Hyrje
“A ishit ju dëshmitarë kur Jakubit iu afrua vdekja, e ai bijve të vet u tha: "Çka do të adhuroni pas meje"? Ata thanë: "Do ta adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e prindërve tuaj: Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, një të vetmin Zot dhe ne, vetëm Atij i jemi dorëzuar"! (1)
Zoti i Lartësuar e krijoi njeriun që të jetojë në Tokë dhe të jetë mëkëmbës në të, i cili do ta ndërtojë Tokën dhe do të vendosë rend e rregull në rruzullin e saj. Formula sipas të cilës njeriu duhet ta ndërtojë Tokën dhe ta organizojë jetën në të, në mënyrë që ta realizojë lumturinë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër, përbëhet prej dy pjesëve. Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe Muhammedi është Pejgamberi i Zotit. Me pjesën e parë të kësaj formule shprehet pranimi i plotë i bindjes ndaj Zotit (xh. sh.) në të gjitha segmentet e jetës tokësore të njeriut. Me pjesën e dytë të formulës së jetës përcaktohet kualiteti i asaj bindjeje. Natyrisht, formulën e përmendur në këtë kontekst nuk do të ketë nevojë më gjerësisht ta elaborojmë, por ajo është gurthemel për shqyrtimin e temës së shtruar dhe problematikës që trajtohet në këtë libër. Ai, i cili e pranon Zotin për Krijues, Zot (Zotërues) dhe Mirëmbajtës të gjithë Universit dhe kush e pranon që bindja e tij nënshtruese të jetë në mënyrën si e ka shpjeguar Muhammedi (a. s.), prej tij mund të pritet realizimi i qëllimit të Zotit në Tokë, përkatësisht ai meriton të mbart epitetin e mëkëmbësit të Zotit (halife).
Që nga fillimi i njerëzimit e deri më sot, në kontinuitet, njerëzve u është komunikuar e vërteta e besimit në Një Zot të Vetëm, All-llahut (xh. sh.), Krijuesit të çdo gjëje që ekziston në këtë botë.
Mirëpo, duhet theksuar se gjatë tërë kohës në histori kanë ekzistuar edhe sot e kësaj dite ekzistojnë grupe te caktuara njerëzish, të cilët duke ndjekur rrugën e shejtanit, në mënyrë aktive janë bërë pengesë për përhapjen e misionit me të cilin Zoti i obligoi të dërguarit e Tij që t’ia përcjellin mbarë njerëzimit. Ata duke i larguar njerëzit nga besimi në All-llahun (xh. sh) trilluan një varg hyjnish të rreme. Të tillët nuk e përfillen paralajmërimin e All-llahut (xh. sh) që ua bëri gjithë njerëzve në rruzullin tokësor:
“All-llahu ua zgjodhi fenë juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë"!(2)
Në historinë e shekullit njëzet do të mbetën të shënuara dy dukuri, të cilat i dhanë atij vulën më të errët në histori, e ato janë:
1. Përpjekja e instalimit të sistemit ateist si sistem jete, i cili kishte filluar me revolucionin e Tetorit,
2. Ai sistem ofroi një varg hyjnish të rrejshme (si kulti i personalitetit etj.)
Gjithnjë sa herë që ata njerëz vinin në pushtet, në Tokë zotëronte rrëmujë:
“E kur atyre u thuhet: "Mos e prishni rendin në tokë"! Ata thonë: "Ne jemi vetëm përmirësues (paqësues)!" Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.” (3)
Me dekada të tëra në shpirtin dhe zemrën e njeriut të ri ishte hedhur helm. Shkolla, kinemaja, teatri, vendet e dëfrimeve, gazetat, revistat, librat – me forcat e bashkuara punonin për çrrënjosjen e besimit, për “çlirimin” e të rinjve nga “lajthitjet” fetare. Jeta, njeriu, natyra interpretoheshin vetëm shkencërisht, ishte krijua një “moral i ri”, ishte zhdukur përgjegjësia, çdo gjë ishte bërë e lejuar. Të rinjtë u bënë invalid të vërtetë, shpirtërisht dhe moralisht të gjymtuar, qenie pavullnet, pa orientim në jetë, pa fuqi rezistuese kundër të keqes në vete dhe rreth vetes, nuk shihnin askund zgjidhje, s’kishin përgjigje, nuk kishte gjë që vlente për ta. Duke rënë në haram edhe vetes edhe të tjerëve u përsërisnin “Më lër në qetësi!”
Në kohën e sotme, pasi kaloi periudha e shtrëngimit të njerëzve dhe presionit të madh për t’i larguar nga rruga e Zotit, sot jemi të pushtuar nga vlerat e dynjasë, veçanërisht nga grumbullimi i pasurisë. Nuk i kushtojmë rëndësi mënyrës së fitimit të saj, duke u frikësuar se mos varfërohemi. E harrojmë që All-llahu (xh. sh.) e jep riskun dhe në këtë është i pavarur nga askush.
Në këtë preokupimin tonë, me vetëdije apo pa vetëdije, i harrojmë obligimet tona ndaj vetvetes dhe bashkësisë sonë. Harrojmë që në qoftë se nuk jemi të vetëdijshëm për rrënjët e ekzistencës sonë dhe besimit tonë, grumbullimi i pasurisë materiale nuk do të ketë dobi, përkundrazi do kthehet kundër nesh, në mënyrë të veçantë nëse i harrojmë obligimet tona ndaj pasardhësve tonë.
Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin që një rini që është e orientuar dhe edukuar mirë, me ndihmën e All-llahut, është garanci për mbijetesën tonë në fenë dhe moralin tonë...
Problemi i rinisë dhe edukimi
Një problem i madh me shtrirje të pakufishme hapësinore e kohore. I përjetshëm, përherë i pranishëm në jetën shoqërore të çdo epoke historike, të çdo vendi, të çdo populli.
Ai ka preokupuar gjithmonë mendjet e njerëzve dhe aksionin shoqëror. E kanë trajtuar dhe e trajtojnë mendimtarë e dijetarë, sociologë, politikanë e veprimtarë shoqëror. E, patjetër, edhe parti politike e shtete, që nga lashtësia antike e deri në ditët e sotme.
Sigurisht ky problem universal me motiv unik, në epoka të ndryshme historike e në vende të veçanta, ka pasur edhe trajtime e përgjigje të ndryshme, në varësi nga epoka historike, nga natyra e rendit shoqëror si dhe nga kushtet e zhvillimit të çdo vendi.
Të folurit për problemet e rinisë në kohën e sotme është i nevojshëm dhe i rëndësishëm për shumë arsye.
I pari prej tyre është fakti që rinia në këtë etapë të jetës përjeton ndryshime trupore dhe shpirtërore, pastaj ndryshime në mënyrën dhe stilin e jetës e të ngjashme. Këto ndryshime fiziologjike, në rastet më të shpeshta bëhen shkaktare që te rinia të paraqiten lloje të ndryshme problemesh për shkak të cilave rinia ndjen nevojë të domosdoshme për zgjidhjen e tyre.
Arsyeja e dytë është fakti tjetër që në këtë moshë njeriu është në shkallën më të lartë të fuqisë, e cila përbëhet prej: fuqisë fizike, aftësisë së vrojtimit dhe gatishmërisë që të sakrifikohet për qëllimet e veta, etj. Kjo fuqi mund të ndikojë për shumëçka në bashkësi dhe të japë rezultate të mëdha. Po ashtu, kjo fuqi mund të jetë e dëmshme dhe fatale për tërë bashkësinë nëse lihet të bredhë nëpër rrugët e errëta të lajthitjes.
Arsyeja e tretë është që rinia, për dallim nga të tjerët, ka më shumë kohë të lirë, e nëse gjatë asaj kohe nuk çlirohet nga neglizhenca dhe përtacia dhe nuk e shfrytëzon atë kohë të lirë në gjëra të mira, atëherë ajo ka humbur shumë.
