Caktimi i Zotit dhe korona virusi!


Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: „Dhe mbështetu në të plotfuqishmin, mëshiruesin. I cili të sheh kur të ngrihesh në këmbë. (E të sheh) Edhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen. Në të vërtetë, Ai është dëgjuesi, i dijshmi.” (Esh-Shu'ara, 217-220)
Dhe thotë i Lartësuari: „ Thuaj: "Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na është caktuar nga Allahu; Ai është ndihmëtar yni". Prandaj, vetëm Allahut le t'i mbështeten besimtarët.” (Et-Tevbe, 51)
Çfarë është Kada dhe Kader (Caktimi i Zotit)?
E vërteta e gjashtë themelore e fesë Islame ose kushti i gjashtë i Imanit është besimi në fatin dhe caktimin, dhe se gjithçka që ndodh - ndodh me vullnetin e Allahut dhe caktimin e Tij.
Kështu, pa besuar në atë të vërtetë, besimi nuk është as i plotë dhe as i saktë. Ajo lind si pasojë e natyrshme dhe logjike e besimit në Allahun e Plotfuqishëm (tevhid), në gjithëdijen e Tij ('ilm), vullnetin (meshi'e) dhe plotfuqinë (kudret).
Sidoqoftë, kjo e vërtetë e besimit është ndoshta më e vështira për t'u kuptuar për vetë besimtarët, myslimanët. Shumë mbeten të hutuar dhe të pasigurt për këtë, ndërsa disa i hutojnë të tjerët duke folur për të gabimisht, joprofesionalisht dhe injorantisht.
Më poshtë do të përmendim përkufizimet e fjalëve Kada dhe Kader:
- Kada (caktimi) janë gjëra që Allahu, xh.sh., i ka caktuar dhe të cilat do të ndodhin kur të vijë koha.
- Kader (fati) është caktimi i Allahut, për kohën, vendin, karakteristikat dhe mënyrën e të cilit e di vetëm Allahu xh.sh.;
Mbështetja e vërtetë tek Allahu xh.sh.
Ibn Rexhebi r.h.m., thotë: “Tevvekuli është mbështetja e vërtetë me zemër tek Allahu i Lartësuar gjatë fitimit të dobisë dhe largimin e dëmit, në dynja apo në ahiret”.
Përmes tevekkulit – mbështetjes së sinqertë tek Allahu xh.sh., plotësohen nevojat, dhe sa më shumë që kuptimet e tevekkulit të realizohen në zemrat tona - aq më shumë dëshirat, shpresat dhe nevojat tona janë realizuar. Të Dërguarit e Allahut ishin në këtë nivel besimi dhe shembulli më i bukur është i pejgamberit Ibrahim a.s., atëherë kur u katapultua dhe u hodh në zjarrin e madh, kur engjëlli Xhibril erdhi tek ai dhe e pyeti: “A keni nevojë për diçka? Ibrahimi a.s., i tha: Sa për ty - unë nuk kam nevojë për ty, e sa i përket Allahut xh.sh., Ai është i mjaftueshëm për mua dhe një Mbështetje e mrekullueshme! - pas kësaj zjarri u bë i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin a.s.”.
Një nga shembujt më të qartë të tevekkulit të vërtetë është Hixhreti i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ne nxjerrim disa mesazhe të qarta dhe jo të dykuptimta nga ky udhëtim i famshëm:
- Pejgamberi s.a.v.s., nuk u nis në udhëtim vetë, pa ndonjë shok për ta ndihmuar nëse do të duhej, pa e zvogëluar mbifuqinë e Allahut mbi gjithçka.
- Përgatiti ushqim të mjaftueshëm për vete për udhëtimin.
- Kur largohet nga shtëpia e tij, ai e lë Aliun r.a., në shtrat, i cili kishte për detyrë ta mashtronte dhe ta mbante armikun që synonte ta vriste Muhamedin s.a.v.s..
