A vjetërohet feja përballë trendeve moderne


(Ju kënaquni në mënyrë “kulturore”, por na leni neve të lirë të jetojmë në mënyrë religjioze)

Rrethanat në shoqërinë tonë në përgjithësi dhe në kulturë në veçanti, janë tejet konfuze, madje edhe anarkike. Këtë më së miri mund ta vërejmë nga mediumet e shkruara dhe elektronike në Kosovë dhe rajon. Qasja ndaj fenomenit të kulturës moderne është jokritike, sipërfaqësore dhe më tepër i përngjan një fushate elektorale partiake se sa një mediumi që synon të formojë mentalitet në një kohë dhe në një vend.
Nga një anë, mediumet tona janë pushtuar nga shou-biznesi dhe konsekuencat e tyre, e në anën tjetër, religjioni, kultura religjioze dhe njeriu religjioz trajtohen pikërisht sikurse fosilet e dinosaurëve, sikurse për një çështje që i përket të kaluarës së largët, muzeumeve, sipas slloganit të njohur: “ç’na paska qenë njëherë”.
Sipas disa “analistëve” dhe “intelektualëve”, religjioni tashmë paraqet çështje kognitive për pakicën e një shoqërie. Ata, të ngarkuar nga ideologjia e tyre “moderne” dhe nga injoranca intelektuale, shpërfillin realitetin njerëzor dhe shoqëror, e kurrsesi nuk duan të pranojnë se shoqëria njerëzore, pra edhe ajo shqiptare, tregon shkallë të lartë të kushtëzimit të ndërsjellë të shoqërisë dhe të religjionit dhe se kjo gjendje edhe sot, në masë të madhe, përcakton sjelljen njerëzore ndaj natyrës, njerëzve, shoqërisë, shtetit, Zotit, shpirtit, vdekjes etj.
Ky segment shoqëror nuk dëshiron ta kuptojë se religjioni për njeriun është intim, i afërm, pjesë integrale e tij dhe se ai, religjioni është i pranishëm te njeriu edhe tash, megjithëse në kushte të ndryshuara historike dhe qytetëruese. Segmenti i apostrofuar nuk dëshiron ta kuptojë se një pjesë e mirë e auditoriumit tonë ka nevojë të patjetërsueshme, por ka edhe të drejtë, për program tjetërfare nga ai i aktual në shenjë të Riki Martinit, Stallones, Shvarcenegerit, Xheksonit, Madones apo në shenjtë të telenovelave dëshpëruese, pastaj në shenjtë të estradës së vendit etj., të cilat i serviren njeriut bashkëkohor. Këto programe në aspektin kulturor janë shund e kiç, në aspektin moral janë humnerë, në aspektin politik janë hedhje pluhur syve elektoratit për t’ia pamundësuar t’i shoh problemet e vërteta dhe dëshmojnë një nga dështimet më serioze në planin kulturor e politik në dy shekujt e fundit.
Është vështirë ky fenomen të përkufizohet me një fjali, por kjo gjendje tregon se shumica e atyre që sot formojnë mentalitetin e popullsisë nuk e njohin fenë, e Islamin më së paku, se të gjitha informacionet për Islamin ata i kanë nga sulmet mediatike serbe mbi muslimanët në Kosovë dhe nga burimet islamofobike e ksenofobike të botës, se nuk kanë lexuar literaturë islame apo edhe tjetër. Ata nga kafenetë ku i fabrikojnë (kopjojnë nga të tjerët) idetë e tyre, nuk vërejnë se mungesa e “fetares” në Evropë dhe botë është diagnostifikuar si “vështirësia qenësore e shpirtit tonë” (B. Vellt) dhe se këtë mungesë po e vuajmë të gjithë së bashku, edhe gnostikët edhe agnostikët, edhe fetarët edhe afetarët.
Për këtë dhe arsye të tjera, nuk keni të drejtë që njerëzve të tjerë, të cilët nuk mendojnë dhe veprojnë si ju, t’ua pengoni dhe kontestoni besimin në Zot dhe mënyrën si e besojnë ata, dhe atë në mënyrë shumë fanatike, militante dhe të pafytyrë. Ata harrojnë se liria e tyre njerëzore nuk mund të fitohet me luftë kundër “Qiellit” dhe në rebelim kundër Botës Unikale Hyjnore. Inteligjenca teknike dhe mendja instrumentale (M. Horkheimer) nuk janë të mjaftueshme që synimet e veprimit njerëzor ta fitojnë kualifikimin e tyre etik. Ata harrojnë se liria, intelektualiteti i mirëfilltë dhe jetesa e ndershme nuk mund ta arrihet nëpërmjet individuumit grek, qytetarit romak ose nëpërmjet mënyrës së të menduarit personalist.
Natyrisht, ne nuk ua kontestojmë të drejtën e qëndrimit tuaj kritik ndaj fesë, doktrinës dhe praktikës së saj, ndaj korpusit të të drejtave njerëzore etj. Ju mund të kritikoni, por ju nuk keni të drejtë të kërkoni unifikimin, tretjen tonë në ju, të veprojmë sipas mendjeve tuaja. Filloni të adaptoheni në mënyrë të re të jetesës, me një melodi fetare që po dëgjohet, me takt fetar, sepse shekulli 21 nuk do të jetë ai i 20-ti.
Ju kërkoni nga ne të heqim dorë nga ana praktike e Kur’anit dhe Hadithit, nga mësimi i Ebu Hanifes dhe Imam Maturidiut, nga Gazaliu dhe Hafiz Shirazi, nga Ibn Sinai dhe Ibn Rushdi, sikur që disa të tjerë kërkojnë largimin nga Dekarti, Gëte dhe Van Gogu. Ne muslimanët nuk do të heqim dorë nga vlerat e mirëfillta, qoftë “të botës sekondare” të qytetërimit teknik, qoftë “të botës primare” e cila dëshmon parimin e rendit më të lartë.
Me fjalorin që i sulmoni alkoolistët, narkomanët dhe perversitetin ju po sulmoni edhe personin religjioz dhe vetë religjionin, madje edhe më rëndë. Ata herë-herë i mbroni në emër të lirisë së veprimit dhe të drejtasve njerëzore, por njeriun religjioz e shtyni në skajin më të pambrojtur. Në këtë na bindin shumë emisione televizive e mediume të tjera të shkruara dhe elektronike. Po harroni se këto deformitete janë pasojë e egoizmit njerëzor të kohës moderne, apo pasojë e tuhuajësimit dhe vetëharresës së njeriut.
Keni për detyrë dhe obligim që brezat e rinj t’i njoftoni, por nëse ju nuk mundeni për shkak të mosdijes, kapricieve apo ngarkesave të tjera, lejoni që këtë ta bëjnë ata që dëshirojnë dhe munden. Apo, vallë, ende dëshironi sa më shumë amoral, lojë, argëtim, perversion dhe sa më pak religjiozitet! Nëse ju keni dilema dhe hamendje, ne nuk kemi. Jemi nga ata që kulturën e kuptojmë më shumë se konsumim dhe shfrenim, argëtim dhe joseriozitet.
Në fund të fundit, ne ju lejojmë juve që të kënaqeni me mënyrën tuaj “kulturore” me “yjet” e filmit dhe muzikës, sportit dhe politikës, por na leni neve të lirë të jetojmë në mënyrën tonë religjioze.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi