Kupto që këtë që përmendëm, nëse ke menduar për këtë, të mjafton t'i hapësh sytë dhe t'i zbulosh sëmundjet e zemrës dhe dobësitë e saj, por edhe ilaçet me dritën e diturisë dhe bindjes.
Nëse nuk ke qenë në gjendje të arrish këtë, atëherë duhet t'i besosh dhe vërtetosh ashtu që do ta pranosh atë që e meriton të pasohet. Feja i ka shkallët e veta ashtu si dituria që i ka shkalët e saja. Dituri vije pas besimit. I lartësuari thotë: "Allahu lartëson ata që besuan prej jush,i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituria" (El Muxhadele, 11)
Ai i cili beson që kundërvimi i epsheve është rrugë që udhëheqë kah Allahu, duke mos kërkuar për këtë shkaqet dhe duke mos kërkuar fshehtësinë në këtë, ky është prej atyre që besojnë. Nëse kërkon të përmendurat, dhe ato që i ndihmojnë epshet, ky është prej atyre që i është dhënë dituria. Edhe njërit dhe tjetrit i është premtuar shpërblimi i bukur.
Allahu i madhërishëm thotë: "Ata që ulin zërat e tyre pran të dërguarit të Allahut, Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh" (El Huxhuratë, 3)62
Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: "Besimtari është në mes pesë vështirësive: Besimtarit i cili e urren, pabesimtarit i cili lufton ndaj tij, shejtanit i cili e mashtron dhe nefsit i cili i kundërvihet" (Hadithin shënon Ebu Bekr b. Lal nga Enesi r.a. me varg transmetuesish të dobët)
Këtu thuhet se nefsi është armik i cili kundërvihet dhe ndaj të cilit duhet luftuar. Transmetohet se Allahu i shpalli Davudit a.s. "O Davud, frikësoj dhe tërhiqu vërejtjen miqve tu nga pasimi i lakmive. Qetësia e zemrave e lidhur me lakmitë e dynjasë është e mbuluar ndaj Meje".
Isai a.s. ka thënë: "I lumi ai i cili e ka lënë lakminë momentale dhe kënaqësinë për diç që nuk e ka parë por i është premtuar".
Pejgamberi, s.a.v.s. u ka thënë njerëzve të cilët sapo ishin kthyer nga lufta: "Mirë se erdhët! Erdhët dhe u kthyet prej luftës së vogël në luftën e madhe!" Ata që ishin prezent pyetën: "I Dërguar i Allahut, çfarë është lufta e madhe?" Ai u përgjigj: "Lufta me nefsin tënd".
Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: "Luftëtar (muxhahid), punëtor është ai i cili lufton me nefsin e tij në shërbim të Allahut" (Hadithin shënon Tirmidhiu dhe thotë se është sahih, Ibn Maxhxheh nga Fudalet b. Ubejdi)
Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: "Mos lejo që nefsi të shqetësoj dhe mos i paso lakmitë e tij, kur ka të bëjë me mosdëgjimin ndaj Allahut, sepse ai do të akuzoj ditën e Kiametit. Një pjesë e jotja do ta mallkoj pjesën tjetër, përveç nëse Allahu nuk e falë dhe e mbulon"
Sufjan Theuriu ka thënë" "Asnjëherë nuk kam luftuar dhe takuar me askënd që nuk ka qenë më i ashpër se nefsi im i njëherë unë e mundi atë e njëherë ai më mundë".
Ebu Abbas Mensiliu i thoshte nefsit të vet: "O nefsi im nuk je në dynja me mbretërit, që të kënaqesh, as nuk anon kah ahireti me ata që janë adhurues. Unë jam me ty në mes Xhennetit dhe Xhehennemit të ndalur. O nefs, A nuk turpërohesh?!"
Hasani ka thënë: "Nuk ka asnjë kafshë sado e vështirë të jetë, që i duhet frerët sikurse është nefsi".