- Për udhëtimin ai ishte pajisur me një kalorës të shëndetshëm dhe të fortë që mund t'i rezistonte përpjekjes së madhe të një udhëtimi të gjatë në nxehtësinë e diellit dhe rërës, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm.
- Merr një udhërrëfyes të aftë dhe të shkathët për udhëtimin, i cili i dinte të gjitha shtigjet dhe rrugicat që bënin të mundur lëvizjen dhe kështu të shpëtonin nga ndjekësit.
- Strehohet në një shpellë në drejtim të Jemenit në mënyrë që të gjurmojë ndjekësit, duke mos pritur që ata të ndjekin gjurmët e tij, nga e cila rruga vazhdon drejt Medinës.
Vetëm pas kaq shumë përgatitjeve, punës së kryer dhe përpjekjes së investuar ai shpreh mbështetjen e tij tek Allahu i Lartësuar.
Lidhe devenë dhe mbështetu tek Allahu xh.sh.
Një fjalë e urtë e vjetër arabe thotë: "Lidhe devenë e pastaj shpreso!"
Është shumë e rëndësishme që një person të investojë tërë mundin dhe përpjekjen e tij që është në aftësinë e tij, dhe pastaj të mbështetet në ndihmën e Allahut xh.sh.. Allahu i Lartësuar nuk do të ndihmojë robin i cili vetëm shtrihet dhe pret ndihmën e Allahut, as atë që sillet lehtësisht pa qenë i bindur ndaj urdhrave dhe këshillave dhe thotë vetëm se: “...asnjë gjethe nuk bie nga dega pa vullnetin e Zotit dhe caktimin e Tij... ”, dhe të ngjashme, kurse ne të gjithë, me siguri, nuk kemi dyshim se kjo është kështu. Le të mendojmë mirë për shembullin vijues të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..:
„Një ditë Muhamedi s.a.v.s., takoi një beduin i cili la një deve pa e lidhur. Ai e pyeti: "Pse nuk e lidhe devenë?" Beduini u përgjigj: "Unë jam mbështetur tek Allahu". Për këtë Pejgamberi s.a.v.s., tha: "Së pari lidhe devenë, pastaj mbështetu tek Allahu". (Tirmidhiu)
Sigurisht, Allahut duhet t’i mbështetemi, dhe Ai është mbrojtësi më i madh, por mbi të gjitha, njeriu duhet të bëjë atë që mundet dhe atë që i kërkohet të bëjë, dhe pastaj të mbështetet tek Allahu i Lartësuar.
Myslimanët nuk duhet të jenë fatalistë. Megjithëse e dimë që Allahu menaxhon gjithçka në Tokë dhe se Ai vendos për të gjitha gjërat, secili prej nesh individualisht është përgjegjës për të bërë zgjedhjet dhe gjërat e duhura në të gjitha situatat e jetës. Ne duhet të bëjmë diçka për të lehtësuar vështirësitë tona, vështirësitë e familjes dhe komunitetit tonë.
Si përfundim, do të përmendim parimin kuranor: "Pyeti të diturit/kompetentët, për çështjet që nuk i dini" (En-Nahl, 43). Dhe parimi i dytë: "Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit të Tij dhe përgjegjësve nga ju…" (En-Nisa, 59).
Prandaj, le të jemi nga ata që marrin udhëzime, i ndjekim udhëzimet e Kuranit dhe udhëzimet e Pejgamberit tonë të dashur dhe të jemi të bindur ndaj njerëzve dhe institucioneve tona kompetente.
Le të jemi prej atyre që mundohemi me punën tonë e pastaj mbështetemi tek Allahu xh.sh.. Të jemi prej atyre që e lidhim devenë, i vendosim maskat, e mbajmë distancën, e mbajmë higjienën dhe i dezinfektojmë duart tona, e pastaj mbështetemi tek Allahu xh.sh., dhe në Kaderin e Tij!!!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi