Duke parë realitetin tonë të sotshëm të botës islame dhe sfidat metë cilat po përballen dijetarët e fesë në thirrjen islame, kërkohet një unifikim i qëndrimeve dhe mundësive për ta kryer thirrjen në rrugën e Allahut xh.sh. në mënyrë kolektive dhe kjo është diçka si tejet e domosdoshme dhe imediate.
Në shoqëritë joislame janë përhapur ide e imazhe të gabuara rreth Islamit duke e lidhur Islamin me gjithçka të keqe. I atribuojnë cilësi që nuk i përkasin si terrorizëm, fundamentalizëm, radikalizëm, dhunë, agresivitet, i prapambetur, jokohor, i egër, josocial etj. E gjithë kjo kërkon një angazhim të madh sa individi i vetëm nuk mund ta përballojë, por edhe një grup individësh nuk mund t’i bëjë ballë gjithë kësaj. Thirrja islame kërkon që të veprohet në mënyrë institucionale e më pas kolektive dhe këtë e argumenton vetë suneti i Muhamedit a.s., i cili urdhëronte secilin mysliman që përqafon fenë islame të shkonte në Medinë me qëllim që ta bashkojë energjinë-punën e tij me forcën e myslimanëve të tjerë që të orientohet në drejtim të saktë, ashtu siç orienton i Dërguari i Tij.(1)
Aktiviteti thirrës, për nga madhështia, rëndësia dhe vlera që ka, kërkon njerëz me aftësi të jashtëzakonshme dhe të larta, njerëz me veti burrërore dhe bujare, trimëri dhe durim, vendosmëri dhe burrëri, maturi dhe kujdes. Na duhet përqendrimi te këta njerëz të këtyre vetive të larta dhe të jashtëzakonshme, këta njerëz doemos duhet të prezantohen dhe të përgatiten jashtëzakonisht mirë. Këta u japin përparësi gjërave universale ndaj atyre të veçanta, thelbit para formës, së vërtetës që duket, vendosmërisë si parim, pa marrë parasysh rreziqet që mund të jenë, deri sa ta takojnë Allahun e madhërishëm me këtë. Rritja e numrit të atyre që shquhen me veti të larta e të jashtëzakonshme në aktivitetin e davetit, njëherit nënkupton edhe uljen e të paaftëve dhe është shenjë e suksesit dhe anasjelltas.(2)
Këshilla ndaj njëri-tjetrit për drejtësi dhe për durim
Nga ana tjetër kërkohet nga myslimani që të kontribuojë në shoqërinë e tij duke dhënë këshilla të dobishme në zhvillimin e mendimit njerëzor dhe atij mysliman në veçanti. Evs Eddari, r.a., transmeton se ka thënë i Dërguari i Allahut: Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë. – Thanë – Për kë o i Dërguari i Allahut? – tha – Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për drejtuesit e myslimanëve dhe për mbarë myslimanët.”(3)
Këshillimi njëri-tjetrin për drejtësi dhe për durim është kusht themelor prej kushteve të shpëtimit në këtë botë ashtu siç e cek Allahu në Suretul-Asr. Gjatë misionit të ftesës për në Islam, duhet të kihet durim shumë i madh dhe është prej tipareve kryesore për të cilat që na ka urdhëruar Zoti: “ O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet Allahu është me durimtarët.” (El Bekare,153).
Kurse në ajet tjetër thotë: “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut.” (Ali Imran, 200).
Kjo cilësi për thirrësit bëhet edhe më obligative kur dihet se sabri është tri llojesh: Durim në kryerjen e urdhrave të Allahut, durim në shmangien e ndalesave dhe durim në vendimet dhe caktimet e Zotit. Këtë cilësi duhet ta kemi para se të nisemi në misionin e daves. Edhe urtësitë e Lukman Hakimit drejtuar birit të tij flasin mjaft dhe Kurani na i sjell si shembull konkret në rrugën e Islamit: “O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.” (Lukman,17).