Nga sa u tha më lart, të folurit për rininë bëhet i domosdoshëm. Në hadithin e transmetuar nga Abdullah in Mes’udi, Pejgamberi i All-llahut (s) thotë:
“Në ditën e Gjykimit, i biri i Ademit nuk do ta bëje as edhe një hap përpara për derisa të merret në pyetje për katër gjëra: për vitet e tija ku i ka kaluar, për rininë e vet si e ka shfrytëzuar, për pasurinë tij si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar, dhe a ka punuar sipas asaj që e ka mësuar.” (4)
Të flasësh mbi temën e ofruar kërkon seriozitet, kompetencë dhe gatishmëri që t’i përkushtohesh asaj tërë jetën, sepse veprat flasin më së miri për realitetin dhe kërkesat. Këtë temë mund ta vështrojmë nëpërmjet disa aspekteve të ndryshme, të cilët njëkohësisht janë të përafërt në përcaktimin e njeriut. Ato aspekte do të mund të ishin si vijon: aspekti antropologjik (kuptimi i jetës së kësaj bote, a ka nevojë njeriu për edukim dhe arsimim...), kulturologjik (përmbajtje, e cila trajton kulturën e përgjithshme dhe atë nacionale...), shoqëror-kritik ( të relativizohet çdo gjë që është e çastit dhe kalimtare...), teologjik (synimi i fesë dhe përcaktimi i qartë i qëllimeve...). Qëllimi im është që të tregoj për disa përcaktime teorike dhe praktike lidhur me periudhën rinore në jetën e njeriut shikuar kryesisht nga aspekti teologjik, por duke mos lënë anash edhe aspektet tjera të përmendura dhe ato që për objekt studimi kanë këtë moshë.
Nga aspekti i Sheriatit tërë jeta njerëzore është e ndarë në katër periudha dhe ato janë:
1. Devrul-xhenin – periudha në barkun e nënës
2. Devrul infisali ilet-temeizi – periudha nga lindja deri te mosha shkollore
3. Devruttemeizi ilel bulugi – periudha nga mosha shkollore deri në pjekuri
4. Devrul bulugi – periudha e pjekurisë
Në mënyrë të veçantë është i rëndësishëm fundi i periudhës së tretë dhe fillimi i të katërtës, e cila gjendet ndërmjet dy periudhave të dobësisë: fëmijërisë dhe pleqërisë. Për këtë periudhë në Kur’an thuhet:
“All-llahu është Ai që ju krijoi të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri. Ai krijon çka të dojë, Ai është më i dijshmi, më i fuqishmi.” (5)
Kjo është pikërisht periudha e rinisë. Islami i kushton rëndësi të veçantë kësaj periudhe në të cilën Muhammedi (s) thotë se do të ketë llogaridhënie të veçantë vetëm për këtë moshë, për rininë. Kështu, njeriu në ditën e Gjykimit do te pyetet në përgjithësi për jetën e vet, e në veçanti për rininë e vet. Rinia është gjëja më e shtrenjtë që e posedojmë në jetën tonë. Rinia është periudha më e bukur e jetës së njeriut. Dikush ka thënë: Fëmijëria është shëndet pa mend, e pleqëria është mendje pa shëndet. Rinia është e vetmja periudhë në të cilën ne posedojmë edhe shëndetin edhe mendjen. Mbase dikush do të thotë: Nëse do të japë llogari për tërë jetën, përse të pyetem edhe për rininë? Kjo është për arsye se ajo është periudha më e rëndësishme në jetë, ajo është periudha e aktivitetit më të madh, sepse e dimë se mesi është pjesa më e fuqishme në të gjitha gjërat.
(Vazhdon)
1. El-Bekare, 133
2. El-bekare, 132
3. El-Bekare, 11-12
4. Termidhiu
5. Err-Rrum, 54
• Shënim: Shkrimi i mësipërm është shkëputur nga libri me titullin: “Sfidat e rinisë bashkëkohore në kohën e globalizmit” (Mr. Muhidin Ahmeti).