Jahja b. Muadhi ka thënë: "Kam luftuar me nefsin me shpata e ushtrime. Ushtrohet në katër mënyra: nga ushqimi veç sa nevojitet, nga gjumi vetëm me kotje, nga të folurit veç sa është e domosdoshme dhe përballimi i lëndime nga tërë njerëzit". Nga ushqimi i pakët vdesin epshet, nga pak gjumësia pastrohen mendimet, nga të folurit e pakët do të ruhesh nga rreziqet, ndërsa me përballimin e ofendimeve dhe lëndimeve do të arrish tek shkallët e larta. Për njeriun nuk ka asgjë më të rëndë se përballimi i lëndimeve. Nëse nga nefsi lëvizë ndonjë lakmi dhe mëkat dhe nëse të lindë ëmbëlsira e të folurit pa lidhje, ti nxirre shpatën e zvogëlimit të ushqimit dhe zgjimit të natës dhe pagjumësisë, gjuaji me dorën e heshtjes dhe durimit që të presë çdo hakmarrje. Atëherë do të jesh i sigurt prej karthave të mashtrimeve të tyre. Kështu do të pastrohesh nga errësira e lakmive të tyre. Do të jesh i pastruar dhe i mbuluar me dritë. DO të ecësh në hapësirën pafund të mirë si dhe do të jesh i bindur si kali i cili është i lirë në fushë dhe si mbreti i cili kënaqet në kopshtin e tij".
Gjithashtu ka thënë: Tre janë armiq të njeriut: dynjaja, shejtani dhe nefsi. Nga dynjaja mbrohu me asketizëm, nga shejtani duke ju kundërvyer, ndërsa nga nefsi ashtu që do ti lësh lakmitë". Një i urtë ka thënë: "Kënd e mbizotëron nefsi ai bëhet rob i lakmive, i burgosur në burgun e dëshirave të tija. Është i mposhtur dhe i pranguar, ndërsa komanda është në duart e tij. Nefsi e udhëheqë ku të dojë dhe cungon zemrën nga çdo dobi".
Xhafer b. Humejdi ka thënë: "Të gjithë dijetarët dhe të mençurit pajtohen se mirëqenia mund të realizohet vetëm me lënien e kënaqësive".
Ebu Jahja verr rrak thotë: "Kush i kënaq organet përmes lakmive ai në zemër e ka mbjellë pendimin".
Uhejb b. Verd thotë: "çdo gjë që është nëpërmjet bukës është lakmi dhe ves". Gjithashtu ka thënë "Kush i do lakmitë e dynjasë le të përgatitet për poshtërim".
Transmetohet se gruaja e ministrit (Zulejha) është ulur pranë rrugës nëpër të cilën do të kalonte Jusuf a.s. ndërsa ky kalëronte me dymbëdhjetë mijë njerëz të ushtrisë mbretërore. Kur u afrua tek ajo, ajo i tha: "çoftë i lavdëruar Ai i Cili mbretërit i ka bërë robër, për shkak të mëkateve të tyre, ndërsa robërit i ka lërë mbretër për shkak të bindjes ndaj Tij".
Lakmia dhe epshi i kthejnë mbretërit në robër, e ky është shpagim i atyre që prishin rendin. Durimi dhe devotshmëri i kthejnë robërit në mbretëri". Jusufi a.s. i tha asaj: "...pse ai që ruhet dhe bën durim, s'kadyshim Allahu nuk e humbë shpërblimine punëmirëve" (Jusuf, 90)
Jezid Rekkash ka thënë: "Mos më sillni në dynja asnjëherë ujë të ftohtë dhe shpresoj se kjo nuk do të më cungohet në ahiret".
Një njeri e pyeti Omer b. Abdulazizin: "Kur duhet të flasë?" Atëherë kur ke dëshirë të heshtë". E kur duhet të heshtë?" "Atëherë kur ke dëshirë të flasësh".
Imam Aliu ka thënë: "Ai i cili dëshiron Xhennetin, ai do ti braktis lakmitë e dynjasë".
Malik b. Dinuar kishte vizituar tregun dhe kur shihte diç që i pëlqente, i thoshte nefsit të tij: "Duro, për Allahun këtë po ta cungoj vetëm për atë që më bën (kam dert) për ty".
Dijetarët janë të pajtimit se nuk ekziston mënyra që të arrihet ahireti përveç me ndalimin e nefsit që të pasoj lakmitë dhe ti kundërvihet dëshirave. Besimi në këtë është i obliguar.
Qëllimi i ushtrimit është që nefsi mos të kënaqet në asgjë që nuk ka në varr, përveç sa është e domosdoshme, kështu njeriu duhet kufizuar në çështjet e ushqimit, jetës bashkëshortore, rrobave, banimit dhe çdo gjëje aq sa është e domosdoshme, dhe aq sa është e nevojshme. Sikur të lëshohet kënaqësive nga këto që përmendëm, do të mësohej në këto edhe pas vdekjes, do të dëshiroj të kthehej në dynja për këtë, ndërsa dëshirën e kthimit në dynja mund të dëshiroj vetëm ai i cili nuk ka gjasa për sukses në ahiret. Këtyre dëshirave dhe lidhjes mund të lirohet nëse zemra lidhet dhe preokupohet me njohjen e Allahut dhe dashurisë ndaj Tij, meditimit për Te dhe bindjes ndaj Tij.