Duke shfletuar traditën e sahabëve të të Dërguarit a.s., vërejmë se ishin të kujdesshëm dhe asnjëherë nuk i kanë ndërlidhur mospajtimet e tyre sekondare me çështjet e besimit. Transmetohet nga Tarik bin Shehabi, i cili na rrëfen se në mes Halid bin Velidit dhe Sa’d bin Vekasit ekzistonin mosmarrëveshje, ndërsa Halidi e kishte përmendur Sa’din për të keq, por menjëherë kishte reaguar Sa’di, duke i thënë se ajo që ishte mes tyre nuk kishte të bënte me fenë.(4)
Thirrësi gjatë predikimit të Islamit fokusin kryesor duhet ta orientojë në bashkëpunimin, bashkimin e zemrave, radhëve dhe largimin nga përçarja e mosmarrë-veshjet dhe shmangien nga çdo gjë që shpie drejt përçarjes së rrethit të shoqërisë. Bashkimi dhe bashkë-punimi janë obligime islame dhe asnjë fe e asnjë ligj në botë nuk ka drejtuar thirrje në mirëqenie, unfikim, vëllazërim, bashkim e bashkëpunim, solidaritet dhe as që ka tërhequr vërejtjen nga mos-marrëveshja e armiqësia e nga përçarja ashtu siç ka ofruar Islami nëpërmjet mësimeve kuranore dhe traditës profetike.
Mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë
Mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentetKa thënë Allahu xh. sh. në Kuran: “O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë myslimanë (besimtarë)! Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut e mos u përçani! Përkujtoni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntitë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së Xhehenemit e Ai ju shpëtoi prej tij...” (Ali Imran, 100-107).
Kur flet Imam Sujutiu në librin “Eddurrul-menthur” për shkakun e zbritjes së përbashkët të këtyre ajeteve, thotë: Transmeton Ibn Is-haku nga Ibn Xheriri, nga Ibn Mundhiri, nga Ibn Ebi Hatimi, nga Ebu Shejhu dhe nga Zejd bin Eslemi i cili thotë: Shas bin Kajsi, i cili ishte plakur në xhahilijet dhe kishte urrejtje të madhe ndaj myslimanëve dhe që dallohej si jobesimtar i madh, kur ka kaluar afër një grupi të sahabëve të Pejgamberit a.s. nga fisi Evs dhe Hazrexh, të cilët ishin tubuar së bashku e bisedonin, ka vërejtur dallimin ndërmjet së kaluarës kur ishin armiq dhe ka thënë: ”Pasha Zotin, në këtë mënyrë s’mund t’u bëjmë asgjë”, e pastaj ka urdhëruar një djalosh hebre që të shkojë tek ata dhe t’ua rikujtojë ditët e hershme të konfliktit nëpërmjet recitimit të poezive, e posaçërisht ditën “Bi’ath” kur u përleshën Evsi dhe Hazrexhi. Nxitja e tillë ndikoi që dy burra, gjegjësisht Evs bin Kajdhi nga Evs dhe Xhebbar bin Sahër nga fisi Hazrexh të grinden dhe njëri prej tyre të thotë: “Nëse dëshironi, betohem në Zotin se mund të kthehemi aty ku kemi qenë!”. Në atë rast u hidhëruan të dy grupet dhe thanë: ”Të rikthehemi! Armët! Armët! Takohemi në drekë”. Për gjendjen e tillë të acaruar dëgjoi Pejgamberi a.s. dhe së bashku me sahabët muhaxhirë që ishin me të shkoi te ata dhe u tha: “O ju myslimanë, mbështetjuni Zotit! A riktheheni në xhahilijet duke qenë unë në mesin tuaj dhe pasi ju udhëzoi Zoti në Islam, pasi ju fisnikëroi me të dhe ju largoi nga xhahilijeti, pasi ju shpëtoi me të nga mosbesimi dhe jua bashkoi zemrat! A shndërrohemi përsëri në jobesimtarë? Kur e kuptuan se ky rast ishte nxitje nga djalli dhe kurth nga armiku i tyre, i shmangën armët anash, qanë dhe u përqafuan. Pastaj shkuan me Pejgamberin a.s., meqë u pengoi veprimi i fshehtë i Shasit i cili ishte armik i Zotit. Në këtë kontekst, Zoti e shpalli ajetin kuranor për rastin e Shas bin Kajsit: Thuaj: “O ithtarë të librit, përse i mohoni ajetet (argumentet) e Allahut? E Allahu mbikëqyr atë që veproni. Thuaj: “O ithtarë të librit, përse e pengoni atë që besoi nga rruga e Allahut, duke u angazhuar që ta paraqitni atë të shtrembër, ndërsa vetë ju, jeni dëshmues se është e vërtetë! Veprimi juaj nuk mund t’i shmanget mbikëqyrjes së Allahut.” (Ali Imran, 98-99)
Sa u përket Evs bin Kajdhit dhe Xhebbar bin Sahrit dhe të tjerëve nga fiset e tyre që bënë atë që bënë, Zoti xh.sh. zbriti ajetin: “O ju që besuat, në qoftë se ju i bindeni një grupi të atyre të cilëve u është dhënë libri, ata, do t’ju kthejnë në jobesimtarë.” (Ali Imran, 100).(5)
Unifikimin e fjalëve dhe qëndrimeve
Ajetet bëjnë thirrje të hapur për unifikimin e fjalëve dhe qëndrimeve të myslimanëve për hir të vlerave dhe peshës së Islamit që ka në jetën dhe të ardhmen e myslimanëve, si dhe na paralajmëron rrezikun dhe zhveshjen nga vlerat që i përfaqëson feja islame. Por edhe hadithet pro-fetike vendosin theksin mbi këtë çështje duke nënvizuar se ato bëjnë thirrje vazhdimisht në unitet, bashkim, vëllazërim dhe tërheqin vërejtjen nga përçarja, mosmarrëveshja, armiqësia dhe urrejtja.(6)
Tirmidhiu transmeton nga Ibn Umeri, i cili thotë: “Umeri na mbajti fjalim në Xhabije dhe na tha: ”O ju njerëz, unë e zëvendësoj Pejgamberin a.s. në mesin tuaj e ai (Muhamedi a.s.) thotë: “Ju porosis që t’i pasoni (ndiqni) sahabët e mi, pastaj ata që vijnë pas tyre, e pastaj ata që vijnë pas tyre (pas pasardhësve të sahabëve)... Të jeni të bashkuar (përmbahjuni xhematit) dhe të keni kujdes nga përçarja ngase djalli është me njërin kurse më larg prej dy vetave (larg bashkimit). Ai që dëshiron të hyjë në mes të xhenetit, le t’i bashkëngjitet bash-kësisë (xhematit)”.(7)
I Dërguari a.s. disa shprehje të periudhës së injorancës i fuqizoi me kuptim të ri të cilat nuk janë dëgjuar më herët. Sikurse është hadithi “Ndihmoje vëllanë tënd, dëmtues qoftë apo i dëmtuar!” Një njeri tha: O i dërguar i Allahut, do t’i ndihmoj kur i bëhet dëm, por si t’i ndihmoj kur ai bën dëm? Pejgamberi a.s. tha: “Ta pengosh - ose ta ndalosh nga dhuna - kjo është ndihmë për të.”(8)
Me këtë hadith, kuptohet drejt nocioni i ndihmesës kur personi bënë dëm, dhe kjo ndihmesë bëhet kërkueshmëri për të ndihmuar atë ta mposhtë emocionin e tij, mashtri-min e shejtanit, dhe e ndihmon në mënyrë që të mos bjerë në rrethin e padrejtësisë e cila është barrë për këtë botë dhe errësirë në ditën e Gjykimit. I Dërguari a.s. po ashtu tërheq vërejtjen nga thirrja në kohe-zion social-sensus communis- (el asabijje) apo çfarëdo lufte nën fla-murin e tij dhe kushdo që vritet nën këtë thirrje është vdekje si në ditët e injorancës. Transmetohet nga i Dërguari a.s. se ka thënë: “Kushdo që lufton nën bajrakun e verbër, thirr në kohezion social (asabijje), mbë-shtet këtë dhe vdes, ai do të vdesë me vdekje si të ditëve të Injorancës.”(9) Kurse në një hadith tjetër, i Dërguari a.s. thotë: “Kushdo që e lë bindshmërinë dhe ndahet nga Xhemati dhe vdes (në atë gjendje), ai do të vdesë me vdekje të ditëve të Injorancës. Kushdo që lufton nën bajrakun e verbër, duke u hidhëruar për kohezion social (asabijje), apo duke thirrur në këtë apo duke e mbështetur këtë dhe vdes, ai do të vdesë me vdekje si të ditëve të Injorancës”.(10)
“Nuk është nga ne kush propagandon dhe krijon urrejtje dhe fanatizëm, dhe në emër të fanatizmit dhe urrejtjes.(11)
