedon;
3) Ndihmimi i vijuesve të mësimit që të kuptojnë dhe praktikisht të zbatojnë mësimet fetare;
4) Formimi i bindjes në vërtetësinë e fesë islame;
5) Kultivimi i dashurisë së vetëdijshme dhe aktive për Zotin, të Dërguarin, bashkësinë islame dhe për gjithçka është përparimtare dhe humane;
6) Aftësimi për t’u shërbyer në mënyrë të pavarur me literaturen islame;
7) Zhvillimi i vendosmërisë për kultivimin dhe ruajtjen e islamit dhe të traditave islame;
8) Edukimi në atdhetari, tolerancë, si dhe që të duan e çmojnë çdo njeri ashtu si veten.
Ky Planprogram, për realizimin e këtyre synimeve, u përpilua në atë mënyrë të thjeshtë që i mundëson të riut të mendojë vet për besimin dhe të jetësojë disa vepra të mira. Programi i mësimit për gjashtë vitet e para përfshinte mësimet themelore, me plan që të mbahen në secilin vit gjashtëdhjetë e pesë (65) ditë pune, me nga katër (4) orë në javë. Mbetej detyrë e mualimit/mualimes të shpjegojë tekstin e caktuar në doracakun e quajtur “Ilmihal”, varësisht sa është e duhur për nivelin e nxënësve, për çfarë mund të shërbehet edhe me materiale plotësuese. Kohëzgjatja e mësimit nuk ishte caktuar në mënyrë të prerë, kështu që mësimi nuk ishte i njëjtë për të gjithë nxënësit. Vetëm nxënësve që kishin mësuar mësimin e mëparshëm iu jepej mësimi i ri. Me drejtëleximin e Kuranit dhe memorizimin e disa pjesëve të tij, si dhe me mësimin e çështjeve themelore të islamit, nxënësit i lëshohej një dëftesë për kryerjen e mejtepit, e cila quhej ‘shehadetname’ dhe me këtë ishte i gatshëm të vazhdonte studimet në medrese.(56)
4. Përfundimet:
Nga sa u tha më sipër mund të përfundojmë se:
• Në Gjakovë dhe jo vetëm, arsimi joformal në xhami dhe mejtepe ka një traditë të lashtë që nga themelimi i qytetit. Xhamitë dhe mejtepet janë djepi historik i arsimit dhe edukimit tonë fetar. Mësimdhënësit që i hapën këto institucione dhe shërbyen në to, duhet të njihen si figura të rëndësishme të Arsimit.
• Këto xhami dhe mejtepe ishin hapur falë angazhimit të bamirësve privat të cilët kishin lënë vakëfe për mbarëvajtjen e tyre, sidomos nga familja e Kryezinjëve (Kurtpashëve) të Gjakovës.
• Vështruar me syrin e pamjes së rrethanave të asaj kohe kualiteti i tyre mundësonte zbehjen apo edhe zhdukjen e analfabetizmit tek shqiptarët.
• Fakti se ato qëndruan për disa shekuj tregon se ato ju përgjigjen qëllimit të tyre për të cilin ishin ngritur. Gjenerata të tëra ishin edukuar në të njëjten frymë, gjë që i kontribuoi edhe formimit të një lloj traditeje fetare në këtë qytet.
• Ndonëse nuk kemi statistika të sakta lidhur me numrin e mejtepeve, të mësimdhënësve, e as të nxënësve, megjithatë dihet se ato vazhduan të funksionojnë derisa u ngritën mejtepet e reformuara pas Tanzimatit, në shekullin XIX.
• Fakti që shteti osman nuk ndërhynte në këto mejtepe bëri që mësuesit shqiptarë të mbanin ligjërimet e tyre sqaruese në gjuhën amtare.
Për fund, dua të them se studimi i mësonjtoreve islame në qytetin e Gjakovës me rrethinë nuk është shterrues, por mbetet temë për të gjithë historianët, arkivistët, filologët, bibliografistët dhe mësuesit e moshuar që kanë të dhëna mbi zhvillimin e mësimit nëpër xhami e mejtepe.
Literatura:
1. Bajraktari, Jusuf, Gjakova me rrethinë, Prishtinë: 1998.
2. Barleti, Marin, Historia e jetës dhe veprave të Skenderbeut, Tiranë: 1964.
3. Databaza e trashigimisë kulturore të Kosovës, https://dtk.rks-gov.net.
4. Güler, Nefize, Salnamelere Göre Kosova Vilayetinde E?itim-Ö?retim, (magjistraturë), Bursa: Universiteti Uludag, 2019.
5. Hadri, Dr. Ali, Gjakova me rrethinë prej themelimit deri me 1941, Prishtinë: Enti i Historisë së Kosovës, 1972.
6. Ihsano?lu, Ekmeluddin, Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman, Tiranë: AIITC, 2009.
7. Kasumi, Haki, Bashkësitë fetare në Kosovë 1945-1980, Prishtinë: Instituti i historisë së Kosovës, 1988.
8. Krasniqi, Dr. Nehat, Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e rilindjes kombëtare, Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2017.
9. Krasniqi, Pleurat, Aspekte kulturoro-historike të Gjakovës dhe ixhazetlinjtë 1870-1940, Gjakovë.
10. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Planprogrami i mësimit fetar, Prishtinë: BIK, 1988.
11. Mehmeti, Sadik, Medreset në Kosovë gjatë periudhës osmane – vështrim i përgjithshëm, Takvim 1440-1441, Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, 2019, f. 342.
12. Mehmeti, Sadik, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, Prishtinë: Instituti albanalogjik, 2019.
13. Morina, Qemajl, Glosar i nocioneve fetare (islame, ortodokse, katolike dhe çifute), Fakulteti i Studimeve Islame, Prishtinë, 2010.
14. Murtezai, Ekrem, Fjalor i terminologjisë fetare, Prishtinë: Dituria Islame, 2007.
15. Pirraku, Muhamet, Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipeme alfabet arab në Kosovë, “Gjurmime albanalogjike”, Prishtinë: Instituti Albanalogjik, 1980.
16. Rexha, Iljaz, Onamastika e disa vendbanimeve mesjetare e arelait të Gjakovës (sipas defterëve osman të shek. XV-XVI), Toponomia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002.
17. Vula, Dr. Nesim, Kjo është Gjakova, Gjakovë: ArdiGraphic, 2014.
Fusnotat:
1. Hadri, Dr. Ali, Gjakova me rrethinë prej themelimit deri me 1941, Prishtinë: Enti i Historisë së Kosovës, 1972, f. 382.
2.. Vula, Dr. Nesim, Kjo është Gjakova, Gjakovë: ArdiGraphic, 2014, f. 56.
3.Shih për këto pak gjurmë: Vula, Kjo është Gjakova, f. 46-52.
4.Sipas Marin Barletit Shkodra ishte marr nga osmanët në vitin 1479. Barleti, Marin, Historia e jetës dhe veprave të Skenderbeut, Tiranë: 1964, f. 156.
5.Hadri, Gjakova me rrethinë prej themelimit deri me 1941, f. 377; Pulaha, dr. Selami, Nahija e Altun Ilisë dhe popullsia e saj në fund të shek. XV, Prishtinë: Gjurmë Albanologjike (histori) 1, 1971; Vula, Kjo është Gjakova, f. 54, 56.
6.Rexha, Iljaz, Onamastika e disa vendbanimeve mesjetare e arelait të Gjakovës (sipas defterëve osman të shek. XV-XVI), Toponomia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002, f. 168
7. Kaleshi, Hasan dhe Jurgen, Hans, Vilajeti i Prizrenit, Përparimi, 1967, 3, f. 280; Hadri, Gjakova me rrethinë prej themelimit deri me 1941, f. 382; Vula, Kjo është Gjakova, f. 58.
8.Shih, Vula, Kjo është Gjakova, f. 60.
9.Shih, Vula, Kjo është Gjakova, f. 59.
10.Ihsano?lu, Ekmeluddin, Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman, Tiranë: AIITC, 2009, 2/366.
11.Sipas Jusuf Bajraktarit raporti i Bardhit në viziten e parë përmend 20 shtëpi katolike me 156 besimtar, kurse në viziten e dytë raporton se kishte dy xhami, 250 shtëpi myslimanësh, 26 shtëpi katolikësh dhe 16 shtëpi ortodoksësh. Bajraktari, Jusuf, Gjakova me rrethinë, Prishtinë: 1998, f 22. Gjithashtu, shih, Hadri, Gjakova me rrethinë prej themelimit deri me 1941, f. 385.
12.Hadri, Gjakova me rrethinë prej themelimit deri me 1941, f. 384; Zherka, Ibrahim, Të njohim të kaluarën e qytetit tonë, Prishtinë: Rilindja, dhjetor 1959 dhe Janar 1960; cituar nga: Vula, Kjo është Gjakova, f. 59.
13.Ibid.