Nuk do të gjejë fuqi në vete për këtë përveç tek Allahu. Nga dynjaja le të marrë vetëm aq sa i nevojitet që të mënjanohen pengesat e dhikrit dhe meditimit. Ai i cili nuk mund të arrij esencën e kësaj, bile le të afrohet kah kjo. Njerëzit rreth kësaj çështjeje ndahet në katër grupe:
Grupi i parë: njeriu, zemra e të cilit është e preokupuar me përmendjen e Allahut, dhe ai nuk i jep aspak vëmendje dynjasë përveç në atë që është e domosdoshme për jetë. Ky është prej të sinqertëve. Kjo shkallë mund të realizohet vetëm me ushtrim të gjatë dhe lënien e gjatë të lakmive.
Grupi i dytë: njeriu, zemra e të cilit është e përfshirë nga dynjaja, dhe në zemrën e të cilit Allahu është prezent vetëm si shprehje, përmend me gojë, e jo me zemër Allahun, dhe ky njeri është i shkatërruar.
Grupi i tretë: njeriu i cili merret edhe me dynja edhe me fe, por në zemër dominon feja. Ky me siguri do të ndiejë nxehtësinë e xhehennemit, por do të kaloj nëpër Xhehennem shpejtë aq sa ka pasur përmendje të Allahut me zemrën e tij.
Grupi i katërt: njeriu i cili merret me dynja edhe ahiret, por dynjaja ka qenë në masë më të madhe në zemrën e tij. Ky do të qëndroj gjatë në Xhehennem, por mesiguri do të dalë nga ai për shkak të fuqisë së përmendjes së Allahut në zemër dhe rrënjosjes së tij në zemrën e brendshme edhe pse dynjaja dominon në zemër. Allahu im mbrohemi me Ty nga dënimi Yt. Ti je Ai i cili ofron mbrojtje.
Ndoshta dikush thotë që kënaqësia në të lejuarën është i lejuar, andaj si mundet kënaqësia me qenë shkak i largimit nga Allahu? Ky është konstatim i dobët, sepse dashuria ndaj dynjasë është themel I çdo mëkati dhe shkas i shkatërrimit të veprave të mira.
Ajo është e lejuar, por që kalon kufirin e të domosdoshmës, është dynja e kjo është shkak i largimit. Për këtë do të flasim në Librin mbi përbuzjen e dynjasë.
Ibrahim Havvasi ka thënë: “Njëherë isha në kodrat e Lekkamit dhe pashë një shegë. E ndava dhe e ngrëna gjysmën e gjysmën tjetër e ruajta duke vazhduar rrugën. Hasa në një njeri i cili ishte shtrirë në mes gjembave. I dhashë selam dhe ai më tha: “Edhe mbi ty qoftë salami Ibrahim”. E pyeta: Si po më njehë? Ai tha: “Ai që e ka njohur Allahun, atij asgjë nuk i është e fshehur”. Unë i thashë: “E shohë se jei afërt tek Allahu, e përse nuk e lutë që të liroj prej gjembave?” Ai më tha: “Edhe unë e shohë që ti je i afërt tek Allahu, dhe ta kishe lutur Allahun të ruaj nga lakmitë tuaja dhe dëshirës për shegë. Gjembin e shegës njeriu do ta ndiej në ahiret, ndërsa shpuarjen e gjembave e ndiej në dynja”. E lashë dhe vazhdova rrugën time.
Sirriu ka thënë: “Dyzetë vite nefsi nga unë kërkonte të ngjyejë bukën në gjalpë, dhe unë nuk dëshiroja ta dëgjojë”.
Pra, zemra nuk mund të bëhet e mirë dhe të pasoj rrugën e ahiretit nëse nefsit nuk i mungohet kënaqësia në gjërat e lejuara. Nëse nefsit nuk i cungohen disa gjëra të lejuara ai do të anoj kah gjërat e ndaluara. Ai i cili dëshiron ta ruaj gjuhën e tij nga përgojimi dhe të folurit pa mend duhet të mësohet me heshtje, përveç kur përmend Allahun dhe kur është në pyetje feja. Në këtë mënyrë tek ai do të vdes dëshira për të folur dhe nuk do të flasë përveç të vërtetës. Kështu edhe heshtja e tij dhe të folurit e tij do të jenë ibadet. Nëse syri është i mësuar të shohë imazhet e bukura, nuk mund të ndalet të shikoj edhe atë që është e ndaluar. Kështu është edhe me lakmitë e tjera. Detyrë e njeriut është tia ndalë haramin e lakmisë.