Vathele bin El Esk’a i ka thënë të Dërguarit a.s. për asabijje-n (kohe-zionin social). Ai iu është përgjigjur: është kohezion social kur dikush ndihmon popullin e vet kur ai është në rrugë jo të drejtë. Të ndihmosh kombin tënd në padrejtësi.(12)
Po ashtu Ibn Mes’udi transmeton mevkufen (hadithi i ndaluar- stopuar tek sahabët) dhe merfuan (hadithi i ngritur tek i Dërguari a.s.,: “Kush ndihmon popullin e tij në të padrejtë, ai është sikurse deveja e cila bie në një gropë dhe njeriu mundohet ta tërheqë për bishti .”(13)
Imam El Hitabi duke e sqaruar këtë hadith shpjegon se ai person bie në mëkat dhe shkatërrim, sikurse deveja që bie në pus e që përpiqet të dalë me anë të bishtit të saj e nuk mundet. Ashtu siç i Dërguari a.s. ka shprehur mosmiratim ndaj ”kohezionit social” dhe ka hequr dorë nga ajo dhe nga ai që thërret në të, lufton për të apo edhe vdes për të. I Dërguari a.s.ka vërtetuar me vepër, pëlqim, apo miratim në forcimin e xhematit dhe ka tërhequr vërejtjen nga ndasitë, mospajtimet, nga vetmia dhe ndarja. Nga hadithet që ka thënë për këtë çështje janë: “Dora e Allahut është mbi Xhematin.”(14)
“Xhemati (uniteti) është mëshirë (rahmet) kurse përçarja është vuajtje”(15), dhe sipas një transmetimi tjetër “Xhemati (uniteti) është mirësi (bereqet), kurse përçarja është vuajtje.16 “Kapuni fort pas xhematit dhe kini frikë nga përçarja, sepse shejtani është i fortë dhe më afër me një person dhe më larg nga dy persona. Kush do të hyjë në mes të xhenetit, le të kapet fort pas xhematit”.(17)
__________________
1. Abdulkerim Zejdani, Usulu eddave, Muesesetu errisale, botimim i IX-të, 1999, Bejrut, f.310.
2. Hisham Talib, Besëlidhja e thirrjes islame, Logos-A, Shkup, 2017, f.48.
3. Sahih Muslim, nr.55, Ebu Davudi nr.4944, tek Tirmidhiu nr.1927 dhe Nesaiu (7/156).
4. Ali Bekr el Hejthemi Nuruddin, Mexhmeu-z-evaid ve men-beu-l- fevaid, Mektebetu el Kudsi, Kajro, 2015, v.7, f.223. Ndërsa Hejthemiu thotë se këtë e transmeton edhe Taberaniu dhe se transmetuesit e tij janë besnikë.
5. Xhelaluddin Abdurrahman Ebi Bekr Essujuti “Eddurrul-menthur fi tefsiril me’thur”, Dar el fikr, Bejrut, 2011, v.2, f.57-58.
6. Jusuf Kardavi, Fi fikhi-l- evlevijat, Mektebetu Vehbe, Kajro, bot.2,1996,f.154.
7.Tirmidhiu e transmeton në “el Fiten” nën numrin 2166 me thumbim, duke thënë se është transmet-uar nga Omeri në formë tjetër. Edhe Hakimi në sahihin e tij e transmeton sipas kushteve të dy shejhëve (Buhari-ut dhe Muslim-it), kështu mendon Dhehebiu (1/114).
8. Nga Enesi kanë transmetuar Ahmedi, Buhariu,Tirmidhiu, kurse Muslimi nga Xhabiri transmeton kuptimin. Shiqo "Sahihul-xhami'is-sagir", 1501,1502.
9. Muslimi në kapitullin “El Imare” nr. (1850) nga Xhundub bin Abdullah el Bexhili.
10. Muslimi nga Ebu Hurejre nr (1848).
11. Ebu Davudi në kapitullin “El Edeb” nr. 5121.
12. Ebu Davudi (5119).
13. Ebu Davudi mevkufen (5117) dhe merfuan (5118).
14. Tirmidhiu nga Ibn Abbasid he Ibn ebi Asim,Hakimi nga Ibn Omeri,Ibn ebi Asim nga Usame bin Sherik siç ceket në "Sahihul-xhami'is-sagir" (8065).
15. Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij dhe Ibn Ebi Asim në “Es-sune” nga Nu’man bin Beshir, ashtu siç ceket në "Sahihul-xhami'is-sagir".
16. Bejkehiu në shu’abil iman nga Nu’mani. Shiko “Sahih el xhami” (3014).
17. ebu Davudi dhe të tjerët në ‘El Xhihad” (2528),Ibn Maxhe (2782) dhe Hakimi. E ka saktësuar në 153-152/2 , ku e mbështet edhe Dhehebiu.