14.Vula, Kjo është Gjakova, f. 63, 64.
15.Xhami: (arab.) - “Ndërtesë ku bëhen shërbesat sipas riteve fetare të myslimanëve, faltore e myslimanëve”. Qemajl Morina, Glosar i nocioneve fetare (islame, ortodokse, katolike dhe çifute), Fakulteti i Studimeve Islame, Prishtinë, 2010, f.11.
16.Mesxhid: (arab.) – “Vendi në të cilin bihet në sexhde; vendi për kryerjen e namazit, i cili nuk është i domosdoshëm të jetë në kuadër të xhamisë; xhamia pa minare.” Morina, Qemajl, Glosar i nocioneve fetare (islame, ortodokse, katolike dhe çifute), Fakulteti i Studimeve Islame, Prishtinë, 2010, f.78.
17.Shih, Sahihu i Muslimit, Libri 4: hadithi nr. 1060.
18.Murtezai, Ekrem, Fjalor i terminologjisë fetare, Prishtinë: Dituria Islame, 2007, f. 679.
19.Mehmeti, Sadik, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, Prishtinë: Instituti albanalogjik, 2019, f. 76.
20.Cituar nga: Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 76.
21.Maksudo?lu, Prof. Mehmet, Historia osmane dhe institucionet, Enilda Meidani (përkth.), Tiranë: Alsar, 2013, f. 689.
22.Krasniqi, Dr. Nehat, Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e rilindjes kombëtare, Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2017, f. 259.
23.Krasniqi, Pleurat, Aspekte kulturoro-historike të Gjakovës dhe ixhazetlinjtë 1870-1940, Gjakovë, f. 37-38.
24.Musal-la: (arab.) - Vend faljeje; vend publik në hapësirë të ha¬pur, në la¬gje apo pranë saj, ku falen namazet e përbashkëta (në veçanti ato ku marrin pjesë një numër më i madh i besim¬t¬a¬rëve, siç janë namazi i xhumasë dhe namazet e bajr¬a¬m¬e¬ve). Morina, Glosar i nocioneve fetare (islame, ortodokse, katolike dhe çifute), Fakulteti i Studimeve Islame, Prishtinë, 2010, f. 84.
25.Në Gjakovë kishte dy medrese me 24 dhoma. Në vitin 1893 në këto medrese dy myderrise mësonin 47 nxënës dhe këta nxënës ishin të suksesshëm sa që mund të merrnin dy ose tri herë ixhazetname. Sipas Vjetarit të Arsimit në vitin 1900 Medreseja e Mahallës së Madhe kishte 36 nxënës. Sipas Ekrem Hakki Ayverdi Medreseja e Madhe është ndërtuar në vitin 1794 nga Rexhep Palla Aga afër Xhamisë Hadum. Shih, Nefize Güler, Salnamelere Göre Kosova Vilayetinde E?itim-Ö?retim, (magjistraturë), Bursa: Universiteti Uludag, 2019, f. 157. (Përkth. Besir Neziri).
26.Beqirbegoviç, Maxhida, Objektet arsimore fetaro-islame të arkitektures në Kosovë, Edukata Islame, viti XLI, nr. 102/2013, f. 123.
27.Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e rilindjes kombëtare, f. 227; Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 189.
28.Kaz?c?, Ziya, Historia e arsimit islam, Edvin Cami (përkth.), Tiranë: SHB. Feneri, 2001, f. 18; Po ai: Islam medeniyeti ve müesseleri tarihi, Istanbul: M. Ü. Ilâhijat fakültesi Vakfi Yayinlar?, Nu. 191, 2011, f. 325-326, marrë nga: Mehmeti, Sadik, Medresetë në Kosovë gjatë periudhës osmane – vështrim i përgjithshëm, Takvim 1440-1441, Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, 2019, f. 342.
29.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 191.
30.?anovi?, Svetozar G., Specifi?ni problem nastave u školama Kosova i Metohije, Prishtinë, 1967, f. 30-31; cituar prej: Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 79.
31.Sipas studiueses Nefize Güler, në Gjakovë deri në vitin 1893 nuk ka informacione për shkollat iptidaie. Në vitin 1893 regjistrohen 15 mejtepe iptidaie për meshkuj, në të cilët jepnin mësim 15 mualimë dhe merrnin mësime 1101 nxënës. Katër (4) mejtepe ibtidaie ishin për vajza, me 4 maulime dhe 358 nxënës. Shih, Güler, Nefize, Salnamelere Göre Kosova Vilayetinde E?itim-Ö?retim, (magjistraturë), Bursa: Universiteti Uludag, 2019, f. 158. (Përktheu enkas për këtë punim z. Besir Neziri).
Sipas Mehmetit, dokumentet flasin se mektebi ibtidai që ishte në Mëhallën e Çarshisë në vitin 1904 filloi të mos i plotësonte nevojat, kështu që erdhi urdhëri nga Stambolli për ndërtimin e një shkolle të re ose marrjen me qira të një vendi të përshtatshëm. Po në këtë vit u ndërtua një mekteb ibtidai në fshatin Ponoshec. Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 120.
32.Në Mejtepin Rushdije në Gjakovë, në vitin 1879, kishte 67 nxënës. Mualim i parë në këtë shkollë ishte myderrisi Vehbi Efendiu, kurse mualim i dytë ishte Mehmet Emin Efendiu. Në vitin 1885, në Mejtepin Rushdije kishte 92 nxënës, 20 prej tyre ishin ushtar, kurse 72 ishin civil. Mualim i parë në këtë kohë ishte Xhafer Efendiu, mualim i dytë ishte Emin Efendiu, kurse mualim i bukurshkrimit Rika’ ishte ?slam Efendiu. Në vitin 1893 numëri i nxënësve ishte rritur në 120. Mes viteve 1896-1900 nga mualimi i parë Xhafer Efendiu dhe mualimi i dytë Mehmed Efendiu, të cilët kanë punuar në Mejtepin Rushdije që nga viti 1885, janë diplomuar 120 nxënës. Güler, Salnamelere Göre Kosova Vilayetinde E?itim-Ö?retim, f. 157.
Ndërkaq, sipas Mehmetit, ka shënime se në mektebin rushdije në vitin 1898 kishte 6 mësues dhe 137 nxënës, kurse me 1900/1 kishte 3 mësues dhe 120 nxënës. Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 158.
33.Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 79.
34.Güler, Salnamelere Göre Kosova Vilayetinde E?itim-Ö?retim, f. 157.
35.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f.189-190.
36.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 203.
Sipas Güler, në vitin 1879 në Gjakovë kishte 17 mejtepe sibjan për myslimanët. Nga viti 1893 e deri në vitin 1900 në 14 mejtepe sibjan për meshkuj kishte 141 nxënës dhe në 4 mejtepe sibjan për vajza kishte 358 nxënëse. Güler, Salnamelere Göre Kosova Vilayetinde E?itim-Ö?retim, f. 158 (përktheu enkas për këtë punim z. Besir Neziri).
37.Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 101, 120 dhe 158.
38.Të dhënat për Mejtepin e Hadumit janë të disponueshme në databazën e trashigimisë kulturore të Kosovës: https://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=2066.
39.Të dhënat për Mejtepin Rushdije janë të disponueshme në databazën e trashigimisë kulturore të Kosovës, shih linkun: https://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=2876.
Mejtepi Ruzhdije gjendet pranë shtëpisë së Sylejman Vokshit. Objekti është ndërtuar në vitin 1810. Në fillim përdorej si mejtep i ciklit të ulët në gjuhën turke, e gjatë vitit 1908 filloi të aplikohej për herë të parë mësimi në gjuhën shqipe dhe u shndërrua në vatër arsimore e mësimit të mesëm klasor. Arkitektura e këtij objekti më tepër ka ngjashmëri me arkitekturën e shtëpive tradicionale vendore. Gjatë vitit 2011 janë kryer punime në konservimin dhe restaurimin e objektit. Në vitin 2013 nga stuhia që e përfshiu qytetin e Gjakovës kishte ndodhur dëmtimi i strehës së objektit dhe oxhakut nga rrëzimi i një lisi afër objektit. Këto dëmtime tashmë janë sanuar. Sot në Mejtepin Ruzhdije’ është Drejtoria e Arsimit për Komunën e Gjakovës.
40.Të dhënat për Mejtepin e Haxhi Ymerit janë të disponueshme në databazën e trashigimisë kulturore të Kosovës: https://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=3466.
Në funksionin primar të tij mejtepi shërbente për edukimin e nxënësve në mësimin fetar (mysliman), por më vonë ai u përdor për veprimtari të ndryshme si shtypshkronjë, ndërsa gjatë viteve ’90, aty është mbajtur mësimi nga nxënësit e shkollave të mesme. Objekti është ndërtuar nga materiali gurë dhe qerpiçë. Konstruksioni ndërkatësh është nga trarëzat e drurit, me dysheme nga dërrasat dhe tavan të dekoruar. Në vitin 2014 janë kryer punime konservuese – restauruese në objektin e mejtepit, si në enterier ashtu edhe në eksterier, përveç të hapjeve në përdhese që kanë ngelur të rikthehen në gjendjen origjinale në një intervenim tjetër.
41.Të dhënat për Mejtepin e Haxhi Ymerit janë të disponueshme në databazën e trashigimisë kulturore të Kosovës: https://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=2075.
Objekti është ndërtuar në mes të viteve 1832-1836 nga Mahmut Pasha, i familjes gjakovare të Kurtpashëve. Vetë pozicioni i këtij objekti i jep xhamisë një pamje madhështore. Për nga madhësia është ndër objektet më të mëdha të këtij lloji. Në të, përveç hapësirave për mësime fetare, në pjesën nga sheshi gjenden edhe hapësira që shërbejnë për punë administrative ose afariste. Prej figurave të shquara që kishin marrë mësim në këtë mejtep është Abdullah Hadri, i cili ka shërbyer si Imam në Xhaminë e Mahmud Pashës dhe mësues në mejtepin e kësaj xhamie, prej vitit 1935, ndërsa kishte hapur shkollën e parë shqipe në vitin 1912 në Vushtrri. Familja Hadri ende vazhdon të jetojë në lagjën Mahmut Pashë pranë këtij mejtepi.
42.Themeluar në vitin 1830-31 nga Halil Efendiu, i biri i Himës, vëllai i Tahir efendi Boshnjakut/Gjakovës. Supozohet se në ndërtimin e këtij mejtepi, të ketë investuar Halil Efendiu për të cilin thuhet se ka qenë pasanik i madh. Ky Mejtep pushon së ekzistuari si mejtep rreth viteve të 20-ta të shekullit të kaluar, me vdekjen e myderrizit të fundit të saj, Islam ef. Nahit. Në atë kohë mejtepi kishte rreth 70 nxënës. Prej asaj kohe deri më sot mejtepi i Halil Efendisë shërben si xhami. Krasniqi, Aspekte kulturoro-historike të Gjakovës dhe ixhazetlinjtë 1870-1940, f. 30.
43.Rexhepi, Ismail dhe Mehmeti, Sadik, Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Gjakovë me rrethinën ndërmjet dy luftërave botërore (II), Prishtinë: Dituria Islame, nr. 143/2002, f. 49-50. Gjithashtu, shih: Krasniqi, Aspekte kulturoro-historike të Gjakovës dhe ixhazetlinjtë 1870-1940, f. 31-32; dhe Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë, f. 121. Vërejtje: Autorët kanë përmendur edhe mejtepe tjera të rrethinës së Deçanit në kuadër të komunës së Gjakovës, duke marrë parasysh se në atë kohë ishin nën administraten e Vakëfit të Gjakovës. Meqenëse Vakëfi i Deçanit tashmë është mëvetsuar nuk i kamë përmendur në këtë punim.
44.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 189.
45.Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 87.
46.Krasniqi: Pleurat, Aspekte kulturoro-historike të Gjakovës dhe ixhazetlinjtë 1870-1940, f.30.
47.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 185, 186 dhe 188.
48.Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e rilindjes kombëtare, f. 229.
49.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 185,187.
50.Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, f. 79.
51.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 188.
52.Pirraku, Muhamet, Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipeme alfabet arab në Kosovë, “Gjurmime albanalogjike”, Prishtinë: Instituti Albanalogjik, 1980, f. 204.
53.Krasniqi, Dr. Nehat, Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e rilindjes kombëtare, Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2017, f. 398.
54.Të dhënat për Mejtepin e Tahir Efendi Llukës janë të disponueshme në databazën e trashigimisë kulturore të Kosovës: https://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=5185.
Mejtepi i Tahir Efendi Llukës gjindet në fshatin “Lluka e epërme” në Deçan, që më parë ishte nën Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjakovë. Mejtepi i fshatit i ndërtuar nga mjeshtrit popullor shqiptarë në shekullin XIX, sipas teknikës së ndërtimit, na kujton e kullat e Rrafshit të Dukagjinit, i ndertuar nga guri dhe druri. Pos vlerës arkitektonike ai ka edhe rëndësinë e tij historike si shkollë e parë shqipe në këtë anë.
55.Mehmeti, Shkollat fillore klasike islame (mejtepet sibjan) në Kosovë, f. 206,209.
56.Shih, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Planprogrami i mësimit fetar, Prishtinë: BIK, 1988.