Nefsi gëzohet me kënaqësitë e dynjasë i lëshohet asaj dhe është i qetësuar në dynja, çfarëdo situate qoftë. Duhet dhe bëhet si i dehur i cili nuk del nga kjo situatë. Magjia e dynjasë është helm vrasës i cili qarkullon nëpër enët e gjakut. Ai nga zemra largon frikën, mërzinë, përkujtimin ndaj vdekjes dhe frikësimet e ahiretit. Kjo është vdekje e zemrës. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ata që nuk presin takimin Tonë që janë të kënaqur me jetën e dynjasë dhe kanë gjetur prehje në të, dhe janë indiferent ndaj argumenteve tona,vendi për të tillët është zjarri për shkak të asaj që punuan” (Junus, 7)
Dhe thotë: “E jeta e kësaj bote ndaj botës tjetër nuk është tjetër vetëm se një përjetim (I shkurtër)” (Rra’d, 26)
Si dhe verseti: “O njerëz dini se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve.… pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues” (El-Hadidë, 20)
Andaj njerëzit e vendosur i kanë trajnuar dhe edukuar zemrat e tyre duke i ndaluar nga kënaqësitë e begative të dynjasë dhe i kanë mësuar në durim dhe ndalje nga lakmitë qofshin në gjërat e lejuara apo të palejuara. Kanë ditur se hallalli i dynjasë është shkak për të cilin duhet dhënë llogaria për veprat e tija në Ditën e Gjykimit ai është i dënuar.
Ata që janë të liruar nga dënimi dhe kanë arritur pushtetin e përhershëm dhe kënaqësinë në dynja dhe ahiret, janë liruar nga robërimi i epsheve dhe lakmive duke gjetur qetësinë e përmendjen e Allahut dhe shërbimit ndaj Tij. Ata me dynjanë dhe nefsin e tyre kanë veprua sikurse ai i cili zbutë skifterin. Së pari e mbyllë në hapësirë të errët dhe ia mbyllë sytë që të mos fluturoj në hapësirat qiellore. Skifteri atëherë harron çdo gjë që ka qenë i mësuar. Atëherë fillon ta ushqej me mish derisa skifteri nuk mësohet me zotëriun dhe afrohet tek ai aq shumë sa që kur e thirr, i vjen menjëherë. Kur dëgjon zërin e tij, menjëherë i afrohet.
Kështu është edhe me nefsin, i cili nuk mund të mësohet me Zotin e tij dhe të kënaqet në përmendjen e Tij përderisa nuk largohet nga zakonet e tij përmes vetmisë dhe izolimit i cili është i nevojshëm për ta ruajtur dëgjimin dhe shikimin e tij nga imazhet dhe zërat. Pas kësaj mësohet në lutje dhe në përmendje të Allahut. Kjo ndodhë në vetmi, përderisa nefsi nuk fillon të ndiejë qetësinë kur përmend Allahun. Kjo, duket e rëndë në fillim, por kënaqësinë e ndien në fund të udhëtimit. Për te është rëndë të përballoj sepse është mësuar në qumështin e nënës kur do që dëshiroj. Për këtë ai qanë dhe është nervoz gjatë ndarjes nga mëkimi.
Ngjashëm është edhe me kalin deri sat a ushtrosh të kalëroj.
Nuk ka asnjë njeri të mençur i cili nuk do të zgjedhë përballimin e vështirësive dhe pengesave në rrugë, ose për të mësuar zanatin, një muaj, një vit apo shumë vite sepse pas kësaj do të mund të kënaqet për shumë vite ose tërë jetën. Tërë jeta në këtë botë në krahasim me jetën e përhershme është shumë, shumë e shkurtër. Për këtë nevojitet durim dhe sakrificë.
Andaj, njeriu le të largohet nga ajo që ndien kënaqësi, pastaj në vetmi le të përcjellë sjelljen e zemrës së tij, që mos të preokupohet me asgjë përveç me përmendje të Allahut dhe meditim për Atë. Le të lirohet nga vesveset (pëshpëritjet) ne nefsit, e kjo arrihet duke ia prerë rrënjët e tij.
Këtë le ta bëjë tërë jetën, sepse nga lufta me te nuk do të lirohet deri në vdekje.