Falënderimet i takojnë Allahut të madhërishëm, ndërsa bekimet dhe përshëndetjet më të sinqerta ia dërgojmë zotëriut të njerëzimit, Muhammedit a.s.
Jam i privilegjuar të jap vlerësimin tim modest për filmin dokumentar të z. Fatmir Muja - 7 ditët dhe 7 qiejt e namazit.
Në fillim dua të theksoj se të flasësh për namazin si shtyllë kryesore të islamit do të thotë të kesh kurajo, dituri gjithëpërfshirëse, njohuri të thellë, guxim e mbi të gjitha përgjegjësi të madhe për të thënë gjithë atë që meriton namazi.
Sepse namazi është burim i frymëzimit për besimtarin, burim i energjisë pozitive, bisedë e ngrohtë dhe e sinqertë e besimtarit në audiencën e Allahut pesë herë në ditë.
Namazi nuk është pushim i mendjes, por rilindje e zemrës dhe shpirtit, hapje e horizonteve të reja, gjatë të cilave besimtari merr dritë të re, nektar të freskët, valë të reja të mëshirës dhe qasje të re nga afërsia hyjnore. Nëse besimtari e fal namazin me përkushtim të plotë, me praninë e fuqishme të zemrës (la salate il-la bihuduril kalb) dhe shpirtit duke u zhytur në pastërtinë e plotë, siç kërkon Allahu i madhërishëm prej nesh, ai namaz kalon shtatë qiejt dhe shërben si ilaç i fuqishëm kundër sëmundjeve trupore e shpirtërore.
Gjatë namazit, analizat e bëra laboratorike të gjakut të qendrave akupunkturale të punës së zemrës, të lëvizjeve së gjymtyrëve, të bushtit kurrizor të likvorit cerebrospinal, të tensionit të gjakut, pulsit, bioritmit të trurit, shënuan rezultate mahnitëse.
Namazi është institucion për edukim trupor e shpirtëror. Është motor i fuqishëm që e vë njeriun në lëvizje pesë herë në ditë. Është fuqi nga e cila buron adhurimi, pastërtia, kultura, qytetërimi, civilizimi, edukata dhe morali. Është arma më e fuqishme kundër nxitimit dhe stresit.
Duke cituar pjesë nga Kurani, besimtari i lutet Allahu xh.sh. për lumturi dhe shpëtim, angazhon maksimalisht fuqinë mendore dhe energjinë intelektuale, ushtrohet dhe lartësohet duke u ngritur mbi qenien shtazore, duke u bërë vetëm rob i Allahut.
Namazin do ta quaja një institucion multidimensional të islamit dhe çdo qasje paraqet vetëm një pikë në këtë oqean të pafund.
Filmi i Fatmir Mujës paraqet një qasje të namazit nga aspekti filozofik, socio-psikologjik, pedagogjik, simbolik, metafizik dhe gnostik.
Në një afat të shkurtër prej 56 min., autori ka arritur në mënyrë brilante të nxit intelektin, intuitën, imagjinatën për të medituar thellë për namazin.
Imagjinata e bujshme e autorit prek shumë gjëra me rëndësi nga pika dhe fyelli i Rumiut deri tek aspektet e brendshme dhe meridianet shpirtërore të Gazaliut.
Megjithëse me një afat të shkurtër kohor, autori ka arritur të ngërthejë dhe shpjegojë me gjuhën e simboleve shumë çështje që e stërngarkojnë njeriun e sotëm bashkëkohor.
Përshkrimin e ilustrojnë për bukuri elokuenca dhe metafora e fjalës, fuqia magjike e saj, nëpërmes artistëve brilant, pejsazhet e bukura të natyrës, simbolika e numrave, dhe universit të pafund me epiqendër njeriun.
Autori arrin t’i koordinojë ekzoterizmin dhe ezoterizmin (dhahir dhe batin), duke i dhënë një përparësi metafizikës dhe gnosës në protagonistin e bariut.
Me mjeshtëri të rrallë artistike përshkruhet abdesti dhe namazi, duke ngërthyer formën e jashtme dhe të brendshme, duke ilustruar me shembullin e Mexhnunit.
Autori për të arritur qëllimin sublime është shërbyer me metaforë, alegori dhe simbolikë që paraqesin një formë të veçantë të komunikimit dhe vlerën e tekstit.
Poashtu me bukuri artistike është paraqitur lidhja e njeriut (mikrokozmos) në namaz me sferat kozmike deri te Froni Hyjnor, ku mendja e njeriut ndal vrapin e saj, ngec e nuk arrin.
Nuk e lë pa e përshkruar edhe rëndësinë e fërkimit të pjesës paraballore të kokës në sexhde, por sikur të shtonte se kjo pjesë më e rëndësishme e njeriut është qendër për motivim, planifikim, organizim dhe gënjeshtër, andaj ne duke prekur këtë pjesë me tokën (pjesa frontale), ne përgatitemi dhe motivohemi për të planifikuar dhe organizuar jetën tonë sipas urdhrave të Allahut, sinqerisht, pa gënjeshtra dhe devijime.
Sipas mendimit tim modest, ndoshta fillimi i dokumentarit (i cili zgjat rreth 17 minuta) do të ishte më komplet sikur të fillonte me versetin e Kuranit fisnik:
“Fale namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve) . . .” (El - Ankebut, 45)
“Ngjyrosje e Allahut e kush ngjyros më mirë se Allahu . . .” (El - Bekare, 138)
Në këtë të ndërlidhej:
“Namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.” (En - Nisaë, 103)
- për të treguar bioritmin mahnitës të pesë kohëve të namazit në rregullimin e sistemit neuro-hormonal me një efekt të fuqishëm mënjanues të stresit që sot aq shumë i është ekspozuar njeriu modern.
“Mos iu qasni namazit duke qenë të dehur përderisa nuk dini çfarë të flisni
“, është urdhër i Allahut. Disa dijetarë me fjalën “dehje” kanë kuptuar dehjen me dynjanë, vetëpëlqimin, egoizmin, xhelozinë, kryelartësinë, pasionet dhe cilësitë tjera negative të egos impulsive.
Pra, marrë në tërësi mendoj se dokumentari ka arritur qëllimin e tij për të ftuar njeriun e sotëm intelektual t’i qaset namazit dhe vlerave madhore të tij, andaj me këtë rast përgëzoj z. Fatmir Muja, aktorët, bashkëpjesëmarrësit dhe gjithë sponsorët e në veçanti BIK-un duke u dëshiruar sukses të mëtejmë në realizimin e projekteve tjera me vlerë.
Në fund, konkludoj se namazi është pasuri e jonë e depozituar në bankën e Allahut xh.sh. dhe mbetet thesar i fshehtësive komplete, për të cilat dimë pak, ndërsa fjalët për to nuk kanë fund.
Porosia hyjnore është e përhershme dhe vlen për të gjithë brezat njerëzor, duke nxitur intelektin për meditim:
“Ka shpëtuar ai që është pastruar.
Që përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” (El - A’ëla, 14-15)